Pashtriku.org, 13. 09. 2013 – Emri i fotoreporterit të lirë Asllan Krasniqi tashmë nuk është i panjohur në arealin shqiptarë dhe kudo ku jetojnë shqiptarët në botë. Ka lindur më 10. 10. 1945 në Tugjec të Dardanës (ish-Kamenicës) dhe nga viti 1967 jeton dhe vepron në Belgjikë. Aktivitetin e tij si fotograf i lirë e ka nisur 50 vjet më parë, (në vitin 1963) atëherë kur ka fotografuar familjet e para shqiptare të Kosovës, që ishin strehuar përkohësisht në Maqedoni, për të ikur më pastaj për në Turqi. Ai, në Stambollë, Bursë, Inegol etj., ka fotografuar ambientet ku jetonin këto familje shqiptare. Në vitin 1966 është diplomuar në kursin për fotografi, gjatë shërbimit ushtarak në Ajdovçin të Sllovenisë. Në vitin 1967 emigron në Belgjikë për të vazhduar me përkushtim këtë veprimtari. A.Krasniqi, në vitin 1969 ka vazhduar me korrespondencë kursin e artit fotografik në Paris, dhe konsiderohet se aktiviteti i tij profesional ka filluar në vitet ’70-të e tutje, kur viziton për herë të parë disa vende të botës. Në vitet 1979, 1985, dhe 1992 Krasniqi ka bërë një cikël fotografish në SHBA: në Washington (Shtëpinë e Bardhe etj), New York, Los Angjelos, Holiwood, Beverli Hils, Santa Monika, Universala Studio, World Disneyland etj, dhe me këtë cikël ka shpërfaqur evenimente të rëndësishme historike, artistike dhe kulturore.
– Fotografi Asllan Krasniqi –
Asllan Krasniqi me aparatin e tij ka bërë foto mbresëlënëse edhe në: Paris, Kanë, Londër, Vjenë, Barcelonë Bukureshtë, Budapest, Varshavë, Venedik, në Vatikan etj., dhe në arkivin e tij ka mbi 500 mijë fotografi të realizuara në periudhën 1963 – 2013.
Asllan Krasniqi prej vitesh ka fokusuar në objektivin e aparatit të tij edhe ngjarjet më të dhimbshme që kanë ndodhur me popullin shqiptar në Kosovë e gjetiu. Ka përcjellur demonstratat dhe manifestimet e ndryshme, grevat e urisë etj. Gjithashtu ka fokusuar me aparatin tij edhe shumë personalitete botërore, si: William Walkerin, Bill Clintonin, Kofi Annanin, Havier Solanën, Jimi Cheean, Olbraitin, Toni Blerin, Bernard Kushnerin etj.
* * *
Krasniqi, duket se është i vetmi fotoreporter nga mërgata shqiptare, që ka pasqyruar Ekzodin Biblik të shqiptarëve nga Kosova, gjatë periudhës prill-qershor 1999 në Shqipëri (Kukës, Durrës, Tiranë), Maqedoni (Ҫegran, Stankovec), Belgjikë (Morlawelz) dhe në Turqi (Kirklareli), si dhe kthimin e tyre nëpër shtëpitë e djegura dhe të shkatërruara nga forcat militare dhe paramilitare serbe. Në arkivin e tij – thotë ai – ka mbi 15 mijë fotografi nga shpërngulja e shqiptarëve, gjatë muajve prill-qershor 1999 dhe fillimit të periudhës së rindërtimit në Kosovën e pasluftës. Deri më tani Asllan Krasniqi ka hapur mbi 25 ekspozita në qytete të ndryshme të Belgjikës dhe të Francës, me tema kryesisht nga eksodi shqiptarë.
* * *
Prej disa vitesh, ai ka ëndrruar ta shpalos veprimtarinë e tij artistike edhe në Kosovë, dhe këtë ëndërr e ka realizuar në verën e vitit 2012, në kuadër të manifestimeve “Ditët e Diasporës – 2012” dhe në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Asllan Krasniqi edhe këtë verë, prej datës 13 – 19 gusht 2013 në ambientet e hapura të fshatit Kukuj të Prishtinës, (në kuadër të manifestimit “Etnofesti 2013”), ka shpalosur një ekspozitë me fotografi, me moton: “Lufta kundër harresës – Exodi 1999”, dhe të njejtën ekspozitë më 21 gusht e ka prezentuar edhe në ambientet e bukura të Sharrit – në Prevallë të Prizrenit.
Prizren – Prevallë, 21 gusht 2013:
Pamje nga ekspozita e fotografit Asllan Krasniqi.
——————————–
GOLGOTA SHQIPTARE – NË FOKUSIN E FOTOREPORTERIT TË LIRË ASLLAN KRASNIQI
– SHIKONI FOTOGALERINË –
Klikoni këtu: https://pashtriku.org/?kat=48&id=20