SAIME ISUFI: DUKE KUJTUAR ATË NATË TË TRISHTUAR JANARI

Pashtriku.org, 17. 01. 2014 – (Pjesë e shkëputur nga ditari) – 17 janar 1982. Ora po afron 22.00. Kadriu akoma nuk është kthyer; nuk po kthehet. Pse po vonohet ?!… Plaku fillon të shqetësohet. Fillon të shëtisë nëpër dhomë me duar në xhepa dhe nga shqetësimi i dalin fjalët: – « Sot kështu e nesër nuk e dimë se si… » Dhe nuk i tha vetëm njëherë këto fjalë, por disa herë. Ai po parandjente kobin që në këto çaste po ndodhte larg nesh; në Gjermani, në Untergrupenbach. (Që u shoftë nga harta ky emër, që më shkaktoi dhimbjen më të madhe në jetë !)
S’vonon pak dhe bie telefoni.
– «Bule, jam unë Ibrahimi (Kelmendi – sh.b), është kthyer Zeqa?»
– Jo, i them nuk është kthyer akoma.
Më thotë:
– «Do të kthehet, sepse sot ishim bashkë« dhe mbyll telefonin.
Qetësi…
Plaku vazhdon të ecë nëpër dhomë i shqetësuar, por nuk ipet;
nuk do të më shqetësojë.
Vazhdon të thotë:
– «Sot kështu e nesër nuk e dimë se si!» …
Prap bie telefoni.
Prap paraqitet Ibrahimi.
Pyet prap nëse është kthyer Kadriu.
Unë i them prap se nuk është kthyer.
Ai e dinte se çfarë kishte ndodhur, por nuk donte të më shqetësonte atë natë të trishtueshme.
Unë nuk duroj pa e pyetur se çfarë ka?!

Por ai nuk ma thotë lajmin e zi.
Kërkon numrin e Hasan Malajt. (Ai nuk e dinte se Hasan Malaj ishte me mua). Këtu dyshova se diçka paska ndodhur, pasi po këmbëngulte të merrte numrin e Plakut dhe sigurisht ta njftonte për gjëmën që kishte ndodhur, për atentatin e kryer.
E shqetësuar, por edhe e vendosur kërkova të ma thoshte atë që kishte ndodhur, sepse për të mirë nuk bëhej telefonatë aq vonë.
I shashë tekstualisht:
– «Më thuaj çfarë ka ndodhur, sepse edhe po të ketë ndodhur gjë, nuk kemi çfarë të bëjmë ».
Megjithë insistimin tim, ai nuk më tha gjë dhe unë nuk ia dhashë numrin e Hasanit. Atëherë i them Plakut të marrë në telefon tek vëllai i Ibrahimit në Gjermani, sepse telefonatat e Ibrahimit në këtë kohë janë të dyshimta dhe me gjasë ka ndodhur diçka.
Ngrihet Plaku, të marrë në telefon vëllain e Ibrahimit, por hutohet; nuk i punon dora, nuk i punon mendja të formojë numrin. Pas disa përpjekjesh dhe derisa erdhi pak në vete, mori në telefon Mustafën.
Sabrija, gruaja e Mustafës paraqitet në telefon.
Plaku e pyet:
– «çfarë ka ndodhur?»
Në atë heshtje dhe me veshët në krah, dëgjoj Sabrijen tek thotë në telefon:
– «Zeqa i vdekur, për ata dy nuk dimë…»
Unë nuk bërtita, nuk ulërita…
U rashë me duar gjunjve që po më dridheshin dhe s’po i frenoja dot…
Plaku u përpoq të përmbahej para meje dhe duke menduar se nuk i dëgjova fjalët e Sabrijes, më tha :
– «Kadriu qenka sëmurë, duhet të shkojmë në Gjermani».
Plak, – i thashë, unë i dëgjova fjalët që i tha Sabrija, por nuk kam çfarë të bëj. Ai duke u përpjekur ta zbuste situatën dhe shqetësimin tim, më thoshte se nuk tha ashtu siç thua ti; nuk e dëgjove mirë etj…
I kuptoja përpjekjet e tij për t’iu shmanguar të vërtetës…
Filluan telefonatat duke vazhduar tërë natën.
Secili jepte versionin e tij, si dhe çfarë kishte dëgjuar.
Gjëma kishte ndodhur, por se deri në ç’shkallë kishte arritur të zgjerohej krimi, nuk e dinim dhe nuk e ditëm derisa arritëm në shtëpinë e vëllezërve Gërvalla…

Kadri Zeka me Saime Isufin – Bulen

Pa zbardhur dita e 18 janarit 1982, u nisëm drejt Gjermanisë me Plakun, Nexhmedinin, Shefketin dhe Qamilin. Nga trishtimi e shqetësimi rruga na u zgjat shumë.
U zgjat edhe për faktin se humbëm disa herë drejtimin për në cak.
Plaku duke mbajtur gjoksin nga trishtimi dhe duke ndjerë dhimbjen e madhe për shokun e idealit e të luftës, thoshte rrugës :
– «Ah Çekan, Çekan, çfarë shokësh ke, nuk janë në gjendje as të të gjejnë ku je?»
Nexhmedini në anën tjetër qante me dënesë …
Ngaqë e «tepruan» u thashë :
– «Mjaft më, doni të më çmendni?!»
Rrugës e trishtuar edhepse dëgjova qartë Sabrijen kur tha se Zeqa i vdekur, për ata dy nuk dimë, prap se prap kisha shpresa se mund të ishte gjallë; se kishte nevojë për ndihmën time dhe nuk i ndodhesha pranë…
Mendoja pse nuk e mori me vete revolen kur i thashë, ta kishte me vete për çdo rast, (revolen të cilën na kishin dhuruar veprimtarët e Gjenevës në dasmën tonë, të mbajtur para dy javësh, më 2 janar 1982), por edhe ai më kishte thënë se nuk mund ta merrte, sepse mund të kontrollohej në kufi dhe t’i shkonte rruga huç…
E ku nuk më shkonte mendja…
Udhëtimi zgjati njëqind vjet…
Arritëm në shtëpinë e Gërvallajve.
Ishin mbledhur njerëz.
Suzana që në derë ma dha lajmin e zi në mënyrë aq direkte, sa s’do ta harroj kurrë:
– «Hajde nuse, hajde, që të tre të vdekur!»
Ishte goditje e rëndë, sepse nuk ishte vetëm Kadriu ai që kishte ndërruar jetë dhe do t’i mungonte veprimtarisë sonë, por ishin edhe dy veprimtarë të denjë të Kosovës dhe kështu Lëvizja pësoi humbje të madhe.
Ishte për të luajtur menç në ato çaste.
Kështu e përjetuan veprimtarët e tre dëshmorëve humbjen e tyre. Kështu e përjetova edhe unë, anipse Kadriun e kisha edhe bashkëveprimtar por edhe shok jete…
Hymë brenda.
Suzana filloi të fliste, të tregonte se si pikërisht atë mbrëmje Kadriu dhe dy vëllezërit ishin aq të lumtur e gazmor si asnjëherë tjetër.
Se si Kadriu doli të më merrte në telefon e të më thoshte se nuk mund të kthehej atë natë…
Ai e dinte se do të merakosesha, sepse armiku nuk do të flinte…
Prandaj doli të më njoftonte… Sepse dinte të respektonte…
Doli të fliste, por nuk foli dot atë natë, sepse plumbat e kishin goditur rëndë, duke ia mbyllur gojën përjetë…
Saime Isufi, 17 janar 2010

——————————————————

– NJË FRAGMENT NGA DOKUMENTARI –

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura