REXHEP KASUMAJ: REDAKTURË E EPËRME (Sprovë eseu)

Berlin, 19 prill 2019: Është Ajo që i vë pikën gjithçkaje të këtejbotshme. Dhe krajatës së Letrave, poashtu, që marrin ujem dhe nuk e lënë të zo’në të prehet në qetësi. Sepse, i thonë, e zbrazët, kotnare ngjan qetësia, dhe i tillë, shkumëzues në trazim, je Ti me urdhërin suprem të racës.
E pra, Vdekja – ky redaktor i epërm e përmbarimtar i shkrimsisë njerëzore
.
Qefin i saj, si perde teatri, bie mbi dramën e vuajtjes dhe çlirimit krijues. Dhe s’ka më ndërhyrje tëhollimi, retushim ideje, ndryshim ritmi a muzike të vargut, të rimës a të beftësisë magjike të figurës…
Ajo, ah një stacion i fundmë i udhëtimit t’një rreshti e vargu, lodërtar a të përvuajtur. Të bukur a shëmtuar. Të sertë a balsam prehës. Në rrjedhësi të kulluar a çalaman të lodhur. Strehues të dhimbjes a fluturak boshtar…
Kur në perëndim të Orës, i vë Paslënjes gozhdën arkmortore, Ajo, sovranja e parrëzueshme, shfaqet si Zanë mali dritëhijesh të hirshme farfuritëse. Dhe i flet Ti Asaj përmes Fjalës sate: ose memecërisht, sepse s’të kupton kush, ose zëmadh që kumbon si kumt mbi breznitë e kohëve që vijnë…
Ndaj dhe është kaq e ashpër e, njëkohësisht, mëshirëplotë. Dikujt – sa rrallë – i rezervon fronin e bukurisë, e, ndërkaq, ndonjë tjetri ia ngarkon me vete shkronjat, matanë, në gropën e errësisë.
Kurse me armatën e të midismëve tregohet Ajo krejt indiferente. I braktis, ashtu, bredhëritjes së përmotshme në asnjanësinë mundimtare: mes tokës e qiellit.
Tokës që s’i merr dot poshtë dhe qiellit që i refuzon përbuzshëm atje, përtej résh, në yllnajën e lartë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura