THE LITTERARY GAZETTE (1817) / NJË SHKRIM BIOGRAFIK PËR TË FAMSHMIN ALI PASHË TEPELENA! LE MONITEUR UNIVERSEL (1822) / KUSH E TRDHËTOJ ALI PASHË TEPELENËN?

 Francë, 10 tetor 2020: “La Quotidienne” ka botuar, të shtunën e 29 nëntorit 1817, në faqen n°4, shkrimin biografik të “The litterary Gazette” për Ali Pashë Tepelenën (Janinën), të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Gazeta e njohur “The litterary Gazette” boton një shkrim biografik për të famshmin Ali Pasha, zot i Epirit, Thesalisë dhe një pjese të vendeve bashkangjitur. Ky pasha nuk ka reshtur kurrë t’i paguajë Portës së Lartë, pjesët e të ardhurave publike që, sipas zakoneve të vjetra, i takojnë në pashallikun e tij, por njëkohësisht ai ka ditur të rrisë të ardhurat e tij personale, në atë pikë sa kanë vajtur në 15 milion ‘livres tournois’ (monedhë e vjetër franceze).
Një pjesë e madhe e këtyre të ardhurave vjen nga pronat e tij publike dhe nga kopetë e deleve të cilat arrijnë deri në 50.000 kokë. Thesarin (pasurinë) e tij e ruan vetëm një arkëtar i thjeshtë që i thotë saktësisht se çfarë përmban kasaforta. Ali Pasha, i talentuar për një kujtesë të jashtëzakonshme, i njeh përmendësh të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e tij. Kjo mënyrë e mbajtjes së librave (llogarive) të tij shpesh i mundëson që të rrisë papritmas të ardhurat e tij.
Një ditë, ai thirri një hebre, përgjegjës i pronave të tij, dhe i tha me një ton të rreptë : “Kam llogaritur në kokën time që për njëzet vjet ju më keni vjedhur rreth 5.000 piastra në vit; më sillni 100.000 piastrat menjëherë, përndryshe !” – Një gjest me dorë që shoqëroi këtë fjalim, i mësoi hebreut fatin që e priste nëse ai do të guxonte të debatonte për saktësinë e këtij buxheti të veçantë. Ai u përul dhe solli disa minuta më vonë shumën e kërkuar.
Ali Pasha mund të mbledhë deri në 40.000 trupa, por forca e ushtrisë së tij përbëhet nga 6.000 arnautë ose shqiptarë, të cilët i mban në trojet e tij, dhe që qëndrojnë me të për jetë a vdekje. Një oficer francez organizoi fonderinë e topave, nga e cila tashmë ai prodhon mortaja po aq të mira sa ato të çdo artilerie evropiane. Ali Pasha negocioi me radhë me tre fuqi kryesore evropiane për të marrë në zotërim ishujt jonianë; marrje të cilën ai me të drejtë e konsideron të nevojshme për të realizuar planin e tij për krijimin e një mbretërie të pavarur; por meqë u mashtrua disa herë mbi shpresat e tij për këtë temë, ai u kthye sërish pranë Portës osmane.
Ali Pasha nuk e di se cilit nga tre djemve të tij do t’i lë tashgimninë e “mbretërisë – pashallikut” që ka formuar. Më i rrituri, Muktar Pasha ndërthur guximin dhe veprimtarinë e babait të tij me një karakter më bujar dhe sjellje më të buta; ai është i ndjeshëm ndaj dashurisë dhe miqësisë. Një bukuroshe greke, e lindur në një familje të shquar, e quajtur Eufrozine (Euphrosyne), i kishte rrëmbyer zemrën të riut Muktar; Tek ajo, ai merrte pjesë në mbrëmje ku gjendeshin individët më të dashur të të dyja gjinive, dhe ku zakonet orientale ishin të dëbuara. Një natë Ali Pasha urdhëroi që Eufrozina dhe pesëmbëdhjetë mikeshat e saj të kapeshin dhe të mbyteshin në liqenin afër Janinës. Askush nuk guxoi ta prekte me dorë Eufrozinën, nga frika që kishin ndaj reagimit të Muktarit, kështu Pashai shkoi vetë ta tërhiqte zvarrë këtë të pafat.
Veli Pasha, djali i tij i dytë, është një njeri me shpirt të tretur, bujar dhe pa ndonjë talent të fortë. Ai përçmon publikisht zakonet, gjuhën dhe fenë e turqve; zakonisht, ai flet vetëm italishten dhe greqishten moderne; një ditë pyeti një udhëtar italian, duke i treguar atij xhaminë e madhe të Janinës; A mendoni se kjo ndërtesë është e mjaftueshme për të ndërtuar një opera si ajo në Itali ? Ai arriti të urrehej dhe të përçmohej nga shqiptarët dhe turqit, pa arritur të fitojë dashurinë e grekëve që kanë frikë nga mashtrimet e tij. Ali Pasha druhet nga veset e Veliut aq sa edhe nga virtytet e Muktarit. Ai do të dëshironte t’i lë trashëgiminë djalit të tij të tretë, Sali beut, i cili është ende vetëm një fëmijë.
Pallatet e Ali Pashës, ashtu si karakteri i tij, paraqesin një përzierje të gjithçkaje që është e madhe dhe gjithçka që është e tmerrshme dhe e përçmueshme. Përmes pasazheve (kalimeve) të errëta dhe të ngushta mbërrijmë në dhoma të mrekullueshme, ku qilimat janë prej kadifeje dhe perdet të qëndisura dhe me dantella; por syri tronditet papritur nga një afrim i çuditshëm; një perde prej kanavace është zbukuruar me copëza ari, ku një tapiceri e Goblinëve, që shërben si derë, është varur nga litarë të mëdhenj.
Më tej, në disa magazina të vogla, pashai grumbullon kuriozitete të të gjitha llojeve, orë, vathë, shallë, enë kuzhine, pra, të gjitha llojet e objekteve, fryt i plaçkitjeve dhe ekstraktimeve të tij. Bëhet fjalë për një shpellë hajdutësh por me përmasa më të mëdha. Haremet ose serajet e pashait përmbajnë deri në pesëqind gra, megjithatë seksi i bukur nuk tërheq kapriçot e tij të tmerrshme, dhe mbetet plotësisht i përjashtuar në besimin e tij.
Pasazhet nëntokësore të disa pallateve të tij përmbajnë burgje ku ai mban në pranga armiqtë e tij që i kanë rënë në duar, ose ato të subjekteve të tij, të cilët pasuria dhe ambicia e tyre i kanë bërë fajtor në sytë e tij. Këta njerëz të pafat zakonisht dalin prej aty vetëm për të vdekur.
Disa grekë e krahasuan Ali Pashën me Pirron, dhe e ftuan këtë mbret të ri të Epirit të çlironte Greqinë dhe të shpallte veten monark; por nëse Aliu i urren turqit, ai nuk i vlerëson grekët dhe, ndërsa përdor talentet e tyre, ai sfidon njëkohësisht karakterin e tyre. Asnjë post i rëndësishëm në ushtri nuk i jepet një greku. Sidoqoftë, pashai e di se skllevërit e shkolluar dhe të zellshëm paguajnë më shumë taksa sesa skllevërit injorantë dhe dembelë: kështu që ai favorizoi krijimin e shkollave greke dhe një universitet në Janinë.
Vetëm shqiptarët gëzojnë besimin e bashkatdhetarit të tyre të frikshëm : me ta, në momentet e tij të lira, ai është i gëzuar, komunikues dhe familjar; por, kur ai vesh petkun e komandantit, shqiptarë, grekë, myslimanë, gjithçka dridhet para tij, veçanërisht kur ai përdor këtë shprehje : “Bë atë që po të them, ose gjarpri i zi do të të hajë sytë.” Është një kërcënim pas të cilit vijon tortura, në rast mosbindjeje.” – M. B.
Nga Aurenc Bebja, Francë – (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania).

***

LE MONITEUR UNIVERSEL (1822) / ALI PASHË TEPELENA U TRADHËTUA NGA NJERIU MË I AFËRT I TIJ, THANAS VAJA (ATHANASE VAÏA)
Francë, 10 tetor 2020: “Le Moniteur Universel” ka botuar, të hënën e 25 marsit 1822, në ballinë, një shkrim në lidhje me vrasjen e Ali Pashë Tepelenës, duke dhënë kështu emrin e njeriut që e tradhëtoi, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Bavari. Nuremberg, 16 mars.
Ne lexojmë në gazetën tonë artikullin më poshtë:

Kufijtë e Italisë, 10 Mars. “Ne po marrim lajme të rëndësishme nga Epiri në këtë kohë. Ali Pasha u tradhtua me të vërtetë nga mbështetësit e tij, dhe iu dorëzua Chourschid-Pashës (Hurshid ose Hurshit), i cili menjëherë e ekzekutoi duke i prerë kokën dhe duke e dërguar kështu në Kostandinopojë. Qeveria angleze e Ishujve Jonianë mori lajmin zyrtar të kësaj ngjarje më 9 shkurt, dhe menjëherë ia komunikoi konsujve të huaj.
Ekstradimi u bë më 2 shkurt. Të nesërmen trupat turke hynë dhe pushtuan fortesën e Janinës. Një shqiptar, me emrin Vaia (Athanas ose Thanas Vaja), një mik i ngushtë i Aliut, dhe në të cilin ai kishte besim të pakufizuar, e tradhëtoi, për interes të Hurshid Pashës. Ky i fundit drejtoi vëmendjen e tij kryesisht tek thesari i Aliut, i cili përbënte një shumë të madhe, si në para dhe në bizhuteri; A ia dorëzoi Vaja të gjithin?
Besohet se Hurshid Pasha tani do të marshojë ndaj Suliotëve, të cilët ende nuk i janë nënshtruar Portës, siç pretendohej; por ata sulmuan shqiptarët myslimanë të cilët kohët e fundit mbështetën Hurshid Pashën, dhe kështu ata shkatërrojnë pronat e tyre. Lufta civile është më e ndezur se kurrë në Epir.”
Nga Aurenc Bebja, Francë – (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania).

 ***
GAZETTE DE FRANCE (1822) / SIPAS GAZETËS SË NUREMBERGUT, ALIU I FAMSHËM, ISH-PASHAI I JANINËS, NUK KA VDEKUR DHE GJENDET NË PORT MAHON, NË ISHULLIN E MENORCA-S
Francë, 10 tetor 2020: “Gazette de France” ka botuar, të shtunën e 20 prillit 1822, në ballinë, shkrimin e bujshëm të gazetës së Nurembergut që hidhte dyshime mbi vdekjen e Ali Pashë Tepelenës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Bavari.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nuremberg, 13 prill.
…Na shkruajnë përtej kufijve të Zvicrës : “Sipas disa letrave nga Barcelona, një i huaj i pasur ka mbërritur në Mahon (Port-Mahon, ishulli i Menorca-s), dhe ky i huaj i pasur thuhet se është ish-pashai i Janinës, Aliu i famshëm. Ai ishte në bordin e një anije franceze dhe kishte dy gra dhe një shërbëtor me vete. Bagazhet e tij përbëheshin nga dymbëdhjetë arka me peshë shumë të konsiderueshme. (Kështu që ka të ngjarë se ai mund të ketë lënë në vende të sigurta disa nga thesaret e tij si në bregdet apo në një nga ishujt e Greqisë. Thuhet se ai duket se ka në plan të qëndrojë ca kohë në Mahon.)”
Ne do t’i shtojmë këtij lajmi detajet që jepen për ikjen e pretenduar e të tmerrshmit Ali Pasha. Kur e pa se pushteti i tij po i zvogëlohej deri në pikën e fundit, ai u pajtua me ithtarët (mbështetësit) e tij që ata të bënin sikur po e tradhëtonin.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Ndërsa po negocionte me gjeneralët turq, ai bëri të gjitha përgatitjet e nevojshme për arratisjen e tij, hodhi pjesën më të madhe të thesareve të tij në ujë, por u kujdes për të siguruar një milion ‘sequins’. Pastaj, ai u vesh si një bari turk dhe priti rezultatin e negociatave. Ne e dimë se si ata përfunduan dhe se koka e tij duhej dorëzuar te turqit. Ata e morën menjëherë; por në vend të kokës së Aliut, ishte ajo e një shqiptari të vjetër që kishte vdekur nga plagët e tij dhe i kishin vënë një çallmë të çmuar. Asnjë nga gjeneralët turq nuk e njihte Aliun fizikisht; kështu që ata u mashtruan lehtësisht dhe, në përputhje me kapitullimin, ata u larguan nga vendi. Aliu shfrytëzoi këtë moment për të shpëtuar veten e tij; ai arriti për fat të mirë në Butrint (një qytet në Shqipërinë austriake, në kanalin e Korfuzit), dhe u fut atje në një anije që pranoi ta priste. Askush nuk mund të mohojë vërtetësinë e kësaj historie kur e kujton karakterin dinak të Ali Pashait. (Korrespondenti i Nurembergut.)
Nga Aurenc Bebja, Francë – (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania).

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura