ERION PICIRI: POLITIKA E FAKTIT TË KRYER, NËNA E TË GJITHA TË KËQIJAVE!

Tiranë, 11 korrik 2017: Afro njëzet vjet më parë, ndiqja një cikël leksionesh mbi historinë e modernizimit të një vendi ballkanik. Që në krye të herës trajtohej një koncept kyç: politika e faktit të kryer. Me krenari paraqiteshin raste emblematike kur politikanët kishin bërë fakt një sërë lëvizjesh përgjatë shekullit të XIX dhe në vazhdim, kishin fituar autonominë, shpallur pavarësinë, krijuar shtetin, zgjeruar territoret, kishin bërë dhe abandonuar aleancat, kishin bashkuar dhe kthyer armët ndaj aleatëve e më tej. Në disa raste kishin fituar, në disa raste kishin humbur, por humbja më e madhe lidhet me kulturën e tyre politike. Fakti i kryer nuk është produktiv në çdo situatë, madje në kohën tonë mund të jetë shumë i dëmshëm.
Politika e faktit të kryer merr kuptim në luftrat për pavarësi, me armiqtë e kombit tënd, por kur bëhet mekanizëm operimi me bashkëpunëtorët, aleatët dhe kundërshtarët e brendshëm, ka pasoja negative. Kur bëhet fakt triblimi i rregullave, shkelja të drejtave të të tjerëve, kur krijohen grupazhe me bazë korruptive, kur lidhen aleanca joparimore për të shkelur çdo ligj a kod moral, cënohet klima e bashkëjetesës, nxitet ndasia dhe polarizimi. Një lojë me rregulla të shkelura prek unitetin dhe normalitetin.
Politika e faktit të kryer nuk është e huaj as për ne shqiptarët. Shekulli i parë i ekzistencës tonë shtetërore është markuar nga politika e faktit të kryer. Kjo traditë e hershme ballkanike, pjesë e kulturës bizantino-otomane, na ka ndëshkuar ashpër në histori. Herë nga të huajt dhe herë nga ‘tanët’, fatet dhe të drejtat tona kanë qenë të dhunuara. Bëhet fakt marrja e territorit, e pushtetit, e pasurisë, e mundësive dhe mbyllet çdo rrugë për reagim dhe mbrojtje të të drejtave të tua. Bëhet fakt një poshtërsi dhe tjetrit nuk i del një jetë për te vene drejtesi.

Përmes politikës së faktit të kryer tek ne janë instaluar regjime, janë përjashtuar, dhunuar dhe eleminuar kundërshtarë politikë, i kanë bërë fakt shqiptarit sisteme që duhej t’u nënshtrohej pa kushte. Përmes politikës së faktit të kryer një prijës gjysëm i shkolluar apo gjysmë injorant, i vendosur në diabolizmin e tij për të dominuar mbi të tjerët, krijonte një çetë të ngjashmish me të, kapte pushtet dhe përjashtonte nga përcaktimi i fateve të vendit çdo njeri apo grup njerëzish të zot. Përmes politikës së faktit të kryer janë diktuar vendimmarrje kundër interesave publike, në dobi të grupit dhe të një pakice të lidhur me ta.
Kjo kulturë vazhdon ende sot. Politikën e faktit të kryer e shikon këto ditë në çdo parti politike. Kryetarë dhe kasta në krye të organizatave përmes politikës së faktit të kryer uzurpojnë drejtimin, anullojnë apo trukojnë garat, sekuestrojnë partitë, kapin dhe personalizojnë institucionet, vënë dorë mbi qeveritë, nënshtrojnë individët, grupet e qënësishme dhe mbarë vendin.
Politika e faktit të kryer nuk njeh ligj, rregulla apo parime morale por imponon logjikën dhe brutalitetin e dhunuesit dhe grupazhit të tij. Ky është një model traumatizues, përjashtues dhe diskriminues në shoqëri. Ky model nuk korespondon me ato të vendeve të civilizuara.
Hedhja dhe bërja fakt tjetrit, dhe përfitimi nga situata, nga pushteti dhe dobesia e institucioneve, pa pasur asnjë vrasje ndërgjegjeje nga shkeljet parimore, kodet e shkruara dhe të pashkruara, është një qasje që shkatërron kulturën e një organizate, karakterin e një kombi. Fakti i kryer, për realizimin e garave të pandershme nxit përçarjen jo bashkimin, pabesinë jo mirëbesimin, armiqësinë jo miqësinë, rrënimin jo ringritjen.
Me politikën e faktit të kryer kapet sot shteti, pastrohet administrata, vidhet buxheti, humbet një vend pune i fituar me konkurs, skualifikohesh nga fitimi i një projekti, të bëhet një konkurencë e pandershme biznesi nga njerëzit me pushtet, të mohohet një kandidim dhe mundësia për të vënë kapitalin intelektual dhe aftësitë në shërbim të organizatës apo vendit tënd.
Politika e faktit të kryer ka deformuar sistemin, ka krijuar një shoqëri të çalë që përfaqësohet nga pjesa më e vrazhdë, më e paqytetëruar, më diabolike dhe servile e saj. Politika e faktit të kryer, nëna e të gjithë të këqijave, e shkatërrimit të individit, të harmonisë dhe potencialit të zhvillimit institucional dhe kombëtar.
Njerëzit e pafuqishëm dhe të kapur në një rezervat interesash për mbjetesë, zgjedhin të heshtin, detyrohen ta pranojnë faktin e kryer. Veçse kostoja është e lartë – kështu humbet besimi, humbet pasioni, humbet përkatësia – njeriu bëhet i huaj me organizatën dhe vendin e tij. Ky sistem anakronik detyron valë-valë, largimin masiv të shqiptarit të zot në vende të tjera, penalizimin e Shqipërisë nga kapitali njerëzor autokton më cilësor.
Vendet dhe organizatat nuk e kanë luksin të përjashtojnë më kreativët, më kurajozët, më të eksperimentuarit dhe të dukshmit midis tyre. Kështu që diçka duhet ndryshuar në kulturën e funksionimit institucional dhe kombëtar.
Duhet zgjedhur një qasje tjetër, të kujdesemi të bëjmë politikë por edhe të krijojmë modele, të qeverisim por edhe të ruajmë unitetin, të luftojmë për idetë tona por edhe të respektojmë kornizat ligjore e morale, të fitojmë por pa ia hedhur njëri-tjetrit me metoda të pandershme. Vetë bazamenti kushtetues, ligjor dhe moral duhet të mbrojë minorancat, të diktojë konsensus dhe vetë liderët të kenë kulturën e vetpërmbajtjes.
Lidershipi nuk duhet të fitojë përmes faktit të kryer por përmes parimit, frymëzimit dhe ideologjisë, përmes realizimit të qëllimeve të larta, përmes kompromisit, në mbështetje të më të mirit që fuqizon organizatat dhe arritjen e unitetit funksional bazuar tek realizimet e grupit. Se gjithkush është i vlefshëm dhe nuk duhet mundur me forcë dhe pabesi, të detyrohet të largohet. Se pushteti nuk duhet të bjerë në dorë të një njeriu, klani apo grupi interesash, por të krijohet një mekanizëm balancimi gjithpërfshirës, ku gjithkush vazhdon të japë kontribute, pa humbës dhe fitues të mëdhenj dhe të përhershëm.
Ne e kemi të nevojshme të ndahemi nga një mendësi dhe t’i hapim rrugën një tjetre. Politika e faktit të kryer ka shkatërruar prej dekadash vendin tonë, burimet njerëzore, gjithçka të vlefshme që ky vend ka krijuar me mund ndër vite. Toleranca ndaj politikës së faktit të kryer duhet të përfundojë. Reagimi duhet të jetë i qartë dhe i vendosur.
Mos besojmë kur thuhet se kështu funksionon e gjithë bota. Duke legjitimuar këtë kulturë, shumë syresh në vend të mbrojnë të drejtën dhe të vërtetën, rendin të forcojnë pozitat e dhunuesit. Një qëndrim i gabuar dhe me pasoja për zhvillimin e shoqërisë. Kudo në botë popujve që u mohohet energjia dhe burimet e zhvillimit, ngrihen dhe rivendosin normalitetin, një rend të ri të funksionimit të gjërave. Ka nje virus qe shkaterron dhe ky eshte fakti i kryer por ka nje ilac qe sheron dhe ky eshte reagimi qe spraps kete kulture abuzive.
Perëndimi, modelin e të cilit ne të gjithë aspirojmë, ka kulturën e duelit jo të pritës, kulturën e ballafaqimit jo të pabesisë, të konkurencës dhe jo të eleminimit, të rrugëve të hapura dhe jo të mbyllura, te respektimit te rregullit jo te shkeljes si fakt i kryer. Hierarkitë në politikë, organizata dhe biznese duhet t’i krijojë gara, tregu i lirë, ku integriteti dhe ndershmëria ndaj tjetrit dhe vetes të jenë primordiale. Kështu ndërtohet një klimë besimi, harmonie dhe fuqizimi në çdo institucion dhe vendin në tërësi. Kjo është rruga e ringritjes.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura