REXHEP KASUMAJ: VETMI PRESIDENCIALE …

Berlin, 6 nëntor 2018:
1.
Vetmitë janë të ndryshme në këtë botë. Vetmi, fjala vjen, kur kuisje e portës të mashtron… Por jo, nuk është askush. Është vetëm era që përplas atë lehtë për pragun e përmalluar…
Dhe këtë vetmi e vuajnë një zemër nëne kërcurë, sy dashnorë të mërzitur, ëndërr poste që s’vjen, tren mesnate ku nuk zbret kush…

Mirëpo dhimbja ndryhet në një ofshâmë që s’dëgjohet askund në rrethin e mbyllur të vetmisë.
Mirëpo ka dhe një tjetër vetmi që shpie larg, gjithandej botës së një miljeu dhe përtej brezit, ogurin e saj.
Është vetmia presidenciale. Vetmia e hijeve pas muresh, e thikave në terr apo e helmit në darkë gjeneralësh…
Me kundërshti kurohen kundërshtitë, thoshin latinët e lashtë. Një prijës i tjetërsuar rreket, pra, t’i kurojë kundërshtitë me Eprorët e fuqisë së huaj përmes kundërshtisë me popullin e vet. Ky është, si me thënë, kushti i nënujshëm, pakti i fatal: për të qenë mirë me eprorët, duhet të qëndrosh keq me popullin… Me të dy mirë njëkohësisht, s’mund të jesh kurrësesi…Dhe renegatët zgjedhin prorë shërbesën e parë: atë që krusmon popullin e tij.

Veçse kur virtyti i durimit “lodhet nga tepria e vet”, aherë Prijësi nuk përhirohet më dhe ditët e zymta sundtare nis e sosen shpejtësisht.
2.
A jeton vetminë H. Thaçi?
Në vështrimin syprinor sikur ngjan i tillë: të gjithë kundër tij! Nomenklaturës të epërm, bashkëpunëtorë të afërt, madje vartës të vernilosur, marrin distancën ngrohtë si deponim i rezervuar për motin që vjen.
Por a është, vërtetë, kështu? E përgjon fati i qefintë atë?
Nuk e besoj. Ndoshta.
Por sfondi është krejtësisht spekulativ. Vetmia e tij është e stisur. Nuk është aspak shterrim energjie, bjerrje realizmi, kompromitim idesh.
Ndërkaq janë dy pozicone që përthekojnë këtë pandehmë.
E para, është: hipokrizia! Çfarë thonë mohësit ditën, e përmbysin natën, tek beh ora e shpirtërave. Sepse po të ishte ndryshe, e pra të gjithë kundër tij, aherë do të miratohej ajo e shkretë Rezolutë dhe kuvendarët s’do bëheshin gazi i njerëzisë.
Dhe e dyta, ende më poshtnore, është: ligësia! Pothuaj kudo, në kuloare, në sallone glamuroze me prejardhje të turbullt, në stacione provinciale, në media pa profil libertar, pëshpëritet e, shpesh, flitet zëshëm se Presidenti lëngon net të pagjumta…Dhe se, në gjurmë të urtisë latine, përmes kundërshtisë me popullin robëton të kurojë kundërshtinë me botën që i paskësh gatitur një vetmore grilash në fortesën e ftohtë përbetimesh mesjetare…
Dhe, meqë qenkësh kështu, aherë armiqtë politikë nga kooperativa rivale vërsulen: mësyni o burra t’a vetmojmë, t’a zbresim nga treni i kuvendimeve të pabesë! Se, ashtu, ai s’do ketë me se të shlyejë detyrimet e “kurës” latine. Do na ikë larg, për t’u kthyer prapë një ditë, plak i harruar e mëkatar në shtëpi.
3.
Këto radhë nuk janë apologji a ves vasaliteti inert. Është përkitshmëria nyjëtuese e interesit dhe forcës që, si një mrekulli qiellore, i ka ndodhur shqiptarëve. Dhe ata ndihen të mbrojtur e të lumtur nën ombrellën e aleancës natyrale Atllantike.
Nëse, ndaj, për “Kufirin”, lëvizjen e tij, e kanë prerë mendjen çlirimtarët, e kjo domethënë Amerët që, në emër të Kosovës, hodhën të vetëm firmën mbi Kartën serbohumbëse në Kumanovë, – aherë, mirë ose keq, duket punë e kryer.
Dhe pastaj Kryefistarët kundërshtarë do ngarendin për të qenë vetë Nënshkruesit e lavdishëm. Si në Paris. Në Rambuje. Në Vjenë. Në Prishtinë. Do i gëlltisin qenërisht fjalëmëdhatë kotnare. Në emër të Fisit parapolitik që jeton lumnueshëm ditën deri në perëndim të diellit. Por kurrë epokën, shenjat e së cilës, të zorshme për lexim, nuk i shohin në horizont!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura