SYLË ZARBINCA: REXHEP MALA NË KUJTIMET E MIA!

Gjilan, 4 korrik 2020: Kur takoheshe me Rexhep Malën e para që të bënte përshtypje te ai, ishin sytë e tij. Nuk kam parë deri më sot sy sikur të Rexhep Malës, që përnjiherë ishin aq të butë e dashamir dhe në të njejtën kohë me nji dritë të veçantë guximi, trishtimi dhe diçkaje të pa përcaktuar. Përveç syve, ai të bënte përshtypje me të qeshurën e tij, sepse ai nuk buzëqeshte por shpërthente me nji të qeshur sikur kur burojnë krojet, ose ma saktë sikur shemben kodërat prej tërmetit. E qeshura e tij që dilte prej shpirtit, të bënte ta kuptoje se ky njeri në qenjen e tij nuk e ka as nji grimcë të të keqes.
Prej vitit 1983 kur e kam takuar disa herë në Gjilan, edhe pas rënjes së tij në Prishtinë në dimër të vitit 1984, gjithmonë e kam kujtuar ashtu të gjall, të bukur, me sy të veçantë dhe me të qeshurën e tij të fuqishme, sikur donte me na shkund neve të gjallëve nga kotësitë e kësaj bote. Nëse motra e babës halla Lalifere nuk do të jetonte në Gjilan, dhe nëse nuk do të ishte e bija e vetme e Sylë Zarbincës, jeta ime do të kishte tjetër rrjedhë, si do të dukej nuk e di, por do të kishte rrjedh në binar të tjerë. Pikërisht në atë shtëpi të vjetër në rrugën Avdullah Presheva në Gjilan e kam takuar Rexhep Malën, kur u lirua nga burgu në mes të vitit 1983.
Rexhep Malën e kam takuar disa herë deri kah muaj tetor ose edhe pak ma vonë, kur nuk u duk ma në publikë. E kujtoi për gjëra të përditshmërisë, por që kur i thonte ose i bënte ai merrnin tjetër ngjyrë. Në atë kohë motra ime Nazlija ishte nxënëse e shkollës së mesme dhe banonte te axha Selman dhe halla Lalifere. Kur mbeteshim vetëm unë, halla dhe motra, shpesh diskutonim për Rexhepin dhe disi nuk i kapnim fijet ku fillonin përmasat e tij të njeriut të rëndomtë dhe të heroit. Halla Lalifere e njihte qysh prej rinisë së hershme, pasi ishin shokë me djalin e saj Ilmiun i cili ishte në burgun e dytë politikë.

Rexhep Mala dhe Ilmi Ramadani

Nji mbrëmje qëndronim me axhën Selk, hallën Lalifere dhe motrën Nazlije, veç kur hyri Rexhepi sikur kur hyn nji furtunë. Ende pa u ulë mirë mu drejtua ,,Sylë po shkon flakë e zjarr,,. Nëpër mes të radio Tiranës kishte qenë tu u dhanë nji koncert dhe fjalën e kishte për te. U ulë në mes nesh dhe ja nisi bisedës me humor. Axha Selk po i thotë hallës ,,shko sillja Rexhepit do tatli (lloj ëmbëlsirë).
Halla Lalife shkoi dhe e kishte sjell nji copë të vogël me nji pjatë, dhe ja lëshoj përpara në tavolinë. Rexhepi e mori atë pjesë dhe e ndau në pjesë të vogëla e deshti me na i dhënë neve sejcilit nga nji pjesë. Ky gjest i vogël në dukje e nxirrte në shesh shpirtin e tij të madh.
Edhe sot e kam parasysh kur e ndante ëmbëlsirën me pirunë dhe ne e shiqonim me nji simpati të veçantë, për atë gjest të vogël që fliste se përpara e ke nji njeri jo të rëndomtë.
Shpesh herë ne gjatë jetës nuk i vrejmë gjestet e vogëla, që flasin shumë për karakterin e tjetërit dhe tonin në të njejtën kohë. Axha Selman atë vit e ndërtonte nji shtëpi, pjesërisht me forcat e veta e pjesërisht me ndihmën e miqëve dhe të shokëve. Nji ditë prej ditësh për me ndihmua erdhën disa miq e shokë, e në mesin e tyre ishte edhe Rexhep Mala. Punuam prej mëngjesit deri në mbrëmje.
Ajo çka më ka mbetur në kujtes prej asaj dite është momenti i drekës. Ende nuk e kam kuptuar, pse Rexhep Mala e kishte tërë atë zell me ju shërbye atyre njerëzve me aq dashuri dhe respekt. Nuk e besoj që ata që kanë qenë aty do ta kenë harruar atë drekë, sidomos kur kanë dëgjuar ma vonë për Epopen e Rexhep Malës, së bashku me Nuhi Berishën në Prishtinë.
Ndoshta Rexhepi donte që axhës Selman t’ja largonte ndjenjën e mungesës së djalit të burgosur, apo ndoshta në nënvetdije duke e pasur parasysh punën e tij revolucionare, donte të mbetej në kujtesë te ata njerëz, këtë nuk e kam kuptuar kurrë. (Kur punonim nuk pinte ujë kurrë i pari, pa na e dhënë neve ma parë. Njiherë i thash ,,O Rexhep ti po kalon kështu në krishtenizëm,,. Më shiqoi me dashuri por nuk tha asgja…).
Rexhep Malën tash është e ditur se gjatë hetimeve të viteve të 70’eta, në hetuesin e Prishtinës e kishin torturuar shumë. Aty e kishte treguar veten se është revolucionar dhe se do të vdiste si i tillë.
Halla Lalifere ishte shumë e afërt me Rexhepin dhe e konsideronte si djalin e saj. Ajo kur bisedonim, gjithënji shprehte drojën se nëse do të kishte tentime me arrestue prap, nuk do të dorzohej i gjall. Këtë e bazonte sepse i kishte pas thënë me nji mbrëmje ,,Oj nana e Ilmis (sepse ashtu quante hallën), unë i gjall ma nuk bie në dorë UDB-ës gjakatare,, dhe me atë rast e kishin pas nxjerr revolen dhe ja kish pas demostrue vetëvrasjen, e vuri tregonte halla revolen në tamth.
Sa herë e tregonte këtë ngjarje, halla Lalifere në fytyrë merrte nji pamje shumë pikëlluese. Rexhep Mala më ka pas porosit që ta studjoj historinë. Nuk e kam kuptuar pse më ka pas thënë që ,,prej burgut të Prishitnës nuk mundet me u arratisur askush nëse nuk të lirojnë,,. Ka pas shprehur keqardhje, që shqiptarët shumë kund nëpër Jugosllavi, përveç punëve të rënda, detyrohen me shitë edhe gjakun e vet për pak para…
Rexhep Malën e kam takuar pak pa ra në ilegalitet, dhe në fytyrë i shifej nji shqetësim i theksuar. Kur u mbyll dera dhe mbetëm në oborr së bashku me axhën Selman, na u duk se diçka na ra prej qiellit dhe na zuri përjetësisht në oborr, për mos me e harrue atë çast.
Rexhap Mala ra heroikishit së bashku me Nuhi Berishën në vitin 1984. Së bashku me hallën Lalifere, me motrën Nazlije por edhe me Arbreshin që ishte ende fëmijë e kemi pas qarë me kuje si njeriun tonë, si djalin tonë, si vëllaun tonë… Ende e qajmë dhe e kujtojmë! Ndërsa populli e këndoi në këngë dhe me emrin e tij rinia e vazhdoi luftën… (Rexhep Mala është shpall hero i Kosovës, janë shkruar për te libëra, janë kënduar këngë, janë ngrit buste… Kam lexuar se tash së fundi po i ngritet nji Kullë Muze në Hogosht… Rexhep Malës do t’i pëlqente me e kënduar në këngë, me i thurrë vargje… Nuk do t’i pëlqente me ja tepruar lavdet.
Mbi të gjitha nuk besoj që do t’i pëlqente kjo puna e kullës. Kur thua Kullë, rinia mundet ta mendoj Rexhep Malën si nji plak 80 vjeçar i ulur në ballë të oxhakut tu pi duhan me llullë, mustaqet bigë… Rexhep Mala nuk ka pas fare kullë,e ka pas nji shtëpi të përbashkët në Gjilan, ku nuk i ka ra shumë me jetue aty… Rexhep Mala ishte nxënës, student, mësues, Rexhep Mala mbi të gjitha, ishte revolucionar urban… Rexhep Mala ka mbetur përjetësisht i ri sepse ka ra në moshën 33 vjeçare… Lavdi kujtimit jetës dhe veprës së tij!

Nga Kajo Karanfili!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura