SHERADIN BERISHA: PËRGJEGJËSIA E “SHOKËVE” PËR HESHTJEN E ZHDUKJES PA GJURMË TË BEHAJDIN ALLAQIT, (QERSHOR 1998) DHE KËRKESAT PËR ZBARDHJEN E VRASJES SË TIJ!

Pashtriku.org, 7 prill 2017: Në 54 vjetorin e lindjes së Behajdin Allaqit, 7 prill 1963 – 7 prill 2017 – (“Në emër të popullit janë bërë shkelje e krime të rënda gjatë historisë. Dhe se “veglat” e okupatorit, të ndryshkura, janë edhe më kriminale se vetë krimineli dhe përdoruesi i “veglës”. Prandaj ju pyes – deri kur do të ketë të tillë në shoqërinë tonë? – Behajdin Allaqi, Burgu i Dubravës, 1994″)
***
PËRGJEGJËSIA E “SHOKËVE” PËR HESHTJEN E ZHDUKJES PA GJURMË TË BEHAJDIN ALLAQIT (Qershor 1998)!
Më 7 prill 2003, pikërisht në 40 vjetorin e lindjes së Behajdin Allaqit, në Teatrin Kombëtar në Prishtinë u mbajt një akademi përkujtimore. Kjo ishte akademia e dytë dhe e fundit deri më sot, që u organizua për Behajdinin, ndërsa akademia e parë përkujtimore ishte mbajtur në Prizren, më 10 qershor 2002, saktësisht në katër vjetorin e zhdukjes pa gjurmë të tij.
Në akademi, përveç familjes së Behajdinit morën pjesë: familjarë të dëshmorëve, si dhe miqë e bashkëveprimtarë të tij.
Për jetën dhe veprimtarinë e Behajdin Allaqit evokuan kujtime: Fazli Veliu, Bajrush Xhemajli, Halil Selimi, Nait Hasani, Sadik Halitjaha, Bardhyl Mahmuti, Ramadan Avdiu etj., por askush prej tyre s’e tha asnjë fjalë të vetme, për çastet e fundit të jetës së tij, për rrugëtimin në radhët e UҪK’së, se në cilin vend iu bashkua UҪK’së, në cilin formacion ushtarak bënte pjesë, çfarë pozite kishte në hierarkinë ushtarake, se në cilat beteja mori pjesë, kur dhe në cilin vend ra dëshmor, pastaj ku prehen eshtrat e tij, pra ku e ka varrin Behajdin Allaqi, për ta nderuar në përvjetorët e rënies, etj.

Behajdin Allaqi, (7 prill 1963 – 7 prill 2017)

Në këtë akademi në emër të familjes foli Krenarja, motra e Behajdinit.
Ajo duke folur nga pozita e familjes së dëshmorëve, shpërfaqi indinjatën e përgjithshme për zhvillimet negative në Kosovë, por nuk e tha dot asnjë fjalë lidhur me rrethanat e vrasjes dhe të zhdukjes pa gjurmë të Behajdin Allaqit, të këtij ‘dëshmori të heshtur’ siç e quan në këtë akademi, Fazli Veliu, apo ‘dëshmori pa varr’ siç e kishte cilësuar, në një shkrim, Fatmir Brajshori.
Krenarja me këtë rast të pranishmëve ju drejtohet me këto fjalë:
“Të nderuar familjarë të dëshmorëve,
Të nderuar të pranishëm,

Është bërë e zakonshme që në tubime përkujtimore dhe në akademi përkujtimore, ne familjarët e dëshmorëve, t’ju shprehim faleminderime pjesëmarrësve. Normalisht që ndjejmë një satisfaksion kur shohim se bashkëluftëtarë të më të dashurve tanë ndodhen mes nesh, dhe për një çast kujtojmë dëshmorët e kombit. Mirëpo, kujtimi i dëshmorëve të Kombit nuk mund të ndahet nga çështja për të cilën ata dhanë jetën e tyre. Pra, kujtimi për dëshmorët duhet të shihet i lidhur ngusht me realizimin e aspiratës së popullit tonë për liri dhe pavarësi të plotë. Dëshmorët dhe pavarësia janë të lidhur si një trup i pandashëm ku frymon kjo aspiratë. Dhe sa herë që cenohet kjo aspiratë plagët tona bëhen më të dhimbshme.
Prandaj, ne familjarët e Behajdin Allaqit kur shohim proceset e montuara kundër bashkëluftëtarëve të tij, kur shohim montimin e një procesi që tenton ta kthejë Kosovën ndër Serbi, kur shohim pengesat që Parlamenti i Kosovës i bën njohjes së luftës çlirimtare, kur shohim pengesat që u dalin familjarëve të dëshmorëve, kur shohim kaq gjëra të këqia që po ndodhin te ne dhe përreth nesh, me të drejtë shtrojmë pyetjen: Ҫka jemi duke bërë ne bashkëluftëtarët, bashkëmendimtarët dhe bashkëfamiljarët e Behajdinit dhe dëshmorëve të tjerë për të parandaluar këto të këqia dhe për të realizuar pavarësinë e Kosovës? Në fund të kësaj fjale, në vend të faleminderimit po ju përcjellë kërkesën e shumë familjarëve të dëshmorëve, që secili të mendoj se, çka është duke bërë për të çuar në vend amanetin e dëshmorëve!
Lavdi atyre që vazhdojnë amanetin e dëshmorëve!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!”

***
Tani shtrohet pyetja: Pse motra e Behajdinit nuk e tha publikisht asnjë fjalë për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së tij?!
Përgjigjja është: Nuk e tha asnjë fjalë për faktin sepse, ajo kishte lexuar një fjalim të ideuar e diktuar nga Bardhyl Mahmuti, një shok i vjetër i Behajdinit nga vitet e ilegalitetit (1988-89), atëkohë kur të dy ishin anëtarë të Komitetit Drejtues të LPRK’së (OMLK’së) në Kosovë, bashkë me, Afrim Zhitinë, Fadil Vatën, Ramadan Avdiun, Ali Ahmetin etj.
Edhe vetë Bardhyl Mahmuti në fjalimin e lexuar në këtë akademi përkujtimore nuk i kujton ngjarjet e fundit kulmore që ia shuan jetën Behajdin Allaqit.
Bardhyli në shkresën e tij, pasi shpërfaq përkushtimin e sinqertë të Behajdin Allaqit, për çështjen kombëtare, në fund shkruan: “Duke përkujtuar veprimtarinë e Behajdin Allaqit, shokët evokojnë kujtimet e tyre të shumta për te. Emërues i përbashkët i të gjitha kujtimeve të atyre që e kanë njohur mirë Behajdinin është se asgjë që lidhet me rezistencën e popullit tonë në periudhën 1988-1998 nuk mund të ndahet nga emri i Behajdin Allaqit. Me një fjalë, historia e re e Kosovës nuk mund të shkëputet nga emri i tij. Lavdi e përjetshme dëshmorit të kombit Behajdin Allaqit! Lavdi dëshmorve të kombit!”
(Burimi: https://pashtriku.org/index.php?kat=64&shkrimi=929)
***
Është e vërtetë që rezistenca e popullit tonë në periudhën 1988-1998 dhe rrjedhimisht historia më e re e Kosovës, nuk mund të ndahet, as të shkëputet nga emri i Behajdin Allaqit, ama nuk mund të heshtet pafundësisht e të mbetet misterioze e vërteta për vrasjen dhe zhdukjen pa gjurmë të tij nga “shokët” e pabesë të lëvizjes!
***
KËRKOHET NGA HASHIM THAҪI DHE KADRI VESELI ZBARDHJA E VRASJES ENIGMATIKE TË BEHAJDIN ALLAQIT
Tashmë është thënë publikisht në Kuvendin e Kosovës, në media të shkruara dhe elektronike se, Behjadin Allaqi në radhët e UҪK’së është kyqur më 11 qershor 1998 në fshatin Drenoc të Rahovecit, dhe se nga aty me Hashim Thaçin është nisur për në Kleçkë, ndërsa dëshmitarët okularë thonë se atë ditë Hashimin e shoqëronte edhe Kadri Veseli. Pastaj është shtruar pyetja (nga Liburn Aliu), cili është fati i Behajdin Hallaqit pas rrugëtimit të tij me Hashim Thaçin nga Drenovci në Kleçkë? Pastaj Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës më 26 shkurt 2016, pikërisht në seancën parlamentare kur po debatohet për bërjen e Hashim Thaçit president, thotë se Hashimi është personi i fundit që ka qenë me Behajdin Allaqin dhe “nuk tregohet se në cilën luftë, në cilën betejë, na paska rënë Behajdin Allaqi, i cili më pas u shpallë Hero i Kosovës”, dhe “heshtja…e bënë shumë të dyshimt këtë person, i cili ka qenë i fundit me Behajdin Allaqin, por nuk tregon se çfarë ka ndodhur me të.”
Për mënyrën se si është trajtuar dhe është marrë Behajdin Allaqi në Shtabin e UҪK’së në Drenoc nga Hashim Thaçi…, një dëshmitar i ngjarjes e ka njoftuar me kohë Ali Ahmetin kur ishte në Tiranë, dhe ai meqë ishte anëtar i Kryesisë së LPK’së dega jashtë vendit (e dalë nga M6P e KP të LPK’së, në maj 1998), këtë rast e prezenton menjëherë në Kryesinë e LPK’së D.j.v, e cila përbëhej nga: Bedri Islami, Jashar Salihu, Ibrahim Kelmendi, Sejdi Gega, Agush Buja dhe Ali Ahmeti.
Më 27.VII.1998, Xhemali Allaqi, vëllai i Behajdinit, i shkruan një letër Komandantit të Shtabit Lokal në Prizren, Remzi Ademaj – Petritit, të cilin e njofton kronologjikisht për rastin e Behajdinit dhe kërkon vendndodhjen e tij. Më 20.12.1998, Xhemaliu i drejtohet me një letër tjetër, Shtabit të Përgjithshëm të UҪK’së dhe Lëvizjes Popullore të Kosovës, ku kërkon sqarim për rrethanat e vrasjes dhe zhdukjen e Bahajdinit.
Pastaj, përveç familjes së Behajdinit (shoqes, vëllait dhe motrës së tij) për fatin e Behajdin Allaqit interesohen, edhe shokët e tij nga Rahoveci, si Muharrem Dina – ‘Mixha’ (tashmë i ndjerë), R.K dhe B.B. Madje ‘Mixha’ përmes një letre dërguar Kryesisë së LPK’së d.j.v dhe SHP të UҪK’së, e cila trajtohet edhe në një mbledhje të Kryesisë së LPK’së (më 11.11.1998 në Aarau të Zvicrës) kërkon të sqarohet deri në fund rasti i vrasjes së Behajdin Allaqit.
***
Në 54 vjetorin e lindjes së Veprimtarit të Lëvizjes, Behajdin Aallaqi, (7 prill 1963 – 7 prill 2017), kërkohet zbardhja e vrasjes së tij dhe sjellja para drejtësisë të kryesve të këtij krimi tinzarë!
Ilaz Kadolli

Gjaku nuk humbet kurrë! Për vrasjen tinzare të Behajdin Allaqit, para popullit dhe para ligjit duhet të japë llogari gjithë shtabi i UҪK-së që ishte në qershor të vitit 1998, ata që urdhëruan vrasjen, ata që kryen ekzekutimin dhe ata që kanë dijeni për krimin dhe nuk tregojnë. Eshtrat e Behajdinit duhet t’i kthehen popullit dhe familjes Allaqi. 28. März um 12:03.
***
Jahir Buduri
Përshëndes juve dhe atë kohë, kujtimi për Behadinin nuk shlyhet kurrë; e kishim shok të idealit dhe të familjes. – 28. März um 09:34.
***
Bes Prizreni
Profesor i imi, shok i idealit… Lavdi. – 28. März um 10:01.
***
Engjull Gjergjaj
Zoti ju ndihmoft ju familjareve se sa per qeta dy mos mani ymyt. Familjes Allaqi ngushllime. – 28. März um 11:46
***
Bahri Zenuni
Duhet te ndriçohet rasti i kolosit, gjenis së ilegales, strategut, Behajdin Allaqit. – 28. März um 13:08.

***

Jahir Buduri
“Virtyt i njerëzve të devotshëm, është familje e shëndosh në një vend të lirë…I tillë ishte Behadini, ai jeton me ne deri…!” – 28. März um 13:09
***
Rrushe Gashi
Krenare që pata nderin të jem nxënëse e këtij profesori të nderuar, i cili jo vetëm që ishte i zellshëm dhe i ndershëm në procesin mësimor, mbi të gjitha zgjonte ndjenjat patriotike të secili nxënës. U ndriçoft kontributi yt. Mos t’u harroft emri kurrë! – 28. März um 13:54
***
Shyqri Kuci
….ia patën frikën këtij burri, andaj e likuiduan. Po t’ishte Behajdini, këta matrapazët e kriminelët nuk do kishin vend në Kosovën e tij. Lavdi emrit dhe sakrificës së tij!
I paharruar kujtimi për Behajdinin! – 31. März um 00:03
***
Ibrahim Kelmendi
Gjaku humbet, kur nuk ka kush ti dali zot… – 28. März um 13:45.
***
Syle Mujaj
Kërkojmë të jepen e dorëzohen vrasësit e dëshmorit Behajdin Allaqit. 28. März um 14:26.
***
Metush Zenuni Dura
Ata që kanë informata duhet ti denoncojnë vrasësit në polici, por edhe të bëhet publike për opinion! – 28. März um 19:25.
***
Avdi Fejzaj

…Ata të cilët e kanë vrarë tinza…do të ju vie koha.. që do të Cofin si Ali Shukria.. në Beligrat….gjaku nuk humbë…! – 28. März um 23:53.
***
Syle Mujaj
të denohen shtyrësit në vrasjen e atdhetarit të dashur Behajdin Allaqit. – 4. April um 14:19.
***
Dritëro Kadolli
Unë kam pas fatin ta njohë personalisht veprimtarin Behadin Hallaqin, i cili edhe pse i ri në moshë ka qenë një djalë me tipare atedhtare e patriotike. I cili është burgosur së bashku me Hysen Gegën dhe Ilaz Kadollin, të cilët kanë qëndruar stoikisht para gjykatësve dhe torturës serbe e shqipetare. Urime Ditelindja Dëshmori pa varr. – 4. April um 23:08
***
Durmish Gashi
Dua që me rastin e ditëlindjes së shokut tonë të idealit, Behajdin Allaqi të falenderoj familjen e tij, por edhe mikun tim Sheradin Berisha, i cili po bën një punë të shkëlqyer përmes faqes së tij duke i kujtuar dhe respektuar njerëzit më meritor të kombit tonë. Familje e dashur e Behajdinit, të jeni krenar dhe ta kujtoni gjithmonë me nder. Përderisa vlera e të tjerëve bie teposhtë çdo ditë, figura e tij shkon duke u rritur, sepse ai ishte njeri me vlera të larta. – 6. April um 20:41
***
Më 27 mars 2016, bashkëveprimtari i Behajdin Allaqit, Ramadan Pllana, kërkon të ndriçohet vrasja enigmatike e Behajdinit.

Ai me këtë rast shkruan:
“Zvicër, 27. 03. 2016: Sivjet, në muajin qershor, mbushen 18 vjet nga vrasja enigmatike e atdhetarit dhe veprimtarit të paepur për çlirim dhe bashkim kombëtar, Behajdin Allaqit. Deri më sot është kërkuar kot ndriçimi i vrasjes së tij, sepse organet kompetente shtetërore i kanë «shti veshët në lesh», sikur ka thënë Heroi ynë Kombëtar, Hamëz Jashari. Një ndihmesë të rëndësishme për ndriçimin e kësaj figure kombëtare po e jep veprimtari i vyeshëm e i palodhur, Sheradin Berisha – nëpërmes portalit «Pashtriku.org».
***
Tani, kur me të drejtë flitet, shkruhet e kërkohet ndriçimi i vrasjes enigmatike të Behajdin Allaqit, mendoj se ka ardhur çasti kur e vërteta duhet të dalë në shesh. Natyrisht që edhe unë jam interesuar dhe kam diskutuar me shokë e miq për fatin tragjik të këtij bashkëveprimtari të denjë të çështjes sonë kombëtare, ndër ta me Destan Hajdinin, ish arsimtar i heroit kombëtar Ismet Jashari – Kumanova, me Murat Jasharin, vëllaun e heroit, Ismet Jashari- Kumanova, me bashkveprimtarin Murat Bytyqi e me disa të tjerë… Me brengat e përbashkëta për ta ndriçuar vdekjen enigmatike të tij, në radhë të parë kam biseduar me Binak Berishën, si afërm i tij, dhe kemi shtruar këtë pyetje parimore: Familjarët, miqtë dhe shokët e Behajdin Allaqit duan të dinë të vërtetën se, në çfarë rrethanash u vra ai, dhe ku e ka varrin?!
Mjaftë të dhëna për personalitetin e Behajdinit kanë shpërfaqur: Ramadan Avdiu, Fatmir Brajshori, Binak Berisha, Bardhyl Mahmuti, etj., por akuzat e Murat Jasharit për vrasjen e tij, që ia adreson, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, mendoj se është thirrja apo kërkesa më këmbëngulëse për ta ndriçuar këtë vrasje enigmatike. Prandaj me këtë rast edhe unë kërkoj që – VRASJA ENIGMATIKE E BEHAJDIN ALLAQIT TË NDRIÇOHET!”
(Burimi: https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5174)
***
Ashtu sikurse në përvjetorët e kaluar edhe në 54 vjetorin e lindjes së Behajdin Allaqit (07.04.1963 – 07.04.2017), si editor i pashtriku.org, kërkoj zëshëm nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli – ndriçimin e rrethanave të vrasjes së Behajdin Allaqit, vendrënien dhe eshtrat e tij, në mënyrë që të kemi një varr, ku mund të përkujtohet e nderohet nga familjarët dhe gjithë shqiptarët! / Sheradin Berisha /

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura