XHELAL ZEJNELI: ÇMIMI NOBEL PËR LETËRSI – OLGA TOKARÇUK

Shkup, 12 tetor 2019: Për shkak të një skandali seksual të një anëtari të jurisë të Komitetit të Nobelit, Çmimi Nobel për letërsi për vitin 2018 nuk u nda. Sot, më 10.10.2019, ky çmim për vitin 2019 iu nda shkrimtares dhe psikologes polake Olga Tokarçuk, e lindur në vitin 1962. Diplomoi psikologjinë në Varshavë. Si në lëmin e krijimeve letrare, ashtu edhe në atë të psikologjisë, është ndikuar nga psikiatri zviceran Karl Gustav Jung (1875-1961).
(Jungu është themelues i psikologjisë analitike apo komplekse. Është i pari që e përdori termin “kompleks”. Deri në vitin 1913, Jungu bashkëpunoi me mjekun dhe psikiatrin austriak me prejardhje çifute, themeluesin e psikanalizës – Sigmund Frojdin (1856-1939). Me studimet e veta mbi seksualitetin dhe agresivitetin, si dy motive mbizotëruese të njeriut, Frojdi i shokoi bashkëkohësit e vet. Hulumtimet e tij në lëmin e nënvetëdijes i vazhdoi e bija Ana Frojd).
Laureaten polake, Olga Tokarçuk, juria e përshkroi si “shkrimtare e preokupuar me jetën lokale…. , por e cila botën e shikon nga lartë”. Të parin roman “Në kërkim të librit” e botoi në vitin 1993. Ajo është feministë dhe vegjetariane. Në disa vepra të veta i paraqet dukuritë negative të shoqërisë polake. Kritikon ashpër mbartësit e deformimeve në politikë dhe në shoqëri, politikanët konservatorë, përkatësisht pushtetarët. Në një intervistë televizive kishte deklaruar se “Polonia ka kryer vepra të tmerrshme kolonizimi gjatë historisë”. Kjo i kishte tmerruar nacionalistët djathtistë. E shpallën tradhtare të kombit. Për ta mbrojtur nga ndonjë sulm eventual, botuesi i saj angazhoi truproja. Olga Tokarçuk është femra e 15-të që e merr Çmimin Nobel për letërsi.

Shkrimtarja dhe psikolog’ja polake Olga Tokarçuk

Angazhimi i saj si shkrimtare për t’i parë anët e errëta të shoqërisë dhe për t’i stigmatizuar mbartësit e së keqes, të përkujton pikëpamjet e shkrimtarit dhe të filozofit ekzistencialist francez Sartrit (Jean-Paul Sartre, 1905-1980) i cili thotë se shkrimtari duhet t’i vërejë shtrembërimet në shoqëri dhe t’i demaskojë mbjellësit e ligësisë, sikundër mund të jenë politikanët apo pushtetarët e papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, intelektualët oportunistë dhe konformistë si dhe qytetari që duron padrejtësinë.
Autori i romanit “Neveria” (La Nausée, 1938) – Sartri, është shkrimtari i cili e refuzoi Çmimin Nobel për letërsi që iu nda në vitin 1964. Kjo shkaktoi incident dhe skandal në publik. Më vonë, në një intervistë për gazetën Le Figaro, Sartri jep sqarime për arsyet e refuzimit të Çmimit Nobel. Ndërmjet tjerash, thotë: “…Çmimin Nobel e kam refuzuar për arsye se shkrimtari duhet të mbetet i pavarur nga institucionet që i ndajnë ato. Nuk dua që Çmimi Nobel të më transformojë dhe të më ngjallë asociacion me institucionin e Akademisë Suedeze”. Në vijim Sartri shtoi se “Çmimi Nobel nuk i merr njësoj parasysh shkrimtarët e ideologjive të ndryshme dhe të kombeve të ndryshme, por i parapëlqen modelet perëndimore. Më vjen keq që akti im shkaktoi skandal në publik. Po të ma kishin ofruar sovjetikët Çmimin Lenin, po ashtu do ta kisha refuzuar”.
Para kësaj, Sartri kishte refuzuar të bëhej anëtar i Legjionit të Nderit (Ordre National de la Légion d’honneur) që është dekoratë më e lartë e Francës e themeluar nga Napoleon Bonaparti e që jepet nga presidenti francez.
Në vendet e varfëra dhe të pazhvilluara, në shoqëritë e prapambetura, nëpër qytezat me plot provincializëm s’ka ditë e të mos i shajnë politikanët dhe pushtetarët. Por, me të ardhur dita e votimeve, po këta sharës i votojnë të tillët dhe i mbajnë pafundësisht në pushtet. Me një popull që s’lexon lehtë është të manipulosh. Një popull të papunë apo një popull me të ardhura të ulëta mund ta sundosh me demagogji dhe me premtime boshe. Në shtetet me skena orueliane, nën kontrollin e pushtetarëve vihen edhe mediumet. Akademikët ndërkaq, për interesa meskine të veta, hiqen sikur s’vërejnë gjë apo s’dëgjojnë gjë. Të tillët s’janë dot akademikë. Janë pseudo-akademikë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura