SHEMSI REÇICA: PËRBALLJET NDËRMJET KRYETARIT RUGOVA DHE KRYEMINISTRIT BUKOSHI (II)

Pashtriku.org, 23 korrik 2018:
MILLOSHEVIQI, ‘NJERI ME VULLNET TË MIRË, HUMAN DHE PAQËSOR’
Marrëveshja dr. Rugova-Millosheviq i pati forcuar iluzionet dhe besimin e verbër e naiv të palës zyrtare shqiptare, se çështja e arsimit shqip, madje edhe çështja e Kosovës, në përgjithësi, mund të zgjidheshin lehtë dhe shpejt, me mjete politike dhe paqësore(!). Ky, në fakt, ishte efekti më i madh negativ psikologjik dhe, njëkohësisht, efekti më i dëmshëm i Marrëveshjes dr. Rugova-Millosheviq, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

***
Në kulmin e kundërshtimeve ndërmjet kryetarit Rugova, që kërkonte mbajtjen e mësimit – “si deri më tash, nëpër shtëpitë-shkolla“, dhe kryeministrit Bukoshi, që kërkonte mbajtjen e mësimit “në objekte të rregullta shkollore“, si për inat të Qeverisë Bukoshi e me qëllim të komprometimit të saj dhe të të gjithë atyre që kërkonin zgjidhjen e çështjes së arsimit dhe të çështjes së Kosovës, me “rrugë e me mjete të tjera“, ditën e fillimit të vitit shkollor, 1996/97, më 02.09.1996, – u publikua Marrëveshja dr. Rugova-Millosheviq, për normalizimin e sistemit edukativo-arsimor në Kosovë.
Arritja e papritur dhe publikimi i Marrëveshjes dr. Rugova-Millosheviq, pikërisht në kohën kur Presidenca Rugova e Qeveria Bukoshi, po përballeshin me njëra-tjetrën, për rrugët dhe mënyrat e fillimit të vitit shkollor, i kishte lënë me gojë hapur, nga habia, jo vetëm nxënësit, studentët dhe arsimtarët, prindët e qytetarët tanë, por edhe njohësit e mirë të rrethanave e të gjendjes shoqërore-politike në Kosovë, madje edhe vetë Bukoshin, i cili, informatën për këtë marrëveshje, e kishte marrë nga mediat, si çdo lexues tjetër i tyre.

“Qeveria e Kosovës, jo vetëm nuk ka marrë pjesë në bisedimet për arritjen e Marrëveshjes midis dr. Rugovës e Millosheviqit, për arsimin shqip, por ajo as është konsultuar dhe as ka qenë në dijeni për ato bisedime“, deklaronte Bukoshi, i befasuar, pas publikimit të asaj marrëveshjeje (Bota sot, 7 shtator 1996).
Kjo deklaratë e kryeministrit Bukoshit, dëshmonte qartë se sa të “hapur“ e sa “bashkëpunues“ ishin në atë kohë, dy numrat e parë të Republikës së Kosovës, kryetari Rugova dhe kryetari Bukoshi, me njëri-tjetrin.
Marrëveshja dr. Rugova-Millosheviq, siç dihet, s‘kishte asnjë ndikim pozitiv, nuk ishte as një hap përpara, në zgjidhjen e çështjes së arsimit shqip në Kosovë. Ajo, për këtë arsye, as do të duhej të përmendej, sikur të mos ishin porosia aq e gabuar e saj dhe efekti psikologjik negativ aq i madh i saj, në atë kohë, në pjesën dërrmuest të shqiptarëve të lodhur të Kosovës e të mërgatës sonë.
Ajo i pati forcuar iluzionet dhe besimin e verbër e naiv të palës zyrtare shqiptare, se çështja e arsimit shqip, madje edhe çështja e Kosovës, në përgjithësi, mund të zgjidheshin lehtë dhe shpejt, me mjete politike dhe paqësore(!). Ky, në fakt, ishte efekti më i madh negativ psikologjik dhe, njëkohësisht, efekti më i dëmshëm i Marrëveshjes dr. Rugova-Millosheviq, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Firma e Millosheviqit nën tekstin e thatë, të mangët dhe të paqartë, në marrëveshjen e tij me dr. Rugovën, kishte dëshmuar papjekurinë politike të palës shqiptare, në raport me palën serbe. Atë firmë, zyrtarët tanë, as e patën marrë me rezervë as e patën parë me dyshim. Aq më pak e patën kuptuar si mashtrim të shqiptarëve e të ndërkombëtarëve, nga Millosheviqi. Përkundrazi.
Të dehur nga “suksesi“ i arritjes së marrëveshjes, zyrtarët shqiptarë e patën harruar menjëherë gjendjen e rëndë e të padurueshme në Kosovë, të shkaktuar nga Millosheviqi; i patën harruar edhe mizoritë e tij në Kroaci dhe në Bosnje e Hercegovinë; i patën harruar, madje, vlerësimet e tyre të deriatëhershme dhe të ndërkombëtarëve, për “kasapin e Ballkanit“ e për regjimin e tij dhe, me një entuziazëm të madh e me një gëzim të papërmbajtur, që shkonin deri në eufori, patën nxituar ta mburrnin e ta lavdëronin Millosheviqin, krahas dr. Rugovës, si “njeri me vullnet të mirë, human dhe paqësor“ (!).
Sipas zyrtarëve shqiptarë, “Marrëveshja dr. Rugova-Millosheviq, shprehte vullnetin e mirë të të dy kryetarëve, për normalizimin e arsimit shqip dhe për të mundësuar shkollimin normal të brezave të rinj shqiptarë të Kosovës“.
Marrëveshja dr. Rugova-Millosheviq ishte e shkurtër, e mangët dhe e paqartë, por zyrtarët tanë, për ta bërë sa më joshëse, për shqiptarët dhe për ndërkombëtarët, e zgjeruan, e plotësuan, e hijeshuan dhe e zbukuruan tekstin e saj.
Sipas “SHTOJCËS“ që zyrtarët tanë ia bënin Marrëveshjes, ajo përcaktonte kthimin e pakushtëzuar të nxënësve, të studentëve e të arsimtarëve shqiptarë në objektet shkollore dhe universitare, duke përfshirë edhe objektet ndihmëse, si: konviktet, mensat, palestrat sportive, bibliotekat, etj. Pastaj, kthimin e fëmijëve shqiptarë në objektet parashkollore; lirimin e objekteve të Entit të Teksteve Mësimore të Kosovës dhe kthimin e gjithë pasurisë së tij; lejimin e funksionimit normal të të gjitha institucioneve pedagogjike të Kosovës, e trillime të tjera.

Në fund fare, zyrtarët tanë ia patën shtuar Marrëveshjes edhe shtatorin, si afat kohor të zbatimit të saj, por, me apo pa qëllim, ata nuk kishin thënë në shtatorin e cilit vit, do të zbatohej ajo marrëveshje.
Si zyrtarët shqiptarë të sofrës së parë, Marrëveshjen dr. Rugova-Millosheviq e patën “kuptuar“ dhe interpretuar edhe zyrtarët shqiptarë të sofrës së dytë dhe të tretë të Kosovës. Sipas vlerësimeve dhe interpretimeve të tyre, të publikuara në mediat tona, në shtatorin e vitit 1996, firma e Millosheviqit në atë marrëveshje;
– ishte shprehje e vullnetit të tij të mirë, për shkollimin normal të fëmijëve shqiptarë;
– ishte pranim i programeve tona shkollore;
– ishte njohje e shkollës së pavarur shqipe;
– ishte fillim i ndryshimeve të rëndësishme në Kosovë;
– ishte tërheqje e regjimit okupues serb nga koncepti i tij hegjemonist dhe i dhunës kundër pavarësisë së Kosovës;
– ishte dëshmi për trajtimin e palës shqiptare, si partnere e barabartë nga Millosheviqi,
– ishte akti dhe hapi i parë i fillimit të pavarësisë së Kosovës;
– e gjepura të tjera.
Efekt më të madh politik, të firmës së tij, s‘mund të ketë pritur as vetë Millosheviqi. i cili, në ndërkohë, nën hijen e dendur të vlerësimeve pozitive dhe interpretimeve naive të firmës së tij, në Marrëveshjen me dr. Rugovën, nga zyrtarët tanë, – po përgatitej, i qetë, për “zgjidhjen“ përfundimtar të problemeve me shqiptarët e Kosovës.
(FUND)

______________________________
SHEMSI REÒªICA: PËRBALLJET NDËRMJET KRYETARIT RUGOVA DHE KRYEMINISTRIT BUKOSHI (I)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7876
***
SHEMSI REÒªICA: PËRBALLJET NDËRMJET KRYETARIT RUGOVA DHE KRYEMINISTRIT BUKOSHI (II)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7881

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura