RRUGËTIMI IM NË RADHËT E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS (QERSHOR 1998 – QERSHOR 1999)

RRUGËTIMI IM NË RADHËT USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS (QERSHOR 1998 – QERSHOR 1999)

(SI U ZHVILLUA BETEJA E UÇK-së NË FSHATIN JESHKOVË TË VËRRINIT, MË 11 MARS 1999)

Flet Samidin Xhezairi, ish-Komandant Hoxha nga Prizreni, për kyqjen në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftën e përgjakshme në Junik dhe jo vetëm, rrugëtimin e tij në zonat e luftës, për Betejën e përgjakshme në fshatin Jeshkovë (Gjeq) të Vërrinit, më 11 mars 1999 dhe luftën guerile të UÇK-së, pas fillmit të bombardimeve të NATO-s, më 24 mars 1999.

Intervistën e zhvilloi: Sheradin Berisha

Kush është Samidin Xhezairi, K-dant Hoxha

Samidin Xhezairi, komandant Hoxha ka lindur më 23 mars 1963 në fshatin Bresanë të Opojës. Në vitin 1969 familja e tij u shpërngulë në Prizren. Samidini në Prizren e kreu shkollën fillore dhe atë të mesmen (Gjimnazin) drejtimi i mjekësisë. Në vitin 1982/83 e kreu shërbimin ushtrak në Pirot. Në vitet 1983-88 në Mitrovicë ka studuar në Fakultetin e Teknologjisë. Dy vitet e fundit 1986-88 krahas Fakultetit të Teknologjisë ka studiuar edhe në Shkollën e Lartë të Elektroteknikës në Zveçan të Mitrovicës. Si absolvent i SHL-s dhe Fakultetit të Teknologjisë, pa dëshirën e tij emigron në Vjenë të Austrisë. Në Vjenë dy vitet e para (1988 – 1990) ka kryer punë të ndryshme, ndërsa pasi e mësoi gjuhën gjermane për 8 vite rresht (1990-1998) ka punuar në një spital të Vjenës, si teknik medicinal. Në vitin 1993 mori shtetësinë austriake. Krahas punës në spital ai ka mësuar „gjuhën programore vizual c++ dhe grafik animacione“. Samidini në Vjenë martohet dhe i lindën dy fëmijë (djemë), ndërsa pas përfundimit të luftës, në Kosovë i lind edhe një vajzë. Me fillimin e luftës çlirimtare në Kosovë, ai e braktisi Vjenën dhe i bashkohet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Komandant Hoxha në vitin 2001 do t´i bashkohet edhe radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni (UÇK-së).

Rrugëtimi në radhët e UÇK-së

Sheradin Berisha: Komandant Hoxha, kur dhe si u bashkuat në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?

SAMIDIN XHEZAIRI: Në qershor të vitit 1998 nga Vjena udhëtova për Tiranë. Atëkohë fillimisht shkova në zyrën e Republikës së Kosovës, ku mendoja se ata (si institucion) qëndronin mbrapa luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mirëpo aty përjetova çastet më të hidhura! Kur ua bëra pyetjen se si mund t´i bashkangjitem radhëve të UÇK-së, si teknik medicinal me përvojë të madhe 8 vjeçare, ku s´kisha frikë nga gjaku i pacientit… përgjigjja e tyre ishte: “Na vjen mirë që interesoheni për t‘iu bashkuar radhëve të UÇK-së, por ne kemi plane tjera që nuk përputhen me planet e juaja“. Në atë moment nga kjo përgjigjje kuptova se diçka nuk është në rregull. “Ne, thanë ata i kemi planet tona, që në mars të vitit 1999 ta fillojmë luftën! “O vëllazën ju thash – po… dikush po lufton atje, dikush po shkatërrohet, dikush po vritet, dikush po masakrohet, çka është kjo punë!“ Këto, janë planet tona më thanë, ti i ke planet tua, nëse donë t´i bashkangjitesh UÇK-së këtu është një person, i cili e ka vëllaun në UÇK, ai ndërkohë vjenë këtu dhe të informon. Thënë të drejtën u befasova shumë dhe ende nuk e dija se sa ushtri janë!

Sheradin Berisha: A nuk kishit dijeni, se kush ishin udhëheqësit e luftës çlirimtare në Kosovë, apo…?

SAMIDIN XHEZAIRI: Poo tërë kohën në mediat e huaja edhe përmes internetit, u muar vesh se në Kosovë, po lufton UÇK-ja. Në Prishtinë u mbajtën edhe demonstrata gjithëpopullore, ku brohoritej: “Të gjithë jemi UÇK“ dhe asnjëherë s´u tha se „Të gjithë jemi farkist“ apo diç tjetër. Me atë bindje u nisa nga Vjena dhe fillimisht u drejtova në zyrën e Republikës së Kosovës, duke menduar se, meqë Qeveria i kishte paratë (fondet) natyrshëm kishte organizuar edhe luftën. Mirëpo fatkeqësisht nuk doli kështu…!!

Kontakti me drenicakun …

Sheradin Berisha: Pas takimit që patët me “zyrtarët“ e Bukoshit në Zyrën e Republikës së Kosovës në Tiranë, a kontaktuat me personin që ishte në radhët e UÇK-së?

SAMIDIN XHEZAIRI: Po, atë ditë personi që pritej të vinte aty, ndërkohë erdhi. Ai kishte të veshur një maic ushtarake dhe emrin për fat të keq nuk ia di, por e di që ishte nga Drenica. Dhe me kujtohet shumë mirë, kur hyni brenda ai, personat që ishin në zyrë( të veshur me teshat më të mira – me kravata…) thanë: “Ja na erdhi oficiri i ri“. Me nënçmim e thanë këtë. Atëherë plotësisht e kuptova se ku jemi. Pa humbur kohë dolëm prej aty dhe shkuam në banesën e drenicakut, i cili ato ditë kishte ardhur nga frontet e luftës për t´i kryer do detyra në Tiranë. Ai detalisht më informoj se kush lufton në Kosovë, kush e ka filluar luftën, kush janë farkistat, kush është Bukoshi e kështu me radhë… Faktikisht për herë të parë, me ardhjen time në Tiranë e mora vesh se nuk është një UÇK kompakte dhe se nuk është i gjithë populli UÇK, por po ekzistoka edhe FARK-u si grupacion i veçantë ushtarak.

Përballja me forcat pushtuese serbe …

Sheradin Berisha: A qëndruat gjatë në Tiranë dhe kur do të hynit në Kosovë?

SAMIDIN XHEZAIRI: Kah mesi i qershorit 1998 nga Tirana së bashku me dy shokë (drenicakun dhe një tjetër), vazhduam rrugën për në qytetin Bajram Curr dhë më pastaj shkuam në Tropojë. Aty e mora armën e parë, një dhjetëshe. Me këtë armë u futa edhe në Kosovë. Gjatë rrugëtimit u konfrontuam me forcat serbe në kufi dhe dashti zoti aty dolëm fitues. I patëm edhe dy konfrontime tjera deri sa depërtuam në malet e Junikut. Përfundimisht, pas disa ditësh të qëndrimit në malet e Junikut dhe të fshatrave tjerë përreth kufirit, më 27 korrik 1998 arritëm në Junik. Në Junik shpinën e kishim paksa me të sigurt ngase malet ishin të shpeshta, ndërsa në anën tjetër – nga ana fushore ishin të pozicionuara forcat e shkaut. Morëm vesh se me 2 qershor kishte filluar granatimi i parë i Junikut, i cili vazhdoi deri në natën e 13/14 gushtit 1998 kur edhe u larguam nga ky fshat.

Sheradin Berisha: A qëndruat deri në fund dhe çka ndodhi pas rënjes së Junikut?

SAMIDIN XHEZAIRI: Po, aty isha deri në mbrëmjen e 13 gushtit. Ne edhe pse u tërhoqëm, forcat e shkaut pas katër ditësh patën guximin të futen në Junik. Ata luftuan me fantazmën e UÇK-së edhe tri ditë radhazi, duke mos e ditur se ishin tërhequr forcat e UÇK-së. Shkiet, tek në ditën e katërt futen në Junik, pasi janë informuar nga një gazetar i huaj, se aty nuk rezistonë askush. Pra nga fantazma e UÇK-së, Juniku tri ditë e ka mbrojtur vetëveten.

Rënja dëshmorë e Bekim Berishës (AB-esë) dhe Bedri Shalës në betejën e përgjakshme të Junikut

Sheradin Berisha: Dihet mirëfilli se në Junik ka luftuar Bekim Berisha (ABE-ja) së bashku me Bedri Shalën. A keni pas rast t‘i takoje ata, nëse po a ju kujtohen rrethanat rënies së tyre në fushëbetejë, më 10 gusht 1998?

SAMIDIN XHEZAIRI: Me Bekim Berishën kemi pas rast së bashku ta sulmojmë armikun. Ai ishte një luftëtar i madh me përvojë, si legjionar francez (ashtu pata dëgjuar), si luftëtar i dalluar në Kroaci, një person me trup mesatar, jo të plotë, por shumë i guximshëm. Bekimi u vra po të njejtën ditë me shokun e tij Bedri Shalën (vëllai i Shaban Shalës).

Ata në atë kohë ishin të pozicionuar në lagjen e gacaferrëve, së bashku me shtabin e Rekës së Keqe. Me kujtohet kur Bedri Shala u plagos rëndë në të dy veshkët dhe gjasat për jetë ishin shumë të vogla, Bekimi i mllefosur nga ky rast merr një aksion të furishëm me disa bashkëluftëtarë nga Gjakova, ndërkohë që unë isha i pozicionuar në lagjen e berishëve me disa ushtarë tjerë.

Bekimi sypatrembur, pas sulmit të kryer ndaj forcave të shkaut, kur e sheh që ata tërhiqen, humb pak nga syqeltësia dhe siç tegojnë ushtarët që ishin aty pranë tij, ai në një shtëpi do të plagoset rëndë nga plumbat e kalibrit 12.7 mm, që depërtojnë nëpër tullat e murit. Nga gjakderdhja e madhe, përkundër ndihmës së dhënë nga shokët, Bekimi vdes diku në orën 19 pasdite. Pra, paradite vdes Bedri Shala, ndërsa pasdite Bekimi. Ushtarët që ishin në lagjen e gacaferrëve u dëshpruan shumë pas vrasjes së Bekim Berishës-ABE-së, mirëpo me këmbëngultësinë time ne do të rezistojmë edhe për 3-4 ditë në Junik edhe pse te një pjesë e ushtarëve nuk ekzistonte kjo gadishmëri, madje një numër ushtarësh do t´i lëshojnë edhe pozicionet…

Sheradin Berisha: Në betejën e përgjakshme të Junikut ishte edhe Naim Maloku, Lum Haxhiu …e shumë oficerë të tjerë?

SAMIDIN XHEZAIRI: Po, aty ishte edhe Naimi, por sa e di unë ai është plagosur me herët (me 25 korrik 1998, gjatë një përpjekje për ta zhbllokuar një pjesë të rrugës së Junikut nga forcat e armikut -SH.B) dhe operacionet tona u zhvilluan nën komandën e komandant Aziz Hysenit nga Podujeva. Edhe Lum Haxhiu ishte me ne dhe qëndroi deri në momentin e tërheqjes sonë nga Juniku. T´ju përkujtoj se gjatë betejës për jetë a vdekje në Junik, luftime të përgjakshme janë zhvilluar edhe në: Botush, Koshare, Gjocaj, Jasiq, po edhe në pjesën tjetër të Dukagjinit, në Gllogjan e rrethinë nga komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

Tërheqja në Shqipëri …

Sheradin Berisha: Më lartë pohuat se pas një lufte të përgjakshme u tërhoqët nga Juniku, në ç´drejtim u tërhoqët?

SAMIDIN XHEZAIRI: Tërheqjen e bëmë, siç thash edhe më parë natën e 13/14 gushtit 1998, nëpër malet e Junikut në drejtim të Shqipërisë. Tërheqja u bë në mënyrë të organizuar. Së pari janë larguar të plagosurit me ndihmën e një grupi të ushtarëve, pastaj popullata dhe në fund ushtarët që ishin në vijat e para të frontit. Ata u tërhoqën me armatimin e lehtë personal, ndërsa armatimi i rëndë është groposur. Gjatë rrugës ne takojmë grupe të civilëve të cilët ende nuk kishin arritur ta kalojnë kufirin. Unë u ndava me dy shokë: me Sabit Gashin (kryetarin e LKÇK-së) dhe një tjetër, emrin për fat të keq nuk ja di, dhe vazhduam bartjen e civilve me metodën më të thjesht – në shpinë, ku janë falenderues edhe sot banorët e Gjocajve dhe të Jasiqit. Unë ndihmova disa pleqë, kurse një grua të moshuar rreth 60 vjeç me pesh mbi 80 kg e cila kishte një këmbë dy herë të thyer, e barta në shpinë afër 4 orë, deri në kufi, meqë ajo e kishte të vështirë të qëndronte mbi kal. Më kujtohet koha kur erdhëm në kufi pranë karaullës së shkaut (në mesditë) ishim të lodhur e të rraskapitur nga rruga e gjatë dhe në ato momente ishim vërejtur nga shkiet. Dhe nën breshëritë e plumbave ne ia dolëm të kalojmë në Shqipëri.

Stërvitja dhe armatosja në Shqipëri

Sheradin Berisha: Cili ishte aktiviteti juaj ushtarak pas kalimit në Shqipëri?

SAMIDIN XHEZAIRI: Me të kaluar në Shqipëri së bashku me Sabit Gashin dhe ushtarët tjerë, përmes lidhjeve që kishim në Gjermani porositëm armatim. Dhe ky armatim do të arrijë në Shqipëri pas dhjetë ditësh. Brenda këtyre ditëve, unë shfrytëzova rastin për të udhëtuar deri në Vijenë që ta vizitoj familjen time dhe pas dhjetë ditësh sërish u ktheva në Tiranë. Në Durrës morëm një grupë mërgimtarësh që kishin ardhur nga perëndimi për t´u radhitur në UÇK dhe pa humbur kohë u nisëm për në kufi dhe u stacionuam në fshatin Vlahn, rrëzë Pashtrikut. Aty e gjetëm një ndërtes të adaptume si kazermë, e cila i shërbente UÇK-së. Ushtarët tanë ishin të vendosur edhe në fshatin Cahan pak me lartë nga Vlahna. Poashtu edhe në Kukës ishte një grupë tjetër dhe të gjithë përgatiteshim për t´u futur në Kosovë. Atëkohë ishte fillimi i shtatorit 1998 dhe meqë mbetëm aty për disa ditë rresht, së bashku me 4 ushtarë shfrytëzova kohën për të udhëtuar deri në kufi për të kontrolluar terenin. Mbrenda dy javësh me ra që të shkojë 3 herë në maje të Pashtrikut për këtë qëllim dhe gjatë vëzhgimit herën e dytë ne patëm një konfrontim afër karakollit me ushtarët e shkaut dhe aty dolëm fitues, pa u dëmtuar fare, kurse shkau i di pasojat e veta.

Hyrja në Kosovë …

Sheradin Berisha: Kur u futët sërish në Kosovë dhe a patët vështirësi gjatë rrugëtimit malorë?

SAMIDIN XHEZAIRI: Në Kosovë do të futemi kah fundi i shtatorit 1998. Në grupin tim që u nisëm nga Vlahna, ishim 35 ushtarë dhe kishim 28 kuaj të ngarkuar përplotë me armatim dhe synimi ynë ishte Shala e Bajgorës. Ndërkohë edhe nga Cahani ka depërtuar në Kosovë një grupë prej 30 luftëtarësh (të Komandant Çelikut – Fatmir Limajt) me një numër të madhë të armatimit, të cilët udhëtonin për në Drenicë. Pra, në shtator ishin këto dy grupe prej 65 ushtarësh që hynë në Kosovë, ndërkohë që qindra të tjerë (pas ofenzivave serbe në shumë zona) fatkeqësisht e lëshonin atë (Kosovën). Pas 18 orë udhëtimi të mundimshëm, depërtuam deri në fshatin Kushni të Hasit. Nëpër këtë fshat, ndonëse parakalonin pareshtur kamionët dhe tanksat e shkaut në drejtim të kufirit, ne ishim të vendosur që të vazhdojmë rrugëtimin po qe nevoja edhe do të luftonim. Në ato momente përmes telefonit satelitor kontaktuam me Osman Qerretin – Qunin nga Landovica, i cili morri guximin që në pikë të ditës t´i organizoj dy kamionë për të na tërhequr nga Hasi. Ai atëkohë kreu punët më të mëdha, që është për çdo lavdat. Në njërin kamion (të mbuluar) ishim ne ushtarët, ndërsa kamionin tjetër e mbushëm me armë e municion.

Gjatë rrugëtimit të gjithë ushtarët ishim në gjendje gadishmërie, mirëpo fatmirsisht rrugën e kaluam pa u ndeshur me forcat serbe. Më pastaj ne ushtarët u ndalëm në një fshat, që për fat të keq emrin nuk ia di, për të pritur kamionin tjetër me armatim dhe pastaj shkuam në Pagarush. Në Pagarush tani më ishim të dy grupet që kishim ardhur nga Shqipëria. Në Pagarush e takova për herë të parë Hashim Thaçin, Fatmir Limën – komandant Celikun dhe një tjetër emri i të cilit nuk më kujtohet. Pasi i siguruam dy traktorë, ushtarët e komandant Celikut u nisën për Drenicë, ndërsa ne (grupi ynë) shkuam për Shalë të Bajgorës, ku një pjesë të rrugës do ta bëjmë edhe nëpër Drenicë.

Në Shalë të Bajgorës dhe në Zonën e Llapit

Sheradin Berisha: Në çfarë gjendje organizative ushtarake e gjetët Shalën e Bajgorës?

SAMIDIN XHEZAIRI: Po Shalën e Bajgorës thënë të drejtën e gjetëm në gjendje të mjerueshme, Kur u futëm në këtë zonë ende shtëpive të shkatërruara u dilte tymi e flaka… Aty fillimisht takuam 9 ushtarë të Bataljonit të I-rë të Brigadës 142 në krye me Aziz Bicin, një luftëtar i hatashëm; 6 ushtarë të Bataljonit të II-të të Brigadës 142 dhe disa.., nuk e di sakt 10 apo 15 ushtarë të Brigadës 141 ”Mehë Uka”, që operonin në pjesën tjetër të Shalës afër Mitrovicës. U njoftuam se Zona Operative e Shalës atëkohë kishte kontakte të mira me Zonën Operative të Llapit, të cilën e drejtonte Rustem Mustafa – komandant Remi. Aty ishte edhe komandant Daja.

Në fillim të tetorit 1998, numri i ushtarëve të UÇK-së që ishin nën komand të organizuar, ishte relativisht i vogël, mirëpo për një kohë shumë të shkurtër (gjatë ristrukturimit të përgjithshëm të UÇK-së), brenda 2-3 javësh numri i ushtarëve në tërë Kosovën do të rritet në  mijëra sish. Kështuqë në fillim të nëntorit do të kemi rreth 10 000 ushtarë të UÇK-së. Kjo ndodhi për faktin se shumë ushtarë, pas operacioneve të forta të armikut, kishin gjetur strehim në vende të ndryshme më të sigurta, nëpër male tek të afërmit e tyre apo edhe nëpër vende tjera ku s´pati luftime, të cilët pa hezitim do të rikthehen në njësitë e veta UÇK-së.

Sheradin Berisha: Sa kohë qëndruat në Shalë të Bajgorës dhe në çfarë situate e latë organizimin e UÇK-së atje?

SAMIDIN XHEZAIRI: Në Shalë të Bajgorës qëndrova tre muaj e 20 ditë, por t´ju themë edhe këtë, se brenda kësaj periudhe, për tri javë rresht qëndrova edhe në Zonën Operative të Llapit, në shtabin e saj, që në atëkohë ishte në Llapashticë. Komandant Remi në këtë zonë kishte organizuar mirë ushtrinë falë ndihmës së dhënë nga popullata e Llapit. Me këtë rast do të doja ta veçoj një detaj (që më la shumë përshtypje) nga takimet që pata me Remin. Një ditë duke qëndruar në zyrën e tij më hapi një fiok (sirtar) e nxori një grusht me lira të arit dhe më thotë ”shiko hoxhë, ato familje të cilat nuk patën para për ta ndihmuar UÇK-në kanë dhënë ari” dhe kjo ishte hera e parë që pash diçka të tillë.

Gjatë qëndrimit tim atje vizitova edhe njësinë speciale të ZOLL-it,e cila ishte e përgatitur mjaftë mirë dhe meqë nuk kishte punë për mua atje, u ktheva sërish në Shalë të Bajgorës dhe atje vazhdova aktivitetin tim ushtarak, deri më 21 janar 1999. Shalën e Bajgorës e lash me 850 ushtarë në Bataljonin e I-rë, mbi 700 ushtarë në Bataljonin e II-të të Brigadës 142 dhe me mbi 1000 ushtarë të Brigadës 141 “Mehë Uka”. Me këtë datë do të largohem nga Shala e Bajgorës dhe do të kaloj në Zonën Operative të Pashtrikut (ZOP), duke ju premtuar shokëve se nëse Zonën e Pashtrikut do ta gjej të organizuar mirë do të rikthehem sërish, brenda një jave.

Rrugëtimi në Zonën Operative të Pashtrikut (ZOP)

Sheradin Berisha: Dhe më 21 janar 1999, kaluat në Zonën Operative të Pashtrikut…?

SAMIDIN XHEZAIRI: Po, më 21 janar 1999 shkova në fshatin Reti ku ishte i vendosur shtabi i Zonës Operative të Pashtriku. Fillimisht aty e takova, komandantin e Brigadës 125, oficerin Nehat Basha, ndërsa të nesërmen u takova edhe me Komandant Drinin (Ekrem Rexhën, i cili atëkohë ishte komandant i shtabit i Zonës Operative të Pashtrikut.

Sheradin Berisha: A ishte komandant Tahir Sinani asokohe në shtabin e Zonës Operative të Pashtrikut?

SAMIDIN XHEZAIRI; Jo Tahir Sinani nuk kishte ardhur ende aty, ai për mua atëkohë ishte një emër i panjohur. Ai do të vije aty pak më vonë. Siç thash e takova Drinin ,Bashën, pastaj Sylë Kollçakun zv.komandant i ZOP-it, Nexhmidin Kastratin e ndonjë tjetër. Pastaj kontaktova edhe me komandantët e Brigadës 123 dhe 124.

Sheradin Berisha: E ushtarë të Brigadës 125 nk kishte në Reti, apo …?

SAMIDIN XHEZAIRI: Në Reti i gjeta vetëm 28 ushtarë të brigadës 125, ku shumica prej tyre ishin shumë të rinjë e të papërvojë. Drini dhe Basha meqë kishin dëgjuar për mua, kërkuan që të qëndrojë përgjithmonë në ZOP dhe pasi u takorduam për operacionalizimin e veprimeve sipas përvojës sime që kisha fitue në luftë me shkaun, vendosa të qëndroj deri në përfundim të luftës. Nga komandant Nehat Basha kërkova që të mos pranoj ushtarë të moshës shumë të re, por vetëm ushtarë të moshës madhore dhe dashti zoti numri tyre për çdo ditë e më tepër u shtua. Ndërkohë filluam stërvitjet intenzive për operacionet tona të ardhshme.

SI U ZHVILLUA BETEJA E UÇK-së NË FSHATIN JESHKOVË TË VËRRINIT, MË 11 MARS 1999

Sheradin Berisha: I nderiuar Samidin, K-dant Hoxha, në mars 1999, pas stërvitjeve dhe konsolidimit të radhëve të UÇK-së, me vendim të shtabit të ZOP-it, njësia speciale e Brigadës 125, do të kaloi në zonën e Vërrinit. A mund të na pasqyroni aktivitetet e kësaj njësie speciale në këtë Zonë të luftës?

SAMIDIN XHEZAIRI: Po, më 3 mars 1999 njësia speciale e cila ishte përgatitur mirë fizikisht dhe psiçikisht, kaloi në fshatin Jeshkovë (tani Gjeq) të Vërrinit, ku deri në shtator të vitit 1998 ishte SHL i UÇK-së për Prizren, (më vonë shtabi i Brigadës 125). T´ju përkujtoj se Komandant i njësisë speciale atëkohë ishte Hysen Rexhepi, ndërsa zv.komandant Iliri nga Hatmaxha. Atë ditë grupi prej 24 ushtarësh nga Retia një pjesë të rrugës e kaloi në këmbë e pjesën tjetër deri në Landovic udhëtuam me një kamion të cilin e siguroi Osman Qerreti-Quni. Në Mbrëmje nga Landovica kaluam rrugën pranë forcave të shkaut e mandej depërtuam afër fshatit Hatmaxh nëpër Kobaj – Vlashnje – rrugën Prizren – Zhur – Hoq e Qytetit – Jeshkovë (Gjeq). Kamionit tonë deri në Jeshkovë (Gjeq) i printe një makinë dhe zhurma e madhe që sillte ajo natë, të lente me kuptue sikur andej po kalonte një kolonë e gjatë e automjeteve të ushtrisë sonë.

Të nesërmen (më 4 mars) kur banorët e Hoqës morën vesh se në Jeshkovë ishte rikthyer UÇK-ja, u larguan nga fshati në drejtim të Prizrenit, nga frika se forcat e armikut do të hakmirren mbi ta. Me largimin e popullatës së Hoqës në drejtim të qytetit dhe të fshatrave tjerë përreth, po atë ditë në Jeshkovë erdhën menjëherë përfaqësuesit e OSBE-së dhe kontaktuan me ne për t´u informuar lidhur me gjendjen e krijuar. Në pyetjen e tyre se çka mund të bëjnë ata në këtë situatë, ne iu thamë se: ju nuk mund të na ndihmoni neve asgjë, por ju mund ta ndihmoni popullatën e fshatrave Hoq, Poslisht (Gurrë), Billushë (Kushtrim), Lybeçevë (Malësi e Vërrinit), Leskovec (Arbëri)…, nga sulmet e mundshme serbe. Ndonëse kërkesën tonë e morën seriozisht, ata (OSBE-ja) një përfaqësi të tyre e vendosën në Hoq. Kontaktet tona pastaj kanë qenë pothuaj se të përditshme me OSBE-në…

Sheradin Berisha: A kërkoi OSBE-ja largimin tuaj nga zona e Vërrini?

SAMIDIN XHEZAIRI: Jo, jo, ata nga ne vetëm morën informacione, nuk kërkuan largimin tonë. Prandaj ne kërkuam (prej ditës së parë) që ata të kujdesen për popullatën që të mos dëmtohet nga forcat e shkaut. Dashti zoti dhe në ofenzivën (që do të zhvillohet) më 11 marsi 1999, prezenca e përfaqësuesve të OSBE-së në Hoq dhe kontrollet e tyre të vazhdueshme në fshatrat tjera në rajon, bëri që të mos dëmtohet popullata civile.

Sheradin Berisha: A ishte e banueshme Jeshkova (Gjeqi) atëkohë dhe pse pikërisht e zgjodhët këtë fshat për rikthimin e UCK-së në Vërri?

SAMIDIN XHEZAIRI: Këtë fshat e gjetëm të shkatërruar plotësisht. Fillimish u vendosëm në shtëpinë e Fetah Shalës, e pas 2-3 ditësh edhe në shtëpitë tjera, në atë të Bajram Shalës, të Iftiman Shalës etj. Jeshkova (Gjeqi) edhe pse ishte shndërruar në gërmadhë, aty i gjetëm 4 familje, të cilat kishin krijuar kushte minimale për jetë, mirëpo me kërkesën tonë ato u larguan nga fshati dhe u strehuan diku tjetër. Këtë e bëmë sepse Jeshkovën (Gjeqin) e shpallëm kazermë ushtarake dhe ndërkohë i bënim përgatitjet për ardhjen edhe të dy grupeve tjera prej 30-40 ushtarësh nga Retia. Arsyeja pse Jeshkova (Gjeqi) u muar si vend për rikthimin e UÇK-së ishte se, ky fshat ishte i shkatërruar pothuajse plotësisht nga ofenziva e shtatorit 1998, kështu që nëse do të zhvillohet një ofenzivë e re, mendonim se s´do të ketë se çka të shkatërrohet më tepër. Mandej Jeshkova (Gjeqi) është fshat i vogël, ka dy hyrje-dalje dhe ishte lehtë për t´u kontrolluar. Ne menjëherë filluam patrullimin nëpër rrugët e fshatit, si dhe sanuam gjendjen për fjetje, ushqim etj. Gjithashtu kontrollonim hyrje-daljet e fshatit dhe banorët që shkonin nga Hoqa për Lybeçevë (Malësi të Vërrinit) sugjeroheshin të mos kalonin nëpër Jeshkovë (Gjeq), por të përdorin rrugën tjetër poshtë fshatit.

Pra popullatës ua ndaluam hyrjen nëpër zonën ushtarake, sepse përpiqeshim që në asnjë mënyrë të mos përzihet popullata civile në ndonjë konflikt të eventual me forcat serbe.

Sheradin Berisha: A u ndihmuat nga banorët e Vërrinit?

SAMIDIN XHEZAIRI: Pyetje shumë vend. I pari që u lajmërua për të na ndihmuar ishte Feridin Berisha nga fshati Billushë (Kushtrim), së bashku me Haxhiun, Setkiun (Berisha) e disa të tjerë, emrat e tyre nuk më kujtohen. Ata na sollën gjëra të shumta ushqimore. Më vonë ndihma morëm edhe nga Hoqa e Qytetit përmes Ridvanit (Krasniqi), pastaj nga Kobaja ka ardhur një traktor me ndihma, ndërsa fshatarëve të Poslishtit (Gurrës), për shkak të sigurisë iu sugjeruam që ndihmat t´i sillnin nëpërmes Billushës (Kushtrimit). Përveç këtyre ndihmave, ne një javë para se të vinim në Jeshkovë, nga Retia e kishim dërguar në Vërri Elbasan Shoshajn për të siguruar miellin, tela xhembor e gjesende tjera të nevojshme për ushtrinë,dhe një pjesë të tyre është siguruar prej tij, mirëpo jo të gjitha… Ndihmat e siguruara i deponuam në shtëpinë e Fetahut. Në atë kohë pata pranuar edhe disa ushtarë vullnetarë nga Vërrini të cilët posedonin armë, jo shumë, sepse ne përgadisnim terenin për ushtarët që do të vinin nga Retia. Nga Jeshkova (Gjeqi) ishte Ymer Shala (Ymer Kaçaku), Nuridin Shala … nga Zhuri ishte Feriz Susuri, i cili më 11 mars bie dëshmor Në fazën e dytë (prill – qershor 1999) ka qenë Hajri Kurtaj, nga Lybeçeva në fazën e dytë ka qenë Astriti dhe një tjetër – Milaim e kishte emrin në mos gabofsha. Ka pas nga Struzha (Sharri), nga Billusha (Kushtrimi), Hoqa, pastaj nga Anadrini, nga Opoja ishte Alejdin Xhezairi, djali i axhës tim dhe gjyshi i tij Ymridin Qengaj (që të dy bien dëshmorë në betejen e 11 marsit) e shumë të tjerë.

Lidhjet me Shtabin e ZOP-it në Reti

Sheradin Berisha: Pasi u vendosët në Jeshkovë (Gjeq), si i mbanit lidhjet me Shtabin e ZOP në Reti?

SAMIDIN XHEZAIRI: Kontaktet me shtabin në Reti i mbanim me një radio-lidhje. Flisnim prej malit që shtrihej përmbi fshat. Lidhjet tona i kemi mbajtur edhe nëpërmjet kuririt. Ne pas 3-4 ditësh, pasi rregulluam strehimin dhe siguruam rezerva ushqimore për ushtarët e rinjë, dërguam në Reti: Sait Berishën (Pehlivanin) dhe Gjylbeharin nga Kobaja, për t´ia përcjellur porosinë komandantit të Brigadës 125, Nehat Bashës se mund ta nis grupin e dytë prej 30 ushtarësh. Mirëpo ky grup i ushtarëve nuk erdhi në Jeshkovë (Gjeq). Përgjegjësinë për mos ardhjen e ushtarëve, të cilëve ua kishim përgatitur terenin, gjithsesi e mbanë shtabi i ZOP-it. Kur jemi tek lidhjet Jeshkovë – Reti është me rëndësi të theksohet angazhimi maksimal i ushtarëve të palodhur: Besnik Abdullah Berisha (Tusus), Haki Thaçi (Kushni) dhe Arsim Pulaj (Vërmicë).

Ky tresh i famshëm, në ato ditë të vështira me plotë rreziqe, udhëtoi pa u lodhur nga Prizreni në Reti dhe anasjelltas Reti-Prizren-Jeshkovë. Morën disa herë për detyrë që të na furnizonin me veshmbathje e gjëra tjera të nevojshme edhe pse këtë detyrë e kishte pasur Elbasan Shoshaj, i cili pasi ka kaluar njësiti special i Brigadës 125 në Vërri nuk është lajmëruar fare më në Jeshkovë. Kur shkruhet për luftën e organizuar në Prizren është e pamundur të mos përmendet kontributi, veçanërisht i Besnik Berishës, sepse shumë ngjarje lidhen me këtë luftëtar shembullor. Ai ishte ndërlidhës i shumë aktiviteteve luftarake të UÇK-së në Prizren e më gjerë.

Resultado de ataques servio. Kosovo Foto Andrea Motta

Sheradin Berisha: Pas 8 ditësh të qëndrimit në Jeshkovë (Gjeq), pikërisht më 11 mars 1999 forcat serbe do të ndërmarrin një ofenzivë kundër UÇK-së në këtë fshat të Vërrinit. Si e pritët këtë operacion të forcave armike?

SAMIDIN XHEZAIRI: Ne ishim të vetëdijshëm se një ditë forcat serbe do të nisen drejt Jeshkovës. Dhe kjo ndodhi më 11 mars 1999, ku ne i pritëm, nuk u larguam. Në mëngjesin e asaj dite rojet tona vërejtën lëvizjet e një grupi të usharëve serb përmbi fshatin Hoq (si duket ishin vëzhgues) që vinin në drejtim të Jeshkovës (Gjeqit). Në mes të ushtarëve ishte edhe një civil i cili meqë nuk ecte në fillim të kolonës, konsideruam se ishte një fshatarë i marrë me dhunë për t´ua treguar atyre terenin. Si çdo ditë, pas ngrënjes së mëngjesit në shtëpinë e Iftiman Shalës i rreshtova ushtarët për herë të fundit, ua kontrollova armët dhe dolëm nëpër pozicionet e përcaktuara më herët.

1.Grupi i parë u pozicionua në dalje të fshatit” lagjja e xhamisë” – drejtimi Lybeçevës (Malësi e Vërrinit);

2.Grupi i dytë përmbi Jeshkovë (Gjeq) – drejtimi ”shtavat e Opojës” dhe

3.Grupi i tretë në hyrje të fshatit ”te shkolla” – drejtimi: Billushë (Kushtrim) – Hoq e Qytetit.

Në orën 7 të mëngjesit nga Hoqa pati guximin të vijë, Valbone Qazim Shala e cila na informoi se atje ka depërtuar njësia tankiste serbe dhe ishte pozicionuar me tyta të kthyer në drejtim të Jeshkovës (Gjeqit). Valbona, siç më informoi ushtari Bashkim Suka, kishte dhënë kontribut të madh qysh në ofenzivën e shtatorit 1998, duke i ndihmuar ushtarët e plagosur. Andaj edhe atë ditë tek ajo pash guxim, trimni dhe njëkohsisht – gëzim të madh që ishte në mesin e ushtarëve të UÇK-së. Ajo nuk u kthye prap në Hoq, jo… qëndroj me ne edhe pse nuk kishim pushk rezervë për t´i dhënë asaj.

Rreth orës 9 e 30 minuta mora një ushtarë nga Pirana dhe shkuam në drejtim të Hoqës, për ta sulmuar grupin e forcave serbe që i pamë në fillim, por nuk patëm sukses. Nën breshëritë e plumbave të forcave serbe, por pa u dëmtuar, ne u kthyem sërish në fshat. Tanimë secili grup siç thash edhe më lartë i morëm pozitat e përshtatshme për të luftuar me shkaun.

Sheradin Berisha: Dhe si u zhvilluan ngjarjet…?

SAMIDIN XHEZAIRI: Siç thash tanksat serbe ishin pozicionuar në Hoq, pastaj njësia e minahedhësve ishte përqëndruar në Lybeçevë (Malësi e Vërrinit) dhe në pjesët tjera deri në shtava të Opojës, ndërsa përgjatë shtavave ishin pragat dhe nga të katër anët ishte përqëndruar këmbësoria dhe priste marshimin drejt Jeshkovës (Gjeqit). Pra atë ditë Jeshkova (Gjeqi) ishte në rrethim të hekurt dhe sipas informacioneve që kishim, armata serbe në këtë operacion kishte angazhuar rreth 270 automjete të motorizuara dhe mbi 3000 ushtarë, karshi 30-35 ushtarëve të UÇK-së sa ishim. Këto ishin përmasat e forcave serbe kundrejt atyre të UÇK-së.

Në orën 11:30 minuta kanë filluar granatimet e shkaut dhe ato kanë zgjatur deri në orën 12:05 minuta. Pragat dhe minahedhësit 80 e 120 mm granatonin pa ndërpre, ngjashëm ashtu sikurse në luftën e përgjakshme të Junikut (gusht 1998). Thënë të drejtën ne ishim të përgaditur për një luftë të tillë. Granatimi për ushtarët ka qenë pjesa më e parrezikshme e luftës, sepse ilaçi kundër tij ishte strehimi në katin përdhes ose nëpër podrume. Në anën tjetër, gjatë granatimit isha i vetëdijshëm (këtë e kisha përjetuar nëpër trevat e ndryshme të Kosovës) se këmbësoria serbe përparonte në drejtim të pozicioneve tona. Andaj e shikoja orën në çdo 2 minuta, në mënyrë që të dija përafërsisht se ku mund të jenë këmbësoria e shkaut. Gjatë granatimeve duke i vëzhguar lëvizjet e forcave të shkaut që vinin nga shtavat e Opojës, u plagos ushtari Ymridin Qengaj. Ai fillimisht mori plagë të lehta në fytyr (nga copat e tjegullës) kurse gjatë tërheqjes nga shtëpia ku ishte i pozicionuar e lëndoi (theu) rëndë edhe këmbën. Për Ymridinin gjatë tërë kohës do të kujdeset Alejdin Xhezairi dhe Valbone Shala. Krahas granatimeve me praga dhe minahedhës nga shtavat e Opojës, Lybeçeva (Malësia e Vërrinit)… pa ndërpre gjuanin edhe tanksat nga Hoqa, mirëpo nuk lëviznin në drejtim të Jeshkovës (Gjeqit) edhe pse e kishin një mundësi të tillë, ndoshta nuk lëvizën për faktin se në hyrje të Jeshkovës, në Shkollë dhe në disa objekte tjera përreth, kishim vendosur disa gypa (qynga) të oxhakut për të mashtruar shkiet se ato janë topa pa dridhje, kështu që në drejtim të Jeshkovës ka lëvizur vetëm këmbësoria.

Në orën 12:05 (pra pas 35 minutash) u ndalën granatimet. Tani mbretëronte qetësia, kjo për mua tregonte se këmbësoria e shkaut kishte arritur afër fshatit. Ndërkohë komandanti i njësisë speciale Hysen Rexhepi që ishte i pozicionuar me Ilirin dhe disa ushtarë tjerë në lagjen e xhamisë së fshatit erdhi dhe më informoi se forcat e shkaut (që kishin lëvizur nga shtavat) veç janë afruar afër xhamisë. Atëherë bëra një ripozicionim të forcave tona në 4 grupime. Tanimë lufta nuk bëhej nga distanca, por në afërsi andej murin-këndej murin, ne në shtëpi ata në murin e avlisë ose anasjelltas. Për t´ju dhënë zemër ushtarëve këndonim parreshtur këngën “Besa besë, besën ta kam dhanë për Kosovë jetën du me dhanë…”.

Rreth orës 14 unë me dy ushtarë: Besnik Kastratin snajperist dhe Nuredin Shalën, kalova matan rrugës nga shtëpia ku e lash Ymridin Qengajn, Ymer Shalën, Bashkim Sukën, Alejdin Xhezairin, Valbone Shalën e shumë të tjerë dhe i zumë në befasi ushtarët e shkaut që ishin futur në fshat nga pjesa e Xhamisë, pikërisht në shtëpinë e dëshmorit Besim Ryshen Shala. Unë me një bomb dore, Besniku me snajperk dhe Nuridini me kallashnikov, i dëmtuam rëndë forcat e shkaut, të cilët u detyruan të kthehen andej nga kishin ardhur. Ndërkohë pason një pauz dhe ne shfrytëzojmë rastin të pozicionohemi më mirë. Nuridini u pozicionua në një pullaz, Besniku diku aty afër tij në shtëpi, ndërsa unë mora një pozitë të përshtashnme më lartë prej tyre, duke shfrytëzuar për mbrojtje një mur të avlisë. Ndërkohë forcat e shkaut filluan të depërtojnë në shtëpitë e para të Jeshkovës (Gjeqit) edhe nga drejtimi i Billushës (Kushtrimit). Aty u zhvilluan luftime të ashpra. Në ato momente disa herë patëm rastin t´i qëllojmë shkiet prapa shpinës, të cilët ishin të koncentruar në drejtim të shokëve tanë që ishin në anën tjetër të rrugës. Mundësia e vetme për t´i asgjësuar shkiet ishte pjesa e qafës, fytyra – mjekrra, poshtë pjesët gjenitale dhe këmbët, sepse ata ishin të veshur me jelek antiplumb.

Edhe në këto rrethana këndonim këngën ”Besa besë…” dhe për t´ju dhënë vullnet ushtarëve gjithnjë thërrisja: mbanu trima, luftoni trima e kështu me radhë. Këtë e bëja edhe me qëllim, për t´ju treguar ushtarëve se jemi gjallë dhe të fort. Pas një pauze të vogël (prej 2 min.) që bëra unë, pra nuk ju flisja me zë ushtarëve, Besnik Kastrati u largua nga pozicioni ku ishte dhe shkoi në drejtim të objektit tek ushtarët tjerë matan rugës. Nuk vonoi shumë kur edhe Nuridini shkoi pas Besnikut. Për fat të keq ata, mbasi nuk ma ndëgjuan zërin për një kohë të shkurt, kanë menduar se unë kisha shkuar para tyre tek objekti ku ishin ushtarët tjerë të pozicionuar. Tani unë mbeta vetëm këndej rrugën (majtas), ndërsa ushtarët tjerë andej rrugën (djathtas).

Megjithatë kontakti vazhdoi, por tashmë vetëm me krisma armësh të furishme. Lufta ka vazhduar deri në orët e vona të pasdites.

Gjatë këtyre luftimeve do të bien dëshmorë 9 ushtarë:

1. Hysen Rexhepi,

2. Alejdin Xhezairi,

3. Feriz Susuri,

4. Ymridin Qengaj,

5. Bashkim Suka,

6. Skënder Latifi,

7. Tahir Gashi,

8. Hamit Thaçi dhe

9. Hajdar Shala.

Ndërsa 9 të tjerë konsiderohen të humbur /zhdukur/. Por humbje ka pas edhe pala serbe. Pa modesti mund t´ju them se ata që i kam parë vet me sy, janë vrarë 24 shkie plus për 3 nuk jam i sigurt a kanë mbetur të vrarë apo kanë shpëtuar. Këtë ua kam thënë gazetarëve por edhe familjarëve të ushtarëve. Numri i shkive të vrarë jam i sigurt se ka qenë edhe më i madh, sepse luftimet janë zhvillue në largësi prej shokëve tjerë dhe nuk dija për numrin e vrarë të shkive prej atyre. Sipas dëshmitarëve nga Hoqa thuhet se në kamiona shkiet kanë ngarkuar mbi 80 kufoma të ushtarëve të vet.

Në orët e vona të pasdites kanë pushuar luftimet. Atëkohë unë mbeta vetëm dhe nuk dija më për fatin e ushtarëve tjerë. Pas një pushimi të gjatë, diku rreth orës 20 të mbrëmjes, në Jeshkovë (Gjeq) kanë hyrë shumë automjete përveç tanksave dhe rruga kryesore prej shkollës – deri te xhamia u bllokua plotësisht. Forcat serbe kishin menduar sa kannë vu kontrollë të plotë në Jeshkovë.

Pas orës 20 për mua pason faza e dytë e luftës, përdorimi i armëve të ftohta thika e gjatë 40 cm, (të cilën e kisha siguruar kur isha në Shalë të Bajgorës) dhe teli i hollë. Në orën 20 e 10 minuta, duke tentuar që të kaloi në një objekt tjetër pak sa më të sigurt, në oborr futet një kamion i mbushur përplotë me ushtarë serbë, për t´u kthyer aty, ngase rruga ishte shumë e ngusht, dhe unë në atë moment isha i mbështetur për muri në fund të oborrit. Për fat të mirë, mbrapa meje i shkonte flaka një shtëpie dhe ushtarët që veç kishin zbritur nga kamioni, të verbuar prej dritës së flakës nuk më panë. Unë i shihja ata shumë mirë dhe tani po i pres kur të vijnë në drejtim timin për të pirë ujë në qeshme që rridhte nonstop afër meje. Dashti zoti asnjë ushtarë nuk erdhi për të pirë ujë, kamioni doli nga oborri dhe u parkua në rrugë. Në shpejtësi e ndërrova objektin dhe tani pasi shkiet u rahatuan, i hoqën jelekët antiplumb dhe u liruan edhe unë isha më i lirë dhe veproja si të doja. I shfrytëzova ngushticat ndërmjet shtëpiave dhe i ndërroja pozicionet duke u futur nën kamiona – herë nën rrugë herë mbi rrugë. Me këtë rast i shfrytëzova mjetet e ftohta, thikën dhe telin sipas nevojës. I sulmoja shkiet në befasi… Kështu e vazhdova punën deri në orët e vona të natës. Pasi që isha i lodhur e i rraskapitur aty rreth orës 1 pas mesit të natës me shumë vështirësi kam kaluar në mal përmbi fshat. Jam ndalur te bazeni ujit, kam pushuar mirë dhe pas orës 5 të mëngjesit kam kaluar në pjesën tjetër mbi fshat, nga ana e Lybeçevës (Malësia e Vërrinit). Deri në orën 6 e 30 minuta të gjitha automjetet e shkive e lëshuan Jeshkovën (Gjeqin) dhe shkuan për Prizren në drejtim të Hoqës së Qytetit. Ndërkohë në Jeshkovë (Gjeq) fillimisht janë futur 2 makina të policisë serbe dhe pas gjysëm ore edhe 2 xhipa të OSBE-së, të cilët pasi e kanë kontrolluar terenin…, kanë shkuar për Prizren.

Dikur në orët e mesditës së datës 12 mars i kam gjuajtur 3 plumba me pauz, në mënyrë simbolike për t´ua bërë me dije shkive se lufta këtu ende vazhdon… Në orën 6 pasdite u nisa në drejtim të Lybeçevës (Malësis së Vërrinit) dhe diku pak para orës 21 të mbrëmjes arrita në lagjen Tusus në shtëpinë e gjyshit tim.

Funerali i 9 Ushtarëve të Lirisë – 17 Mars 1999 të rënë Betejën e Jeshkovës më 11 Mars 1999

Kontakti me ushtarët që i kishin mbijetuar luftës së përgjakshme në Jeshkovë

Sheradin Berisha: Pas kësaj beteje të përgjakshme në Jeshkovë (Gjeq), a kontaktuat me ushtarët, të cilët kishin shpëtuar nga përballja me forcat kriminale serbe?

SAMIDIN XHEZAIRI: Po, Besnik Berisha më vuni në kontakt me Valbone Shalën, e cila e traumatizuar nga lufta nuk besonte se kam shpëtuar gjallë. Ajo më tregoi se kishte shpëtuar duke u fshehur në fund të Jeshkovës, në një përrua (nën rrënjë të lisit) ku për fat nuk kishin kaluar andej forcat serbe. Mandej u informova se të gjithë ushtarët që kanë qenë të pozicionuar në krahët anësorë të fshatit kanë shpëtuar. Më 11 mars 2000 mora vesh se edhe Shaban Gashi nga Hoqa, kishte qenë atë ditë në Jeshkovë (Gjeq). Në luftën e pabarabart të Jeshkovës (Gjeqit) ranë dëshmorë 9 ushtarë, të cilët nga kapella e spitalit të Prizrenit u nxorën me ndihmën e OSBE-së dhe u varrosën me nderimet më të larta ushtarake në Pagarush.

Rikthimi në Shtabin e ZOP-it në Reti

Sheradin Berisha: Cilat ishin veprimet e ardhshme të komandant Hoxhës?

SAMIDIN XHEZAIRI: Më 17 mars 1999 udhëtova për në Shtabin e ZOP-it. Në shtab mësova, se gjatë kohës sa ne ishim në Jeshkovë, ishin bërë ndërrime në komandën e Brigadës 125 nga komandanti i zonës. Më kujtohet dokumenti që ishte shkruar për këtë qëllim, aty thuhej se: ”Për arsye të profesionalizmit të radhëve të UÇK-së Selim Krasniqi emrohet komandant i Brigadës 125, kurse Nehat Basha zv.komandant…” Ndërrimet kadrovike komanduese natyrisht se ishin të domosdoshme, por vetëm sipas kritereve profesionale. Në rastin konkret ndërrimi ishte i padrejt, sepse Nehat Basha ishte oficer me akademi ushtarake, ndërsa Selim Krasniqi nuk kishte një përgatitje të tillë. Këtë emrim sa më kujtohet nuk e kishte pranuar as SHP i UÇK-së. Këto lojna mua nuk më kanë pëlqyer fare, e sidomos në kohën kur ne bëmë një luftë të përgjakshme me forcat e shkaut në Jeshkovë (Gjeq).

Të nesërmen (më 18 mars) mora pjesë në një betejë të zhvilluar në Studençan të Therandës (ish-Suharekës). Pas as 2 dite pason një betejë tjetër në Randobravë edhe një tjetër në Piranë…

Rikthimi në Zonën e Vërrinit në Prizren dhe takimi me Zafir Berishën

Më 23 mars 1999 së bashku më ushtarët Ylber Dërvarin, Milaim Ponikun, Isa Gashin, Sadik Gashin dhe Qerkin Krasniqin nga Buçja e Opojës, u riktheva sërish në Prizren. Fillimisht u strehuam në kolyben e Milaim Ponikut në Tusuz. Si gjithnjë Besnik Berisha ishte në lëvizje. Ai më 24 mars, në mbrëmje ma mundësoi takimin e parë me Zafir Berishën nga fshati Kushtrim (ish-Billushë).

U takuam në një shtëpi të pabanuar (afër kolybes së Milaimit) te përroi i parë në përfundim të lagjes Tusuz. Zafiri ishte me Florim Islamajn, Ryfet Krasniqin, Rrystem Krasniqin, Mirsad Berishën, Setki Berishën… Aty u njohëm për herë të parë njëri me tjetrin edhe pse kisha dëgjuar nga ushtarët, për veprimtarinë atdhetare të Zafirit. Ai, ditë më parë me disa ushtarë ishte futur nga shqipëria në Kosovë, nëpër borë (që pak kush e kishte bërë atë kohë), pra për ta bërë këtë marshim duhet të kishe guxim të madh. Në këtë takim biseduam rreth betejës së përgjakshme të Jeshkovës (Gjeqit), rreth ofenzivës së shtatorit të vitit 1998 në Vërri dhe rreth organizimit të luftës sonë në të ardhmen. Kah fundi i marsit 1999, prej Tusuzit, kemi kaluar të gjithë ushtarët në Vërri dhe jemi vendosur në fshatin Kushtrim (ish-Billushë).

Lufta guerile e UÇK-së në Vërri pas fillmit të bombardimeve të NATO-s

Sheradin Berisha: Me fillimin e bombardimeve të NATO-s (më 24 mars) lufta e UÇK-së mori një dimension tjetër. Cilat ishin aktivitetet ushtarake të UÇK-së, në fazën e dytë të luftës: prill – qershor 1999?

SAMIDIN XHEZAIRI: Po, në fazën e dytë njësitë tona të UÇK-së kanë zhvilluar një luftë guerile, kundër forcave armike. Ishim gjithsej 54 ushtarë që kemi operuar deri në përfundim të luftës në trevën e Vërrinit dhe në Tusuz. Gjatë muajve prill – qershor 1999, kur UÇK-ja luftonte kundër shkaut krahas me aleaten me të fuqishme në botë NATO-n, ne ndërmorrëm një varg aksionesh luftarake, në zonën tonë të veprimit. Unë me këtë rast krejt shkurt do t´i përmendi disa aksione (jo të gjitha) që i kemi kryer në këtë periudhë kohore.

– Më 7 prill 1999 në Billushë (Kushtrim), te shkolla, prej orës 7 e 30 të mëngjesit, deri në orën 10, kemi zhvilluar një betejë të përgjakshme me forcat serbe. Me këtë rast e asgjësuam një kombi-bus dhe një xhip ushtarak me 20 ushtarë e oficerë serb. Një numër prej tyre u goditën (pasi ishin futur brenda në shkollë) edhe me mortajën e dorës 500 nga Ylber Dërvari – Ylli. Aty për herë të parë përdora edhe topin me mbushje të heliumit. Një pjesë e ushtarëve morën pjesë në këtë aksion, ndërsa njësitë tjera ishin të pozicionuar, në prapavijë. Me pozicionimin e njësive është marrë Zafiri. Pas këtij aksioni u tërhoqëm nëpër një luginë që të çonte në mal (mbi fshatin Billushë). Në orën 20 në malet e Billushës (Kushtrimit) kryem edhe një aksion tjetër. Aty asgjësova edhe 3 militarë serb. Në malet e Billushës (Kushtrimit) kemi qëndruar tërë natën dhe mandej kemi vazhduar rrugën për në bazën tonë që e kishim në Tusuz. Ne kishim disa baza tjera rezervë në malet e Prizrenit ku prej aty do t´i organizojmë edhe një varg aksionesh luftarake, kundër forcave okupatore të shkaut.

-Më 20 prill 1999, në orët e paradites në Tusuz kemi asgjësuar një kamion të mbushur përplotë ushtarë të armikut.

-Më 22 prill 1999, në orët e pasdites njësiti ynë ka kryer një aksion, mbi fshatin Leskovec (tani Arbëri) – rrëzë Cvilenit te vendi i quajtur ”kroji thatë”.

-Më 29 prill 1999 zhvillojmë një luftë të ashpër për marrjen e pozicioneve në Leskovec (Arbëri).

-Më 1, 2 dhe 3 maj 1999 njësitë tona guerile kanë kryer katër aksione të furishme në Leskovec (Arbëri) dhe rrëzë majes së Cvilenit, ku i kishin bazat e tyre shkiet.

-Më 7 maj 1999 u ndërmorrë një aksion në lagjen e Prizrenit – Terzi Mahallë te Konvikti i vjetër.

-Më 9 maj 1999 në Prizren ”Te Kroji i Pashës” u sulmuan forcat e shkaut, ku me këtë rast kapëm një arsenal luftarak të armikut.

-Më 11 maj 1999 në orët e pasdites (16-24) zhvilluam luftime të ashpra rrëzë Cvilenit dhe dëmtuam paisjet teknike të RTV-s serbe dhe paisje tjera të ndërlidhjes.

-Më 15 maj 1999, pasdite në vendin e quajtur ”Pousk” u zumë një pritë forcave të shkaut.

-Më 16 e 17 maj 1999, forcat e shkaut ndërmorrën një ofenzivë në shkallë të gjerë mbi njësitë tona, në Tusuz, Te kroji Pashës, Te Pishat, Te Bllatat…, mirëpo ofenzivën e armikut e shndërruam në kundërofenzivë. Gjatë këtyre luftimeve të përgjakshme armiku ka pësuar humbje të madhe në ushtarë dhe teknik luftarake, ndërsa në anën tonë janë plagosur dy ushtarë. Ditën e parë është plagosur rëndë në qaf ushtari Sadik Gashi nga Hatmaxha, kurse ditën e dytë Arben Kryeziu nga Prizreni. Ai plagoset nga copat e granatës. Më 18 maj gjatë kontrollimit të fushëbetejave do të mbledhim një numër të konsiderueshëm të armëve, që i kishte lënë armiku.

-Më 19 maj 1999 nga Kalaja e Prizrenit, në Hotel ”Theranda” godasim për vdekje (me snajperk) dy oficerë serbë, ndërsa në Kala një epror të policisë serbe.

-Më 26 maj 1999, në rrugën ”Ramiz Sadiku” në Tusuz, e sulmojmë një patrullë të policisë serbe.

-Më 28 maj 1999 sulmohet post-blloku i policisë, afër spitalit të Prizrenit.

-Më 31 maj, në orët e pasdites sërish në Tusuz kryhet një aksion ndaj një patrulle të policisë.

-Më 3 qershor 1999 në rrugët e Tusuzit sulmojmë dhe e shkatërrojmë plotësisht një kombi të ushtrisë serbe me 11 usharë (prej tyre 3 eprorë). Me këtë rast u plagosa në anën e majtë të kokës dhe në pjesën e sipërme të veshit.

-Më 5 qershor 1999, prej orës 15-17 në Cvilen njësitë tona u konfrontuan me forcat e shkaut dhe pas tërheqjes së tyre, grupi ynë i deminimit bëri çmontimin e minave kundër këmbësorisë.

Çlirimi …

Sheradin Berisha: Më 12 – 13 qershor 1999 të gjitha njësitë e Brigadës 125 futen – triumfues në Prizren. Cili ishte roli juaj në ato ditë të para të çlirimit të Kosovës?

SAMIDIN XHEZAIRI: Po, unë pas çlirimit, rreth 5 javë e ushtrova detyrën e shefit të Brigadës 125 dhe ato ditë isha mjaftë aktivë në kontaktet që i zhvillonim me KFOR-in gjermanë. Ndërkaq në fazën e demobilizimit të UÇK-së dhe të transformimit të saj në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, unë u demobilizova dhe më pastaj shkova për ta vizituar familjen time të ngushtë, që e kisha në Austri. Pas dy muajve u ktheva në Prizren dhe vazhdova jetën time si qytetar i lirë.

Prizren, Mars 2006

P.S: Në betejën e 11 marsit 1999 në Jeshkovë janë të zhdukur pa gjurmë edhe 11 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për fatin e tyre ende sot e kësaj dite nuk dihet asgjë. Ata janë: Ymer, Nuridin e Ilmi Shala, nga fshati Jeshkovë, Shahadin Gashi nga fshati Kushtrim (ish Billushë), Rexhep Buduri dhe Femi Shala nga Hoça e Qytetit, Musli Gashi nga fshati Atmaxhë, Faik Begaj nga Banja e Malishevës, Besnik Kastrati nga Arbana e Prizrenit, Bali Avdaj nga Malësia e Vërrinit (ish Lybeçevë) dhe Shemsedin Shala nga fshati Kushtendil (Kushnin).

————————-

UÇK’ja SI PËRJETIM I VETERANIT YLBER DERVARI – YLLI

Nga Sheradin Berisha

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura