TAULANT RAMABAJA: VEKTORËT POLITIK NË KOSOVË

(Prishtinë, 18. 05. 2012) – Problemi parësor i sistemit të brishtë të Kosovës është përthyrja e demografisë dhe popullatës nëpër vektorë totalisht ekskluziv ndaj njëri-tjetrit. Aty ku botëkuptimet apo kornizat etniko-kulturore janë heterogjene, demokracia nuk funksionon; kurrë askund nuk ka funksionuar.
Një pjesë e madhe e analistëve dhe “strategëve” partiak i bëjnë kalkulimet e tyre në bazë të tre vektorëve, të cilët nuk janë gabim në parim, por që nuk janë parësor në Kosovë:
1. Vektori etnik, i cili në aspektin më të gjerë gjeostrategjik, fatkeqësisht është shndërruar poashtu në proksi religjioz (sidomos në Maqedoni). Këtë vektor madje e kemi (apo na kanë) instucionalizuar brenda vet shtetit me kushtetutë.
2. Vektori demografik, d.t.th. dallimi ekstrem në mentalitet dhe aftësi në mes grupmoshave.
3. Vektori rural-urban.
Vektori i etnisë që është përforcuar me kushtetutë tregon se Kosova, që në start është projektuar të ketë një defekt demokratik, i cili mund të përdoret (dhe përdoret) për manipulimin apo kontrollimin e pushtetit

_____________________________

Vektorët parësor në Kosovë rezultojnë të jenë:
1. Komuniteti i feudës apo neofeudës.
Ky grup përputhet në një masë të madhe me vektorin rural-uran të lartëcekur, por është më parësor. Në këtë grup hynë e gjithë popullata e Kosovës, e cila kurrë nuk e ka kaluar stazën bujqësore dhe kurrë nuk e ka shijuar industrializmin sado të brisht te Jugosllavisë, e as administratën e saj. Ky komunitet, mund t’a vërejmë nga të dhënat e KQZ-së, nuk e ka tendencën të votojë në bllok për kandidat, e jo në rradhë të parë për parti, e lëre më për planprograme. Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të kaluara, del që PDK dhe AAK e kanë një pjesë të madhe të elektoratit pikërisht me përkatësi të këtij komuniteti. Këto parti janë shumë rajonale (sidomos AAK). LDK poashtu tregon që e ka një pjesë të elektoratit të tillë (Llapi), por nuk është elektorati parësor i kësaj partie. Vetëvendosja nuk ka koncentrim të tillë të elektoratit, ajo ishte e shtrirë në të gjithë Kosovën, por në asnjë komunë nuk ishte e para.
2. Komuniteti post-industrial dhe ai ish-administrativ.
Ky grup përbëhet prej popullatës, e cila në mënyrë direkte apo indirekte ka përfituar nga regjimi Jugosllav. Përfitimi mund të ketë qenë në formë të vendit të punës, në ndonjërën nga fabrikat apo në administratën e stërfryrë të Jugosllavisë. Ky grup ende ka lidhje të dobëta deri të mesme me një pjesë të komunitetit të feudës, pasi që edhe kur ka ndodhur ndërrimi nga ai i feudës në këtë grup kishte ndarje gjeografike (Prishtina, Gjakova, etj). Shihet se pjesën dërrmuese të këtij elektorati e ka përvetësuar LDK-ja. AAK nuk ka elektorat të tillë, me integrimin e FER-it, “Vetëvendosja” e ka potencialin t’i integrojë një pjesë të kësaj shtrese në vete (gjë që nuk mund të evidentohet për momentin, për shkak të mungesës së të dhënave nga zgjedhjet e kaluara) dhe PDK-ja i ka integruar disa, kryesisht nëpërmjet vektorit të tretë në vijim.
3. Komuniteti korrupsion-punësim.
Ky është komuniteti shumë i gjerë në Kosovë, ndoshta komuniteti i dytë përnga numri, pas atij të feudës. Ky komunitet është i bazuar mbi dy nivele; atë të të punësuarve, që nuk duan ta humbin punën e tyre (ose janë punësuar pa meritë apo frikësohen nga korrupsioni që mund t’i heqë, pa marrë parasysh meritën e tyre) dhe ata të cilët janë të varur nga të korrupturatit pushtetarë dhe nënpunësit e tyre. I gjithë ky grup realisht përfshinë të gjithë të punësuarit në amdinistratën e sotme dhe në kompanitë shtetërore. Sikur grupi post-industrial dhe ish-administrativ, ende janë të lidhur (por në një shkallë më të madhe) me një pjesë të komunitetit feudal. PDK-ja si parti në pushtet, e ka pjesën dërrmuese të këtij komuniteti elektoral. LDK-ja, me Prishtinën dhe disa komuna tjera, poashtu ka një pjesë të vogël të këtij elektorati. AAK-ja merrë pjesë në këtë komunitet në komunat ku ka qeverisjen lokale. Vetëm “Vetëvendosja” rezulton të mos ketë elektorat nga ky komunitet.
Arsyeja kryesore e ekzistencës të këtij komuniteti është ekonomia jo-ekzistente, dhe si rrjedhojë sektori i dobët privat. Poashtu, për shkak të korrupsionit, një pjesë e madhe e kompanive private janë direkt apo indirekt të varura nga pushteti, dhe për rrjedhojë bëjnë pjesë në këtë komunitet.
Të gjitha këto grupe janë pasojë e moszhvillimit homogjen të Kosovës. Derisa shumica (në mos çdo shoqëri tjetër në Evropë) i ka kaluar deri sot këto staza të ngjashme me renditje: feudë-borxheze-industriale-moderne/komuniste, shoqëria në Kosovë nuk i ka kaluar asnjërën prej këtyre ndryshimeve në tërësi. Jo vetëm që ka ngecur në ndonjërën stazë, por ka ngecur në secilën prej tyre, si në nivel gjorgrafik-rajonal, ashtu edhe në nivel të shtresave shoqërore. Sot mund të supozohet që po vazhdon ky tmerr historik pasi që kemi zhvillim shtesë enorme të gjeneratës së re, e cila realisht jeton në internet.
E vetmja parti këtu, e cila është një lloj ‘anomalie’ brenda këtij sistemi, është “Vetëvendosja”, një pjesë e madhe e elektoratit të së cilës rezulton se nuk hynë në asnjërën nga këto kategori! Pjesa dërrmuese e elekoratit të tyre del që janë popullata, e cila nuk mund kategorizohet kështu. Të vetmit të cilët nuk mund të kategorizohen janë ata të cilët nuk i kanë kaluar këto staza historikisht, d.t.th. të rinjtë (sidomos në qytete), ish-diaspora apo të kthyerit, dhe deri dikund shtresa ekstremisht e vogël e afaristëve dhe specialistëve të rinjë, me edukim në nivel, që nuk varen nga pushteti për shkak të fushëveprimit të tyre.
Si pasojë e këtyre vektorëve, kalkulimet politike për pushtet prej shumicës së analistëve dhe strategve partiakë, që mund të dëgjohen nëpër televizione dhe fshehtas nëpër kafene dhe restorante, nuk vlejnë. Kalkulimet e tyre janë thjeshtë për numra, jo për natyrën e elektoratit. Elektorati i Vetëvendosjes si komunitet realisht nuk ka ekzistuar para 10 viteve, ai i LDK-së është duke iu nënshtruar proceseve natyrore demografike, ai i PDK-së është totalisht i varur nga vazhdimi i status-kuosë, që varet totalisht nga diaspora. Kështu mund të konstatojmë që lëvizjet e elektoratit dhe koalicionet e mundshme mund të ndodhin vetëm në mes të blloqeve të afërta, pra ai mes PDK-së me LDK-në e AAK-në, por jo me “Vetëvendosje”-n.

___________________________________

SHIKONI SI GËNJEHET ELEKTORATI – GJATË FUSHATAVE!

………………………………….

______________________________________

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura