REXHEP KASUMAJ: KUJTIM KOHËSH TË VDEKJES …

Berlin, 5 dhjetor 2019: (Mbi mirënjohjen e pamjaftueshme)
1.
Messhekulli i ikur gatitej për dramën demoniake. Viti i largët 1938. Pëlhura e qefintë binte mbi Europë.
Një vajzë e re vjeneze fshehej nga gjahu mbi racën e saj hebreje. Dhe, pas peripecish mundtare, arriti të kalonte me nënën e saj në Jugosllavinë monarkike. Sa e gëzuar ishte! Shpëtova, mendonte dhe merrte thellë frymën e jetës.

Por ajo nuk e dinte se gjendej në pikëzjarrtën e tërbuar të Holocaustit. Sepse s’do vonojë e premieri serb i “qeverisë së shpëtimit kombëtar” Nediq, i raportonte Adolfit në Berlin se ishte i lumtur e krenar t’i kumtojë: “Serbien ist Judenfrei”!
Ndaj dhe autoritetet u vunë në ndjekje të saj. Kishin marrë vendim t’a rikthenin nga kishte ardhur. Në Vjenë. Në prehërin e vdekjes. Rrethi ngushtohej. Dhe frika e një trokitjeje në portë shtohej. Tmerr i natës. Lëvizje rrugicash pa dritë. Diell i ftohtë. Hije që i prenin udhët…
2.
Mirëpo njëj dite, të zymtë e Orëprerë si fati i saj, dikush i tha: përse nuk provon Shqipërinë? Për një çast do hutohej. Ky emër i vinte si në ëndërr. Dhe bashkë me të, një shpresë e vakët. Por sërish, e deshpëruar thellë, i dukej se kishte humbur betejën me të: me shpresën e një agu të ri në kopshtin e rinisë së saj.
Megjithatë vullneti, një grimë e tij e mbetur, e niste për në Zagreb, atje ku rezidonte konsullati shqiptar. Bëj udhë kot, thosh me vete dhe psherëtinte. Asnjë përfaqësi e huaj nuk i kishte hapur portë. Kudo hekur i mbyllur i zi. Refuzim. Shurdhëri…
Mirëpo me të hyrë ndjeu një atmosferë tjetër. Një prehje. Konsulli shqiptar do t’a mirëpriste ngrohtësisht. E mori në dijeni kërkesën dhe u tërhoq në ambientet e tij.
Ah, ndrydhte ajo veten, ky afrimitet, kjo ndjeshmëri e kulturë, s’janë veçse kortezi diplomatike. Pas pak konsulli shqiptar u kthye sërish dhe i buzëqeshur i thotë: Zonjushë unë ju uroj udhë të mbarë dhe qëndrim të këndshëm në Shqipëri!

Nuk i besonte dot fjalët dhe as sytë e përlotur. Në gjithë Europën nuk pati një copë Qiell lirie për të. Por ja, Hyji i kishte rezervuar lumni dhe i printe drejt jetës. Jetës së re në Dhéun e vjetër e fisnik të shqipeve.
3.
Ishte kjo Scarlett Epstein, çifutja 15 vjeçare e cila pas një qëndrimi të sigurtë (nga shtatori deri në prill të vitit 1939) në Shqipëri, emigroi në Londër. Jetoi gjatë e frytshëm. Do bëhej antropologjiste e shquar, por pa harruar kurrë Shqipërinë dhe Besën e saj.
Do t’a evokoja këtë fragment nga episodi i lavdishëm i strehimit të judenjëve në Shqipëri, meqë ishte pikërisht Durrësi, tashmë në zi, që i kishte shpëtuar jetën.
Ndërkaq, si thonë gjithë Shkrimet a Kanútë e lashtë, mirënjohja ndonjëherë nuk mjafton vetëm e gravuar në një pllakë të mermertë.
Madje as në t’shénjtin Jerusalem..!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura