SOFRA E SHTRUAR E FOLKLORIT BURIMOR

SOFRA E SHTRUAR E FOLKLORIT BURIMOR

Nga Hamdi Hysuka, Mat 09. 04. 2023

Udhëtimi im i parë jashtë shtetit ka qënë në vitin 2005, në moshën 54-vjeçare, me kolektivin e mësuesve të gjimnazeve “Pjetër Budi” dhe “28 Nëntori” të Burrelit, sponsorizuar deputeti i Matit, z. Qemal Minxhozi, sot ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës. S’më harrohet, shijuam ditë të bukur në qytetet kryesore shqiptare, deri në Shkup të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Pas kalimit nëpër qytetin e Dibrës së Madhe dhe përmes Mavrovës turistike, ndalesën e parë për pushim, argëtim e fjetje, e bëmë në Gostivar, qytet me vlera historike dhe kulturore. Akoma s’e harroj hotelin ku hëngrëm darkë, ku u argëtuam dhe vetes i lejuam pak orë gjumi. Sikur të kishin gojë mjediset e atij hoteli dhe restoranti, ku hëngrëm pak e vallëzuam shumë, “marrëzitë” e asaj nate klasifikohen dëshmi për vepër “penale”, sepse… “njollosëm” figurën morale të mësimdhënësit në gjimnaz. Siç ishim, (të izoluar), për herë të parë në Gostivar “shijuam” jetën e munguar liberale.

Vazhdimi të nesërmen i udhëtimit tim me kolegët mësues të gjimnazit drejt Shkupit, qytet i ndarë në dy pjesë nga lumi Vardar, më bëri më romantik. Nga ajo ditë veçoj takimin me Shtëpinë Përkujtimore “Nënë Tereza”, (Agnesa Gonxhe Bojaxhiu), në qytetin e saj të lindjes, ku jetoi nga viti 1910 deri më 1928, humanitare dhe fituese e Çmimit “Nobel” për Paqe në vitin 1979.

Gjatë kohës së lirë s’dinim ç’të shihnim më parë. Por u mahnitëm, saqë “antenat” i drejtuam nga historia, pa lënë mënjanë pozitën gjeografike. Në kthim, së pari vizituam Strugën, qytet piktoresk rreth bregut të Liqenit të Ohrit, me bukuri tërheqëse; pazarin e vjetër, xhamitë dhe kishat. Qyteti i tëri na bëri për vete.

Koha e drekës ishte vizitë dhe ndalesë në liqenin e Ohrit. Bashkë me kolegët arsimtarë të gjimnazit “28 Nëntori”, ecëm rrugëve me kalldrëm. Prapa lamë dyqane, restorante, monumente historike, kisha, objekte karakteristike të papara ndonjëherë. Ndalesa aty na mbushi me frymëzim, por na la me sy e mendje nga ana tjetër e liqenit, afër Pogradecit. I njejti vend, i njejti liqen Ohër… Njerëz këndej dhe njerëz andej, ujë e tokë andej nga ata, ujë e tokë këndej nga ne… Akoma kontrast i dy anëve të një liqeni, i ndarë në dy shtete, vazhdon… Megjithatë Ohri atëherë na priti si nxënës kureshtarë, por mendja na mbeti te Shën-Naumi, manastir ortodoks, “zonë e ndaluar”, të cilin s’arritëm ta vizitonim.

Shumë vite kanë kaluar, plot shtatëmbëdhjetë. Nga udhëtimet e mia vijuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut veçoj udhëtimet letrare në Tetovë për të marrë pjesë në festivalet e poezisë së Shoqatave të Shkrimtarëve “Oeneum” dhe “Menada”. Në emër të Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat kam përcjell atmosferën e atjeshme të manifestimeve letrare. Edicioni i pestë, “Takimet Poetike në Sharr” 2022, ishte kulturor tradicional, me karakter ballkanik, në të cilin konkurova me poezinë fituese “Florinjtë e mi”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura