Berlin, 22. 11. 2013 – (Një reminishencë bajate e Luftës së ftohtë) – Një ish-spiun nga koha e Luftës së ftohtë fërkon duart ngazëllyeshëm. Tash sa vjet shef i Kremlinit (edhe kur nuk ishte banor i tij), Vladimir Putini, shpreson të ketë ngritur një Perde të re mes tij dhe botës së lirë. Premieri i Ukrainës, Mykola Asarow, dekretoi ndalimin e nënshkrimit (pritej javën e ardhme në Vilnusin baltik) të Marrëveshjes së asociimit me Bashkimin europian. Kijevi përplasej moti në vorbën djegëse se ç’anë duhej të zgjedhte: Rusinë apo Perëndimin! Zgjedhja nuk kje e lehtë. Dhe as vetëm politike. Ndarja përgjatë lumit Dnjepër i jepte asaj përmasën e vështirë identitare. Çorientimi etnik i gjysmës popullore dhe shantazhi ekonomik rus, do të vulosnin vendimmarrjen e gjunjëzuar për aderim në Unionin doganor me fuqimadhin e vogël fqinjësor.
Europa do të indinjohej keq, kurse Putini (që thuase ishte kthyer prapa në vitin 1939 të Hitlerit a Stalinit të tij, si e përshkruan SZ e Mynihut) ekzaltohej nga fitorja e ligë: arriti të mblidhte mbetje të pluhnosura nga rudimenti i Murit të rrëzuar. Ukrajina, së paku ajo, duhet të kompensonte atë. Të ishte tamponi mbrojtës përreth rrezatimit të vlerave të qytetnisë europiane. Ai i trëmbet, si mortit, afrisë së tyre. Fine e, njëkohësisht, përflakëse, ato tundin themelet e despotisë së tij: si frymë dhe praktikë e vjetër lindore.
– Vladimir Putini –
Po a s’është ky një moment reflektimi dhe për Europën vetë?
E para, meqë duket pakëz e rënduar për integrimin flatrues të Rumanisë e Bullgarisë, të parritura ende për vrujimet e saj, a duhej të ngarendte sërish drejt dështakut të radhës: pa një profil unik kulturor, pa caksynim të definuar strategjik dhe pa demokraci të absolvuar parlamentare?!
Pastaj, e dyta, deri ku venë kufijtë e saj? Deri aty ku mësojnë lektyrat shkollore apo deri aty ku ajo refuzohet si hemisferë e huaj?
Ndaj, është rezoni i gjeopolitikës që mbipeshon kulturën e demokracisë – apo kjo e fundmja është ai shpirti mijëvjeçar që gjakon të zbardhë hapsirat e errta? Mbase janë të dyjat bashkë. Ajo, si përherë, ka mision planetar, ndërkohë që, në anën tjetër, vajtja andej ngjan të jetë krejt e natyrshme. Fundja, pishtarin e saj përndritës e mban dhe Lindja e vjetër. “Konfederata ose Paqja e Varshavës” e vitit 1573 (Pax dissidentium) që fabrikoi termin nismor të disidencës (aherë kishtare) bënte një gur të fortë në ngrehën e historisë dhe kulturës së mendimit të lirë (Freidenkerei) në Europë.
E prandaj, përulja ukrainase ndanë Moskës që i thërret lojës së moçme të konfrontimit, ndoshta nuk është veçse një ndërmjetëz e brishtë në midisaktin e dramës. Shfaqja nuk ka mbaruar ende dhe gjithçka do rizhvillohet mbi ligjërinë e historisë. Flamuri i triumfit në Kremlin valëvitet dridhshëm nga era e së Drejtës dhe Lirisë që fryn nga Europa dhe Perëndimi i rinosjes së paprerë. Edhe “vëllezëria myslimane” vodhi tinëzisht e mashtrueshëm (J.Kerry) produktin e përgjakur të revolucioneve pranverore arabike, por jo jetëgjatësisht. Gjaku nuk shkon dëm kurrë dhe tiranët e çdo fytyre s’ndjehen të sigurtë askund.
As Putini me “Perden” e re poashtu. Humbja tashmë i ka lënë takim në një kohë të dytë.