REXHEP KASUMAJ: SHTËPI J. (Mbi anën e një ndjese)

Berlin, 21 dhjetor 2019: 1. Esetë e shkurtër a poezitë që ndodh të hijesohen nga një tis i lehtë trishtimi, i skicoj e, ndonjëherë, i shkruaj në “Haus J.” (një institucion emigrantësh), ku kaloj orët e punës në vrushkullin e psherëtimave dhe shpresës, mallkimeve e pendesës…

Dhe, vuajnë e ëndërrojnë, zhgënjehen e nëmin, ata që kanë humbur Dhéun e tyre. E lexuar si një shkurtesë e shqipes, e mira “Haus J.” do t’mund të ripagëzohej dhe si “Shtëpia Jo”!

A s’është kjo, në një mënyrë, përgjigja që ata marrin nga jeta? Nga një jetë, kuptimi i së cilës është vetëm marrja frymë, përsëritja e thjeshtë dhe apatike e ditëve të numëruara të kësaj bote…

2.
Filli pretendues (një temë më vete) nuk është aspak frymëzim profecish nga Shkrimet e vjetra apo njëj mendimi historik se qendrat e qytetnisë lëvizin e alternohen në kohë e hapsirë ndër shekuj. Dhe, ja tani paskësh Orën e vet ky, andej nga dielli perëndon..

Ndaj, sado e ftohtë dhe e huaj – ajo nuk rëndon ndërgjegjen a njollos etikën e Portës ku trokitet pas një shtegu të kalvarosur n’për male, humnera, kufij, roja, tela xhemborë, mure, qenër përgjues…

Krejt e natyrshme. Sepse është me faj pikërisht ligji i kauzalitetit, i shkak-pasojës pse ata gjunjëzohen nën këmbët e atyre që i kanë lënë pa Votër ose në mjerim kolonie…Më mirë të na vijnë sesa t’u shkojmë, më rastisi të dëgjoja një shpjegim figurativ e, poaq, cinik të kësaj drame njerëzore.

3.
Atdheu, duke qenë akoma nën strehën e tij, fillimisht humbet nga robëria dhe varfëria, e, më pas, nga kthimi i krahëve, braktisja…

A do të mjaftonte dhe ç’punë do bënte një Ndjesë e madhe? Por më e vështirë ende duket pyetja: kush duhet t’a kërkojë atë? Këta, arratiakët apo, mbase, Mëmëdheu atyre, me përulje të dhimbshme që i ka tretur si zogjtë e korbit udhëve të errta?

Në fakt, këtë dilemë të thellë morale, do ta shtrojë dhe
Saladin Çamça i Rushdiut në “Vargjet satanike”. Duke qenë vetë i mërguar, do t’a bëj atë qartë: me ndjenjën e pafajsisë!

Dhe, me gjasë, kishte plotësisht të drejtë!..
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura