SEJDI GEGA: VEPRIMTARIA ILEGALE NË THERANDË DHE DEMONSTRATAT E 26 MAJIT 1981

Pashtriku, 21 mars 2021: Pranvera e madhe historike e vitit 1981 më gjeti në Therandë si profesor i shkencave natyrore në QAMO “Jeta e Re”. Isha edhe kujdestar i klasës së katërt/ shtatë (4-7). Këto ngjarje ishin të një rëndësie të veçantë për të gjithë shqiptarët, e në veçanti të atyre nga trojet e ndara prej Shqipërisë. Ato lëkundën themelet e Federatës Jugosllave, dhe çuan në shkëputjen prej saj të të gjitha republikave, e më në fund edhe asaj të Kosovës. Edhe në Therandë demonstratat e vitit 1981, si në çdo qendër të Kosovës, ishin vazhdim i luftës së pandërprerë gjatë gjithë historisë, e në veçanti nga shekulli i 19.
Edhe më herët, por sidomos pas vitit 1968, në Therandë do të vazhdojë aktiviteti atdhetar përmes organizimeve kulturore, përmes shpërndarjes dhe leximit të literaturë ilegale etj. Rast i veçantë, që nuk duhet harruar, është organizimi ilegal atdhetar kundër politikës së regjimit “vetëqeverisë” të RSFJ- së, në vitin 1977. Një grup i nxënësve të QAMO “Jeta e re”, që ishin anëtarë të kryesisë së klasës së dytë: Ibrahim Shala, Halil Krasniqi dhe Fadilete Shala, me nxënës tjerë, vendosën që me 28 Nëntor ta bojkotojnë mësimin (ditë e hënë), për nder të Festës së flamurit, që ishte edhe ditë e Pavarësisë së Shqipërisë. Pas këtij bojkoti filluan hetimet indirekte nga shërbimi i sigurimit. Drejtori i shkollës, Rrahman Zeqiraj, do të mbante mbledhje të vazhdueshme, duke i marrë në pyetje të gjithë nxënësit e kësaj klase, dhe do të pasojnë dënimet parapërjashtim dhe thyerja e notës së sjelljes në njësh (1). Kjo nënkuptonte që suksesi i këtyre nxënësve do të përgjysmohej. Kjo u pa në fund të vitit shkollor, sepse të gjithë këta nxënës kaluan vitin me sukses të mirë, pra me tresh (3), ndërsa e meritonin suksesin shembullor. Pas vitit të dytë bëhej orientimi profesional i nxënësve, sepse kishim sistemin e arsimit të orientuar. Në shkencat natyrore orientoheshin kryesisht nxënësit më të aftë, për të studiuar shkencat ekzakte apo mjekësinë. Në vitin e tretë do të intensifikohet veprimtaria ilegale e këtyre nxënësve.
Për të kundërshtuar demagogjinë e politikes titiste, se çështja shqiptare qenkësh e zgjidhur drejtë, vendosën për ta formuar “Organizatën Marksiste – Leniniste” nën udhëheqjen e Ibrahim Shalës nga Mushtishti. Anëtarë të tjerë të kësaj organizate për Therandën ishin: Fadil Vata – Sallagrazhdë, me pseudonimin Lulëzim Kodra, Halil Krasniqi – Maqitevë, me pseudonimin Gur Bardhi, Murat Bytyqi – Therandë, me pseudonimin Bashkim Dheu, Naser Selimi – Therandë, me Afrim Rrafshi, Shemsije Elshani – Therandë, Fadilete Shala – Samadragjë, Dashurije Syla – Slapuzhan, Shpresa Baraliu – Bukosh. Këtij grupi më vonë do t’i bashkëngjiten një gjeneratë më e re: Ymer Bala – Doberdelan, Drita Lumi – Therandë, Besim Lumi – Therandë, Agim Kollolli – Budakovë, Kadri Veseli – Reqan dhe Islam Spahiu – Opterushë.

Këta mbanin lidhje me studentet në Prishtinë përmes Ibrahim Shalës dhe Fadil Vatës. Studentët ishin: Ramadan Veliu, Ymer Grainca, Emrush e Bajrush Xhemajli, Besim Baraliu, Rrahman Llugaxhiu, Agim Kololli etj. Ibrahim Shala do të angazhojë Sadik Halitjahën – punëtor në Ballkan të Therandës, dhe këtë grup do ta ndihmojnë: Billall Osmani nga Mushtishti – punëtor i INA’ës në Therandë, Muhamet Hazir Berisha – Baci Metë – punëtor në Ambulancë të Therandës, Mehmet Mustafa, Emin Zeqiri etj. Ibrahim Shala do t’i zgjerojë radhët përmes kontakteve me aktivistët në Prizren: Xhevat Hasani – mjek, Arsimtari që dinte për aktivitetin e organizuar të tyre ishte Shefki Muqa. Dhe në një formë, direkte apo indirekte, do të përkrahen edhe nga: Alush Morina – mjek, Bajram Kurti – prof., Halim Baraliu, Mehmet Sopi – prof., Bexhet Berisha – prof. Këta të rinj përveq aktivitetit atdhetar, zhvillonin edhe aktivitete kulturore: orë letrare, teatrale etj. Aktiviteti kuklturor do të udhëhiqet nga Prof. Ramadan Shala, Afrim Morina, Bislim Elashi, Sherif Gashi, Ferat Morina dhe Halil Morina.
Këta kishin aktivizuar edhe nxënës që kishin talent në këto fusha: Beqir Bekteshin, Ymer Balajn, Drita Lumin, Halil Krasniqin, Fadil Vatën, Islam Spahiun, etj. Këta do të lexojnë e shpërndajnë material propagandistik të ndaluar, si: veprat e E. Hoxhës, Lahutën e Malësisë të Gjergj Fishtës, Mërgatën e qyqeve të Nasho Jorgaçit, gazetën “Zëri i Popullit”, revistat: “Shqiperia e Re”, “Ylli”, “Nëntori”, revista këto që i siguronte Beqir Elshani, bibliotekar i Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Në vitin 1979 krahas këtij grupi dhe në bashkëpunim të ngushtë në Therandë kanë vepruar edhe Rrahman Llugaxhiu, Xhavit Basha, Mehmet Berisha etj., që ishte i lidhur me Riza Salihun e Hysen Gegën në Gjermani. Ky grup do të zbulohet në nëntor të 1979. Hetuesinë e zhvillonin operativistët e UDB-së, Selajdin Kastrati, Vesel Krasniqi, Astrit Koshi, të cilit përdorën lloj-lloj torturash ndaj këtij grupi të të rinjve. Pason dënimi (1980) i Ibrahim Shalës dhe Rahman Lugaxhiut me nga 5 vite burg dhe Besim Baraliut me 3 vite burg. Të tjerët do të lirohen me kusht. Në këtë vit do të torturohen 800 vetë, kryesisht të rinj, nxënës, studentë dhe punëtorë. Në vitin 1981 do të burgosen dhe dënohen Fadil Vata, 6 vite burg të rëndë, Murat Bytyqi, 5 vite burg të rëndë dhe Naser Selimi 3 vite burg të rëndë. Më vonë do të burgoset edhe Halil Krasniqi dhe do të dënohet me dy (2) vjet burg të rëndë. Torturat dhe dënimet e këtyre të rejave dhe të rinjve, ishin të dhimbshme, po krenare dhe nuk ndaluan drejtë lirisë.
Në vitin 1980 do të vazhdojë aktiviteti atdhetar i Fadil Ndrecës, Mejdi Gegës (vllau im), Osman Shalës, Islam Demirit, grup i cili do të furnizohet me trakte dhe literaturë ilegale nga Hysen Gega i cili e sillte materialin te Ali Ahmeti nga Batusha e Gjakovës, mësues në fshatin Maqitevë, (të cilin do ta takojë në burgun e Prizrenit në dhomën nr. 30). Ai gjatë pushimeve verore kishte punuar në Gjermani, duke rënë në kontakt edhe me atdhetarë të tjerë, si J. Gërvalla me shokë. Aliu në vitin 1980 do të dënohet me disa vite burg. Për shpërndarje të trakteve të “Frontit të kuq“ në Therandë me rrethinë, të cilin e udhëhiqte Ibrahim Kelmendi, në vitin 1980 do të arrestohen Mejdi Gega dhe Fadil Ndreca dhe do të torturohen çnjerëzisht nga UDB’ashët në Therandë. Torturës nuk do t’i shpëtojë as edhe Remzi Gega ( vvlau im ), invalid. Literaturën ilegale në atë kohë, të cilën rinia e Therandës e shpërndante për qytetarët e Therandës, nga mërgimi e sillte Hysen Gega me shokë. Në mbarim të vitit 1980 dhe në fillim të vitit 1981 vepronte edhe një grup i të rinjve: Xhemajl Rudi, Agron Zyba, Sadri Zyba, Agim Selmani, Azem Kolgeci, Faton Kolgeci, të gjithë nxënës të shkollës fillore në Bukosh. Këta do të shpërndanin pamflete, do të shkruajnë parulla në mure dhe në rrugë. Për këtë do të denohen Xhemajl Rudi dhe Agron Zyba me nga 15 ditë burg në gusht 1981. Më vonë si grup do të arrestohen në shkurt të 1982: Agroni, Sadriu, Agimi, Azemi dhe Fatoni dhe do të dënohen si vijon: Xhemaj Rudi më 1 vit e 6 muaj dhe të tjerët më nga 1 vit burg. Në mars të vitit 1981, në çdo mes familjar, punëtorë, studentë etj, do të shprehet dhimbje për të rënët në Prishtinë gjatë demonstratave, dhe këtë dhembje duhej shndërruar në forcë përmes organizimit të vazhdueshëm për rrugëtimin drejt lirisë.
Bisedohej për pozitën e vështirë ekonomike, përkundër pasurive të nëntokës që kishte Kosova, dhe që nuk mund t’i shfrytëzonte për të përmirësuar mirëqenien e popullatës, për shkak të politikës antishqiptare që udhëhiqte klika titiste. Bisedohej për padrejtësitë historike ndaj shqiptarëve dhe për shfrytëzimin e pasurive nëntokësore të Kosovës nga Serbia etj. Demonstratat ndikuan jashtëzakonisht në ngritjen dhe në ndërgjegjësimin e vetëdijes kombëtare. Ngjarje këto, jo vetëm që hapën një faqe të re historike për popullin shqiptar në ish-Jugosllavi, por ishin thirrje në ndërgjegjen e çdo shqiptari, për vazhdimin e luftës për liri e bashkim kombëtar. Të flasësh për demonstratat e 81’ës e të mos e përmendësh kontributin e Shqipërisë, konkretisht ligjëruesve të Shqipërisë në Universitetin e Kosovës, të cilët jepnin dije e shpërndanin rreze lirie, do të ishte e padrejtë. Të mos përmendësh përkrahjen morale e politike të saj për të drejtat tona, për vetëvendosje deri në shkëputje nga Jugosllavia, është sikur të mos i përmendësh qëndrimet e kastës politike të Kosovës, prej kuislingëve në krye me Azem Vllasin, për vlerësimin e demonstratave, si „kundër revolucionare“, kundër „Vëllazërim – bashkimit“, vlerësime këto që i dhanë të drejtë Federatës Jugosllave për ta vënë Kosovën në shtetrrethim, që toka e ajri të nxihej, që të terrorizohej rinia duarthatë e e pa pambrojtur. Rrahjet, largimet nga puna, plagosjet, vrasjet, bastisjet dhe proceset e kurdisura politike bëheshin nën akuzën: „irredentiste, separatiste, kundërrevolucionare, terroriste etj.”
Në mars 1981, në QAMO – “Jeta e Re” do të zëvendësohet nga komiteti lokal i LKJ-së drejtoria e shkollës me drejtori të dhunshme: Sokol Basha – kryetar, Ramiz Lumi dhe Musli Kabashi anëtarë.
Pas deklarimit publik të Shqipërisë përmes shtypit dhe Radiotelevizionit më 8 prill të vitit 1981, në shumë gjuhë të botës, me ç’rast Shqipëria merr në mbrojtje Kosovën dhe përkrah të drejtat e shqiptarëve të ndarë padrejtësisht nga trungu i saj, duke i arsyetuar në pikëpamje politike dhe historike, kulturore dhe sociale, si një të drejtë universale për vetëvendosje, LK e Jugosllavisë, përmes aktivistëve të vetë të “devotshëm“, kryesisht shqiptarë, organizon mbledhje për diferencime nëpër të gjithë kolektivat punues e organizata të tjera duke dënuar demonstratat si dhe politikën e Shqipërisë, si nxitëse të demonstratave në Kosovë. Në shkollën tonë, QAMO „Jeta e Re“, erdhën disa aktivistë, e ndër ta ishin: Mehmet Maliqi (Mehmet Cikuli), që unë e pashë për herë të parë, Remzi Kolgeci, Ymer Gashi, Qerim Gashi, Isuf Shabani, si Kryetar i Komitetit të LKJ- në Therandë. Diskutimin e filloi Mehmet Maliqi, si njeri më i vjetër dhe si funksionar me pozita më të larta. “Shqipëria, po na përzihet në punët tona të brendshme, se po e nxit nacionalizmin e irredentizmin… Se ai “Zëri i rinisë”, (aludonte për “Zërin e Popullit”-S.G) në Shqipëri, aq mirë i kishte ujdisur ato rrena në Komunikatë, sa edhe gruan time ma ka shti me qajt mbrëmë”. Remziu, ndërhyri ngadalë, dhe i tha, “Jo “Zëri i Rinisë”, se është gazetë javore e rinisë së Kosovës, por “Zëri i Popullit”, gazetë ditore në Shqipëri”. Ai i nervozuar i tha, se, “Dreq ai Zëri atje dhe dreq ky këtu”. Kjo për mua dhe për disa të tjerë aty në mbledhje ishte shumë domethënëse, deri sa një grua e një funksionari që i dënonte demonstruesit, dhe i fyente edhe si studentë të dështuar, si pleh i Kosovës etj., e ka kuptuar shkrimin e ZP si shumë të drejtë, për faktin se ai e ka ngacmuar në ndërgjegje. Kjo edhe për faktin, se kërkesat kishin dalë tashmë hapur në demonstrata, si „Kosova Republikë“ etj. Në takim kishte prej atyre që me vetëdije të plotë sikur po bënin punë patriotike, vullnetarisht villnin vrer kundër demonstruesve dhe Shqipërisë, dhe me kënaqësinë më të madhe diferencoheshin nga nxënësit, po edhe nga vetë kolegët që nuk donin t’i dënonin demonstruesit, me kërkesat, sipas tyre, „armiqësore“.
Në mars të 1981, nga pozita që kisha, si profesor Gjimnazi, mundohesha për të bërë më shumë në përkrahje të kërkesave të drejta të studenteve për Kosovën Republikë. Në një takim, jo të rastësishëm, me Afrim Morinën, që ishte dhe dajë i babës, biseduam për demonstratat dhe shqyrtuam mundësinë e organizimit, jo vetëm për t’iu kundërvënë reprezaljeve të ushtruara nga shteti, por edhe për të organizuar dhe orientuar këtë revoltë që ishte edhe në komunën tonë. Ne biseduam dhe u pajtova me qëndrimin e Afrimit, që me shokë të organizuar të bëjmë ç’është e mundur për t’iu kundërvënë më me ngulm përpjekjeve ogurzeza të regjimit titist, por edhe për të organizuar një demonstratë. Më vonë mësova se ishin të organizuar Hazir Morina dhe Halil Morina, kushërinj të Afrimit. Më vonë u aktivizua edhe Bislim Elshani, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë shqipe nga Theranda, i punësuar në gjimnazin “Jeta e re”. Çdonjëri prej neve kishim edhe bashkëpunëtorë të tjerë, nxënës, studentë, punëtorë, fshatarë etj.
Në demonstratën e Prizrenit më 25 Mars të vitit 1981, e mërkurë (ditë tregu), do të marrin pjesë dy grupe të nxënësve nga Theranda (afërsisht 60 nxënës) nën udhëheqjen e Ymer Balës dhe Mejdi Gegës. Për organizim dhe pjesëmarrje në demonstratën e Prizrenit do të dënohen si vijon: Ymer Bala nga Dobërdelani dënohet me gjashtë (6) vite burg të rëndë, Nexhmije Demiri – nxënëse nga Mushtishti, me gjashtë (6) vite burg të rëndë, Fatmirë Zekolli – Bllacë, më shtatë (7) vite burg të rëndë dhe Begzad Gashi nga Ballacerka (Fortesa), Rahovec, student i SHLP në Prizren, me tetë (8) vite burg të rëndë. Me dy prill të vitit 1981 do të izolohet Haxhi Zyba ish-i burgosur politik, e më vonë edhe këta: Xhevat Kabashi, Izet Baraliu, Nezir Gashi, Nuhi Kuqi, Ramadan Shala, Gafurr Kabashi, Mejdi Përzhaku, Haxhi Emini, Shaip Kreziu dhe Eqerem Kryeziu.
Vlen të përmendet se arrestimit të prof. Ramadan Shalës i parapriu mbledhja diferencuese në gjimnazin “Jeta e re”, e organizuar nga administrata e dhunshme e shkollës dhe nga komiteti komunal i LKJ-së, me ç’rast arsimtarët, të detyruar me pjesëmarrje, detyroheshin të shpreheshin kundër, përkatësisht, t’i dënonin demonstratat studentore të mars-prillit 1981. Mbledhje të tilla në atë kohë me urdhër nga Komitetet qendrore të LKJ po zhvilloheshin në kolektivat punues e nëpër organizata të tjera në mbarë Kosovën. Gjithashtu vlen të përmendet se arsimtarët që refuzuan t’i dënonin demonstratat ishin: Prof. Bajram Kurti, Prof. Bexhet Berisha, prof. Bislim Elshani, ndërsa në mënyrën më të qartë, prof. Ramadan Shala. Arrestimi i tij nxiti një protestë spontane të drejtuar nga prof. Bajram Kurti, të cilit iu bashkua një pjesë e madhe e arsimtarëve dhe qytetarëve nga Suhareka, të cilët marshuan mes-përmes qytetit, deri ke Stacioni i Policisë komunale, për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të prof. Ramadan Shalës. Tubimi u shpërnda pas fjalëve dhe premtimeve mashtruese të drejtuesve komunalë, se nuk bëhej fjalë për arrestim, po vetëm për një izolim të përkohshëm, pa ndonjë pasojë për punën e tij të mëtejshme.
Unë isha marrë në biseda informative nga sigurimi Jugosllav dhe një herë tjetër nga Kryetari i Komitetit të LKJ-së, Jusuf Shabani në Therandë në prezencën e Hasan Tahirit, aktivist i LKJ nga Mushtishti, dhe Ukshin Bicajt, prof në Gjimnaz të Therandës, por në të njëjtën kohë edhe si edukator i pranuar zyrtarisht në burgun e Dubravës, që ishte në ndërtim e sipër, të cilin do ta takoj më vonë në burgun e Lepoglavës, po në cilësinë e edukatorit. Në këto biseda informative isha i akuzuar se unë qëndroj në krye të këtyre organizimeve në Therandë, se unë isha në dijeni se do të shpërndahen trakte dhe literaturë e ndaluar armiqësore, etj. dhe me kërcënoi, se një ditë do të më arrestojnë, po fatmirësisht ata nuk kishin fakte konkrete përveç rastit të telegramit ngushëllues për vdekjen e Titos, për të cilin të gjithë i duartrokitën përveç meje, dhe të dy vëllezërve që ishina arrestuar dhe torturuar më parë. Ne ishim të vetëdijshëm se veprimtaria çlirimtare ka krenarinë, po ka edhe çmimin e jetës, ka sakrificën e familjes, mirëpo ishim përcaktuar me vetëdije për këtë. Pavarësisht konsekuencat, ne vazhdonim aktivitetin.
Takimi i parë i grupit tonë, në mungesë të Hazir Balës dhe Asllan Kurtishajt, u bë më datën 28 prill 1981 në shtëpinë e Fazli Morinës, i cili edhe e bëri sigurimin e takimit, ndërsa takimi tjetër është mbajtur në një kasolle të Haxhi Ymer Gashit nga Studençani. Edhe në këtë takim nuk ishin të dy të apostrofuarit, por Afrimi nga Islam Morina kishte kërkuar që ta sillte në takim edhe Halit Demirin nga Mushtishti, por nuk e kishte gjetur në shtëpi. Në këtë takim marrin pjesë edhe Shefki Gashi dhe Ruzhdi Gashi. Këta të dy e bëjnë edhe sigurimin e takimit. Në këto takime i analizonim ngjarjet dhe merrnim qëndrime se si të veprohet tutje, duke ndarë edhe detyra. Organizimi i demonstratës ishte parësor, por planifikonim t’i përgatisnim qytetarët edhe me bojkotimin e mësimit të nxënësve. Nga ky grup u caktua data e mbajtjes së demonstratave, atëherë kur pushtetarët ishin të sigurt se ka filluar gjendja të qetësohej në Kosovë. U vendos për parullat që do të përdoren në demonstratën e 26 Majit 1981, ditë tregu në Therandë, se kush do t’i shkruajë parullat. Kjo detyrë iu besua Bislim Elshanit i cili duhej t’i linte ato në një vend të sigurt nga mund të nxirreshin. Parullat do të kishin këto përmbajtje: “Pa republikë nuk ka barazi”, “Poshtë shovinizmi serbomadh”, “Të lirohen shokët tanë nga burgu, se ata janë lulja më e mirë e Kosovës” etj. Për marrjen e parullave u caktua Mejdi Gega, që më pas t’i shpalosnin ato bashkë me Ruzhdiun. Nga Afrimi u propozua që demonstrata të fillojë me këngën “Dal ngadalë po vjen behari”, pesëmbëdhjetë minuta para orës tre pasdite, sepse në atë kohë bëhej ndërrimi i punëtorëve në fabrikën Ballkan dhe nxënësit e klasave të ulëta ishin në shtëpi. U caktua edhe vendi ku do të fillonte demonstrata dhe grupi që do ta niste atë. Aty ishin paraparë të ishin: Met Krasniqi nga Arbana e Prizrenit, Hysni Gega nga Stedençani, Emërllah Krasniqi nga Studençani etj.
Dita e demonstratës ishte e martë dhe Afrimi do të arrestohet tri orë para se të fillonte ajo. Policia do të intervenojë në shpërndarjen e demonstratës dhe keqas do të trajtohen: Afrim Hoti, Hamëz Kryeziu, Ruzhdi Gashi, por tortura më të mëdha do të bëhen ndaj Mejdi Gegës, jo vetëm në rrugë por edhe në postëkomandë të policisë. Të nesërmen do të arrestohen Bislim Elshani, Halil Morina dhe Sejdi Gega, ndërsa pas kthimit nga Sllovenia, që kishte shkuar po në ditën e demonstrimit, do të arrestohet më 11 mars edhe Hazir Morina. Nga prokurori Jakup Gurmani do të ngritët aktakuza në bazë të nenit 136 alinea 1, dhe të do mbahet procesi gjyqësor në Gjykatën e Prizrenit, i udhëhequr nga Orhan Rekathati, i njohur edhe për proceset kundër grupeve studentore në Prishtinë, dhe janë shqiptuar këto dënime:
1. Afrim Morina, student, me shtatë (7) vjet burg të rëndë
2. Bislim Elshani, profesor, me shtatë (7) vjet burg të rëndë
3. Sejdi Gega, profesor, me gjashtë (6) vjet burg të rëndë
4. Halil Morina, arsimtar, me pesë (5) vjet burg të rëndë
5. Hazir Morina, student, me pesë (5) vjet burg të rëndë

Aktiviteti atdhetar në Komunën e Therandës do të vazhdojë deri në formimin e UÇK-së dhe në çlirimin e Kosovës me një intensitet herë më të lartë e herë më të ulët edhe nga shumë të rinjtë të tjerë që morën në dorë stafetën e rezistencës. Vlen të përmendet rasti për Një-vjetorin e demonstratave të vitit 1981, kur Shemsije Elshani (motra e Bislim dhe Beqir Elshanit ) nga Theranda, së bashku më Teuta Bekteshin, trimëreshën Kumanovare, që të dyja studente në Prishtinë, në ndërtesën shumë-katëshe të gjykatës së Therandës, ku banonte burokracia titiste, prej dritares më të lartë deri në tokë lëshojnë banderolat 8 metra të gjata me shkronjat e zjarrta „KOSOVA REPUBLIKË“ dhe „TË SIGURT DREJTË FITORES“.
Që të dyjat do të arrestohen, dhe pas shumë tortuarave e mundimeve do të dënohen me nga dy vite burgim. Këto ishin dalluar edhe në demonstratat e mëhershme të Prishtinës, së bashku me Shpresa Baraliun, Xhevë Lladrovcin, Teuta Hadrin dhe Qefsere Malajn, sidomos kur këndonin fuqishëm për lirinë. Kontributi i femrës shqiptare ka qenë i madh edhe në Therandë, posaçërisht i këtyre femrave: Nexhmije Demirit, Shpresa Baraliut, Shemsije Elshanit, Shyqerije Bytyqit, Nexhmije Baraliut, Myrvete Kryeziut (e cila nuk jeton më), Zyrafete Kryeziut, Shqipe Berishës, e shumë të tjerave që nuk ishin në burg, po qendruan burrërisht para furtunave duke i rritur dhe edukuar fëmijët në frymën kombëtare. Në këtë 30-vjetorin e Pranverës së Kuqe të vitit të Madh 1981 më shkon mendje tek guximi, trimëria e rinisë. Ne sot mburremi për atë rini, që ishte vazhdues e denjë e rrugës së lirisë, tani më në kuader të LPRK-së më vonë të LPK-ës, për të cilen kishin rënë shumë dëshmorë. Më vonë këta të rinj do të bëhen ideatorë dhe projektues të UCK-së. Këta ishin ata që e zgjuan dhe ndergjegjësuan botën demokratike, evropiane e amerikane, për rrezikun që i kërcënohej jo vetëm Kosovës dhe popullit të saj.
Rezistenca aktive në vazhdimësi, lufta çlirimtare e popullit të Kosovës për liri, me shembullin unikal të flijimit të familjes Jashari, dhe luftën e lavdishme të UCK-së, pasuar nga masakra barbare e Reçakut dhe e të tjerave në Kosovë, e zgjuan edhe një herë botën demokratike dhe e bindën, se një popull po lufton më tërë qenien e vet për të shpëtuar nga shfarosja, për lirinë e tij dhe të drejtën për zhvillim të pavarur, gjë që në pranverën e vitit 1999 u përkrah dhe u ndihmua fuqishëm edhe nga forcat ushtarake të NATO-s. Kjo bëri që nga Kosova të shporret njëherë e përgjithmonë çizmja shtypëse e Serbisë. Pra çlirimi dhe misioni i pavarësisë ishte një përpjekje, një luftë e tërë brezash, kurse kurorë e gjithë kësaj ishte lufta çlirimatre, ishte sakrifica dhe gjaku i të gjithë atyre që ranë për lirin e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë.
Sejdi Gega, Bachwisenstr 36 Winterthur – CH
Shkurt 2011, 11.05’11
Te. 052 232 2209 + 076 706 77 654
[email protected]
***
– Autori Sejdi Gega, ka lindur më 16.04.1955 në fshatin Studençan, K.K. Therandë. Është Inxhinier i diplomuar i Teknologjisë në Mitrovicë, ish’ i burgosur politik, profesor i lëndëve të shkencave natyrore në QAMO’n – “Jeta e RE” në Therandë, nga viti 1979. Organizator me shokë të tjerë i demonstratës në Therandë, po dhe në Prizren. Punimi është mbështetur nga shkrimet e anëtarëve të grupeve ilegale: Ibrahim Shalës, Murat Bytyqit, Shemsije Elshanit, Ymer Balës, Mejdi Gegës dhe nga Afrim Morina, Xhemajl Rudi dhe Agron Zyba. Punimi është mbështetur edhe në aktgjykime e dokumente të tjera juridike. Etj.
_______________
AFRIM MORINA: SI U ORGANIZUA DEMONSTRATA E 26 MAJIT 1981 NË THERANDË (ISH SUHAREKË)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11036
 ***
BEQIR ELSHANI: BANDEROLA “KOSOVA REPUBLIKË” NË QENDËR TË THERANDËS (1982)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11037

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura