SI U VRA ISA BOLETINI NË JANAR TË VITIT 1916

SI U VRA ISA BOLETINI NË JANAR TË VITIT 1916

Nga Fatos Baxhaku, Pashtriku – 17 Korrik 2021

Karriera e njeriut që luftoi kundër turqve dhe malazezëve deri në vdekje

Isa Boletini lindi në kullën e Boletinëve, afër Mitrovicës, më 15 janar 1864. Vitet e rinisë i kaloi në vendlindje. Në prill të 1881 mori pjesë në betejën e Shlivovës, ku u ndeshën trupat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me ushtrinë osmane.

Në 1902 u emërua komandant i “rojeve arnaute” të Sulltan Abdyl Hamitit I. Gjatë qëndrimit të tij në Stamboll mori titullin “bej”. Në 1908-n, në fillim ishte në krahun e xhonturqve, megjithatë shpejt kjo lidhje u prish. Në nëntor 1908, Porta e Lartë dërgoi një ushtri prej 7 mijë ushtarësh për të nënshtruar Kosovën. Komandën e qëndresës antiosmane e mori në dorë Isa Boletini. Gjatë tërheqjes, osmanët i dogjën kullën në shenjë hakmarrjeje. Gjatë vitit 1909, Isa Boletini udhëhoqi kryengritjet e kosovarëve në Prishtinë, Prizren e gjetiu. Ishte një ndër udhëheqësit më kryesorë të kryengritjes së pranverës 1910. Nën drejtimin e tij, shqiptarët bllokuan për dy ditë në betejën e përgjakshme të Carralevës ushtritë osmane që po depërtonin në Kosovë.

Gjatë Luftës Ballkanike të 1912-s, ishte një ndër kryetarët më në zë të çetave në Kosovë. Në nëntor 1912, u vu menjëherë në mbrojtje të qeverisë së parë shqiptare, asaj të Ismail Qemalit. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar që shkoi në Londër për të mbrojtur ekzistencën e Shqipërisë së porsakrijuar. Në 1914 trupat e tij mbrojtën qeverinë e Princ Vidit.

“Baca Isë” është bërë i njohur edhe për ndodhinë që i ngjau në Londër. Teksa delegacioni shqiptar shkonte të takonte Eduard Grejin, ministër i Jashtëm asokohe i Mbretërisë, roja i kërkoi Isait me xhentilesë që të dorëzonte revolverin. Isai u bind pa fjalë. Pas bisedimeve Grej, si një anglez i vërtetë bëri shaka: Nesër gazetat do të shkruajnë se atë që nuk e bëri dot ushtria e pamat osmane, e bëra unë. Isa Boletini u çarmatos vetëm në Londër! Thonë se Isai është përgjigjur: Jo besa, as në Londër! Dhe ka nxjerrë një tjetër revolver që e mbante diku fshehur. Isa Boletini u vra bashkë me shtatë nga njerëzit e tij në Podgoricë, mbi Urën e Moraçës, më 23 janar 1916.

Si u vra Isa Boletini

Në shtator të vitit 1914, Princi Vilhelm von Vied u detyrua të largohej nga Shqipëria. Isa Boletini me njerëzit e tij, si dhe Bajram Curri, pajtuan me qira dy anije italiane, të cilat i çuan drejt Shëngjinit. Pagesa ishte 150 napolona ar.

Pas kësaj, kosovarët të sfilitur nga ethet malarike dhe nga lufta e gjatë, bëjnë një përpjekje gati titanike për t’u kthyer në vendet e tyre, por u penguan nga trupat malazeze që ndihmoheshin edhe nga Ceno bej Kryeziu. Kosova ndërkohë kishte rënë nën pushtimin serbo-malazez. Për një periudhë të gjatë Boletini dhe njerëzit e tij u endën nëpër malet e Veriut mes Kosovës, Hasit dhe Pukës, duke i shpëtuar pritave që u ngrinin armiqtë. Në fund të 1915-s mbërrin në Shkodër. Ishte bashkë me tre djemtë e tij, dy nipa dhe 100 luftëtarë besnikë. Shkodra e asaj kohe i ngjante një rrëmuje të vërtetë. Këtu përziheshin bashkë ushtarë të huaj, disa malësorë që ishin gënjyer nga Mali i Zi, esadistë, ish-ministra të Vidit, aventurierë lloj-lloj. Në këtë kohë, Isai dergjet i sëmurë në hotel “Parruca”.

Pak ditë më vonë ushtria malazeze shtiu në dorë Shkodrën. Me këtë rast, Knjaz Nikolla fali të gjithë ata persona që kishin luftuar me armë kundër tij, vetëm se krerët duhej të internoheshin në Podgoricë. Aqif Pashë Elbasani, Prenk Bibë Doda, Hilë Mosi e të tjerë pësuan këtë fat. Mes tyre ishte edhe Isa Boletini, me 40 njerëz nga të tijtë, por këta fillimisht i vendosën në Nikshiç e më pas në Danillovgrad. Një përpjekje e francezëve për ta nxjerrë nga Shkodra kishte përfunduar pa rezultat.

Në janar të 1916-s, ushtritë austro-hungareze po depërtonin në territorin malazez. Më 20 janar 1916 malazezët vendosin të transferojnë kosovarët në Podgoricë. Ndërsa austro-hungarezët avanconin, tri ditë më vonë do të ndodhte tragjedia. Më poshtë po citojmë kujtimet e Tafil Boletinit, nip i Isait, i vetmi i shpëtuar nga masakra:

“…Ndërkohë kasneci lajmëronte: Pushtet ma s’ka, gjithkushi nëpër shpija. Ushtria austriake asht hi në qytet. Gjandarmëria po mban qetësinë deri në dorëzim. Ajo detyrë i ishte ngarkue major Savo Llazareviç me dy batalione gjandarë. Ky kriminel i njoftun, po me këta gjandarë që quheshin ‘krillash’ (me krah), ka pasë me tmerrue me masakrime e vrasje, djegie, plaçkitje e me çdo lloj torturash barbare rrethet e Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, terror që shumë breza s’kanë me e harrue dhe historia kurrë. Këtë xhelat populli i atyne anëve e njef me emrin Savë Batarja, që e kishte fitue tue ba batare…

Të gjitha kryqet e rrugëve Savo i kishte xanë me patrulla të forta. Me nja 80 gjandarë kishte zanë pusi në të dy anët e urës së Ribnicës jo larg kishës katolike e karshi prefekturës… në ato momente mbërrin axha, po tue qenë ura në bërryl të rrugës nuk shifesh gja deri sa ka hip në urë. Me të hypë axha Isë në urë jepet shenji: Qe ky asht vetë Isa Boletini! Dhe prapa e nxanë urën. Kështu axha me Jonuzin me shokë rrethohen në hallkë. Oficeri komandues me za të naltë komandon: Predajte oruzhje! (Dorëzoni armët!). Axha Isa: Jo besa, kurrë s’ia kam dorëzue as mbretit, as kralit! Nagantin e mbante para dhetçes.

E para pushkë nga malazezët ka qenë e Pero Buriçit nga Vasoviçi. Në flakë të ksaj axha Isa me shokë iu bijnë atyne përqark. Edhe Jonuzi ka pasë dy revolverë, nagant e dhetçe. Krejt i kanë zbrazë, ndonëse të rrëzuem prej plumbave deri sa iu ka ra edhe me bomba dore. Çuni i axhës Isa, Halili, përveç revolverit iu ka ra edhe me bombën që ia pat marrë Niko gjandarit…

Mbrenda pak minutave tragjedia mbaroi.

U vra Isa vetë i tetë:

1. Isa Boletini, vjeç 51.

2. Halili, i biri, vjeç 24.

3. Seidi, i biri, vjeç 18, student në Vjenë.

4. Jonuzi, nipi, vjeç 26.

5. Halili, nipi, vjeç 24.

6. Hajdar Selim Radisheva, kunat i axhës dhe dhandërr, vjeç 30.

7. Idris Bislimi, nipi i Hajdarit, vjeç 18.

8. Misin Niman Bala nga Isniqi, kushëri, vjeç 26.

Seidi, tue shkue prapa axhës Isa, mbasi e vret gjandarin që e kishte përpara ia kap pushkën e tij dhe vritet tue shti me ata fishekë që i kishte pushka. Misin Nimani, ndonëse nuk ka pasë pushkë, deri sa e kanë rrxue plumbat ka qindrue në kam pranë axhës. Në këtë duel grykë për grykë nga malazezët u vranë 7-8 vetë e 12-13 u plagosën, kryesisht nga ata trima që kishin ba gara se kush i del Isa Boletinit përpara e që kishin sulmue të parët.

Ministrat e Malit të Zi të larguem nga Cetina, të grumbulluem në prefekturë, fillim e mbarim e kanë shijue nga penxherët këtë dramë tragjike, që zhvillohesh trup me trup në krye të urës, bash në sheshin para prefekturës…

Unë në këtë moment ndodhesha në pjacë, në berberhane të Maliq Shkodranit, ku i kisha qethë flokët. Kur krisi pushka u ba nji panik i madh. Populli i grumbulluem rrugave për me pa ushtrinë austriake tue hi në qytet, i alarmuem, u shpërnda pikë e pesë, se kah mujte me ikë. Njiheri u dëgjuan zanat e oficerave: Nedajtene oruzhje, napadeshe kaçaçi! (O burra kapni armët, se na ranë kaçakët!). Kaçak iu thonin shqiptarëve. Masa e popullit këtë propagandë që e kishte digjue përpara, me tamam e besoi. Vraponin poshtë e lart si të hutuem, dyqanet mbylleshin, gjandarët në kamiona vrapojshin rrugave, tue shti me mitraloza në ajër, po ashtu edhe patrullat nëpër rruga shtishin kot, tue alarmue popullin, se gjoja na ranë kaçakët e malsorët… Ndërkohë me vrap u fut në dyqan major Misin Serezi, edhe ai i internuem. Kur më pa mue u nxi edhe më tepër. E pyeta: Zoti major, a patë gja ju, se unë nuk pashë gja se ç’po bahet? Tha: Jo. E pyeta: Po ça po thonë se na ranë shqiptarët? Atëherë majori mu përgjigj: Ç’thue more, çfarë shqiptarësh! Dhe shtoi turqisht: Isa bej i lë bereber bytyn sizinqilerini vurdiler! (Bashkë me Isa begun të gjithë tuajt u vranë!). Lajm i tmerrshëm e i paharrueshëm për mue sa të jetë jeta. Perëndia mos i baftë kurrkujt kësmet nji lajm kaq të zi. Leshrat e kresë mu ngrehën përpjetë…”.

____________

(Për këtë shkrim u përdorën materiale nga Tafil Boletini, Kujtime, përgatiti për botim prof. dr. Marenglen Verli, Botimpex, Tiranë 2003; Skënder Luarasi, Tri jetë, Migjeni, Tiranë 2007).

RRUGËTIMI I ESHTRAVE TË ISA BOLETINIT

Pashtriku, 17 Korrik 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura