SKËNDER SADRI KAPITI: NË SHQIPËRI SIGURIA MË E SIGURTË ËSHTË PASIGURIA!

Durrës, 11 tetor 2018: Njerëzit organizohen në shoqëri dhe hyjnë, përpiqen, luftojnë e ndërtojnë shtetin e tyre kombëtar për të qenë të sigurtë në shtetin e tyre sovran dhe të pavarur nga pushtuesi i huaj. Ndertojnë dhe kontribuojnë dhe e mbajnë shtetin për sigurinë e jetës nga kërcënimi prej njëri – tjetrit, prej më të fortëve dhe për të ushtruar lirshëm aktivitetin e tyre jetësor dhe me mirëqënie.
Jeta njerëzore është përpjekje e pandërprerë për konsolidimin e shtetit për lirinë dhe për sigurinë për një të ardhme gjithmonë e më të mirë.
Shteti është projektuar nga Zoti (njeriu – sh.b) për tu shërbyer njerëzve; për tu siguruar atyre lirinë , të drejtat dhe sigurinë për jetën, sigurinë juridike, sigurinë për pronën e pasurinë, sigurinë e dinjitetit e të personalitetit dhe atë ekonomike.
Para shtetit e para drejtësisë e ligjit të gjithë duhet të jenë të barabartë për zhvillimin e meritës e të talentit, dhuntisë e intelektit, për zhvillimin e lirë të kompetencës dhe të aftësive fizike, mendore, profesionale, biznesi dhe politike.
Para shtetit e para ligjit të gjithë duhet të binden, të respektojnë dhe të japin e të përgjigjen për veprimet e sjelljet të cilat shkelin te drejten shtetërore , ato të të tjerëve dhe për veprime të tjera dëmshme antiligjore si krimet gjithfarëshe, hajdutërinë, korrupsionin, mashtrimin, tradhëtinë kombëtare etj. Vetëm një shtet i tillë garanton dhe siguron sigurinë e individit e të shoqërisë si dhe qëndrueshmërinë, stabilitetin e prosperitetin edhe të vetë shtetit të qytetarëve.

Shteti nuk ka kuptim pa drejtësinë dhe shteti identifikohet me drejtësinë.
Dhe shteti në të cilin nuk qeveris e nuk sundon drejtësia e ligji njëlloj për të gjithë antarët e atij shteti, dhe në atë shtet poqese drejtesia nuk siguron ato për të cilat shteti duhet t’u sigurojë drejtësia e tij qytetarëve të vet, ai shtet rrënohet, bie dhe bëhet i urryer prej banorëve të tij.
Shqiptarët në Shqipëri, në shtetin e tyre janë të kërcënuar nga padrejtësitë, prej padrejtësive politike dhe prej padrejtësive të pushtetit e të drejtësisë politike, korruptive dhe të kriminalizuar .
“Më të fortët” e antiligjit dhe të antishtetit të Shtetit në Shqipëri por edhe në Kosovë janë politika, pushteti dhe drejtësia të cilët sundojnë së prapthi me ligjin duke bërë krimin, papërgjegjshmërinë, hajdutërinë, dhe me ligjin ata vetëm sa mbrojnë veten, bëjnë vetëgjyqësinë me drejtësinë duke mos pyetur dhe as duke mos pasur as respekt dhe as frikë para ligjit, shtetit dhe drejtësisë.
Pra më të fortët e shtetit shqiptar si politika, pushteti, drejtësia dhe krimi ordiner e korrupsioni e kanë të sigurtë sigurinë e mosndëshkimit dhe papërgjegjshmërinë për të bërë padrejtësitë, zullumet, vjedhjen dhe grabitjen me ligj e paligj, me shtet e me pushtet.
Ndërsa për qytetarët shqiptarë Siguria më e Sigurtë është Pasiguria.
Prej padrejtësive të politikës dhe të drejtësisë së korruptuar, të kriminalizuar, prej hajdutërisë, dhe prej pasigurive për jetën, punën, pronën, për arsimimin, për shëndetin; prej pasigurisë ekonomike ,prej pasigurisë politike e juridike shqiptarët si nga Shqipëria dhe nga Kosova kanë gjetur rrugën e sigurimit dhe të garantimit të tyre, kanë gjetur si zgjidhje largimin nga Shqipëria për në vendet e Europës Perendimore dhe SHBA.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura