REXHEP KASUMAJ: KONDOMINIUMI Ç’JETËZUES

Berlin, 15. 12. 2015: E pra: edhe pavarësia, edhe sovraniteti, edhe liria na rezultuan krejt veçanësore me substancën e përspektivën: të paarrira e të rrëzueshme në furtunat e para që vijnë. Ndaj, ardhur nga një dramë që do shmangte vështirshëm varrezën e popujve të shuar, ato prapë bëjnë, fatmjerisht, farën e dramës së re të përgjakur në një kohë të dytë! Ndërsa dje, për shkak të mjegullnajës që i ndiqte kuvendimet e dërgatës së tyre, ngjante e pamirëqenë pyejta: ku kje, vallë, populli?,, një pyetje e tillë është krejt e ligjshme sot! Por banorët që s’arrijnë dot të organizohen modernisht si komb me ndërgjegje qytetnie, ose nuk shohin përtej pragut ose besojnë mrekullinë…Veçse, për zbritjen e saj nga qiejt duhet pritur gjatë, më gjatë se jeta e tyre..!
***
1.

Në statusin e Kosovës së gjysmëvarme, patën dorë qysh n’fill mijëvjeçari përbetues të huaj e, më pas, legjislaturat e alternuara pararendëse. Mirëpo vulën e damkosur do ia jepte Guverna shpirtshitur e hashimisëve! Dhe ky status, jo i panjohur në praktikën ndërkombëtare, është përfundimisht një Kondominium i pashpallur, specifik e i mbuluar me hí mashtrues, mes Prishtinës dhe Belgradit. Tash sa vjet, ata, hierarkët e keqmandatuar, saherë venin e vinin nga qendra e Europës, mbeteshin të ngurruar, të pathënë e të errtë… Ndoshta do t’kenë kujtuar predikimin e Horacit se gjërat e mëdha e të bukura nuk i përkasin të gjithëve. E, rrjedhimisht, më së paku kanë të drejtën tu qasen “turma e altarit”! Në fakt, kjo është teknologjia dhe stili kontaktues i tiranëve të pailuminuar, që këta, snobët e vegjël orvaten ti imitojnë idhujtarisht. Ngujohen në larginë e distancë për të krijuar aureolin e madhështisë dhe mitin folklorik të sundtarit që njeh të fshehtën e lumnisë popullore…Por, realisht, rrugëtimet – fjalëboshe në publik dhe – injoruese të instancave kushtetuese, patën dhe arësye suplementare që do të diktonin këtë: shëmtia që gatisnin dhe taktika e aktit të kryer!

2.
Në botë, ndërkaq, ndryshe prej këtu, formula (lat. “pronësi e përbashkët”) nënkupton, rëndom, bashkëqeverisjen e një territori kontestimor nga dy palë që pretendojnë barazisht të drejtën mbi njerëz e resurse të tij. Historia e vjetër politike njeh shumë të tilla krijesa të cilat, pas shfaqjes së shteteve nacionale, do të gjenin shpesh zgjidhje me pragmatizmin e prerjes kirurgjikale. Më i moçmi, me gjasë, është kondominati i Andorës midis Francës dhe Peshkopatës së Urgellit, që do të shpërbëhet tepër vonë, (1993) në fundshekullin e ikur. Ndërkaq sot, këtë lloj sistemi gëzojnë akoma Republika e murgjëve Athos, pastaj zona e Bodenseesë, distrikti boshnjak Bërçko, e ndonjë tjetër… Kurse, krejt tevona, Gjibraltari pat refuzuar në udhë referendare idenë e ish-kolonozatorëve britë (viti 2002) për ta administruar atë bashkërisht me Spanjën.
3.
Mirëpo shtigjet e Kosovës do të kishin, papritur, tjetër atllas. Ajo cilësohej një truall e fat sui-generis që, thuase, nuk komponohej assesi me alfabetin klasik të lirisë. Këtë trumpetonin të gjithë: aleatët, prijësit e feudeve politike shqiptare e, madje për çudi, dhe serbët e Koshtunicës… Aherë, në ndjekje të këtij zbulimi, rrjedhoi të ishte shteti fqinjë serbian me të cilin, çuditërisht, vetë shqiptarët, në kushtet e një dorëzanie të huaj, traktatuan kësaj vere qeverisjen e përbashkët të shtetit të vet. E pra: edhe pavarësia, edhe sovraniteti, edhe liria na rezultuan krejt veçanësore me substancën e përspektivën: të paarrira e të rrëzueshme në furtunat e para që vijnë. Ndaj, ardhur nga një dramë që do shmangte vështirshëm varrezën e popujve të shuar, ato prapë bëjnë, fatmjerisht, farën e dramës së re të përgjakur në një kohë të dytë! Ndërsa dje, për shkak të mjegullnajës që i ndiqte kuvendimet e dërgatës së tyre, ngjante e pamirëqenë pyejta: ku kje, vallë, populli?,, një pyetje e tillë është krejt e ligjshme sot! Por banorët që s’arrijnë dot të organizohen modernisht si komb me ndërgjegje qytetnie, ose nuk shohin përtej pragut ose besojnë mrekullinë…Veçse, për zbritjen e saj nga qiejt duhet pritur gjatë, më gjatë se jeta e tyre..!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura