SALI BYTYҪI: KOSOVA E VETERANËVE DHE AKADEMIKËVE…TË RREMË!

Prishtinë, 22. 06. 2016: Para disa ditësh më erdhi për vizitë një nip nga fshati dhe, bisedë pas bisede, arritëm deri te listat e veteranëve. “M… u bë puna”, u shpreh nipi, kur e pyeta si ka vajtur procesi i listave të veteranëve në rrethin tonë. “E di rastin e N.N., i cili për të mos dhënë rojë gjatë luftës, se kishte frikë, i dha 500 DM? Tani i ka dhënë 2500 euro dhe ka hyrë në listën e veteranëve”! Po kështu kishte ndodhur edhe me mjekun, i cili gjatë kohës së bombardimeve ishte strehuar në fshatin tim, por që u kishte thënë të zotëve të shtëpisë ku ishte strehuar, të mos tregojnë që është aty, se pastaj i del problem t’i kontrollojë të sëmurët!!! Tani i kishin dhënë edhe atij certifikatën e veteranit luftëtar. Ndërsa sanitetit që kishte lidhur plagët e të plagosurve apo i kishte varrosur të vrarët, i kishin dhënë certifikatën e pjesëmarrësit.
“Në lista të veteranëve janë futur me të madhe dezertorët e luftës, njerëz që nuk kishin të bënin fare me luftën, po edhe të tillë të cilët gjatë luftës ishin 7-vjeçar!”, vazhdoi nipi të më thoshte.
Të them të drejtën, kur i dëgjova këto u nervozova jo pak.
Si është e mundur që një njeri, për të cilin të gjithë e dinë që ka paguar 500 DM për të mos u bërë ushtar i UÇK-së, tani të figurojë në listat e veteranëve?! Pastaj për mjekun e pafytyrë, i cili nuk u kishte ofruar ndihmë jo vetëm ushtarëve të UÇK-së, po as të sëmurëve, të jepej certifikata e veteranit luftëtar?!
Po, pas pak, filloi të më bjerë tensioni dhe, për të gjitha këto, mendova me gjakftohtësi. Fundi fundit, jo vetëm të nervozohem, po edhe nëse plas unë, punët do të shkojnë kështu, siç kanë shkuar deri më tani. Bile edhe me këtë shkrim që po e bëj, prapë vetëm sa humbas kohën time, se njerëzit në Kosovë janë bërë njësoj: s’e prish terezinë kush, pa marrë parasysh se çfarë ndodh këtu!
Me këtë rast duhet të cek se, siç jam i bindur që e kanë tepruar krijuesit e listave të veteranëve duke dyfishuar e trefishuar numrin, jam i bindur edhe se jo të gjithë ata që kanë hyrë në lista të veteranëve përfitojnë materialisht, por se një pjesë i kanë futur aty për t’i sajdisur njerëzit e vet, pra për t’iu dhënë rytbe jo të merituara.

Kujt iu dha mundësia, keqpërdori sa mundi
Mendoj që Kosova, në këtë dekadë e gjysmë pas shkëputjes nga Serbia, ka funksionuar jo sipas normave ligjore, po sipas vullnetit të njerëzve, të cilët kryesisht ishin të papërgjegjshëm. Dhe, në vendin ku vendosin njerëzit e papërgjegjshëm, aty ku nuk funksionon ligji, aty ku nuk ka mbetur asnjë shenjë e vogël e etikës, mund të ndodhin gjëra nga më të çuditshmet.
Pyetja e parë që i bëra vetes, pasi fillova të qetësohem, ishte: Cili komision, bord apo quaje si të duash, në këtë një dekadë e gjysmë në Kosovë, e kreu punën më me nder se Komisioni për verifikimin e listave të veteranëve?
P.sh. Në Trustin Pensional të Kosovës, ata që janë aty, i kanë ndarë dhe i ndajnë pagat për vete sipas vullnetit që kishin dhe kanë;
Në komuna, kanë ndarë dhe ndajnë banesa për të punësuarit aty, sikur komunat të jenë pronë private, po ashtu sipas vullnetit politik e klanor;
Në KEK, Postë-Telekom, Aeroport etj., i kanë punësuar njerëzit sipas vullnetit, po ashtu politik e klanor, që kishin;
Në Drejtësi, para disa vitesh, pothuaj të gjitha lëndët në të cilat punonjësit e Drejtësisë: avokatë, gjyqtarë, prokurorë, akuzoheshin për vepra nga më të ndryshmet, i hodhën në koshin e plehrave;
Keqpërdoruesit e tre përqindëshit nuk kanë dhënë as japin llogari për milionat e keqpërdorur;
Keqpërdoruesit e Fondit “Vendlindja thërret” nuk kanë dhënë as japin llogari për paratë që i morën (shtinë në xhepat e vet).
Kanë privatizuar pasurinë e Republikës së Kosovës siç ua ka dashur qejfi dhe interesi i vet!
Pra, gjithkund ku kanë pasur mundësi, komisionet, bordet, quaji si të duash, kanë vepruar sipas vullnetit të vet, pa u mbështetur në ndonjë ligj, ose i kanë vërtitur ligjet sipas vullnetit të vet. Ndaj, nëse duhet të jepet llogari për keqpërdorimet që i kanë bërë në punën e tyre, kur i hartuan këto lista veteranët, sipas radhës, ata duhet të jenë të fundit.
Po unë, me këtë rast, do të ndalem pak te “listat” në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, që konsiderohet institucioni më i lartë shkencor dhe kulturor i Republikës së Kosovës, si krijohen ato.
Si funksionojnë Seksionet dhe Kuvendi i Akademisë?
Për të kuptuar si funksionojnë Seksionet dhe Kuvendi i Akademisë, të shohim kush është futur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës viteve të fundit.
Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si shkencëtar i Historisë para disa vitesh është pranuar Jusuf Bajraktari.
Çfarë ka bërë Jusuf Bajraktari për shkencën e historisë?
Jusuf Bajraktari gjatë jetës së tij “historike” ka botuar një libër: “Gjakova me rrethinë në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX (1878-1912)” (mbrojtur si tezë disertacioni më 1985 dhe botuar më 1998, në kohën kur kishte filluar lufta në Kosovë).
Pasi ka shkruar këtë libër me 34 vjet “histori” të Gjakovës me rrethinë, Jusuf Bajraktari që gjysmë shekulli ka jetuar me të gjitha privilegjet që mund t’i ketë një njeri: të gjithë titujt e mundshëm akademikë që mund të marrë një njeri i ka marrë, pagën e rregullt e ka marrë, drejtor i Institutit të Historisë (ka qenë një kohë të gjatë) është bërë!
Banesë a ka marrë a jo, nuk e di.
Pra, vetëm për një libër që ka shkruar për Gjakovën me rrethinë ka marrë pagë dhe privilegje deri në pension, po për këtë libër ka marrë edhe honorarin nga Instituti i Historisë! Megjithatë, kjo ishte pak për të, ndaj Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe, pastaj, Kuvendi i Akademisë për këtë histori të Gjakovës me rrethinë ka vlerësuar që Jusuf Bajraktari duhet të hyjë në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të paguhet në muaj rreth 1500 euro, po edhe pas vdekjes, sipas Rregullores, edhe gjashtë muaj familjes së tij t’i shkojnë në xhirollogari 6 paga të larta akademike!
Këto të gjitha pa bërë as edhe një vijë të zezë mbi të bardhë. Po nëse rastësisht i teket Jusuf Bajraktarit të bëjë një vijë të zezë në faqe të bardhë, ai merr honorar ekstra!
Për këtë, pas Seksionit të Shkencave Shoqërore, ka vendosur Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Rasti i dytë është ai i Mehmet Halimit.
Se është marrë me mbledhjen e ninananave, pastaj me mbledhjen e shprehjeve popullore dhe pak para se të dalë në pension ka doktoruar me monografinë “E folmja e Karadakut”, Mehmet Halimi gjatë gjithë jetës së tij ka marrë pagë të rregullt, po ashtu për veprat që ia ka botuar Instituti Albanologjik ka marrë edhe honorarin! Po organet përkatëse të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës këto i ka parë të pamjaftueshme për Mehmet Halimin, prandaj ia vazhdoi privilegjet njësoj si të lartpërmendurit, Jusuf Bajraktarit, pra e pranoi akademik.
Rasti tjetër është ai i Zejnullah Rrahmanit.
Në vitin 1985 ka doktoruar me një monografi me një titull paksa të çuditshëm “Nga teoria e letërsisë shqipe” (botuar më 1986). Gjatë gjithë jetës së tij pagë ka marrë si ligjërues në Fakultetin e Filologjisë (dikur Fakulteti Filozofik), po ligjërimi i tij ishte leximi i vazhdueshëm i disa fletëve të nxirosura, ndërsa studentët duhej të mbanin shënime. Në vitet ’90, gjatë kohës sa ishte dekan i Fakultetit Filologjik, u shkrua në shtyp se mbi 100 000 DM kanë humbur pa shenjë dhe pa dokë, por ky kurrë nuk dha llogari për to! Në këtë kohë, vitet ’90, ka botuar një libër me titull “Teoria e letërsisë” (1986), po ky libër është shumë larg nga të qenët tekst mësimor, sepse është përmbledhje e ligjëratave të tij të dobëta, të bazuara kryesisht në teorinë e letërsisë së Milivoj Solarit, të përkthyer (në fakt: të sakatosur) në shqip nga Ali Aliu, asgjë më shumë. Në vitet 2000 e këndej ka botuar rreth 10 libra “teorike letrare”, të cilat janë kryesisht kompilime prej librave në gjuhë të huaja, jo rrallë të përkthyera me Google Translate.
Se sa është shkencëtar ky, lexuesi më mirë e kupton po të lexojë librin e tij të vetëm për letërsinë shqipe (pas tezës së disertacionit), në të cilin e “studion” romanin “Malësorja” të vëllait të tij, Nazmi Rrahmanit. Përveç përflitjes së subjektit të romanit të Nazmi Rrahmanit dhe dhënies së mendimeve subjektive, pra shfryrjeve të herëpashershme ndaj popullit shqiptar, asgjë shkencore nuk ka në këtë libër!
Në Akademi është edhe Ali Aliu, bile në tri akademi (të Prishtinës, të Shkupit dhe të Tiranës)! Aq sa gjendet ar në një grumbull dhe, po aq gjendet shkencë në veprat e tij fund e krye eseistike. “Poezia e filan poeti është maja e poezisë shqipe”; “Poeti N.N. është maja e majave të poezisë shqipe etj.”, kjo është shkenca që ka bërë Ali Aliu në artikujt e tij për letërsinë shqipe, apo që të gjithë shkrimtarët shqiptarë i quan Don Kishotë! Kështu, majë pas maje, u gjend në Akademi!
Se gjatë gjithë jetës së tij është marrë me statistika, Hivzi Islami është në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës! Çfarë shkence përbëjnë statistikat, që i ka marrë nga institucionet përkatëse, për të cilat Hivzi Islami është bërë akademik, po edhe kryetar i Akademisë së Shkencave, madje në dy mandate?! Marrja me statistika, po për të cilat gjatë gjithë jetës së tij si profesor ka marrë pagë të rregullt, i ka dhënë argument Seksionit përkatës dhe pastaj Kuvendit të Akademisë ta pranojë si akademik!
Çfarë shkence ka bërë Isa Mustafa që është pranuar në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës? Librat mësimorë, edhe nëse janë universitarë, për të cilët gjatë gjithë jetës Isa Mustafa ka marrë pagë, po edhe honorarë, çfarë shkence përbëjnë?! Pasi u zgjodh anëtar korrespondent në vitin 2008, duke qenë Kryetar i Kuvendit Komunal të Prishtinës (kjo përbën konflikt të pastër interesi!), u avancua në anëtar të rregullt katër vjet më vonë, në kohën kur krahas postit të njeriut të parë të kryeqytetit, ishte edhe kryetar i partisë të cilën e drejton edhe sot, Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në këtë shkrim nuk i përmenda edhe disa “akademikë” të tjerë, si Sali Gashi, Luan Mulliqi etj., emrat e të cilëve nuk thonë gjë, sepse janë më tepër personifikime të qenieve anonime; pra nuk meritojnë as të përmenden fare!
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i ka paraparë të gjitha privilegjet për anëtarët e saj, bile edhe pasi të vdesin, por nuk e ka paraparë plagjiaturën. Kjo Akademi që nuk i parasheh sanksionet, privilegjet po! Sa herë duhet të argumentohet plagjiatura e Sabri Hamitit?! Sabri Hamiti vazhdon të jetë anëtar i Akademisë, ndërsa për veprat në të cilat ka jo pak plagjiaturë, ka marrë honorar të majmë, si dhe çmime kombëtare në Shqipëri!
Nexhat Daci e Rexhep Ismajli, të dy akademikë, i kanë lënë pasardhësit në vendet ku kanë punuar, pra vajzat e tyre; i pari në Degën e fakultetit ku ka punuar, i dyti në Fakultetin ku ka punuar.
Në Fjalorin Enciklopedik, i cili është në përgatitje nga kjo Akademi, janë paraparë të jenë zëra të veçantë anëtarët e familjeve të të quajturve akademikë. Pasi i kanë siguruar vendin vetes si akademikë, tani në fjalorë i fusin anëtarët e tyre, po ndonjëri si Rexhep Ismajli, fut edhe mësuesin e shkollës së mesme, si dhe vajzën e tij!

Pasi në Ligj kanë “harruar” ta sanksionojnë plagjiaturën (hajninë intelektuale), nuk e kanë harruar një nen sipas të cilit seksionet e Akademisë mund të propozojnë individë për t’i pranuar në Akademi (këta edhe janë më të sigurtët që hyjnë në Akademi, sepse propozohen nga ata që janë aty!), ndërkaq në Projektligjin e fundit kanë futur një nen sipas të cilit personat mbi 65 vjet nuk kanë fare të drejtë të propozohen për anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës! Pra, pasi i kanë futur njerëzit e vet mbi këtë moshë, tani ua pamundësojnë “të tjerëve”, që kanë këtë moshë, edhe pse të padëshirueshmit e tyre edhe ashtu i kanë dyert e mbyllura nga kjo akademi, edhe po të jenë gjeni! Por, fodullëku i tyre grotesk, as që denjon të merret me lëndët e të padëshirueshmëve, në fund të fundit për t’i hedhur në koshin e plehrave!
Nuk ndodhin askund në botë
A ka dëgjuar dikush që ka një vend në botë, në të cilin njeriu që ka shkruar një libër për historinë e një qyteti (në fakt Gjakova në atë kohë ishte një qytezë) me rrethinë për një periudhë 34-vjeçare, të bëhet akademik?!
A ka dëgjuar dikush që ekziston një vend në botë në të cilin njeriu që ka shkruar libra për të folmen e rrethit të vet, i cili pak para pensionimit mezi arrin ta kryejë doktoratën, po për të folmet e rrethit të vet, si shpërblim t’i jepet titulli: akademik?!
A ka dëgjuar dikush që ka një vend në botë që njeriu i cili gjatë gjithë jetës së tij është marrë me statistika, edhe ato të marra të gatshme nga institucionet përkatëse, ta bëhet anëtar i Akademisë së Shkencave?!
A ka dëgjuar dikush që ekziston një vend në botë në të cilin njeriu i cili ka botuar libra “teorikë”, të gjitha kompilime të dobëta nga gjuhët e huaja, siç është rasti i Zejnullah Rrahmanit, pra kompilime nga njeriu i cili së pari nuk e njeh as gjuhën e vet, e i cili në krejt veprën e tij “teorike letrare”, origjinale i ka vetëm fyerjet që i bën popullit të vet, ndërsa të tjerat nga A-Zh kompilime, njeriu i cili në vitet ‘90 ishte kryefjalë e një skandali, për të cilin nuk ka dhënë llogari kurrë, i cili si vëlla i Nazmi Rrahmanit ka hyrë asistent në Fakultetin e Filologjisë, që ka doktoruar me një libër me titull absurd: “Nga teoritë e letërsisë shqipe”, po që gjatë gjithë jetës së vet si ligjërues, i hap disa fletë dhe u ligjëron studentëve duke lexuar, ndërsa në fund të shpërblehet me titullin: akademik?!
A ka dëgjuar dikush që një institucion i cili financohet nga shteti të ketë në Rregulloren e tij një nen me të cilin u jep të drejtë seksioneve të veta, të përzgjedhin për ta pranuar personin që duan vetë, siç e ka Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës?!
Në fund
Të kthehemi edhe një herë te bashkëvendësi im i cili gjatë kohë së luftës i dha 500 DM që të mos hynte në radhët e UÇK-së, po që tani gjendet në listat e veteranëve luftëtarë të UÇK-së dhe te anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Më veteran është bashkëvendësi im që dha 500 DM për luftën apo këta akademikë me nga një libër për rrethin e tyre, për të folmet e rrethit të tyre, apo me statistika e kompilime librash të huaj?
Kush është më meritor: bashkëvendësi im që dha 500 DM për luftën e UÇK-së apo Jusuf Bajraktari për shkencën e Historisë me një libër për Gjakovën me rrethinë?
Nëse mund të jetë anëtar i akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës Jusuf Bajraktari që ka shkruar një libër për Gjakovën me rrethinë, për të cilën gjatë gjithë jetës së tij është paguar, po në të cilën nuk ka aspak shkencë, pse të mos jetë në Listën e veteranëve luftëtarë bashkëvendësi im që i ka dhënë 500 DM UÇK-së, me të cilët UÇK-ja ka mundur të blejë së paku 500 plumba, me të cilët edhe nëse nuk e ka vrarë asnjë armik, së paku ka dhënë alarmin që këtu është një popull i cili padrejtësisht sundohet nga Serbia?! Në fund të kësaj, puna e UÇK-së, edhe me 500 DM-të e këtij bashkëvendësit tim, ka rezultuar me sukses, pra Serbia është larguar nga Kosova deri në Urë të Ibrit, por, të më thotë dikush, çfarë i solli Jusuf Bajraktari shkencës së historisë me librin për Gjakovën me rrethinë?
Bashkëvendësi im, përveç 500 DM-ve, asgjë po qe se nuk ka bërë, së paku ka ikur prej serbëve, po Jusuf Bajraktari jo që nuk është marrë me shkencë kurrë, por as ka pasur rastin të ikë nga ajo, sepse kurrë nuk është takuar me të!
Nëse Mehmet Halimi për librat me të folme dhe me ninanana ka të drejtë të jetë anëtar i Akademisë së Shkencave, përse nuk ka të drejtë të jetë veteran bashkëvendësi im?!
Nëse akademikët fusin në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës pa asnjë kriter: shokë, miq, bashkëpartiakë, bashkëklanorë; futin në Fjalorin Enciklopedik familjarët e tyre, po edhe ish-mësuesit; e vërtitin ligjin sipas interesave të tyre të ngushta, përse u dashka që komandantë me gjysmëshkolla apo pa shkollë fare të mos fusin në listat e veteranëve shokë, miq, mikesha, vajza të tyre apo dhëndurë? Përse u dashka që Prokuroria të merret me Listat e veteranëve dhe jo edhe me Listat e akademikëve? Nëse akademikët kanë të drejtë që, në mes të kryeqytetit të Kosovës, ditën për diell, të fusin në Akademi një person që gjatë gjithë jetës së tij ka shkruar një libër për qytetin e tij me rrethinë, apo për të folmen e rrethit të tij, apo atë që ka bërë kompilime të shkallës më të ulët, apo edhe vjedhës të pronës intelektuale, pra plagjiatorë, pse në periferi të Kosovës, atje ku toka digjej flakë gjatë luftës, e ata aty ishin, të mos kenë të drejtë të futin ndonjë të vetin në lista, edhe atë që nuk ka qenë fare pjesëtar i luftës?
Nëse Hivzi Islami kishte të drejtë ta fusë në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ish-mësuesin e tij të shkollës së mesme, Mehmet Halimin, përse i mohohet e drejta një ish-komandanti të Dukagjinit apo të Llapit, me një ngritje arsimore e kulturore modeste apo edhe pa ngritje fare, që t’i japë titullin veteran luftëtar një miku të tij, dhëndëri apo mbese?!
Më shumë ka kontribuar për luftën ai bashkëvendësi im që i dha 500 DM UÇK-së sesa të gjithë të përmendurit për shkencën. Dhe, nëse duhet kërkuar llogari, së pari duhet të kërkuar këtu në Prishtinë, të nisë llogaria nga fillimi, nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, jo nga bishti!
Jo vetëm bashkëvendësi im që dha 500 DM për luftën, po edhe dezertorët e UÇK-së më veteranë luftëtarë janë se që janë shkencëtarë anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si Ali Aliu, Nexhat Daci, Hivzi Islami, Sabri Hamiti, Jusuf Bajraktari, Mehmet Halimi, Zejnullah Rrahmani, Isa Mustafa, Sali Gashi, Luan Mulliqi etj., sepse të parët së paku e bartën pushkën dhe e çuan deri diku, ndërsa të lartpërmendurit kurrë nuk bënë shkencë!
Konkluzion: Veteranët e Kosovës nuk mund ta bartin mbi kurrizin e tyre atë faj, tepër të rëndë, siç është prishja e paradigmës të së keqes, e cila është krijuar me shumë mund dhe përpjekje në mëse një dekadë e gjysmë pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë!
Prandaj, këshilla ime është: Mos i ngucni veteranët, edhe ata Kosovë janë!
Ndërkaq, për mjekun i cili gjatë kohës së luftës nuk u ofroi ndihmë njerëzve në nevojë, e që tani është në listat e veteranëve luftëtarë, nuk kam koment. Të tillë, që kapen pas çdo pushteti që vjen, ka pasur gjithmonë, po do të ketë edhe në të ardhmen.
__________
P.s. Tani, pasi ju mbrojta nga të tjerët, i kam edhe dy-tre fjalë me ju, vëllezër veteranë.
Të gjithë të tjerët në Kosovë e kanë bërë mut (ndjesë për fjalorin e pahijshëm, po vetëm ky fjalor e shpreh më së miri atë që e keni bërë), po kjo nuk ju jep të drejtë ta bëni mut edhe ju, se pastaj nuk na ngelet asgjë mbi këtë dhe! Të tjerët janë mësuar ta bëjnë mut; ata edhe në robëri jetonin me të gjitha privilegjet që ia jepnin vetes, po ishit ju që u zgjuat në këmbë, sakrifikuat dhe e përmbysët robërinë! pasi nuk arritët t’i përmbysnit ata, të keqen e shoqërisë, po kjo nuk do të thotë që t’i bashkëngjiteni kësaj të keqeje! Pasi sakrifikuat për ta nxjerrë Kosovën nga robëria serbe, do ta rrjepin tani atë për së gjalli?! Jo, kjo nuk guxon të ndodhë në asnjë moment. Ju duhet të jeni në mbrojtje të Kosovës e jo në shkatërrimin e saj! Veteranët e vërtetë, ka veteranë të vërtetë, duhet ta ngrenë zërin; ku janë ata, pse heshtin tani, jo vetëm për këtë po për çdo të keqe tjetër që i ndodh Kosovës dhe jo të bëhen pjesë e së keqes!
Futja e veteranëve të rremë në listat e veteranëve është thikë pas shpine që u bëhet veteranëve të vërtetë dhe luftës që bënë ata për liri të Kosovës! Pra, me bashkëngjitjen e dy-tre veteranëve të rremë një veterani të vërtetë është synuar të thuhet që të gjithë veteranët janë të rremë, po edhe e rreme është edhe lufta e tyre! Ju nuk duhej të binit në këtë kurth që ju ngritën, po ta kundërshtonit dhe, me këtë rast, ta mbronit Kosovën në mos me diç tjetër, me shembullin e juaj!
Si përfundim, sipas mendimit tim, procesi i verifikimit të veteranëve duhet të shpallet i dështuar. Keqpërdoruesit të vihen para përgjegjësisë dhe ky proces të nisë nga fillimi. Duhet të vijë një moment kur t’i themi Stop të keqes!
Nëse nuk ndodh kjo, pra shpallja e dështimit të procesit të verifikimit të veteranëve të Kosovës dhe vënia para përgjegjësisë e atyre që e keqpërdorën përgjegjësinë që u ishte dhënë për krijimin e këtyre listave, unë, Sali I. Bytyçi, publikisht heq dorë nga të qenët në listat e veteranëve të Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura