Nga Rexhep Kasumaj Fror, 2024
Takimet e Tiranës
(Një vështrim i qetë)
1.
“Nuk do t’a harrojmë kurrë qëndrimin e ngrohtë të shqiptarëve ndaj Ukrainës.”
Kështu, një një moment emocional, u shpreh Wolodimir Zelenski, president e prijës lufte çlirimtare.
E di, në politikë s’mendohet me zemër. Domethënë reflektimi, është, dendur, pragmatik e rrallëherë parimor e i pathyeshëm.
Por, sërish, a duhet dhe shqiptarët të kujtojnë Ukrainën? Kohën kur vetë vuanin kalvarin e vdekjes për liri?
Gjithësesi! Veçse jo për qëndrimin e ngrohtë të popullit të saj. Sepse, thjeshtë, në vend të ngrohtësisë, vinin armë për gjaksin tonë shekullor.
Mjerisht!
Dhe tani një strategji e re kthestare flakëron në horizont: Ukraina hyn në gjeopolitikën e Ballkanit juglindor.
Dhe fillon në Tiranë.
Tash 20 e ca vjet, hynte poashtu. Por stacioni qendror i saj ishte në Belgrad dhe aty, ne terr mesjete, farkoheshin interesat komplementarë.
Harresa, thonë, i bën dëm higjienës kombëtare.
2.
Ndodh shpesh të dëgjoj, në punë, bisedë të afërt përzemërsie mes kolegeve ruse e ukrainëse.
Ah, kohë e zymtë, por thashë, njerëzore është sigurisht.
Ndërkaq, një ag të bukur dimri, kur dielli shëndriste ftohtë, tani dy ukrainëse borëbardha kuvendonin plot afsh.
I kuptoja. Flisnin për atdheun e larë në gjak.
Histori e përjetuar.
Meqë unë nuk vërej dot dallimin, i pyes: në ç’gjuhë po flisni?
Njëra prej tyre (L.) tha: rusisht!
Si kështu, përse, them pak habitshëm.
Pastaj ishte tjetra (N.) që, në përpjekje justifikimi, do ndërhynte shpejt.
Po ne, vijoi ajo, në Ukrainë, në Kijev madje, flisnim qysh herët rusisht.
Pyetja ime mbeti e njëjtë: përse, por, tashmë, njëj toni të prerë.
Por, e dini, se ukrainishtja cilësohej një gjuhë fshatarësie, e vjetër dhe e pakultivuar. Ndaj dhe në publik, sidomos në rrethet e epërme, flitej kudo rusisht.
U përpoqa të kisha mirëkuptim për ndjesinë e panevojshme inferiore (nëse jo shfytyrimin e
afërvdekshëm) që ishte strukur si hije në shpirtin e tyre, e nuk tretej dot.
3.
Mirëpo, hebreut të mirë Wolodimir, i uroj ngadhnjim e, pra, shpartallimin e Rusisë.
Një armike e tij dhe shqiptarëve.
Për shqiptarët, armike natyrale, përsakohë është mike, poashtu natyrale, e Serbisë.
Për Ukrainën? Nuk e di.
Po, fundja, uresën time do t’gëzojë kushdo që hap, epokalisht, këtë faqe të bukur historie.
Në fakt, kjo është prirja e kulturë sime të lirisë.
Rusia është fuqia e vetme koloniale në Europë dhe perandoria më e vjetër, që ende mbahet, në botë.
A nuk janë të mjafta këto dy arsye dialektike për të prekur ngadalë fundin e vet?