RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (32)

Nga Asallan Muharremi

 Në Shtutgart

     Pasditen e 15 shtatorit (1983) arritëm në Shtutgart. Në mbrëmje, u takuam me Xhafer Durmishin, të cilin të gjithë e njihnin si Skënder. Isha shumë i gëzuar.

    Shtutgarti ishte një qytet i madh. Nga shokët mësova se në Shtutgart e rrethinë,  kishte një numër të madh bashkatdhetarësh, që vinin nga Kosova dhe viset tjera shqiptare.

    Ditët e para, Xhafa apo siç njihej Skënderi, më ka folur për gjendjen në radhët  e emigracionit shqiptar në Gjermani dhe vendet tjera të Evropës Perëndimore. Gjatë qëndrimit në Shtutgart, gjithashtu nëpërmjet Xhafës, jam njohur me veprimtarë të shquar të përpjekjeve për liri si Remzi Ademaj, Faridin Tafallari, Hafiz Gagica, Mehdi Rexha, Shaban Bobaj, Nami Ramadani e të tjerë.

    Shumica e bashkatdhetarëve të rrethit të Shtutgartit, që kam pasur rastin t’i njoh, ishin mërgimtarë të ardhur në vitet e shtatëdhjeta. Pothuajse të gjithë ishin në marrëdhënie pune. Kisha vërejtur se vetëm një numër i vogël prej tyre i kishte familjet me vete. Një pjesë e konsiderueshme prej tyre nuk mund të udhëtonte dhe t’i vizitonte familjet e veta, për shkak se ishin zbuluar nga UDB-a se ishin pjesëmarrës në veprimtarinë liridashëse, përkrah Jusuf e Bardhosh Gërvallës.

  • Xhafer Durmishi dhe Asllan Muharremi

Bashkatdhetarët e rrethit të Shtutgartit kishin edhe një lokal që e quanin Odë, ku ata takoheshin, sidomos, gjatë ditëve të fundjavës, kur ata ishin të lirë nga puna. Ky lokal shfrytëzohej kryesisht nga pjesa e bashkatdhetarëve që nuk mund të udhëtonin në vendlindje. Në këtë lokal bashkatdhetarët takoheshin qysh nga koha kur ishin gjallë dhe vepronin Jusuf e Bardhosh Gërvalla.

      Në Odën e rrethit të Shtutgartit, e kam takuar, për herë të parë, Milaim Zekën, i cili ato ditë ishte arratisur nga Kosova. E mbaj mend se atë mbrëmje, për të pranishmit, Milaim Zeka recitoi poezi me motive nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

  • Milaim Zeka

Në Mynih tek Muharrem Gjocaj

    Qëndrimi disaditor në rrethin Shtutgartit ma dha mundësinë të njihesha me shumë bashkatdhetarë. Në Shtutgart kishte një numër të madh bashkatdhetarësh dhe unë me shumë dëshirë do isha ndaluar aty. Mirëpo Xhafa kishte biseduar me shokët dhe ata ishin pajtuar, qysh para ardhjes sime në Shtutgart, që unë të vendosesha në Mynih.  Unë nuk ua bëra dy fjalë për këtë. Isha i gatshëm të shkoja e të veproja aty ku do të ishte nevoja.

      Largimi nga Shtutgarti, ishte një moment tjetër i dhimbshëm. Ymer Berisha do t’ia mësynte Francës. Unë kisha nevoj për ndihmën dhe përvojën e Xhafës dhe kisha dëshirë të qëndroja pranë tij. Ndonëse, sapo kisha ardhur në Gjermani, kisha filluar ta kuptoj se veprimtaria jonë në radhët e emigracionit ishte shumë më e ndryshme nga ajo në Kosovë dhe se ajo për mua kishte shumë të panjohura.

      Në fund të shtatorit 1983 me ndihmën e shokëve të Shtutgartit u vendosa në Mynih.

       Muharrem Gjocaj, nga rrethi i Junikut, ma hapi derën e banesës së tij dhe më dëshiroi mirëseardhje! Ai jetonte dhe punonte prej shumë vitesh në Mynih. Për shkak të bashkëpunimit me Jusuf e Bardhosh Gërvallën, kishte disa vite që kishte rënë në sy të UDB-ës dhe nuk guxonte ta vizitonte familjen e tij në Kosovë.  

       Që nga dita e parë e njohjes me te, sa herë e shikoja Muharremin, me dukej se e kisha parë diku, por nuk arrija ta gjeja se ku e kisha parë! Ditën kur më tha se e kishte një vëlla që kishte qëndruar në izolim dhe se vëllai i tij quhej Zenun Gjocaj, gjithçka u bë e qartë – ata ishin vëllezër dhe i ngjanin shumë njëri-tjetrit. U gëzuam shumë që dolëm të njohur.

      Muharrem Gjocaj nuk kishte ndonjë shkollim të lartë, por jeta në mërgim kishte qenë një shkollë e madhe për të. Ai kishte njohuri të shkëlqyeshme për emigracionin tonë politikë dhe jo politikë, në Mynih dhe më gjerë. 

      Pas vendosjes sime në Mynih, fillova të njihem me qytetin dhe shqiptarët që jetonin aty. Muharremi punonte gjithë ditën dhe unë e kaloja kohën duke lexuar apo duke bërë ndonjë shëtitje të vogël afër banesë së tij. Kur vinte nga puna me Muharemin bisedonim për çështje të ndryshme. Ai po më mahniste me zgjuarsinë dhe modestin e tij. Nuk m’u deshtë shumë kohë që të bindesha se ishte një privilegj i madh të bisedoje e t’i dëgjoje mendimet e tij të zgjuara për shumë çështje të luftës sonë.

     Qysh në Turqi isha marrë vesh me Sabriun që sapo të vendosesha diku në Evropën Perëndimore, qoftë edhe përkohësisht, ta kontaktoja Ukën (Xhafer Shatrin) dhe kështu do ta nisja bashkëpunimin tim me te.

      Sabriu më kishte njoftuar se bashkëpunimi në mes Ukës dhe Skënderit nuk kishte shkuar aq mirë dhe se kjo, sipas tij, nuk kishte ndodhur për fajin e Skënderit. Përkundër kësaj, Sabriu ishte i mendimit që bashkëpunimi në mes dy krahëve të lëvizjes sonë nacionalçlirimtare, të vazhdonte dhe forcohej.

     ‒ Ti bacë i  ke “nervat e kalit”, prandaj përpiqu të bashkëpunosh me Ukën për hir të çështjes sonë kombëtare, – më pati porositur Sabriu kur më përcolli për Evropë!

     Një mbrëmje, u drejtova tek një automat telefonash, meqenëse Muharremi nuk kishte telefon në banesë, dhe e mora në telefon Ukën.

     Uka më priti mirë dhe u tregua i gatshëm ta nisnim bashkëpunimin, ashtu siç ishin pajtuar ai dhe Mërgimi (Sabri Novosella).

      Pas telefonatës së parë, me njëri-tjetrin ndërruam  disa letra dhe bëmë disa biseda telefonike. Unë isha i kënaqur me Ukën dhe gjithashtu kisha përshtypjen se edhe ai ishte i kënaqur me ato çështje që i kisha shkruar dhe ato që i kisha thënë gjatë bisedave telefonike.

     Një mbrëmje tjetër shkova tek kabina e telefonit dhe e mora përsëri në telefon Ukën. Gjatë bisedës ai më propozoi që të bashkëpunoja edhe me një shok të tij që banonte në Mynih. Uka më foli fjalë shumë të mira për shokun e tij. Unë e pranova me kënaqësi propozimin, madje edhe e falënderova për besimin dhe gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me mua!

      Sapo u ktheva në banesë  iu drejtova Muharremit dhe e pyeta se a e njihte shokun e Ukës dhe se si mund ta gjeja e të takohesha me te?

      Kur ia thash emrin e personit që po e kërkoja, Muharremi u ndje shumë  i habitur për lidhjen e propozuar nga ana e Ukës dhe menjëherë më pyeti:

       ‒ A e njeh mirë, këtë njeri, shoku yt në Zvicër?

    U befasova dhe nuk dija se çka t’i përgjigjesha Muharremit. Reagimi i tij më bëri kureshtar të dija më shumë për personin që më kishte propozuar ta takoja Uka. Prandaj, Muharremit i bëra shumë pyetje lidhur me aktivistin e Ukës. Nga përgjigjet e tij mësova se personi në fjalë ishte një njeri i shthurur dhe që njihej si njëri që frekuentohej me elementë të ekstremit të djathë shqiptarë, të cilët mund të ishin edhe në shërbim të UDB-ës!

     Ndoshta Uka nuk e njeh sa duhet shokun e tij në Mynih, – i thashë vetës?  Qëndrimi i Muharremit më bëri të mos ngutesha me takim me aktivistin e Ukës, madje edhe të tregohesha shumë i rezervuar edhe lidhur me vënien në kontakt të një shoku tim në Kosovë, me shok  të  Ukës, ashtu siç isha marrë vesh me Mërgimin në Turqi.

     Një të shtune së bashku me Muharremin e vizituam Bibliotekën e  qytetit të Mynihut, e cila ishte shumë e madhe dhe shumë e pasur me literaturë nga e gjithë bota. Aty gjetëm edhe revistën “Jeta e Re” dhe në të edhe romanin e Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut” për të cilin kisha dëgjuar, por që nuk kisha pasur rastin ta lexoja në Kosovë. E luta Muharremin ta huazonte revistën “Jeta e re” në emër të tij dhe pas leximit e njoftova dhe Ukën për librin dhe ai m’u lut t’ia dërgoja menjëherë me postë në Zvicër. Disa ditë më vonë, pas kopjimit, Uka ma  ktheu librin dhe ne e dorëzuam në Bibliotekën e qytetit të Mynihut. Uka, pas pak kohe e dërgoi në shtyp dhe e botoi librin “Gjarpinjtë e gjakut”. E kam çmuar shumë punën e Ukës për botimin e librit të Adem Demaçi, simbolit të qëndresës dhe luftës sonë për liri.

      Gjithashtu gjatë kohës së qëndrimi tim në Mynih, për disa ditë ishte i hapur një  panair i librit, ku merrte pjesë edhe Ndërmarrja e Përhapjes së Librit nga Tirana. Në mesin e librave e pashë edhe romanin “Rrotull” të Jusuf Gërvallës, i cili sapo kishte dalë nga shtypi. Meqë përfaqësuesit e “Ndërmarrjes së Përhapjes së Librit”, pjesëmarrës në panair, e kishin vetëm një ekzemplar të librit, unë i luta ata që të ma mundësonin ta merrja me vete librin, pas mbylljes së panairit, pasdite vonë, dhe jua dhashë besën se do t’jua ktheja librin  ditën e nesërme, herët në mëngjes. Kështu edhe bëra. Romanin “Rrotull” e lexova, për herë të parë, brenda një nate.

      Pas disa ditësh, një mbrëmje i telefonova përsëri Ukës. Ai edhe  gjatë kësaj bisede e shtroi çështjen e kontaktit të një shoku të tij me  Gjonin në Kosovë. Unë nuk e refuzova kërkesën e tij, por pas ofertës që më kishte bërë për të bashkëpunuar me shokun e tij në Mynih, isha shumë i rezervuar dhe i thashë Ukës: “Para se ta jap emrin dhe adresën e Gjonit në Kosovë, më duhet ta njoftoj Gjonin se një shok i imi dhe i Lëvizjes do ta kontaktonte. Fatkeqësisht unë nuk kam arritur ta kontaktoj Gjonin dhe për këtë arsye duhet të presim gjersa të arrij ta bëjë një gjë të tillë. Gjoni është i përndjekur nga UDB-a dhe ai nuk pranon të lidhet me dikë që nuk e njeh.” 

      Uka e pranoi shpjegimin tim dhe kështu e mbyllëm, përkohësisht, këtë çështje, për mua, shumë të ndjeshme.

       Ndonëse isha i rezervuar lidhur me lidhjen e shokëve në Kosovë, asnjëherë nuk kam dyshuar në besnikërinë e Ukës. Nuk dija se kush do ta kontaktonte Gjonin dhe shokët në Kosovë nuk guxoja t’i rrezikoja në asnjë mënyrë. Fundi i fundit kjo ishte një nga arsyet  që më kishte shtyrë ta lëshoja Kosovën.

      Një mbrëmje, si zakonisht, dola përsëri tek kabina e telefonit, që e kisha disa qindra metra larg banesës, dhe e marrë në telefon Ukën. Ai, dukej shumë i gëzuar! U gëzova edhe unë për gëzimin e tij. Vetë me vete thashë se mos ka ndonjë lajm të mirë nga Kosova! Nuk vonoi shumë dhe Uka e barti telefonin tek një shok që ishte i pranishëm në banesën e tij, pa e prezantuar fare se kush ishte! E përshëndeta Shokun dhe nisa ta pyes për shëndetin. Zërin nuk po ia njihja. Pas pak nisa edhe ti kërkoj falje, sepse vetëm me ndihmën  e zërit nuk po e gjeja se cili ishte! Nuk vonoi shumë dhe Mërgimi  lëshoi një të qeshur, karakteristike, dhe pikërisht fal të qeshurës së  tij e gjeta se cili ishte.

     Mërgimi ishte shumë i gëzuar dhe shumë i lumtur që kishte ardhur tek Uka. U gëzova edhe unë sepse i kuptoja se çfarë gëzimi ndjen njeriu kur takohet me një shok që se ka takuar një kohë të gjatë, ashtu siç nuk ishin takuar Uka dhe Mërgimi. Sabri Novosella më kishte folur shumë fjalë të mira për Xhafer Shatrin dhe më kishte treguar edhe për kohën që kishin kaluar së bashku nëpër burgjet serbe. Pas pak, u përshëndetëm me njëri-tjetrin dhe unë u ktheva shumë i gëzuar në banesë tek Muharrem Gjocaj.

    U gëzova që Mërgimi kishte ardhur nga Anadolli në Evropë. Shpresoja se ardhja e tij do të na ndihmonte në zgjidhjen e shumë problemeve që kishte Lëvizja jonë. Vizitën e Sabri Novosellës tek Xhafer Shatri, e shihja edhe si një mundësi të mirë që ata t’i shtronin e diskutonin,  me njëri-tjetrin,  disa çështje shumë të rëndësishme të veprimtarisë sonë dhe sidomos disa vërejtje lidhur me vijën politike të “Zërit të Kosovës”, që ishin shprehur edhe nga përfaqësuesit e shtetit shqiptar në Turqi.

      Të nesërmen,  e mora në telefon Ymer Berishën në Francë. Më këtë desha ta pyes se si po kalonte dhe si ishin duke shkuar punët në rrethin e Parisit, por edhe për ta njoftuar për ardhjen e Sabri Novosellës në Zvicër. Ymer Berisha, menjëherë pas përshëndetjes, dhe ende pa arritur ta njoftoj për ardhjen e Sabri Novosellës më thotë:

‒ Kam folur me Bacin (kështu e quanim Sabri Novosellën) dhe ai më tha se Xhafer Shatri është agjent i UDB-ës! Madje, Baci kishte edhe fakte për këtë!

     U befasova shumë! Nuk po u besoja veshëve për atë që po dëgjoja.  

      ‒ Mbrëmë kam folur me Bacin dhe Ukën. Ata ishin shumë të lumtur që ishin bashkë! Si ka mundësi që sot të del se Xhafer Shatri na qenka agjent i UDB-ës?!  Dje, Baci nuk më dha asnjë shenjë, se nga Turqia kishte sjellur fakte, dokumente… Kjo është e pabesueshme,  – i thashë Ymer Berishës?!

     Pas shpjegimeve të mëtejme që më bëri Ymer Berisha, për bisedën që kishte pasur me Sabri Novosellën, u përshëndetëm me njëri-tjetrin. E lëshova receptorin e telefonit, e lash kabinën dhe ika i dëshpëruar në banesën e Muharrem Gjocajt. E tmerrshme! E pabesueshme! Si është e mundur që Xhafer Shatri të jetë agjent i UDB-ës, – e pyetja kokën time?

     Më vonë, e mora në telefon Xhafën dhe i shpjegova për ato që kisha dëgjuar nga Ymer Berisha. Ai nuk dinte gjë për përplasjen në Gjenevë dhe për akuzat që kishte ngritur Sabri Novosella kundër Xhafer Shatrit. Edhe Xhafa u befasua nga lajmi i jashtëzakonshëm që po i përcillja.

         Ai më tha:

      ‒ Do të bisedoi me Sabriun dhe shokët në Zvicër dhe do të përpiqem të mësoi se ç’ka ndodhur?! Pas një heshtje të shkurtër Xhafa vazhdoi: por, në luftën tonë asgjë nuk është e pamundur, – më tha Xhafa, në fund të bisedës!

     Akuza që kishte ngritur Sabri Novosella në adresë të Xhafer Shatrit ishte shumë e rëndë. Unë e kisha shumë të vështirë ta kuptoja të vërtetën. Qysh në Turqi, unë kisha dëgjuar, nga Sabri Novosella, se përfaqësuesit e shtetit shqiptar,  gjatë kontakteve që ai kishte pasur me ta, i kishin shprehur rezerva dhe dyshime lidhur me arratisjen e “pamundur” të Xhafer Shatrit nga burgu i Prishtinës. Edhe shokët tjerë që kishin pasur kontakte me përfaqësues të shtetit shqiptar u ishte shtruar pyetja : “Si e mbajnë derën e burgut, jugosllavët?! Të hapur?!

     Lidhur me këtë çështje edhe unë kisha biseduar me Sabri Novosellën në Turqi. Ai e kishte shpjeguar arratisjen e Xhafer Shatrit kështu: “Xhafer Shatrit  i kishin ngelur edhe pak muaj burg nga dënimi i gjatë që kishte. Ishte një praktikë e zakonshme që të burgosurit që e kanë vuajtur shumicën e kohës së dënimit, të angazhohen në punë edhe jashtë burgut. Duke punuar jashtë burgu, Xhafer Shatri, sapo ka pasur rastin është arratisur.”

     Meqenëse edhe vetë kisha bërë një arratisje të pamundur, unë  nuk shihja si të pamundur dhe versionin e shpjeguar për arratisjen e Xhafer Shatrit nga burgu. Në anën tjetër, Sabri Novosella asnjëherë nuk më kishte shprehur qoftë edhe dyshimin më të vogël lidhur me besnikërinë e Xhafer Shatrit. Përkundrazi, ai më kishte thënë se kishte besim të plotë në të. Sabri Novosella, për shkak të besimit të madh që kishte në Xhafer Shatrin, më kishte propozuar që Gjoni (Xhemajl Pllana) të vihej në lidhje me një shok të Xhafer Shatrit. E vetmja gjë negative që Sabri Novosella më kishte folur me një çikë  dyshim, ishte çështja e vijës politike që shfaqte Kryeredaktori në organin e LRSShJ-së “Zëri i Kosovës”, sidomos lidhur me kërkesën “Kosova-Republike” dhe çështjen e bashkimit të trojeve shqiptare. Mos e ka këtu zanafillën përplasja në mes këtyre dy gjigantëve të Lëvizjes sonë, – e pyetja vetën time?

      Një ditë më vonë, u njoftova për rrjedhën e përqafimeve dhe akuzave të ndërsjella  në mes të Sabri Novosellës dhe Xhafer Shatrit. Ajo që kishte ndodhur, ishte për keqardhje. Sabriu ishte nxituar dhe shpërthyer, pa arritur të zgjidhte problemet që ishin të pranishme në radhët tona, sidomos ato që kishin të bënin me vijën politike të organit “Zëri i Kosovës”. Gjaknxehtësia e treguar dhe sharjet e fyerjet, që Sabri Novosella i kishte bërë Xhafer Shatrit, në shtëpinë tij, nuk kishin ndikuar, për të mirë, në rrethin e shokëve tanë dhe as të rrethit të shokëve të Xhafer Shatrit. Me këtë kishte filluar të thellohej akoma më shumë çarja në mes nesh. Shokët e Lëvizjes ishin pozicionuar, disa përkrah Xhafer Shatrit dhe disa të tjerë, përkrah Sabri Novosellës. Unë për vete kisha frikë se agjentët e UDB-ës do t’i përdornin të gjitha mjetet e tyre, për t’i thelluar edhe më shumë dallimet tona.

     Dy-tre ditë më vonë mora vesh se ishte mbajtur një takim ku kishin marrë pjesë: Xhafer Shatri, Sabri Novosella, Ibrahim Kelmendi, Hasan Mala, FaridinTafallari, Haxhi Berisha dhe ndonjë tjetër dhe ishin pajtuar për uljen e gjakrave dhe vazhdimin e nxjerrjes së “Zërit të Kosovës” mbi bazat e një vije tjetër politike e cila do t’i merrte parasysh vërejtjet e shprehura nga Sabri Novosella.

     Uroja që përplasja e “gjigantëve” të Lëvizjes sonë të mos na përçante edhe më shumë! Për këtë qëllim mbaja kontakte të vazhdueshme me Xhafën dhe shokët tjerë. Qëndrimet e shokëve dhe sidomos ato të Xhafës, që bazoheshin mbi përvojën e tij personale me Xhafer Shatrin, më jepnin pak shpresë se nga kjo përplasje do të dalim më të fortë, ashtu siç ishin të vogla shpresat se Xhafer Shatri do të reflektonte. 

      Dyshoja se shpërthimi i Sabri Novosellës, akuzat e tij kundër Xhafer Shatrit dhe vijës politike që ishte shfaqur në faqet e organit “Zëri i Kosovës”, nga ana e Xhafer Shatrit dhe shokët e tij do të përdoreshin, jo për të reflektuar pozitivisht dhe për të nxjerrë mësime nga gabimet, por për ta thelluar edhe më shumë përçarjen në mes të ish OMLK-së dhe LNÇKVShJ-së.  Sinjalet e para të kësaj tendence ishin përpjekjet e Xhafer Shatrit për ta interpretuar qëndrimin e Sabri Novosellës si sulm personal kundër tij dhe jo kundër vijës politike, që ai e kishte shpalosur botërisht në organin “Zëri i Kosovës”!

      Javën e fundit të nëntorit (1983) jam zhvendosur nga Mynihu në rrethin e Shtutgartit. Një kohë kam qëndruar në banesën e të atit të Hafiz Gagicës. Së bashku me Hafizin  kam pasur takime të shpeshta me Remzi Ademajn, Faridin Tafallarin, Mehdi Rexhajn, Shaban Bobajn, Ismet Klaiqin, Nami Ramadani e veprimtarë të tjerë.  

     Së bashku me disa nga shokët dhe veprimtarët e rrethit të Shtutgartit i kam vizituar edhe varret e heronjve të Kosovës: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla.

    Me rastin e 28 nëntorit, ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, shokët e rrethit të Shtugardit kanë organizuar një mbrëmje përkujtimore. Remzi Ademaj ka mbajtur fjalën e rastit.

      Kontaktet e përditshme me rrethin e shokëve të Jusuf Gërvallës dhe Bardhosh Gërvallës, ishin një rast shumë i mirë që të debatonim për qëndrimet tona politike, sepse përplasja në mes Xhafer Shatrit dhe Sabri Novosellës kishte krijuar edhe paqartësi e mëdyshje tek një pjesë e mërgimtarëve tanë. Shumë veprimtarë politikë nuk shihnin ndryshim në mes të qëndrimeve të Sabri Novosellës dhe Xhafer Shatrit. Ata i konsideronin si njërin, ashtu edhe tjetrin, veprimtarë të mëdhenj të çështjes sonë kombëtare. Asnjëri nuk e pëlqente këtë përplasje dhe nuk kishte dëshirë që ajo të thellohej më shumë. Të gjithë, me të drejtë, kërkonin rrugën e afrimit dhe bashkimit.

    Gjendja e krijuar ishte shumë e ndjeshme dhe për, mendimin tim, nga ne kërkohej që të ishim shumë parimor në qëndrimet tona.  Bashkatdhetarëve tanë duhej t’jua shpjegonim se përse nuk ishin të drejta qëndrimet e Xhafer Shatrit, se ku ishin dallimet në mes qëndrimeve të tij dhe atyre të shokëve tanë? Përgjigja në pyetjet që shtronin bashkatdhetarët tanë kërkonin kohë durim të madh.  

    Gjatë bisedave me shokë dhe bashkatdhetarë, demaskimi i vijës politike të Xhafer Shatrit, ishte një veprim që nuk mund të shmangej. Prandaj, gjatë bisedave me shokët e bashkatdhetarë, unë merrja, si shembull, një nga numrat e fundit të “Zërit të Kosovës” në të cilin, Xhafer Shatri, para përplasjes me Sabri Novosellën, i kishte shkruar.  Aty ai kishte bërë thirrje që “Jugosllavia të bëhej pluhur e hi”, kërkesë kjo në kundërshtim me luftën e popullit tonë dhe që me të drejtë e kishte nxitur edhe reagimin e shtetit shqiptar. Ky qëndrim i Xhafer Shatrit, ishte jo vetëm në kundërshtim me kërkesën për Republikë në kuadër të Federatës Jugosllave, por edhe në kundërshtim me “tetë kërkesat e parevokueshme të LNÇKVShJ-së” të shpalosura botërisht në numrin e parë të “Zërit të Kosovës” që udhëhiqej dhe redaktohej nga Jusuf Gërvalla.

   Nëpër takime të ndryshme me bashkatdhetarë, shfaqeshin qëndrime nga ma të ndryshmet në të cilat kishte përpjekje për prezantimin e mospajtimeve tona me qëndrimet e Xhafer Shatrit si mospajtime bajraktarësh për interesa grupore apo partiake!

   Mbi bazat  e njohurive që kisha, shokëve përpiqesha t’jua shpjegoja arsyet që e kishin shtyrë Sabri Novosellën ta kundërshtonte vijën politike të Xhafer Shatrit. Gjatë takimeve, unë dhe shokët, bashkatdhetarëve ua shpjegonim se mospajtimet tona nuk kishin asgjë personale dhe se e vetmja gjë që po kërkohej prej nesh, pro jo vetëm i Xhafer Shatrit, ishte korrigjimi i gabimeve të shfaqura në “Zërin e Kosovës”.

     Gjatë kontakteve me shokë, kisha vërejtur se asnjëri prej tyre nuk kishte asgjë personale kundër Xhafer Shatrit. Përkundrazi, ata e çmonim dhe respektonin atë dhe shokët e organizatës së tij. Ky qëndrim më mahniste.

    Shokët e Lëvizjes i kishin kuptuar shumë drejtë devijimet politike të shpalosura nga Xhafer Shatri në “Zërin e Kosovës”. Ata, përkundër gjaknxehtësisë së shfaqur nga ana e Sabri Novosellës, ishin përkrah tij, sepse çështja e shtruar ishte e drejtë dhe parimore. Ne nuk mund të luftonim, thoshin shokët, edhe për Republikë në kuadër të Federatës Jugosllave, me një rend shoqëror tjetër dhe të ngjashëm me atë në Shqipëri! Në radhët e shokëve tanë,  mbretëronte mendimi se ne nuk duhej të lejonim që ne të vazhdojmë të jemi pjesë e një vije politike që ishte në kundërshtim me interesat e luftës së drejtë të popullit tonë për barazi në kuadër të Federatës jugosllave. Ata kërkonin që Xhafer Shatri të reflektonte pozitivisht dhe që ta shihte drejtë çështjen e shtruar. Fatbardhësisht këtë qëndrim, pas ftohjes së gjakrave, e mbante  edhe Sabri Novosella.

     Qëndrimi ynë ndaj kërkesës “Kosova-Republikë” ishte i lidhur edhe me çështjen e qëndrimit që duhej ta mbanim edhe lidhur me klubet e mërgimtarëve tanë. Edhe në këtë çështje, qëndrimet e Xhafer Shatrit, Ibrahim Kelmendit e kompani dhe ato të shokëve tanë, ishin diametralisht të kundërta. Sidomos Ibrahim Kelmendi dhe disa që ishin përkrah tij mbante qëndrimin që klubet e mërgimtarëve tanë të shndërroheshin në klube të LRSShJ-së, pra që aty të flitej hapur për Republikën e Kosovës e të shpërndaheshin hapur libra, gazeta dhe organi “Zëri i Kosovës”!

     Ne kishim qëndrimin që klubet e mërgimtarëve të mos i kthejmë në klube të LRSSHJ-së dhe që ne të mos ekspozoheshim hapur në mesin e punëtorëve. Këtë e bënim sepse  e dinim  se UDB-a kishte njerëzit e saj nëpër klube dhe prania e veprimtarëve të LRSShJ-së aty, e rriste numrin e mërgimtarëve “politikë” shqiptarë. Edhe ashtu, numri i atyre që merreshin në pyetje nga UDB-a, që burgoseshin dhe që ngeleshin pa pasaportë nuk ishte i vogël, prandaj ne ishim absolutisht kundër krijimit të refugjatëve politikë nga radhët e mërgimtarëve tanë. Ishim për një veprimtari ilegale, nëpër klubet shqiptare, edhe në shtetet e Evropës Perëndimore dhe gjetiu, ashtu siç vepronim në Kosovë. Pra ne mendonim se në Evropën Perëndimore kishte shumë mundësi të pashfrytëzuara. Puna ishte se ne duhej t’i gjenim ato mundësi dhe t’i shfrytëzonim ato në të mirë të luftës së popullit tonë për liri.

(VIJON)

© Pashtriku.org

_______________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (33)

Nga Asallan Muharremi


Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura