ADIL FETAHU: KAFE-GALERIA “KOHA”, SIMBOL I QËNDRESËS SË KULTURËS DHE ARTIT

Prishtinë, 2 qershor 2018: Nëse buka dhe uji janë ushqim i trupit, arti e kultura jane ushqim i shpirtit (a.f.)
Çdo pushtues, të pushtuarin e privon nga ushqimi i trupit dhe shpirtit
Pas rrënimit të autonomisë dhe pushtimit klasik të Kosovës nga shteti dhe regjimi fashizoid i Serbisë, përveç krimeve dhe represasljeve tjera, punëtorët u përjashtuan prej fabrikave, nxënësit e studentët u përjashtuan prej objekteve shkollore, nëpunësit u përjashtuan prej zyrave, shkrimtarët, artistët e shkencëtarët u përjashtuan prej institucioneve. E filloi me okupimin dhe masat e dhunshme në Radio-televizioninn e Prishtinës dhe në “Rilindje” (më 5 korrik 1990), dhe vazhdoi me okupim e masa të dhunshme në organet e pushtetit, ndërmarrjet ekonomike dhe në të gjitha institucionet shoqërore: të arsimit, shkencës, kulturës, shëndetësisë, madje edhe në qerdhet e fëmijëve dhe në organizatat e Kryqit të kuq! Kështu armiku pandehte ta vriste një popull të tërë, edhe fizikisht edhe shpirtërisht; fizikisht duke e privuar nga mjetet për jetesë dhe ekzistencë, e shpirtërisht duke e privuar nga arsimi, shkenca, kultura, shëndetësia, përparimi.

Populli ynë ka një përvojë të gjatë e të hidhur të situatave të tilla, po edhe të gjeturisë në rrethana të okupimit. Këtë e ka provuar edhe nën pushtimin otoman, kur nuk lejoheshin shkollat në gjuhën shqipe, dhe intelektualë e atdhetarë tjerë organizonin e themelonin klube, në të cilat zhvilloheshin aktivitete kulturore, arsimore e politike, brënda e jashtë atdheut. Edhe okupatorin serb populli e sfidoi tërë kohën, me forma të ndryshme të rezistencës dhe me alternativa të mbijetesës. Kështu, kur na nxorën prej objekteve tona shoqërore, populli u organizua, lëshoi shtëpitë private për shkolla e fakultete; disa pronarë të kafeneve e restoranteve i bënë lokalet e tyre “institucione” ku zhvilloheshin veprimtari kulturore e artistike. Në Prishtinë, si lokale më të njohura ku zhvilloheshin aktivitete kulturore ishin Kafe-Galeria “KOHA”, “Hani i 2 Robertëve”, “Cairos” “Dodona”. Nuk duhet harruar se edhe Medreseja “Alaudin” tërë kohën ka qenë e hapur dhe në dispozicion për aktivitete të ndryshme, ku edhe kushtet ishin më të përshtatshme. Konsideroj se për të gjitha ato objekte, në të cilat gjatë kohës së okupimit të egër serb, të periudhës 1990 – 1999, janë zhvilluar veprimtari arsimore e kulturore, duhet të shkruhen monografi të veçanta apo të përbashkta, që në një mënyrë ta lajmë një borxh moral ndaj pronarëve të shtëpive-shkolla dhe lokaleve-galeri kulturore, për të cilat pronarët kanë sakrifikuar e rrezikuar shumë. Po edhe të mbetet dokumentacion për histori dhe për brezat që vijnë e t’i ruajmë ato nga harresa.

Një monografi e tillë këto ditë më ra në dorë, për Kafe-galerinë “KOHA”, në Prishtinë, e shkruar dhe ilustruar me shumë fotografi, nga pronari i saj, profesor Ramiz Bala. Më bëri përshtypje titulli i gjetur mirë dhe kuptimplotë: Caffe gallry “KOHA e QËNDRESËS”, titull që simbolizon veprimtarinë e zhvilluar në atë Kafe-galeri dhe qëndresën e punonjësve të letërsisë, artit e kulturës ndaj një okupimi të egër. Libri është mjaft voluminoz: ka 626 faqe, tekst e fotografi. Dhe, nëse është e vërtetë ajo që thuhet, se një fotografi flet më shumë se 1000 fjalë, atëherë përmbajtja e monografisë del ku e ku ma voluminoze!
Përmbajtja e Monografisë
Pas Parathënies së autorit, në vazhdim prej faqes 9 – 26 janë shkrimet e përshtypjeve të veprimtarëve të njohur kulturorë për Kafe-galerinë “KOHA” dhe aktivitetet e zhvilluara aty: Ali Ollonit, Ramiz Kelmendit, Abdullah Zenelit, Shaqir Foniqit, Salih Lutollit, Muslim Mulliqit, Esad Dujakës, Rifat Kukajt (për mbresat e Odhise Grillos), Saranda Ramës, Ramadan Mehmetit dhe të Këshillit Artistik. Për Kafe-galerinë “KOHA”, Odhise Grillo kishte thënë: “Kësaj shtëpie duhet t’ia puthim muret, sepse këtu mbijetoi shpirtërorja shqiptare”. Plaku ynë i urtë, Anton Çeta është shprehur: “ Nëse dikush don të dijë se çfarë është kjo kohë, le të vijë në “KOHËN” e zotëri profesor Ramiz Balës. Aty e gjenë Klubin e Selanikut, etj…. Mos më daltë shpirti pa e parë në këtë shtëpi një pllakë përkujtimore, në të cilën do të shkruhet – Këtu ishte rezistenca e përgjithshme shoqërore, politike dhe kulturore e gjithë shqiptarëve”, kurse botuesi i ShB “Buzuku”, Abdullah Zeneli atë Kafe-galeri e quante “Monparnasi” shqiptar. Ndërkaq, vet pronari Ramiz Bala thoshte: “Dhashtë Zoti e u mbylltë përgjithmonë “KOHA” e Ramiz Balës, e ardhtë koha jonë e shumpritur e me shumë sakrifica”.
Libri është sistemuar sipas viteve dhe datave, duke evidentuar me pedantëri aktivitetet e zhvilluara në atë Kafe-galeri, prej vitit 1993 e deri më 23 mars 1999, kur në Kafe-galerinë “KOHA” kriminelët okupues hodhën granatë, me ç’rast u vra një djal i ri dhe u plagosën gjashtë të tjerë. Po atë natë, në Kafiterinë “Magic”, me gjasë nga e njëjta dorë kriminale, u vra aktorja Adrianë Abdullahu, dhe u plagos rëndë studentja e dramës, Leonora Lutolli. Sepse armikun e pengonte mbijetesa shpirtërore e shqiptarëve.
Por, “KOHA” u ngrit përsëri, si feniksi, dhe aty vazhdoi aktiviteti kulturor, letrar e atistik deri në vitin 2005. Në monografi janë evidentuar 394 ditë e data, gjatë të cilave janë zhvilluar aktivitete të ndryshme: promovime librash (poezi e prozë), ekspozita individuale e të përbashkëta, koncerte muzikore, shfaqje pjesësh teatrale; shënim përvjetorësh të ndryshëm; debate e orë letrare; informim e veprim i organizatave shoqërore e politike. Në ato veprimtari, përveç autorëve, veprat e të cilëve janë promovuar, kanë marrë pjesë edhe shumë persona tjerë, në cilësi të dëgjuesve e shikuesve. Shkurt e shqip, Kafe-galeria ‘KOHA’ ishte pikëtakimi i krijuesve dhe dashamirëve të gjinive dhe zhanreve të ndryshme të letërsisë, artit e kulturës, të të gjitha gjeneratave. Shumë gazetarë, shkrimtarë, artistë, kalonin kohën në “KOHËN” e Ramiz Balës, por aty koha nuk kalohej kot, veçse me biseda e informacione për tema aktuale dhe me prezantim e promovim të veprave të reja.
Monografia është mjaft voluminoze, dhe sado e mirë që është, nuk ka mund të përfshijë të gjitha aktivitetet dhe tërë atmosferën reale të zhvillimeve gjatë asaj kohe e brënda asaj “KOHE”. Në këtë Monografi lexuesi do të gjejë emrat, fotoportretet dhe biografitë e shkurtëra të 398 autorëve të veprimtarive letrare-artistike e kulturore, të cilët e mbajtën gjallë kulturën dhe artin në një kohë të vështirë, dhe ushqyen popullin me ushqim shpirtëror.
Se me sa përkushtim e seriozitet profesional janë zhvilluar aktivitetet letrare, artistike e të tjera në Kefe-galerinë “KOHA”, dëshmon edhe fakti se për mbarëvajtjen e punës, që prej fillimit ishte formuar Këshilli Artistik, i përbërë nga veprimtarë të njohur të letërsisë, artit e kulturës: Muslim Mulliqi, Atdhe Gashi, Mustafë Ferizi, Shkëlzen Zhubi, Ramiz Bala, Engjëll Berisha, Ramiz Kelmendi, Rauf Dhomi, Adem Gashi dhe Salih Lutolli. Këshilli Artistik kishte miratuar Rregulloren për veprimtaritë: letrare, kulturore, shkencore; skenike; muzikore dhe të artit vizuel. Me Rregullore ishin përcaktuar kushtet, kriteret dhe procedurat e zhvillimit të veprimtarive, kompetenca e Këshillit Artistik, afatet kohore të zhvillimit të veprimtarive, etj. Kur e lexon përmbajtjen e Rregullores, të jep përshtypjen e një akti të përgjithshëm të një institucioni të mirëfilltë kulturor-artistik, ndërsa përbërja profesionale e Këshillit Artistik ishte për ta lakmuar çdo institucion. Të gjithë punonin e vepronin me përkushtim dhe pa pagesë as kompensim.
Monografia është punuar me zell e përkushtim, me stil të rrjedhshëm e gjuhë të pastër, siç i ka hije një profesori të gjuhës, me korrektësi e respekt ndaj të gjithë autorëve e veprimtarëve pjesëmarrës në aktivitetet e zhvilluara në “KOHA”. Autori ka regjistruar 421 (ditë) veprimtari, në të cilat kanë marrë pjesë edhe më shumë autorë, akterë e aktorë.
Pjesa tekstuale e Monografisë mbyllet me dy poezi të autorit Ramiz Bala, ndërsa në fund është një foto-album, me 39 fotografi të përbashkëta, të grupeve të ndryshme të “galeristëve”, siç i quan autori.
Biografi e shkurtër për autorin: Ramiz Bala është profesor i gjuhës shqipe, disa vjet ka punuar në arsim, e pastaj gazetar, redaktor përgjegjës i programit për arsim, kulturë, art dhe shkencë, në Radio-Prishtinë. Pasi pushteti okupues serb e largoi nga puna në vitin 1990, Ramizi hapi Kafe-galerinë “KOHA”, së cilës ia ka kushtuar këtë monografi. Për punën dhe kontributin e tij, Ramiz ka marrë shumë dekorata e mirënjohje.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura