SHEMSI REҪICA: THELBI DALLUES NDËRMJET UKSHIN HOTIT DHE AZEM VLLASIT!

Prishtinë, 17. 04. 2016: Derisa Azem Vllasi, i shitur te serbët, në vitet 80 fliste në emër dhe në interes të Republikës së Serbisë dhe në emër të saj i dënonte demonstratat e ’81-shit dhe kërkesën e tyre “Kosova-Republikë”, Ukshin Hoti, intelektual dhe atdhetar jashtëserik, në ato vite fliste në emër dhe në interes të Republikës së Kosovës dhe në emër të saj i përkrahte ato demonstrata dhe kërkesën e tyre “Kosova-Republikë”.
Demonstratat e vitit ’81 i vunë para një sprove, një dileme, një udhëkryqi të madh, pothuaj tragjik, edhe vetë shqiptarët. Atyre krejtësisht papritur dhe, njëkohësisht, pashmangshëm iu imponuan dy mundësi:
E para, të pranonin vlerësimin e Serbisë për karakterin armiqësor të demonstratave të ’81-shit e të kërkesës së tyre “Kosova-Republikë” dhe të pranonin kërkesën e Serbisë për dënimin “e merituar” (siç thuhej në atë kohë) të bartësve të tyre. Kjo do të thoshte që edhe ata vetë, sipas porosive të Serbisë, t’i dënonin demonstratat e ’81-shit dhe kërkesën e tyre “Kosova-Republikë” dhe të kërkonin dënimin e bartësve të tyre.
E dyta, t’i përkrahnin demonstratat e vitit ’81, të argumentonin kërkesën „Kosova-Republikë“, të dënonin dhunën serbe mbi bartësit e demonstratave dhe të kërkonin lirimin e të burgosurve në ato demonstrata. Kjo do të thoshte të mos e pranonin vlerësimin e Serbisë për karakterin armiqësor të demonstrative të ’81-shit dhe të kërkesës “Kosova-Republikë”, as kërkesën e saj për dënimin e bartësve të demonstratave.
Paraprakisht dhe qartësisht dihej se ku çonte njëra mundësi dhe ku tjetra.

Mundësia e parë, pranimi i vlerësimeve, kërkesave dhe porosive të Serbisë, lidhur me demonstratat, me kërkesën “Kosova-Republikë” dhe me bartësit e tyre, siguronte ngritjen në karrierë, çonte në poste të larta partiake e shtetërore serbe, në përfitime materiale, në shfrytëzimin e të gjitha të mirave të regjimit serb, në mirëqenien dhe në ngritjen e standardit jetësor familjar.
Këto privilegje e kanë joshur Azem Vllasin për të pranuar vlerësimin, kërkesat dhe porositë serbe për demonstratat, për kërkesën “Kosova-Republikë” dhe për bartësit e tyre. Për t’i siguruar këto privilegje, Vllasi ka treguar në vazhdimësi zell më të madhe se çdo shovinist serb, për t’i dënuar “nacionalistët”, “irredentistët” dhe “separatistët” shqiptarë.
Mundësia e dytë, përkrahja e demonstratave, argumentimi i kërkesës “Kosova-Republikë”, dënimi i dhunës serbe mbi bartësit e demonstratave dhe kërkesa për lirimin e të burgosurve në ato demonstrata, kishte pasoja të rënda. Ajo çonte në dhënien fund të karrierës, çonte në burgosje, në hetime, në dënime, në persekutime, në vuajtje familjare.
Këto pasoja e kanë trembur Vllasin dhe e kanë detyruar të jetë më i zellshëm se çdo shovinist serb për t’i dënuar “nacionalistët”, “irredentistët” dhe “separatistët” shqiptarë.
Përkundër Vllasit, të shitur te serbët, që fliste në emër e në interes të Republikës së Serbisë dhe në emër të saj i dënonte demonstratat e ’81-shit dhe kërkesën e tyre “Kosova-Republikë”, Ukshin Hoti, intelektual dhe atdhetar jashtëserik, as u josh nga privilegjet e regjimit serb, as u tremb prej atij regjimi. Në po ato mbledhje ku Azem Vllasi i dënonte demonstratat dhe kërkesën e tyre “Kosova-Republikë”, por edhe gjatë gjithë hetuesisë dhe gjatë gjykimit të tij, Ukshin Hoti mbronte në mënyrë brilante demonstratat e ’81-shit dhe argumentonte shkencërisht kërkesën e tyre për “Kosovën-Republikë“. Ai fliste në emër e në interes të Republikës së Kosovës.
Pra, derisa Azem Vllasi e dha Republikën e Kosovës për privilegje e përfitime personale, Ukshin Hoti hoqi dorë nga privilegjet dhe përfitimet personale dhe dha gjithçka për Republikën e Kosovës.
Ky është thelbi dallues ndërmjet Ukshin Hotit dhe Azem Vllasit

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura