SHERADIN BERISHA: KUSH KA PENGESA NË TË FOLUR MUND TË SHËROHEN TE LOGOPEDI IRFAN M.BOJAXHIU

Pashtriku.org, 14. 09. 2016: Një pasdite gushti në Prizren e vizitova ordinancën e defektologut / Logopedit të njohur, Irfan M.Bojaxhiu. Ka lindur më 1 janar 1935, në fshatin Pllavë të Opojës (Komuna e Sharrit – ish Dragashit). Shkollën fillore e kreu në Buçe dhe në Pllavë, progjimnazin në Dragash (tani Sharr), ndërsa kursin e parë pedagogjik në Prizren. Më 1 shtator 1951 u emërua mësues në Bresanë, e pastaj në Bellobrad të Opojës. Në vitet 1964 – 68 punoi në Shkollën Tetëvjecare në Dragash, për tu kthyer sërish në Pllavë, e pastaj dy vite rresht dha mësim në Zhur të Prizrenit. Gjatë kësaj kohe kreu Shkollën Normale të Prizrenit dhe në vitet 1974 – 1987 (derisa u pensinua) punoi në Shkollën e Shurdh – Memecëve në Prizren.
***
Nga përvoja e tij shumëvjeçare me fëmijët dhe të rriturit me defekte në të folur, 81 vjeçari Bojaxhiu, në tetor të vitit 2006 hapi ordinancën (Ushtrimoren për të folur) në lagjen Ortakoll të Prizrenit, dhe sot e kësaj dite (përkundër moshës së shtyrë) punon me përkushtim (falas) për nevojtarët.
Irfan Bojaxhiu gjatë bisedës thotë se, “të folurit varet nga frymëmarrja dhe është pjesë e pandashme e shpirtit të njeriut gjatë tërë jetës.”

“Pa të folur – thekson ai – njeriu nuk do të kishte zhvillim mendor, intelektual, shkencor, zbavitës etj.”
Njeriu nuk lindë me të folur, ai zhvillohet së bashku me njeriun dhe fillon që nga momenti i lindjes, dhe duke qenë kështu defektologu nënvizon: “Pa të folur nuk mund të bashkangjitemi në shoqërinë njerëzore dhe nuk do të jemi pjesë e barabartë e shoqërisë njerëzore”.
Mirëpo rrjedhimisht gjatë zhvillimit të njeriut, tek një pjesë e tyre paraqiten edhe defekte në të folur, të cilat e pengojnë dukshëm në kryerjen e nevojave të përditshme e profesionale për jetë. “15% e njerëzve në botë kanë probleme – pengesa në të folur, ndërsa 1% e njerëzve vuajnë nga belbëzimi” – thotë defektologu Irfan Bojaxhiu.
Ai, pengesat në të folur i cilëson “njëjtë sikurse sëmundjet e tjera”, por kjo dallon, për faktin sepse nuk dhemb, “por dhembë thellë në shpirtin e atij që e posedon”. Bojaxhiu duke folur, përmes një aparati demonstron mënyrën më specifike të matjes së pengesave në të folur, ndërkohë që për këto pengesa, më tegon një listë me 31 lloje të pengesave të ndryshme në të folur, të cilat kërkojnë tretman logopedik, dhe mjekim të duhur.
“Shumica e këtyre pengesave mund të eliminohen pa ndonjë problem – thotë ai – por kërkojnë tretman profesional defektologjiko-logopedik, pa marr parasysh moshën, gjinin dhe shkallën e shkollimit”.
Ky humanist i madh ka shëruar qindra fëmijë e të rritur me pengesa në të folur, dhe në arkivin e tij posedon shumë letra në shenjë mirënjohjeje që ua kanë dërguar pacientët e tij nga të gjitha viset shqiptare dhe më gjerë.
Në fund të bisedës logopedi i devotshëm, Bojaxhiu, porositë të gjithë prindërit që kanë fëmijë me pengesa në të folur, t’i dërgojnë ata/o tek specialisti përkatës, ngase me rritjen e fëmijës pengesa në të folur mund ta pengoj dukshëm në shkollimin e mirëfillt të tij.
Të gjithë të interesuarit-me defektologun Irfan Bojaxhiu, mund të kontaktojnë:
1. në rrjetin facebook: ttps://www.facebook.com/irfan.bojaxhiu
2. në mobilin: +377 44 337 008 ose
3. në emajlin: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura