SHEMSI SYLA: DEGRADIMI I VARREZAVE TË DËSHMORËVE NË GJILAN, KU PREHEN EDHE ESHTRAT E KADRI ZEKËS, REXHEP MALËS, NUHI BERISHËS, ABDULLAH TAHIRIT…!

Gjilan, 31. 01. 2015 – Këtë degradim e ka bërë qeveria e kaluar komunale (PDK), këtë po e bën edhe kjo qeveri, aktuale (LDK). Fjala është për kompleksin memorial të varrezave të dëshmorëve, një projekt i nisur herët por i zvarritur, i neglizhuar, i anashkaluar dhe lirisht mund të themi edhe i sabotuar nga vet krerët komunal, të cilët edhe pse kanë trumbetuar dhe trumbetojnë në vazhdimësi se e kishin dhe e kanë në prioritet, ata këtë e kanë bërë dhe e bëjnë në vazhdimësi vetëm për konsum politik dhe për tu treguar sa më të afërt me familjet e dëshmorëve, sidomos në kohë fushatash zgjedhore. Në ditët kur bëhen përkujtimet e familjarëve të tyre, pos që ndihen të fyer e të harruar, atyre veç sa u rëndohen dhimbjet.
Ky poshtrim që po ndodh, para syve të të gjithëve, është jo vetëm nënçmues e degradues, por mbi të gjitha është anti human… Për asnjë çmim këtë nuk e kanë merituar të rënët, ata të cilët dhanë më të shtrenjtën, jetën. Kurse sot, sot e gjashtëmbëdhjetë vjet institucionet tona, nuk janë në gjendje ti lënë të qetë së paku për një prehje të dinjitetshme, që të gjallët të kenë vend e mundësi t’u ofrojnë një lule dhe të përulen para tyre, ashtu si e meritojnë… Bashkëluftëtarët e tyre, menjëherë pas luftes, së paku kishin menduar mirë për t’a, kishin ëndrruar se ai vend një ditë do bëhet lule dhe dritë, që do shndërriste të gjithë qytetin. Por, fatkeqësisht ndodhi dhe po ndodh e kundërta…

……………………………………………………………

Ish kryetari i Gjilanit Qemajl Mustafa (PDK) dhe kryetari aktual, Lutfi Haziri (LDK), përgjegjësit kryesor për degradimin e varrezave të dëshmorëve!

Varrezat vizitohen rrallë, vetëm ditëve përkujtimore, por edhe atëherë kur shkohet, të rrallin vizitor, e ke që nuk e përshkruan ndjenja e frikës dhe e turpit, se si do të gjendej për atë kohë të vizitës së shkurtër. Aty është një ngrehinë, e nisur dhe e lënë për gjysmë, me gjysmë murë dhe kornizime, grumbuj zhavoresh, me kabllo të zhveshura, pa pastërti totale, me shkarravitje shkronjash e shkrimesh poshtëruese në muret e lapidarit dhe tek emrat në pllakën murale. Pllakat e mermerta me të cilat janë mveshur varret, gjithnjë janë të pluhurosura, kurrë të pastruara, pa përkujdesjen e dorës së njeriut. Kurorat e vjetruara, të shpërndara dhe të hudhura në grumbuj që shndërrohen në stogje mbeturinash. Ka ndodhur që flamuri i shqyer, lecka, lecka të qëndroj edhe me vite i ngritur e të mos e ndërroj askush. Në varreza grumbullohen edhe qenë endacak, që mund të jenë edhe rrezik për njerëz, aty kullosin edhe bagëtia, sepse janë pa rrethojë dhe pa kujdes të askujt. Aty sorollaten edhe avanturjer…!
Kjo pamje, dhe kjo gjendje e mjeruar që rreflekton anashkalimin total të institucioneve ndaj varreve të dëshmorëve të kombit, është argumenti më i fortë, dëshmia me e qartë se në ç’masë është katandisur kjo kastë politike, duke harruar se në ato varreza pushojnë eshtrat e 52 dëshmorëve të kombit.
Aty prehet edhe Kadri Zeka, ideologu i Lëvizjes për Ҫlirim, Rexhep Mala, militanti i orëve të para të Qëndresës heroike, Nuhi Berisha, zemra e Rinisë Atdhetare, Abdullah Tahiri, Komandanti i parë i UҪK-së, Nushe dhe Tefik Zymberi, dy simbolikat e flijimit, si dhe edhe të 43 dëshmorëve të tjerë që u flijuan në ditën më të mirë, vetëm që ne të jemi të lirë…
***
Qeverisja e më parshme e drejtuar nga PDK-ja, thirrej në vlerat e luftës, si trashëguese e drejtëpërdrejtë e saj, dhe në dëshmorët e saj, që nuk bëri asgjë, pos premtimeve dhe shumë planeve e projekteve të shkruara e të hartuara, por që kurrë të realizuara. Demagogjia zgjati gjatë, me vite të tëra. Ata binin edhe në gjunjë në betimin, se dëshmorët janë ata që do jenë vëmendja dhe kujdesi i përhershëm në rrugëtimin e tyre. Ata rrëfeheshin se falë dëshmorëve të kombit, ishin kush ishin, por që në fakt gënjyen rëndë. Fjalët e mëdha zgjatën veç sa u ngritën në hirarkinë udhëheqëse, më pastaj pasoi degradimi dhe nënçmimi total për dëshmorët dhe familjet e tyre.
Për kundër faktit se, që nga instancat më të larta shtetërore ishte qëndrimi për prioritet për familjet e kategorive të luftës, në të kundërtën për as një moment nuk u bë realitet një qëndrim i tillë, as në punësim, as në shkollim, as në dhënjen e bursave, në as një drejtim.
Me vite ka zgjatur, veç, hartimi i planit për varreza, janë ndarë edhe mjete e mjete, por më në fund asgjë. Kishte halle më të mëdha, dilnin edhe prioritete më të mëdha, shpejtë harroheshin betimet… Kështu vazhdoi kjo qeverisje për dy mandate, premtimesh, gënjeshtrash, keqpërdorimesh…
***
Qeverisja e sotshme, gjithashtu, tash e një vit ka treguar, fatkeqësisht, shenjat e njejta, të një demagogjie premtuese e zhgënjyese. Përderisa qeverisja e mëparshme thirrej në vlerat e luftës, e nuk bëri asgjë për ato vlera, qeverisja e sotshme, e udhehequr nga LDK-ja e prirë nga lideri i saj, Lutfi Haziri, gjithashtu e thirrur po në vlera të luftës, sepse sllogani, i tij gjatë fushatës, ishte “me ushtarët e Ibrahim Rugovës”, e ka forcuar edhe më shumë nënçmimin dhe degradimin e të gjitha vlerave, edhe të luftës edhe të paqes. Kjo qeverisje ka shkuar edhe më tej, edhe pse, që në ditën e parë, pas fitores kunder rivalit, doli me premtimin e madh se prioritet mbi prioritetet do të ishte projekti i varrezave të dëshmorëve, tash e një vit nuk ka lëvizur as një milimetër. Ai kohëve të fundit, ka ngritur një arsyetim banal, thënë troq ai e bën, thjeshtë për neglishencën që ka, në këtë drejtim, duke u thirrur në faktin se kinse projekti i më parshëm i punimeve në varreza qenka në proces gjygjësor, dhe se kjo arsye e paska penguar të punonte për premtimin e dhënë. Kjo alibi e fabrikuar, siç dukej është më se e domosdoshme, si mbulesë, pasiqë e vërteta është krejt diku tjetër, thjeshtë te mungesa e vullnetit për të realizuar obligimet dhe premtimet, por edhe për tu arsyetuar për ballë reagimeve të qytetarëve…
Pos degradimit të varrezave të dëshmorëve, po politizohen edhe vet deshmoret!
Lutfi Haziri dhe kjo qeverisje komunale në krejt këtë anashkalim që i bënë kesaj çështeje aq të ndjeshme nuk e le veç me këtë plagë, ai i shton dhembje dhe i jep frymë ndarjeje dhe urrejtjeje duke u munduar që ti ngjyrosë dëshmorët dhe të bëmat e tyre me petkun partiak. Këso veprimesh janë parë hapur edhe gjatë fushatës, edhe ndaj përkujdesjes së familjarëve të dëshmorëve edhe në shënimin e përkujtimeve ndaj tyre si dhe në manifestimin e sivjetëm të ‘Flakës së Janarit’. Ai me një mënyrë, ka ndjekur vijën nga lartë, sepse kjo platformë ndiqet edhe nga kreu më i lartë i partisë së tij, Isa Mustafa, edhe si kryeministër vendi, anashkaloi nderimin e dy pishtarëve të lirisë, në ditën e rënies, Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën, në Prishtinë, duke nderuar vetëm Enver Malokun, gjithashtu i vrarë në Prishtinë, po në të njejtën datë, në të njejtën ditë, pos që dallonin vitet, (Rexha dhe Nuhiu, i bënë 31, ndërsa Enveri 16-të). Kjo po bëhej, vetëm e vetëm se Enver Maloku ishte anëtar i LDK-së, ndërsa Rexha dhe Nuhiu, nuk kishin arritur të prisnin të bëheshin anëtarë të LDK-së, por ishin ngutur të vriteshin me herët, në një heroizëm të pashoq, dhe mu për këtë që nga ajo ditë Vranjefci quhet Kodra e Trimave. Edhe ky fakt nuk ia tërhoqi fare vëmendjen Isa Mustafës, nuk ishte shumë larg nga kjo pjesë e Prishtinës… Ja pra ku shkon injoranca e kreut të sotshëm shtetëror dhe komunal.
Po të njejtën rrugë ndoqi edhe Lutfi Haziri. Ai nuk nderoi fare as Rexhen as Nuhiun, as Kadri Zekën në ditën e rënies, ai as nuk e pa të arsyeshme të mbaheshin Akademi dhe as të përkujtoheshin në Flakën e Janarit, pishtarë të së cilës janë. Edhe vet Flaka e Janarit u ndez dhe ka themelet në ditën e renies së këtyre heronjëve. Ai merrë hapa të çuditshëm, ndërron fizionominë dhe konceptin e manifestimit, duke e shndërruar atë në një manifestim partiak. Harron se edhe te varret e 70 viteve më parë, në luften e Gjilanit ua ka lëkundur eshtrat, kur i ka anashkaluar se kujtuari pishtarët, vazhdues të asaj luftë, të cilët flakadanin e ndezur nga ata e mbajtën të ndezur edhe në vitet e tetëdhjeta, duke e skuqur borën e janarit të acart, për ta bartur të tjeret edhe në luften e UCK-së, e duke e mbajtur të ndezur edhe më tutje, në shenjë kujtimi e betimi.
Ky reagim, ka një qëllim, që t’ua bëjë me dije krerëve institucional se, veprimet e tilla janë jo vetëm të dëmshme por, edhe shumë të ulëta, që lëndojnë dhe shkelin dinjitetin njerëzor të shqiptarëve. Loja me vlerat tona është e pa tolerushme. Nuk duhet të lejohet më, të përbuzet dhe dhe nënçmohet pjesa më e ndritshme, me e pasur dhe me njerëzore tek shqiptarët, dëshmorët e kombit, familjarët e tyre dhe të bëmat e tyre.. Retorikën patriotike të liderëve duhet ndaluar dhe monopolizimin e metutjeshëm të çfardo lloji, deri te Republika…

– Kontakti me autorin: [email protected]

……………………………………………………….

Projekti i parealizuar i varrezave të dëshmorëve në Gjilan!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura