I PATHYESHMI

I PATHYESHMI

Nga Margarita Syziu,  Toronto (Kanada) 6 Mars 2023

Kushtuar Mehmet Hajrizit, në ditën e shenjtë të mësuesit, në 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe në 75- vjetorin e lindjes.

Më ka emocionuar pa masë një poezi e brishtë, e ndjerë, e shkruar me lot në sy e dhimbje në shpirt, nga një vajzë shumë e vogël në atë kohë (Kimete Krasniqi) kur bishat milicore hynë në klasë dhe e arrestuan përpara nxënësve, mësuesin e tyre aq të dashur, Mehmet Hajrizin.

Aty mbi tavolinë

Të mbeti ditari

E ne të trishtuar

Filluam së qari

Dëshiroja ta theksoja këtë ndodhi, sepse Mehmet Hajrizi para së gjithash ka qenë mësues. Mësues i gjuhës shqipe. Mësues në kuptimin më të gjerë e më të bukur të kësaj fjale, ashtu siç kanë qenë dhjetëra e qindra mësues në mbarë Kosovën, që bënë sakrifica të pabesueshme, për të ruajtur gjuhën shqipe, shkollën shqipe dhe identitetin kombëtar. Sot, në këtë ditë feste, nderimi ynë shkon për të gjithë ata.

Por unë doja ta nisja këtë shkrim me fjalët përmbyllëse të intervistës që Adnan Merovci bëri në muajin shkurt të këtij viti me Mehmet Hajrizin:

– Shikues të nderuar, ky është Mehmet Hajrizi; I saktë, i shkurtër, fjalëpakë, por punë shumë. Një njeri i devotshëm i çështjes kombëtare. Ju, gjeneratat e reja, mos e harroni këtë emër: Mehmet Hajrizi.

***

FAKTE: Mehmet HAJRIZI për dekadën çlirimit të Kosovës

***

Këtij mesazhi kaq të bukur, unë do t’i mëshoja edhe më shumë. Jo vetëm gjeneratat e reja duhet të mos e harrojnë këtë emër. Por edhe ata që e njohin mirë veprimtarinë e tij për çështjen kombëtare, dënimet e tij nga regjimi serb, arrestimin përpara nxënësve dhe burgun e gjatë. Edhe ata që i njohin mirë sakrificat e bashkëveprimtares dhe bashkëvuajtëses, shoqes së jetës dhe të idealit, Haxhere Hajrizit, por edhe sakrificën e gjithë familjes, dhimbjet dhe mungesat e fëmijëve që u rritën pa babanë. E të tjera e të tjera.

Mehmeti e kishte ndjerë shumë herët peshën e madhe të pushtimit. E kishte provuar në familjen e tij, tek njerëzit e tij më të shtrenjtë. Sidomos kur i arrestuan vëllain e madh Zeqirin. E arrestuan se bashku me djalin e axhës Zenel Hajrizin dhe dajën, Banush Ademin. I dënuan me burgim të rëndë në Goli Otokun, i njohur si një nga burgjet më të tmerrshëm të Jugosllavisë. Dhe urrejtja sa vinte e shtohej në shpirtin e djaloshit. Por vetëm urrejtja nuk mjaftonte. Tradita e fortë patriotike e familjes së madhe Hajrizi  dhe sidomos ndikimi që pati tek ai vëllai i madh Zeqiri, një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, ishin vendimtare në formimin e tij patriotik e atdhetar. Por ai do shkonte shumë më larg.

 Ai e ndjeu qysh në shkollën normale nevojën e një organizimi tepër serioz të një fronti rezistence kundër pushtuesit. Dhe me 3 mars 1973, në shtëpinë e vëllait Bahtir Hajrizi në Prishtinë, u formua organizata Grupi revolucionar i Kosovës, një nga organizatat me serioze me jetën më të gjatë në historinë e lëvizjes ilegale. E vlerësuar si “Bërthama e revolucionit në Kosovë”.  Një vit kjo organizatë u udhëhoq nga Kadri Osmani dhe mbas arrestimit të tij, për 8 vjet me radhë u udhëhoq nga Mehmet Hajrizi, deri në arrestimin në fund të vitit 1981. Së bashku me Mehmetin u arrestua dhe u dënua me 11 vjet burg edhe djali i vëllait, Jahir Hajrizi

 Para disa ditësh nën përkujdesjen e Shoqërisë “Lëvizja” u përkujtua 50-vjetori i themelimit të kësaj organizate. U përkujtuan me nderim dhe respekt dëshmorët e rënë për liri nga kjo organizatë, si dhe u vendos një pllakë përkujtimore në vendin e themelimit.

Të flasësh për Mehmetin nuk mjafton një artikull. Me bindje të patundshme do të thoja se të gjithë ata që e njohin jetën dhe veprimtarinë e tij, ata që kanë punuar e që kanë luftuar bashkë me të, ata që kanë vuajtur dënimet e gjata me të, si dhe ata që e njohin dhe e kanë parë konkretisht kontributin e jashtëzakonshëm që ai dha gjatë konferencës së Rambujesë, por edhe më vonë në rindërtimin e vendit, do bien në një emërues të përbashkët: Mehmet Hajrizi është historia e gjallë e Kosovës për liri dhe pavarësi. Një njeri i pathyeshëm për çështjen kombëtare. I pathyeshëm në drejtësinë dhe urtësinë e tij. I pathyeshëm në luftë. I pathyeshëm në paqe.

Do të bien në një mendje edhe ata që nuk e thonë dot me zë këtë të vërtetë të madhe, por që vetes nuk ia fshehin dot. Mehmet Hajrizi është historia e gjallë e Kosovës që e ka lënë të shkruar në mijëra e mijëra faqe të publicistikës së tij të shkëlqyer, por mbi të gjitha e shkruar me ndershmëri dhe vërtetësi. Një punë titanike, shpesh herë në dhimbje nga pasojat që i ka lënë burgu i gjatë. Një pasuri kjo e paçmuar për historinë e Kosovës dhe për brezat që do të vijnë. Një punë që vazhdon ta bëjë me përgjegjësi dhe përkushtim, sepse ai e di mirë, harresa do të ishte një krim shumë i madh që do t’i bëhej Kosovës dhe historisë së saj të përgjakur. Por edhe më keq siç thuhet rëndom, harresa të çon në përsëritjen e mynxyrës.

***

Intervistë në TVSH për gjendjen e Kosovës në prag të çlirimit

Do doja të ndaja me ju një copëz nga korrespondenca ime me Mehmetin, më 16 tetor 2011, mbasi lexova librin e tij  “Sprova të Çlirimit”.

I dashur Mehmet,

e lexova me kënaqësi dhe vëmendje librin tënd “Sprova të Çlirimit”. Urimet e mia më të mira! Ju me siguri keni marrë shumë urime e përgëzime për veprën tuaj, por urimin me të bukur ua bën gjuha jonë, gjuha shqipe, e cila ju falënderon që e përdorni aq bukur, duke i bërë një shërbim shumë të madh.

Dëshiroj miqësisht të ndaj me ju emocionet që provova në faqet e këtij libri si dhe mbresat që më lanë shumë ngjarje që ju përshkruani, shumë mendime tuajat, shumë kritika të ndershme që ju i bëni me qëllimin e mirë për të ndërtuar dhe për të bashkëpunuar. Të gjitha këto përputhen plotësisht me vizionin tim për politikën dhe politikanin, atdhedashurinë dhe sakrificën, luftëtarin për çështjen e drejtë dhe vetëmohimin.

Nuk marr përsipër të bëj analizën e veprës suaj sepse atë në mënyrën më të saktë e keni bërë ju vetë në parathënien e librit. Po shkëpus një paragraf nga parathënia jo vetëm sepse këtu është thelbi i së gjithës, por sepse më mrekulloi mënyra e shprehjes në pesë rreshta të kësaj të vërtete të madhe.

« … Kosova kaloi nëpër sprova të rënda të çlirimit nga sundimi i huaj, por edhe nga vetvetja. Ajo duhej të këpuste prangat e robërisë së gjatë e vargonjtë e shpirtit dhe të çlirohej nga mentalitetet e robit e nga konceptet e vjetra… Kosova e pasurive dhe e varfërisë, Kosova e krenarisë dhe e mjerimit, e trimërisë dhe e frikës, e majave dhe e batakut; ky është Atdheu ynë i të kundërtave në realitet dhe në faqet e këtij libri.»

Dua t’ju falënderoj sinqerisht që forcuat edhe më shumë bindjen time, që për të shkruar apo për të bërë një film për Kosovën dhe luftën e saj për pavarësi, çelësin duhet ta gjesh te Pranvera e vitit 1981. Ju i analizoni shumë qartë shkaqet që « …çuan natyrshëm dhe në mënyrë të pashmangshme në Pranverën Shqiptare 1981… ». Edhe pse e përgjakur, ajo Pranverë mban në gjirin e saj të kaluarën dhe të ardhmen e Kosovës.

Nëpër faqet e librit tuaj janë të gjitha stinët: Dimri i ftohtë e i rëndë i pushtimit, Pranvera e përgjakur e lirisë, Vera e masakrave barbare, kur krimineli Milosheviq, duke ndjerë fundin, i vinte flakën gjithçkaje deri tek arat e mbjella me të lashta, Vjeshta e drithëruar që sheh përpara një dimër akoma më të rëndë. E nëpër të gjitha këto stinë që kryejnë rotacionin e tyre nëpër vite, unë pashë njeriun që beson me vetëmohim në idealin e lirisë, heroin e heshtur që jetën ia ka kushtuar këtij ideali, njeriun që nuk e trembi as burgu, as lufta dhe as paqja.

Njeriun që politikës i veshi moralin. Pashë nënat e dëshmorëve “…shamibardhat që sfiduan zinë”. Pashë fëmijët e luftës që Kosova duhej t’u jepte buzëqeshjen. Pashë invalidët e luftës që kërkojnë dinjitetin dhe prekem nga thirrja juaj : “…para se të humbim njëri – tjetrin rrugëve të errëta, le të lëmë takim te varret e dëshmorëve, se më lehtë bashkohemi dhe e gjejmë dritën e shtegtimit kthesave të historisë!”

Aty në takimin e shenjtë, unë pashë Drenicën e Adem Jasharit e të Azem Galicës. Pashë Nuhi Berishën dhe Rexhep Malajn, duke luftuar trimërisht, me penë edhe me pushkë. I pashë të dy edhe “atë mëngjes të acartë duke luftuar në agun e përflakur”. I pashë kur ranë si burrat me armë në dorë. Por, nuk i mbajta dot lotët kur “… kortezhi funeral po përcillte ngadalë në varrezat e Gjilanit trupin e Mehmet Malajt, plakut të burrërisë shqiptare, shok lufte i dëshmorëve dhe baba i Rexhepit. Të gjithë prisnin që arkivoli të ulej pranë varrit të të birit, Xhepës së shtrenjtë, por ai plot dinjitet vazhdoi rrugën sipas amanetit të të zotit, drejt Nuhi Berishës, të varrosur me urdhër të policisë qindra metra më larg. Një shkëmb i patretshëm i Kikës legjendare u lëshua në gjirin e gurtë pranë birit tjetër dhe sfidoi ndarjen e dhunshme. Mehmet Malaj u bashkua me një simbolikë antologjike me të gjithë bijtë e bijat tij, të rënë për kauzën e madhe të lirisë… ».

Fjalë e Mehmet Hajrizit në përvjetorin e rënies së Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës

***

Do doja ta lexoja dhe librin tjetër “Historia e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981”. Shpresoj ta gjej kur të shkoj në Tiranë. Me respekt dhe mirënjohje, Margarita, Toronto.

Më ka ngelur në mendje një episod nga burgu që ma ka treguar Mehmeti me atë modestinë dhe shkujdesjen kur fliste për veten, po që mua më ka ngelur në mendje.

E kishin futur në burg me të dënuar ordinerë. Si Krishti. Gjatë kohës së hetuesisë e merrnin çdo ditë në pyetje nën tortura çnjerëzore. Në atë burg ndodhej dhe një djalë i komunitetit Rom. E kishin dënuar për vjedhje. Nga varfëria djali rom me shokët i zinin pritë trenit që transportonte këpucë, dhe kur treni ndalonte në semafor afër stacionit, ata hipnin në vagon dhe hidhnin poshtë kutitë me këpucë të cilat me vonë i shisnin. Djali Rom me intuitë, me një zgjuarsi natyrale, dhe me një zemër të madhe e kuptoi se kush ishte Mehmet Hajrizi. Dhe sa herë që Mehmetin e binin në dhomë mbas hetuesisë, ai i lutej gardianëve t’i jepnin një kokërr qepë nga dollapi i Mehmetit në korridor dhe ia vente atij në pjesët e mavijosura e të ënjtura të trupit ku e kishin goditur.

– Baca Mehmet ja ta vë edhe këtu. Oh, si të paskan bërë të poshtrit! Oh, Oh!  

– Po lëre mor Sefë se ata ketë punë kanë përditë! – ia kthente Mehmeti i prekur thellë nga kujdesi i djalit.

Po djali nuk reshte e nuk reshte së kujdesuri për bacë Mehmetin.

Plagët i duronte Mehmeti, por kur vinte lajmi në burg për humbjen e shokëve, (shpesh herë lajmi vinte me shumë vonesë,) dhimbja ishte e padurueshme. Ashtu si ishte e padurueshme dhimbja për nipin e tij Naser Hajrizi  dhe Asllan Pireva dy djem fare të rinj, të  cilët ranë heroikisht në demonstratën e madhe të vitit 1981, e treguar në librin e tij kushtuar Naserit, Bir i Atdheut.

Duke i uruar Mehmetit jetë të gjatë, shëndet, lumturi me familjen e bukur, i rrethuar nga nipër e mbesa që e duan aq shumë, me Haxheren në krah, shoqen e tij besnike të jetës dhe të luftës, po e mbyll me fjalët e fundit të intervistës që Adnan Merovci i bëri në muajin shkurt të këtij viti me Mehmet Hajrizin.

 – Shikues të nderuar, ky është Mehmet Hajrizi! I saktë, i shkurtër, fjalëpak po punë shumë. Një njeri i devotshëm i çështjes kombëtare. Ju, gjeneratat e reja, mos e harroni këtë emër:  Mehmet Hajrizi.

Shumë bukur!

Faleminderit Adnan Merovci për këtë intervistë dhe këtë mesazh kaq të bukur!

Margarita Syziu,

Toronto, Kanada.

6 Mars 2023

***

 Debat në KTV në përvjetorin e Konferencës së Rambujesë

Ilustrimet © Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura