REXHEP KASUMAJ: EKUACIONI I LOTËVE!

Berlin, 10 maj 2018: (Fragment nga një shkrim i hershëm mbi shijen e tiranisë) – Në fokusin e atyre të rrallëve, me aftësinë e leximit elokuent e zhbirues të rrëzomës shpirtërore, është dhe i fundmi nga autokratët komunist të Koresë.
Dinasti i kuq Kim (Jong-Un), një risimtar i pasionuar i marrëzisë, kishte pikësynuar epshëm të maste gurrën e bardhë të lotsisë njerëzore: kumtin e cektësisë a vrushkullit të saj! Ndaj dhe do urdhëronte që vartës të tij: byroistë, ministra, gjeneralë e sekretarë, të ndiqeshin gjatë ditëve të zisë kombëtare për babanë e lavdishëm (Jong–Il), që posa kishte lënë këtë botë. Sigurisht, jo për ti shoqëruar në çastet e bashkëvuajtjes, apo për t’u dhënë krahun në organizimet e kësollit madhështor.
E ata, të devotë e zelltarë, do të vëzhgonin tabllonë e trishtimit të tyre: rrëkenë e lotëve, nurin e fytyrës, vetëgërrithjet shëmtuese, thekshmërinë e britmave, çjerrjen e zërave a ngjyresën e grykoreve të përjagura!..E përse? Udhëheqësi duhej të kuptonte se cila ishte thellësia apo çiltëria e ngashërimës tronditëse dhe këtë, më mirë së asgjë tjetër, do t’a jepnin lotët, sytë dhe pamja e tyre në celebrimin mortor.
Të hallakatur nën ethet e orës fatprerëse, armata e veteranëve të përbetimit, interpretuesëve të ritualit tradicional të kujës kolektive, shplarësve të trurit, hetuesve me detyrë, spiunëve vullnetarë, mentorëve të ngashnjimit – do të dilnin në gjahun e tyre: me një hov të vakët, pse përjetonin, si në trans, pengun e vjetër të ëmbël për dorëvënje mbi eprorët e lartë që kishin shfaqur, shpesh, përçmim e arrogancë për ta dhe, poaq, me frikën dridhmuese se mos nuk do arrinin të kapnin shenjat që kërkonte Prijësi i madh!
Por gjahu i tillë, s’vente kurrë bosh. Edhe sikur loti të ishte i paqtë, sovrani do të kërkonte të sajohej vezullimi i tij mashtrues. Vetëm ky cikël i ngujuar i gjakrrjedhjes së keqe, do ta shpëtonte atë, e meqë janë të nyjëtuar përjetë-aherë dhe kombin e shpresën e rrokullisë. Në rrjetin e tij të fshehtë, prandaj, për fatin e mirë të zogorisë përndjekëse dhe të së nesërmes së përndritur popullore bien, rëndom, i madh e i vogël. Yjë të shtruar të politikës dhe fjalamanë të thjeshtë mejhanesh.

Nuk ishte, pra, ikja e atit të dashur, humbja më e madhe e as disfata më e paprime. Një tjetër greminosje cënonte paktin, vetë ledhet e shtetit dhe rendit të përsosur: rrjedhnaja e paktë e lotëve dhe dëshpërimi i mangët, ose më keq akoma, mërzia e stisur, gati hajnore e tyre! Në vrojtimin deduktiv kjo mund të bëhej shkaku i zezonës madhore: zbehja, shëmtimi dhe përtrollisja e idhujtarisë! Dhe diktatori, me shtab e byro, do të mblidheshin me ngut. Kjo squllosje i parathoshte atij ngjizjen e farës së rebelimit. Partia e atdheu ishin vënë në rrezik. Betonimi i themeleve të tyre kërkonte më shumë lot, rënkim e mynxyrë! Pas një kohe, ata, ngarkuar rëndë mbi supe, do të sillnin me vete dosjetë e llahtarisë. Do të ndaheshin e specifikoheshin listat dhe, tutje, sipas peshës së fajit, do të binte ndëshkimi i dorës së tij, fatal apo mëshirues: ekzekutime e të degraduar, leçitje e të syrgjynosur!
Përzitja e pamjaftueshme, a mbase shtinjake, do t’u merrte jetën viceministrit të Armatës dhe 14 gjeneralëve, ndërkohë që shumë dinjitarë të tjerë, shefi i shatmadhorisë, mandej guvernatori i bankës e nëpunës të përkorë administrate, do të rroposeshin përgjithmonë! Agu i ditës së re do të lagej me gjak e lot dhe do të mbushej me dhimbjen që kërkonte ardhmëria e artë e njerëzisë së betuar nën këmbët e atit, demiurgut sipëran të gëzimeve dhe hidhërimeve, të jetës dhe vdekjes së saj.
E pabesueshme?
Aspak për ata q’e kanë jetuar vetë, kanë pasur prekje, qoftë dhe kalimtare, apo vuajnë akoma mbetjet e tehut të diktaturave: ekuacionin, barbarinë dhe perversitetin e tyre!..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura