SADRI RAMABAJA: BOSNJA – MODELI I SHTETIT NË DËSHTIM

Prishtinë, 18. 02. 2014 – Marrveshja e Dejtonit që iu imponua boshnjakëve në momentet kur rrezikohej qenia e tyre biologjike, me protestat e fundit të natyrës socioekonomike, po e merr rugën e nulifikimit. Protestat e filluara në qytetin e Tuzllës, e që shpejt përfshinë gjithë Bosnjën, prishjen e status-kuonë. Bosnja po merr rrugën drejt Europës. Njëzet vjetë pas përfundimit të luftës, Bosnja sërish ndodhet para alternativës hamletiane: të jeshë apo të mos jeshë! Iluzionet që ushqeheshin rreth mundësive për aderimin e Bosnjës në BE dhe me këtë edhe funksionalizimin e shtetit, tashmë kanë marrë fund. Për fat të keq, BE-ja përmes EUFOR-it dhe EULEX-it, në Bosnjë dhe në Kosovë, përmes promovimit të politikave neoliberale në lëmin e ekonomisë, ka humbur imazin që kishte. Si në Bosnjë edhe në Kosovë, bazuar në filozofinë dhe konceptet e politikave neokoloniale, ka përzgjedhur elementë kolaborator për një lloj bashkëqeverisje, duke mos përjashtuar as segmente të krimit. Ndërkaq në Serbi, duke mos i vënë ledh nacionaelfashizmit serb, ka etabluar në pushtet kupolën e mafias, që do të reflektoj tutje mungesë sigurie për gjithë Evropën Juglindore. Kjo filozofi dhe mendësi neokoloniale, së fundmi kulmuan me nominimin e kryeministrit të Serbisë (Ivica Daçiq) dhe atë të Kosovës (Hashim Zhaçi) për çmimin Nobël për paqe!

Bosnja laboratori eksperimental politik i neoliberalëve!

*   *   *

Nëse për Brukselin parimi gjeopolitik ishte ndër faktorët prioritar të zgjerimit të bashkësisë deri dje, në rastin e Bosnjës, ky parim disi duket të jetë i tejkaluar.
Përse?
Gjakimi i boshnjakëve dhe i gjithë popujve tjerë të Evropës Juglindore për të qenë një ditë pjesë e BE-së, ishte promotori kryesor i rikthimit të “kopshtit të pasmë” të Evropës drejt amzës, Brukselit. Ky gjakim, jo rrallë, gjatë kësaj epoke të tranzicionit të stërzgjatur, nga ana e Brukselit është shfrytëzuar si mjet i fuqishëm në dobi të ristrukturimit të gjeopolitikës edhe në raport me Serbinë dhe interesat ruse në rajon. Imponimi i marrveshjes së 19 prillit të vitit që lam pas mes Prishtinës dhe Beogradit flet në favor të kësaj teze.
Por, gjatë krejt kësaj kohe, Bosnja i ishte lënë në dorë fatit. Asaj, në fakt i ishte rezervuar stoli i pritjes në paradhoma për koh afatgjatë. Me Marrveshjen e Dejtonit, ajo sikur ishte shndërruar në një lloj laboratori eksperimental politik!
Klubi Evropian i koncipuar si bashkim vullnetar politik i llojit, pra bashkim në disa sfera i politikave mes shteteve të lira dhe sovrane, megjithatë nuk mund ta trajtoj shtet Bosnjën, një vend që nuk funksionon dot. Jo më kot, në të gjitha analizat serioze, Bosnja vlerësohet shtet në dështim, ashtu si cilësohet pak a shumë edhe Maqedonia.
Marveshja e Dejtonit, duke e ndarë Bosnjën në dy entitete disproporcionale: në një Federatë që përbëhet nga entitetet kantonale që i ndajnë boshnjakët dhe kroatët në njërën anë, dhe Republikën Serbska në anën tjetër, këtë krijesë të gjenocidit serb, Bosnjën e gjykoi të jetë shtet sui generis. Diplomacia perendimore, përmes kësaj marrveshjeje, duke e futur dhe mbajtur Bosnjën për 20 vjet në një laborator eksperimental special, tashmë e ka të qart se ka ardhur koha të rishikohet Dejtoni dhe në tavolinat e diplomacisë të sillen ide të reja.
Duket se edhe marrveshja e 19 prillit 2013 shkon në funksion dhe interes të kësaj ideje.
Gjakimi për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian për sa kohë u shndërrua në letër lakmuesi për shtete të tëra të Evropës Qendrore dhe asaj Juglindore, duke shfrytëzuar politikën e shkopit dhe karrotës sidomos ndaj Kroacisë dhe Serbisë, nuk ka se si mos të shërbej e njejta taktikë veprimi edhe ndaj Bosnjës. Në këtë kuadër do shikuar edhe strategjin e ndjekur nga Brukseli në raport me një shtresë të klasës politike kroate në prag të aderimit të saj në BE. A mund të thuhet se ka ardhur koha që të rishikohet strategjia e Brukselit në raport me klasën politike që vazhdon të jenë në krye të institucioneve shtetërore si në Sarajevë, ashtu edhe në Beograd, Prishtinë, Podgoricë e Shkup? Protestat me karakter sociopolitik në Sarajevë e Podgoricë dhe ato të studentëve në Prishtinë në dobi të çlirimit të Universitetit nga pushteti dhe politika vazale, përcillnin pikërisht këtë mesazh.
Çfardo koketimi i Brukselit tutje me këtë klasë tejet të korruptuar politikansh, do ta dëmtojë edhe më rënd imazhin e BE, sidomos në sytë e brezit të ri, tashmë i frustruar nga pritjet e gjata për ndryshime pozitive.
Konstruksioni në dukje paqësor i Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund gjenocidit në Bosnjë, tashti pas 20 viteve, po dëshmohet se nuk ishte gjë tjetër përveç një labirinth mbytës për Shtetin e Bosnjës dhe demokracinë e gjakuar. Ajo iu imponua boshnjakëve në momentet kur rrezikohej qenia e tyre biologjike. Por si e tillë, ajo marrëveshje, me protestat e fundit të natyrës sociopolitike, duket se po e merr rugën e rishikimit të pashmangshëm, respektivisht nulifikimit. Shih për këtë, Bosnja dhe përgjithësisht Evropa Juglindore ka nevojë për ide konkrete shtetëndërtuese.
Modeli i Zvicrës, si shtet modern dhe funksional, me sistemin kushtetues të rishikuar së fundmi (1995), është ai që mund ta nxjerr Bosnjën dhe rajonin nga mjerimi social dhe mungesa e përspektivës. Bosnja ka nevojë për qeverisje demokratike, si parakusht për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie, që do të shërbente për dalje nga ky labirinth. Protestat e filluara në qytetin e Tuzllës, e që shpejt përfshinë gjithë Bosnjën, duke kulmuar në Sarajevë me hedhjen në flakë të selisë së qeverisë, flasin tashmë për prishjen e status-kuosë së konservuar. Tek tashti mund të thuhet se Bosnja po merr rrugën drejt Evropës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura