SHERADIN BERISHA: MASAKRA E KRUSHËS SË VOGËL – KRIM I PANDËSHKUAR(I)

Pashtriku.org, 24. 03. 2013 – (Në 14 vjetorin e Masakrës në Krushë të Vogël) – Bombardimet 78 ditëshe të NATO’s, mbi caqet ushtarake-policore serbe në Kosovë, në mbamendjen tonë, përbënin uvertyrën e një periudhe me përmasa të mëdha gjenocidi e etnocidi mbi shqiptarët. Një nga rajonet e para, (pas fillimit të bombardimeve të NATO’s, rreth orës 20 të mbrëmjes së 24 marsit 1999), që do të goditej pamëshirshëm nga forcat militare dhe paramilitare serbe ishin disa fshatra të regjionit të Anadrinit.
KU SHTRIHET REGJIONI I ANADRINIT
Regjioni i Anadrinit, i njohur për rrush e verë të prodhimit cilësor, shtrihet midis gjerësisë gjeografike veriore 42(o) 17′ e 42(o), 29′ dhe 20(o)31′ e 23(o) 21(o) të gjatësisë gjeografike lindore, në pellgun e Prizrenit të Rrafshit të dukagjinit. Në rrafshin administrativ të vendbanimeve, Anadrini shtrihet në Komunën e Rahovecit me 35 fshatra: Fortesë, Berjak, Bardhatin, Brestos, Celinë, Ҫifllak, Dejë, Lugmir, Drenaj, Gexhë, Hoçë e Madhe, Hoçë e vogël, Besnik, Kromnik,Krushë e Madhe, Mrasor, Nagac, Nushpal, Apterrush, Gurkuq, Palushë, Burim i Epërm, Burim i Poshtëm, Rudinë, Malësi e Vogël, Rahavec, Drinas, Reti, Reti e Ulët, Frashnjet, Sopaj, Sarosh, Franjak, Xërxë, Zaçishtë e Zatriq, pastaj në komunën e Prizrenit me përfshirje të 18 vendbanimeve: Caparc, Krushë e vogël, Landavicë, Mamushë, Novak, Piranë, Qëndresë, Arbanë, Flokat, Iliras, Arbnor, Arbnesh, Smaç, Shpenadi, Velezhë, zojz e Mirditë, si dhe në komunën e Therandës me shtrirje në 11 fshatra: ilirion, Gelancë, Leshan, Nepërbishtë, Peçan, Rreshtan, Vnesht, Semetisht, Gurrë, Therandë dhe Taraxhë…. Pra Anadrini ka një shtrirje prej veriperëndimit në drejtim të juglindjes një gjatësi prej 32 km2 dhe me gjerësi prej 15 km, ose në një sipërfaqe prej 426,49 km2 e me tri tërësi nënrajonale; bri Drinit të Bardhë deri në 420m. lartësi mbidetare, në vithet dhe rrëzat lindore dhe verilindore të rrafshit përreth Drinit të Bardhë deri në 500 – 600 metra lartësi mbidetare, dhe në viset verilindore të ulëta malore – kodrinore që zbresin prej Shkoze, Zatriqi e Kocnikut “Majë e Zezë” me 1080 metra lartësi mbidetare. (Dr.Sabahadin Cena: Burimi i Epërm i Anadrinit (ish’Pataçani i Epërm) – Monografi për dëshmorin e kombit: Sakip Xhemajli Bellaqa, Prizren 2006, fq. 13 – 18)

RRETHIMI I ANADRINIT PJESË E OPERACIONIT SERB “PATKOI”
Fshatrat më të goditura të këtij rajoni ishin Krusha e Vogël, Krusha e Madhe, Celina, Bellacerka, Randobrava etj., të cilat shtrihen në të djathtë të aksit rrugorë Prizren – Gjakovë – Pejë. Sipas dëshmitarëve, në mesnatën e 24-25 marsit, forca të mëdha ushtarako-policore serbe me mjete të blinduara (tankse, autoblinda dhe mjete tjera ushtarake) kanë ardhur nga Prizreni dhe janë pozicionuar në rrugën Xërxë – Bellacerkë – Rahovecë në drejtim të fshatrave të Anadrinit. Ndërkaq, rreth orës 3:30 minuta të mëngjesit të datës 25 mars, nga Prizreni kanë arritur forca tjera serbe ushtarake dhe të MUP-it serb, të cilat duke filluar nga fshati Piranë, pozicionohen përgjatë hekurudhës së trenit që shtrihen përskajë rrugës magjistrale Prizren – Gjakovë, deri te udhëkryqi i fshatit Xërxë, dhe në këtë mënyrë fshatrat e Anadrinit futen në një rrethim të hekurt. Nga fshatrat Xërxë dhe Bellacerkë në veri, dhe nga Landovica në jug, artileria e rëndë ushtarake serbe fillimisht do ta bombardonte pandërprerë zonën, dhe pastaj njësitë kriminale me ndihmën e serbëve lokalë hap pas hapi do të hynin në brendi të fshatrave. Ky operacion ishte pjesë e operacionit famëkeq “Patkoi” dhe kishte për qëllim neutralizimin e aksioneve çlirimtare të UÇK’së në Anadri, spatrimin e terenit në këtë pjesë të kufirit me Shqipërinë dhe vënien nën kontrollë të plotë të rrugës magjistrale Prizren – Gjakovë – Pejë, me qëllim të parandalimit të depërtimit të brigadave të UÇK’së nga Shqipëria për në Kosovë, të cilat kishin nisur operacionin për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar në Koshare dhe në Pashtrik, me emërtimin e koduar „Shigjeta“.

LEXONI: ‘PATKOI’ SERB – PLAN PËR SHFAROSJEN E SHQIPTARËVE
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1358

*  *  *

Harta: Rrethimi i Krushës së Vogël nga forcat ushtarake – policore dhe paramilitare serbe!

*  *  *

MË 25 – 26 MARS 1999 NË KRUSHË TË VOGËL U VRANË – MASAKRUAN DHE U DOGJËN MIZORISHT 112 SHQIPTARË!
Në një material të “Shoqatës për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999″ – Krushë e Vogël” që e drejton veprimtari Agron Limani, dhe në APELIN e nënshkruar nga banorët e Krushës së Vogël, drejtuar “Institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, organizatave për të drejtat e njeriut, shoqërisë civile…” shkruan se: “Fshati Krushë e Vogël i takon komunës së Prizrenit dhe gjendet në kilometrin e 13 të magjistales Prizren – Gjakovë. Banorët kryesishtë ekzistencën e tyre e kanë siguruar përmes të ardhurave nga bujqësia. Në fshat jetonin rreth 850 banorë shqiptarë, 150 serbë dhe 15 romë… Në këtë masakër janë vrarë (zhdukur) 112 shqipëtarë nga 13 deri në 77 vjeç. Mbas kthimit të popullsisë nga Shqipëria, vritet edhe një fëmijë 12 vjeçar nga minat e lëna në fshat dhe numri i të vrarëve arrin në 113 veta.”
Fëmiju që u mbytë nga minat quhet Muhamet Ajet Emërllahu, i lindur më 20. XI. 1988. Ngjarja ka ndodhur më 17. X. 1999, afër shtëpisë së Muhametit, përballë Podrumit të Verës në Krushë të Vogël, derisa Muhamti po luante me nipat e tij: Fazli e Leotrim Tarjani nga Pirana. Ndërkaq më 29 maj 1999, në mes fshatit Krushë e Vogël – Randobravë, ka rënë dëshmor ushtari i UҪK-së, Manush Ahmet Berisha, i cili fillimisht është varrosur në varrezat e Krushës së Vogël, e pastaj është rivarrosur me nderime të larta në varrezat e Dëshmorëve në Landovicë.
Në materialet e Shoqatës: “26 marsi 1999” dhe në “Apelin” e banorëve të Krushës së Vogël, sipërfaqësohen edhe këto të dhëna:
“Në Krushë të Vogël janë zhdukur rreth 70% e meshkujve nga mosha 13 vjeçare deri në atë më të vjetrin. Pra, është masakra më e madhe që ka ndodhur në Kosovë. Si pasojë e kësaj masakre kemi 82 të veja dhe 145 fëmijë jetimë. Dhjetë familje kanë mbetur pa asnjë mashkull në shtëpi, pra pa mundësi reprodukimi në të ardhmen. Familjet kanë të humbur nga 1 deri në 9 anëtarë. Nga 145 shtëpi banimi vetëm 8 i patën shpëtuar djegjes”. Këto janë disa të shenime të përgjithshme, të prezentuar në materialin e Shoqatës “26 Marsi 1999″-Krushë e Vogël”, në të cilën janë prezentuar edhe disa dëshmi të personave që i shpëtuan masakrës më 26 mars 1999, në shtëpinë përdhese të Qazim Batushës.
Në “Apelin” e banorëve të Krushës së Vogël, drejtuar “Institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, organizatave për të drejtat e njeriut, shoqërisë civile…” shkruan se, ky material i është dorëzuar:
1. Prokurorisë Publike në Prizren, më 24.01.2003 me numër PPN. 187/03;
2. Prokurorisë Publike në Prishtinë, më 02. 04. 2003 dhe përsëri me 06. 11. 2003;
3. Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-t në Prishtinë, më 27.11.2003 te Christopher Maxwell (Drejtor i Departamentit të Drejtësisë së UNMIK- ut për krime);
4. Njësisë së Policisë së UNMIK-t për Krime Lufte – Prishtinë, me 02.04.2005 dhe 14.06.2005 (hetuesve: James Dobrinski, Axel Stueve, Shahzada Sulltan etj);
5. Prokurorëve të UNMIK-ut, më 14.06.2005 dhe 22.06.2005 – Michael Hartmann dhe Robert Dean,
6. Kreut të policisë, më 10. 05. 2005, Kai Vittrup – komisar i policisë së UNMIK dhe Sheremet Ahmetit – komandant i SHPK-ës;
7. Njësisë së Tribunalit të Hagës-Prishtinë, më 30. 07. 2005; Lubomir Jozefciak-hetues etj.
Fatëkeqësisht, asnjë nga institucionet e lartëpërmendura, që nga përfundimi i luftës e gjer më tani nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete për të sjellur para drejtësisë të gjithë ata kriminelë, të cilët janë përgjegjës për vrasjet masive në Krushë të Vogël.

KRUSHA E VOGËL – MË 25 MARS 1999…
Rreth orës 5 të mëngjesit të datës 25 mars 1999 në afërsi të fshatit Krushë e Vogël janë stacionuar forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe të përcjellur nga makineri luftarake, si: tankse, kundërajror (praga), autoblinda etj., dhe ato kanë shtënë me breshëri në drejtim të shtëpive të para të fshatit. Pas ca kohësh këtyre forcave të ardhura kryesisht nga Prizreni iu jepet shenjë nga serbët e Krushës dhe ata fillojnë të marshojnë në drejtim të fshatit, duke filluar djegjen e shtëpive të para në hyrje – thonë dëshmitarët.
Dëshmitarit Kadri Muharremi nga Krusha e Vogël, i kujtohet mirë kur, “më 25.03.1999 serbët kanë filluar t’i djegin shtëpitë e Krushës së Vogël.” Nga frika – thotë Kadriu, – se do të na digjnin së bashku me anëtarët e familjes dola në rrugë. Aty pashë serbët e fshatit tonë: Tasič Svetën dhe Nikolič Savën së bashku me disa serb të cilët bartnin uniforma ushtarake. Këta të dy së bashku me këta ushtarë digjnin shtëpitë ku Tasič Sveta dhe Nikolič Sava iu tregonin se cilat janë shtëpitë e shqiptarëve. Duke parë një gjendje të tillë iu thashë se pse po na i digjni shtëpitë pasi asgjë nuk ju kemi bërë? “A e keni kërkuar NATO-n, ja çfarë të mirash ju sjell NATO’ja” – mu përgjigjen këta të dy.” – përfundon deklaratën Kadri Muharremi. Në këtë situatë të rëndë, banorët i lëshojnë shtëpitë dhe largohen në periferi të fshatit mbi lagjen Batusha, me shpresë se përsëri do të kthehen në shtëpitë e tyre pasi barbarët serb do ta kryenin plaçkën e tyre.
Më 25 Mars 1999, gjatë largimit të banorëve nga fshati, u ekzekutuan nëntë mashkujt e parë të Krushës së Vogël, të cilët nuk pranuan t’i lëshojnë shtëpitë e tyre. Ata ishin: Sejdi Emrullahu, Sali Shehu, Reshat Shehu, Dërvish Shehu, Raif Shehu, Nexhat Shehu, Isni Rashkaj, Nazmi Rashkaj dhe Demir Rashkaj.
SI U EKZEKUTUAN NËNTË KRUSHJANËT E PARË NË PARADITEN E 25 MARSIT 1999
Dëshmitari Zeçir Sallauka nga Krusha e Vogël lidhur me këtë ngjarje të tmerrshme deklaron: “Më 25 03 1999 rreth orës 10 i pashë 6 persona prej të cilëve 3 i dallova: Sali Shehu, Reshat Shehu, Dërvish Shehu. Këta persona policia serbe i morrën prej shtëpive të tyre dhe me duar pas koke i quan në shtëpinë e Selim Çollakut. Kati i parë i kësaj shtëpie shrytëzohet si ahur. Në hyrje të ahurit i ndalën dhe i rreshtuan përball murit të ahurit. Pastaj njëri nga 5-6 policët serb gjuan me armë dhe të gjithë bien menjëherë përtokë nga plumbat. Prej tyre pastaj dy policë vijnë nga vendi i krimit (ekzekutimit) te shtëpia e Srečko Tasičit (25) e cila nga shtëpia ime është larg rreth 80m. Të dy policët jashtë shtëpisë së tij biseduan rreth gjysmë ore me të zotin e shtëpisë, Srečkin dhe gruan e tij Jelenën. Pastaj të dy policët kthehen në vendin e ekzekutimit. Me tu kthyer në atë vend, pas 15 minutash e ndezin shtëpinë ku ishin të ekzekutuar të 6 personat. Vendi i krimit nga shtëpia ime është rreth 250m. Këtë ngjarje e përcolla me të gjithë anëtarët e familjes sime nga shtëpia jonë ku ishim fshehur. Nga vendi i ekzekutimit pastaj vijnë tre policë në shtëpinë e Ali Emrullahut dhe fillojnë ta plaçkisin. Pasi e plaçkitën, të tre policët kalojnë në shtëpinë e Dërvish Shehut (e cila është afër shtëpisë së Aliut). Pasi morrën çka gjetën këta u nisën në drejtim të shtëpisë sime. Në ndërkohë (për fatin tonë) erdhi një kamion me armatim dhe u ndal të këta duke kërkuar ndihmë prej tyre se ku ta çonin këtë armatim. Ishin mjaftë afër (rreth 30m) dhe biseda dëgjohej mjaftë çartas. Këta u detyruan të shkojnë me kamion dhe hynë në hyrje të fshatit. Pastaj ne qëndruam derisa u bë terr. Me tu errësuar lëshuam shtëpin dhe shkuam buzë lumit Drini i Bardhë. Aty qëndruam deri në mëngjes. Rreth orës 6 të mëngjesit (të datës 26 mars) kaluam lumin dhe shkuam në fshatin Bregdri, e pastaj nga ky fshat në Shqipëri.

Fshati Krushë e Vogël.

*  *  *

Shtëpia e Selim Çollakut, ku u ekzekutuan dhe pastaj u dogjën – nëntë mashkuj të Krushës së Vogël, më 25 Mars 1999!

Mbetjet e kufomës së karbonizuar të Sejdi Emërrllahut!

*  *  *

K25: “POLICËT LOKALË SERBË VRISNIN NJERËZIT NË KRUSHË TË VOGËL”
Lidhur me ekzekutimin e 6 banorëve të paarmatosur të Krushës së Vogël si dhe tre të tjerëve: Isni Rashkës, Nazmi Rashkës dhe nxënësin Demir Rashkaj, dëshmon edhe një ish-pjestar i Njësisë Speciale të Policisë serbe (PJP) në procesin gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, i cili njerëzit e vrarë i cilëson si “pjestarë të UÇK”. Dëshmitari ishte i mbrojtur me shifrën K25 dhe ka dëshmnuar më 09. 07. 2002.
K25 ka treguar se nga marsi i vitit 1998, gjashtë herë ishte dislokuar në Kosovë, për të zhvilluar operacione kundër “terroristëve të UÇK-së”. Dislokimi i parë i njësisë ku ai bënte pjesë është bërë më 1 mars 1998 në rajonin e Mitrovicës dhe të Skenderajit, me qëllim të lirimit të rrugës Skenderaj – Klinë. Edhe dislokimi i dytë ka ndodhur në këtë zonë, ndërsa dislokimi i tretë është bërë afër Strellcit të Epërm, (të Deçanit), me qëllim të debllokimit të rrugës Pejë-Gjakovë.
Dëshmitari K25 thotë, se, dislokimi i katërt ishte pushtimi i Jabllanicës (tani Shqiponjë), dislokmi i pestë ka ndodhur në Baballoq, me qëllim të kontrollimit të rrugës Junik – Preljep. Ndërkaq më 25 mars 1999, nga Baballoqi njësia e tij kishte shkuar në XËRXË me tre kamiona, pinzgauerë, kamionë civilë. Aty, ka shtuar K25, është takuar me forcat e Ushtrisë (UJ-së) dhe se pastaj ishin vendosur në kryqëzimin e rrugës dhe hekurudhës në KRUSHË T Ë VOGËL. Ai ka thënë se njësia e tij komunikonte edhe me policinë serbe (përmes radiolidhjeve, sepse ishin në të njejtat valë) kurse me UJ-në kishin kontakte gojore, të drejtpërdrejta. Qëllimi i kësaj vendosje të këtyre forcave në këtë zonë, sipas dëshmitarit ishte “dëbimi i terroristëve të UÇK-së” nga zona e Bellacerkës në drejtim të Malishevës si dhe shpëtimi i popullatës!!!
Në pyetjen e prokurorit se cili ishte roli i rezervistëve lokalë serbë, dëshmitari ka thënë, se ata ishin të gjithë të armatosur, të uniformuar …dhe ishin të inkuadruar në radhët e policisë lokale. Dëshmitari K25, ka treguar se në operacionin që ka filluar më 25 mars, në orën 5 të mëngjesit në Krushë të Vogël kanë marrë pjesë Detashmenti i 23-të nga Vojvodina (në kompaninë e shtatë të së cilës vepronte dëshmitari), detashmenti i Nishit, forcat e grupit paramilitar “FRENKI”, pjestarët e MUP-it të Prizrenit si dhe UJ. (Burimi – K25: Policët lokalë serbë vrisnin njerëzit në Krushë të Vogël, Zëri – e mërkurë, 10 korrik 2002, faqe 6)
Dëshmitari K25 lidhur me nëntë civilët e vrarë më 25. 03. 1999 në Krushë të Vogël, ka kujtuar se: “Më 25 mars 1999 rreth orës 9 nga pjestarët e kompanisë së tij janë kapur gjashtë burra ”të gjithë pjestarë të UÇK” Të gjashtë burrat (është fjala për Sejdi Emrullahun, Sali Shehun, Reshat Shehun, Dërvish Shehun, Raif Shehun dhe Nexhat Shehun) të cilët më pas u morën nga tre policë të MUP-it, i dërguan në një shtëpi dhe se pas pak janë dëgjuar të shtëna. “Unë personalisht kam shkuar dhe i kam parë të vrarë të gjashtë ata njerëz që i lamë në duart e MUP-it lokal”. Ai ka thënë se i njëjti fat i kishte gjetur edhe tre ”pjestarë tjerë të UÇK-ës” (e kishte fjalën për Isni Rashkën, Nazmi Rashkën dhe nxënësin Demir Rashkaj) ka deklaruar dëshmitari i mbrojtur K25. (Po aty, fq.6) Kundër dëshmitarit K25, se gjoja këta nëntë persona ishin “pjestarë të UÇK-së”, kanë reaguar familjarët e tyre, duke e cilësuar deklaratën e tij si të pavërtetë, për faktin – sepse të gjithë ata në momentin kur janë kapur dhe ekzekutuar ishin civilë e të paarmatosur, nëpër shtpitë e veta.

Më 25 mars 1999 Sinan Shehu, “Me të parë se policia serbe të prirë nga Tasič Sveta i kishin marrë të pesë kusherinjët e tij (Salihun, Reshatin, Dërvishin, Raifin dhe Nexhatin) dhe kishte bërë ekzekutimin e tyre, kishte vendosur që ta lëshonte shtëpinë dhe të shkonte në vendin e tij të punës (në fabrikën e verës).” – deklaron Xhafer Muharremi nga Krusha e Vogël, dhe pastaj vazhdon: “Pasi kishte arritur në fabrikë, atë nuk e lejojnë të punonte, por e marrin Nikolič Krsta dhe Petkovič Predrag, të dy të armatosur, dhe me një automobil Lada Samara (pronë e Krstës) e sjellin deri afër shtëpisë ku gjendej popullata e fshatit.” Pra, Sinan Shehu kthehet në fshat, në mesin e banorëve, për të cilët ishte planifikuar tashmë vrasja, djegja dhe zhdukja e tyre.
SI U VRA PLAKU HYSEN RAMADANI NË OBORRIN E SEJDI BATUSHËS DHE KUSH I PLAҪKISTE DHE I DIGJTE SHTËPITË E KRUSHËS SË VOGËL
Ditën e 25 marsit 1999 popullata e Krushës së Vogël e kishte kaluar në male, por meqë në mesin e popullatës së larguar kishte mjaft foshnje disa javëshe, gra shtatëzëna, fëmijë të mitur e pleq, dhe për shkak të kohës së ftohtë banorët vendosin që natën ta kalojnë në shtëpi të Sejdi Batushës. Të nesërmen më 26 mars forca të mëdha ushtarako – policore me ndihmën e serbëve të fshatit rrethojnë oborrin e shtëpisë së Sejdi Batushës. Në këtë situatë vritet plaku Hysen Ramadani.
Si e kujton vrasjen e Hysen Ramadanit, bashkëshortja e tij, Kade Ramadani: “Ne ishim në shtëpi të Sejdi Batushës me gjithë banorët tjerë të fshatit. Bashkëshorti im Hysen Ramadani (77 vjeçar) kishte mbetur ende në shtëpinë tonë. Derisa po vinte të na bashkohej qëllohet me tri të shtëna nga persona që ishin në shtëpi të Muharrem Batushës. Nga të shtënat vdes. Vrasja e tij shkaktoi tmerr tek gjithë ne që ishim në shtëpi të Sejdi Batushës. Burrat që ishin afër meje si: Hysen Zylfiu, Sejdi Batusha, Nuredin Shehu e të tjerë pasi shikuan kah vendi prej nga u qëllua thanë se vrasjen e Hysen Ramadanit me gjasë e bëri Nikolič Dimitria, pasi ai shihej në dritaren nga u qëllua.” – deklaron Kade Ramadani.
Derisa popullata ishte grumbulluar në oborrin e Sejdi Batushës serbët plaçkitnin e digjnin shtëpitë e shqiptarëve!
Si e kujton plaçkitjen dhe djeg’jen e shtëpisë – Nagjije Shehu: “Më 26. 03. 1999, derisa qëndronim me banorët e tjerë të fshatit në shtëpinë e Sejdi Batushës mu kujtua se lopët më kishin mbetur të mbyllura në ahur. Së bashku me kunatën time, Fiqerien u nisëm të shkojmë në shtëpi për t’i liruar lopët. Duke u afruar pamë se afër shtëpisë sonë (në oborr të fqiut Đorđevič Mladen) ishte pozicionuar një tanks i ushtrisë. Ne shikonim dhe nuk guxonim të hynim në shtëpi. Në ndërkohë derisa ne shikonim, nga shtëpia ime doli Petkovič Predrag duke drejtuar një traktor. Ai e kishte marrë traktorin e familjes sime dhe në rimorkion kishte vendosur (vjedhur) të gjitha gjësendet e familjes, si: frigorifer, televizor, shporet elektrik, tavolina, karrika etj. Kur ne i thamë se është turp për këtë çka je duke e bërë, ai mu përgjigj: “kurrgjë nuk është kjo se çka do t’ju ndodh më vonë”. Pasi u nisëm për të shkuar te banorët e fshatit që gjendeshin në shtëpinë e Sejdi Batushës, pamë se shtëpisë sonë i doli flaka.” – përfundon rrëfimin Nagjije Shehu.

Veprimtari Agron Limani në rrëfimin e tij kujton se, më 25 mars 1999, “Pasi e lëshuam shtëpinë dhe u vendosëm rreth 300m larg nga ajo, bashkëshortja ime më tha se e kishte harruar ushqimin e foshnjës gjashtë javësh (bebillakun). Unë u ktheva për në shtëpi për ta marrë atë. Kur u afrova disa metra afër shtëpisë, nga një pozitë e fshehur pashë se Petkovič Golub dhe vëllau i tij Petkovič Dejan kishin vendosur në dritare të shtëpisë së tyre një mitrolez dhe e kishin drejtuar kah shtëpia ime. Nuk dija çka të bëja. Meqë ishte në pyetje foshnja vendosa të provojë të futem në shtëpi. Duke u afruar paksa fshehtas, të dy të lartëpërmendurit më kishin diktuar dhe me atë rast kanë shkrepur disa plumba në drejtim timin. Fati deshi të mos më çëllojnë. U ktheva prapa pasi ishte shumë rrezik të hyje në shtëpinë time.”

( VIJON… )

===========================

– LEXONI –
PJESA E PARË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1424  
PJESA E DYTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1426  
PJESA E TRETË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1429  
PJESA E KATËRT:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1436  
PJESA E PESTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1443  
PJESA E GJASHTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1446  
PJESA E SHTATË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1452  
PJESA E TETË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1456  
PJESA E NËNTË
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1459
PJESA E DHJETË
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1467
PJESA E NJËMBËDHJETË
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1471

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura