SYLEJMAN PIREVA: PRISHTINA PARA BRUKSELIT!

Prishtinë, 28. 04. 2013 – Nuk jam bash i sigurt se cila ngjarje do të trajtohet më historike: marrëveshja e Brukselit apo e marreveshja e Prishtinës! Se ‘historike’, po se po, tashmë po dihet kjo punë, edhe e para edhe e dyta! Por le ta zëmë që historianët tanë, patriotë siç janë, më parë do të përcaktohen për marrëveshjen vendore-kombëtare të Prishtinës se për atë ndërshtetrore-ndërkombëtare të Brukselit. Dhe plotësisht e arsyeshme! Ku mund të krahasohet një marrëveshjë e nënshkruar midis dy politikanëve dhe një politikaneje me rezolutën e një parlamenti që e votojne 89 figura, ndër më të zgjedhurit dhe më të ndriturit e atdheut tonë të lashtë, të hunit dhe të konopit, siç e thotë një fjalë e popullit tonë edhe më të lashtë! Qysh mund të merret më historike një marrëveshje e nënshkruar vetëm prej një dore të një përfaqësuesi të atdheut të shqipeve, qoftë ai edhe kryeministër, para një rezolute të ‘djersitur’ prej jacisë e deri në ferk të sabahit, pa pasur vakt me i mëshelë sytë as për një sekondë! Dhe nëse shumë herë i ka mashtruar gjumi deputetët tanë në senacat e mëparshme, madje në pikë të ditës, këtë natë ‘historike’ nuk kishte ngjarë kjo!
Por le të vazhdojmë ku mbetëm me historianët. S’është e mundur kjo dhe nuk ka kurrfarë logjike! Le të bëjnë çfarë të duan historianët e Evropës apo të Amerikës, por ne, me historianët tanë patriotë, kurrë s’do të lejojmë që ta qesin marrëveshjen e Brukselit para kësaj tonës, më falni, para kësaj të deputetëve të popullit tonë, pra të marreveshjes së Prishtinës! Punë e madhe nëse ajo është arritur disa orë para kësaj tonës, më falni përsëri, para kësaj të deputetëve të popullit tonë, të marreveshjes së Prishtinës! Nuk ka rëndësi këtu cila është arritur më përpara apo më mbrapa, rëndësi ka pesha historike e ngjarjes! E këtu jemi të pakompromis, nuk lëshojmë pe! Veç ndaluni njëherë, e analizoni, se çfarë figurash dhe me çfarë gjuhe ju drejtuan popullit të vet ligjvënësit tanë! Komandantë të luftës, gjeneralë, doktorë shkencash, akademikë, ish të burgosur politikë, kryeminista, zëvendëkryeministra të parë, ministra… e çfarë jo tjetër! Lum ky popull që i ka! Secili më bylbyl se tjetri! Po duhet lutur bre Perëndinë pesë herë në ditë që të mos i gjejë ndonjë e keqe dhe t’u jepë ymer sa më të gjatë! Që të mund ta presin në të gjallë të tyre ditën e hyrjes në faqet e historisë sonë të ‘lavdishme’, të shkruar nga historianët tanë të zgjedhur dhe patriot! Prandaj, marrëveshja e Prishtinës ia tejkalon njëqind herë asaj të Brukselit! S’ka kush që mund të më bindë për të kundërtën!

Ç’është e vërteta, këta deputetët e VETËVENDOSJES! sikur të mos ishin as fis as farë me shumicën e deputetëve të partive të tjera, qoftë pozitare apo opozitare! Këmbëngulsia dhe vendosmëria e tyre, duke bërë thirrje për të mos e votuar marrëveshjen e ‘famshme’ të arritur në Bruksel, si dhe argumentet e tyre të fuqishme dhe kryeneçe, të bindnin fort se ata kishin të drejtë, se kjo marrëveshje e arritur është me sherr dhe ka bishtin mrapa, prandaj pranimi i saj do të kishte pasoja të pariparueshme! Dhe këtë jo që nuk e kuptonin edhe shumica e deputetëve të tjerë! Mund të thuhet se në heshtje ia pranonin VETËVENDOSJES! Dhe mu këtu qëndron misteri i gjithë kësaj fatkeqësie: nuk ka argumente të tjera që do t’i rrëzonte ato të VETEVENDOSJES!, sepse ato ishin të sakta dhe të pamoheshme, por përkundër gjithë kesaj marrëveshja e Brukselit duhej votuar!!! Sepse, sipas Thaçit, “kaq na qenka kaçiku jonë!”. Nuk shembet muri me kokë! Mirëpo kur ky kryeministër pati pranuar çëshjen e dialogut, ai e pati nisur me pompozitet, sikur ta kishte kaçikun e një luani, kurse tash në përfundim, “kaq ishte kaçiku jonë!”, as sa kaçiku i një bretkoce! E tash vjen pyetja: kush u dashka paguar llogaritë e gabimeve në këtë fatkeqësi të kaçikut tonë të vogël?! Dihet, populli dhe atdheu ynë dhe askush tjetër! Mjaft kanë paguar për ne Amerika dhe Evropa!!!
Dorën në zemër, kishte aty-këtu edhe ndonjë zë nga deputetë të partive të tjera, brenda dhe jashtë koalicionit që u jepte të drejtë dhe i mbështetnin kolegët e VETËVENDOSJES!, por ishin të paktë dhe kishte ndonjë prej tyre që këtë e bënte më tepër për të mos e njollosur biografinë e vet, se sa që ia thoshte zemra! Dhe kjo u vërejt më së miri pas verifikimit të atyre që kishin votuar për marrëveshjen e përfolur! Paj “me rrenë nuk shkohet në xhenet!” – thotë një fjalë popullore.
Edhe diçka për deputetët e VETËVENDOSJES!: pas votimit të rezolutës ’historike’ të Prishtinës, kur bisedon me njerëzit për qëndrimet e tyre dhe argumentet e qitura kundër argumenteve të paqëndrueshme të palës tjetër, shumica prej tyre u jepin të drejtë dhe shfaqin një admirim të madh dhe në rritje ndaj tyre dhe sikur ua kanë lakmi dhe do të dëshironin të ishin në vendin e tyre!
Dhe krejt në fund: kur ndalesh dhe analizon gjithë atë tragjikomedi të dale nga diskutimet e deputetëve të pakurriz, duke u munduar për t’ia mbushur mendjen opinionit se po bënin një punë të madhe me pranimin e marrëveshjes ‘famoze’, sidomos ata të partive opozitare, nis të dyshosh se mos këta njerëz kanë probleme me potencën, aq ulët të ketë rënë nefci i tyre?! Por jo, jo! Janë të tjera interesa që ata i motivon të bëjnë të kundërtën e asaj që u dikton arsyeja! Larg ia presin rrugën ata të së ardhshmes, është kryekëput intersi material! Nuk janë aq të shumtë ata që për interesin e atdheut flijojnë veten, përkundrazi, për interesin personal flijojnë fe dhe atdhe! U pa kjo tash fare qartë! Aq më pak mund t’i gjesh në mesin e deputetëve që u ka besuar populli të cilët i ka zgjedhur (nëse i ka zgjedhur?!)! Siç e flijuan pjesën e veriu të atdheut, ku mall do ta ketë ushtari i Kosovës ta shkelë me uniformë ndonjë cep të asaj ane! Veç n’u baftë tebdil e me i ra një herë tinzisht, por me kusht që di ta flasë gjuhën e “bashkësisë”, se vaj halli pastaj!

=======================

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
DEPUTETËT QË VOTUAN KUNDËR MARRËVESHJES

Kuvendi i Kosovës me 89 vota për, 5 kundër, një abstenim e ka miratuar të dielën mbrëma marrëveshjen e arritur në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kundër marrëveshjes votuan: Jakup Krasniqi-PDK, Vjosa Osmani- LDK, Emin Gerbeshi- deputet i pavarur, Aurora Bakalli-LB, Agim Kuleta- LB, ndërsa Hydajet Hyseni nga PDK-ja ka abstenuar.

Kuvendi i Kosoves 22.04.2013 – Votohet Marreveshja Kosove – Serbi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura