VANGJEL SAKO: LUFTA E VLORËS, 1920 – NË HISTORINË KOMBËTARE DHE NË KËNGËN E POPULLIT

Vlorë, 14 qershor 2018: Një këndvështrim i ri për epopenë e Njëzetës (29 maj-3 shator 1920) “Lufta e Vlorës-Historia në Epikën historike”, studim monografik i autorit Albert Habazaj.
Lufta e Vlorës, 1920 është ngjarje historike e rëndësisë kombëtare, vendimtare për kohën mbi fatin ekzistencial të trojeve shqiptare. Po aq e rëndësishme qe dhe qëndrueshmërinë e identitetit tonë kombëtar. Akti themelor kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë u firmos nga burrat e kombit në Kongresin e Lushnjes (21-31 janar 1920). Kjo vepër historike nuk do të jetërsohej pa u ndezur në Vlorë teatri luftarak i shpirtit vigan të popullit tonë liridashës. Shumë është shkruar për këtë ngjarje madhore të shqiptarëve. Mendja e shpirti i prijësve dhe luftëtarëve popullorë u bë urugan lirie. Shqiptarët u ngritën në këmbë kundër pushtuesit të huaj dhe e çliruan vendin vetëm me forcat e tyre, pa ndimë ushtarake me forca, armatim apo ushqim nga jashtë. Ndërkohë që mbështetja morale e popujve të tjerë ishte shumë frymëzuese. Edhe populli italian i mbështeti luftëtarët shqiptarë, që luftonin për të drejtën e tyre, për lirinë e vatrës nga zaptuesit e jashtëm, edhe pse në këtë rast ata ishin apeninas. Ndër studiuesit bashkëkohorë që trajton Luftën e Vlorës në një pamje të re, më të plotë shquan emri i studiuesit tashmë të njohur Albert Habazaj. Ai aktualisht është përgjegjës i Sektorit të Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë. Ndërkohë ka dhe pozicionin shoqëror në qytetin tonë si Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë. Autori ka botuar një libër, punim shkencor me titullin “Lufta e Vlorës-historia në epikën historike”. Është një studim monografik, Tiranë, Neraida, 2016, me 204 f., 20 cm., me bibliografi të pasur dhe ISBN978-9928-4324-2-1. Kjo ishte dhurata e tij për 95 vjetorin e Luftës së Vlorës, 1920. E kërkon Alberti një muze për Luftën e Vlorës, se, sipas tij, intelektualëve dhe veprimtarëve atdhetarë, të paktën kaq e meriton në qytetin e Flamurit. Ndoshta dhe mund të mos ekzistonte ky flamur ynë kombëtar pa këtë luftë kombëtare. Ka mbi njëzet vjet që merret me një studim ndryshe për këtë epope çlirimtare. Metologjia e tij është me vëzhgim me pjesëmarrje në terren, ndërthurur me punën serioze, të kujdeshme dhe këmbëngulëse në “laboratorin” e tij. Ky “laborator” studimor i ka zënë një dhomë të tërë në shtëpinë e tij të thjeshtë në Ujë të Ftohtë. Studiuesi e quan atë dhomë pune “Muzeu i Njëzetës”. Autori ka realizuar një punim shkencor ndërdisiplinor, ku e shikon ngjarjen me dy lente, me lenten e historianit dhe me lenten e folkoristit etnograf. Vera e njëmijë e nëntëqind e njëzetës në Vlorë dhe krahinat e saj është në qendër të vemendjes. Rrezja e kompasit studimtar hapet nga Shqipëria e kohës, Vlora shqiptare, Roma dhe Italia. Merr përmasa më tej, ku ravijëzohet Shqipëria dhe Italia, rajoni, Shqipëria dhe Europa, para njëzetës, më njëzetën dhe mbas Njëzetës. Deri në sotmëri. Jep vizionin e tij dhe rekomandimet e mundshme për të nesërmen fqinjëtare qytetare. Nga studimi i tekstit kujtojmë që autori rrok këto tema: Si e trajton historia këtë ngjarje? Si flasin studiuesit tanë? Po në fokusin e studiuesve e huaj ç’këndvështrim ka koj ngjarje lokale me rëndsi jo vetëm kombëtare? Pikërisht pjesa se ç’thonë studiuesit e huaj për Luftën e Vlorës përbën risi nga studiuesi Habazaj. Kjo çështje nuk është trajtaur nga studiuesit pararendës të kësaj ngjarjeje historike. Dhe ç’ka është kryesorja, autori operon imtësisht dhe saktësisht si është regjistruar kjo ngjarje historike në epikën historike, si i ka kënduar populli drejtpërdrejtë nga zjarri i luftës apo pas ngjarjes. Pra, kemi një vështrim krahasues për epopenë e Vlorës, si e shkruan historia dhe si e këndon folkori Njëzetën. Shfaqet dukshëm dhe kontributi i grave në këtë luftë çlirimtare, në krah të burrave. Një vend të veçantë zënë figurat e shquara të kësaj lufte, që ngelën me dritëhije për një kohë të gjatë dhe ende nuk e kanë zënë vendin e merituar në histori. Autori me kurajo e me guxim shkencor, e shikon të vërtetën në sy. Për të realizuar këtë përgjegjësi bazohet në tre burime. Janë dokumentet e kohës, dëshmitë okulare të besueshme si dhe kënga e popullit. Ka mbledhur të gjitha këngët e mundshme: të regjistruara apo jo, të lejuara apo të ndaluara. Synimi i tij është të na i jap figurat historike të kësaj ngjarjeje siç kanë qenë, jo si duhet të ishin, me dritën e tyre, edhe me hijen që kanë patur. Kjo punë e tij është shumë e dobishme dhe përbën pasuri e vlerë për historinë dhe folkorin e popullit shqiptar. Këto janë fjalët kyç të monografisë shkencore të studiuesit Albert HABAZAJ, Master i Shkencave për Etnologji dhe Folkor.

Ky libër botohet tërësisht mbi materialin e mbrojtjes së mikrotezës “Lufta e Vlorës, historia në epikën historike” për “Master i Shkencave në Etnologji – Folklor”. Paraqitja ishte dinjitoze në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, Qendra Ndëruniversitare e Studimeve Albanologjike, Tiranë, (IAKSA, QSA, sot ASA) [06. 11. 2013]. Mbrojtja e punimit u bë me udhëheqës shkencor prof. dr. Agron Xhagolli (folklorist), para komisionit shkencor me kryetar prof. dr. Afërdita Onuzi (etnografe) dhe oponentë: akademik i asociuar Mariglen Verli (historian), prof. dr. Miaser Dibra (folkloriste). Botimi i parë, 2016. Ky studim monografik botohet në nderim të 95-vjetorit të Luftës së Vlorës, 1920.
“Lufta e Vlorës-Historia në Epikën historike” – ky është deri më sot, libri i fundit i studiuesit dhe shkrimtarit Albert Habazaj. Kujtojmë që studimi monografik “Lufta e Vlorës-historia në epikën historike” që i kushtohet luftës së Vlorës është promovuar në Vlorë më 18 Maj 2016. Veprimtaria është zhvilluar në ambjentet e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë, në kuadër edhe të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve. Ky libër, përmes këngëve të poezisë epike, nga një vështrim i ri krahasimtar të raportit histori- epikë historike, sjell vlerësime objektive për luftën e Vlorës. 18 maji quhet Dita Ndërkombëtare e Muzeumeve, vendosur ndërkombëtarisht qysh në 1977 nga UNESKO, si ditë e veçantë e muzeumeve. Veprimtaria kishte organizator Drejtorinë e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Vlorë. Në bashkërendim ishin Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Muzeu Historik Kombëtar, SHAK “Labëria”, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” të Vlorës. Morën pjesë dhe intelektualë të tjerë, miq të librit, të historisë e të Kulturës. Në këtë veprimtari kishte përfaqësues nga drejtoritë e muzeumeve Vlorë, nga Këshilli i qarkut Vlorë, vetë kryetarja zj. Vojsava Shkurtaj. Ishin dhe pedagogë të universitetit si profesorët Bilal Shkurtaj e Petrit Kotori, prof.as. Veledin Çako, doktorët e shkencave Leka Skëndaj, Artan Xhaferi, Grigor Dede, Shkëlqim B. Sinanaj, Arben Hysi. Interes treguan studiuesi i mirënjohur Mihal Kalia, dr. Llukë Gjidede, dr. Halit Harizaj, arkeologu Novruz Bajrami, ing. Agim Haxhiraj, dr. Kledian K. Çipa, studiuesi Fahri Shaska. Ky i fundit ishte bashkë me të vëllain ish-mësuesin model Bedri Shaska, e sapoardhur nga Amerika për disa ditë pushime në Shqipëri. Morën pjesë miq atdhetarë nga SHAK “Labëria”, Çamëria”, “Cakrani” etj, mësues e veprimtarë të nderuar si Sami Sulejmani, Esat Mezani, Serri Tushi, Nuri Llanaj, Rakip Bleta, Shpresim Kasa, Lefter Beqiri, Myrteza Gjika, Nertil A. Hoxha etj., kryetari i Vlorës, z. Amet Demaj, nga shoqata të tjera si motra atdhetare të Vlorës, nga SHAK “Tërbaçi” (vendlindja e autorit). Patjetër që do të vinin shkrimtarë e gazetarë si Xhemil Lato, Zenepe Luka, Efrosina Papa, Enrik Mehmeti, Laureta Petoshati, Çlirim Hoxha, Harilla Koçi, Vangjel Sako, Erjalda Skendaj, Alma Ferruni, Eqrem Canaj, Idajet Jahaj, Rremzi Gjika, Pali Shtembari, Andrea Petromilo, Asqeri Llanaj, Halil Bregasi, Luan Nazëraj, Rrapo Isufaj, Isuf Lutaj, gazetarët e televizioneve “Amantia”, “6+1 Vlora”, “Real tv”, “Apolon”, “Ora News” etj. Edhe Biblioteka “Shevqet Musaraj” e qytetit u përfaqësua nga vetë drejtori i saj. Pati shumë të tjerë miq e dashamirës të Albertit dhe të librit. Veprimtarinë e hapi drejtori i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, z. Istref Dobi. Ai foli për rëndësinë e ditës së muzeumeve dhe spjegoi arsyen pse kishin zgjedhur pikërisht këtë vepër për ta promovuar. “Për nga niveli historik dhe letrar ky libër dallon ndër gjithë botimet që janë bërë për Luftën e Vlorës”- theksoi Dobi. Zj. Vojsava Shkurtaj përshëndeti në emër të institucionit që përfaqëson. Ajo përmendi rëndësinë e kësaj dite të veçantë, si dhe falënderoi autorin e librit, studiuesin Albert Habazaj. “Meriton përgëzime për risinë dhe saktësinë e paraqitjes së raportit histori- epikë historike si dhe rëndësinë aktuale që ka ky raport edhe në ditët e sotme që kalon Shqipëria”- nëvizoi Shkurtaj. Kumtesa e Dr. Llukë Gjidede u ndoq me shumë vëmendje, u mirëprit dhe u duartrokit. Në fund të kumtimit, ai u shpreh “se qe pesha e mendjes së Albert Habazit që i dha vlera fjalës time”. Doktor Lluka është bir e pasardhës i atyre që morën pjesë në Luftën e Vlorës. Ai cilësoi se ky libër që na paraqit Alberti për Luftën e Njëzetës i ngre më lart vlerat jo vetëm të asaj Lufte, por edhe të vetë Albertit si studiues. Alberti bëri atë që të gjithë intelektualët duhet të bëjnë, duke iu përgjigjur pyetjes: Ç’bëra unë për Vlorën, për Shqipërinë? Berti argumenton rëndësinë aktuale që ka patur e ka Lufta e Vlorës. Ai dhuroi dashurinë për vlerat që kanë trevat e Vlorës në historinë gati 100 vjeçare të fundit. Studiuesi Shpresim Kasaj foli gjatë për librin. Fjala e tij përmblidhet me një paradigmë: Autori i këtij studimi monografik MSc. Albert Habazaj ka hyrë në hipotekën e vërtetë historike. Ka hyrë jo në hipotekën që paguhet me para si ndodh sot, por duke e afirmuar veten si etnofolklorist. Ai është konsekuent si studiues i mirëfilltë, duke thënë mendimin e tij të pavarur, ashtu si e mendon me koherencë të vërtetën, pa u imponuar nga askush. Këto cilësime pak a shumë thanë edhe z. Ahmet Dema si dhe drejtori i bibliotekës “Sh. Musaraj” në përshëndetjet që bënë. Shkrimtari Xhemil Lato e quajti shërbim kombëtar këtë punë kërkimore-shkencore të autorit Habazaj. Studiuesi me këtë libër që na e “servir”, me këtë stil të dalluar të shkruari, thërret për bashkim, të cilin e kemi shumë të nevojshëm sot në Shqipërinë aktuale. Ashtu të bashkuar krahinat e qarkut të Vlorës u bashkuan dhe i treguan botës mbarë se si fitohet kauza e një populli ndaj kujdo qoftë, sado i mirarmatosur qoftë. Këtë mund ta bëjë vetëm një mendje e ndritur, ndaj them që Alberti është një mendje e ndritur. Ky qe thelbi i diskutimit të poetit të mbarënjohur vlonjat nga Çamëria Xhemil Lato. U evidentua si përvojë e duhur për kërkuesit e rinj puna kërkimore shkencore e studiuesit të njohur MSc. Albert Habazaj. Në punën e tij spikat këmbëngulja, durimi, dashuria për profesionin dhe të vërtetën historike. Të veçantë ka Alberti njohjen mjeshtërore të folkorit burimor. Si kërkues në terren përmbi 40 vjet, nuhat vendlindjen e një njësie folkorike. Nga teksti poetik i materialeve folkorike që studion, kupton nëse është respektuar parimi fonetik nga bartësit pararendës që i kanë botuar apo jo. Sepse ai përmend faktin që folkori, kënga dhe vallja popullore burimore nuk kanë redaktor. Nuk e pranojnë gjenetikisht redaktorin-thotë studiuesi Habazaj. Ai është një grumbullues e hulumtues i pasionuar në paraqitjen e dy fronteve të Luftës së Vlorës. Ai sjell epikën historike nëpërmjet folklorit të gjurmuar nga vetë Berti dhe të krijuar nga ata që morën pjesë në këtë epope kombëtare dhe e krijuan në zjarrin e luftës këngën. Ka prurje të këngëtarëve krijues e njëkohësisht luftëratë të Njëzetës si Mato Hasani, Xhebro Gjika, Nase Beni etj.. Ka edhe nga ata pasardhës të tyre si Maman Saliu, Sinan Mullahu etj. Berti në libër ka ndjek parimin: “Dëgjo të tjerët se ç’thonë për ty, jo ç’thua ti për vete”. Kështu ka vepruar Berti për përshkrimin e virtyteve të luftëtarëve të Luftës së Vlorës, të shqiptarit në tërësi. Berti është një Qemal Haxhihasani (i përkushtuari elbasanas, si ai!) për Vlorën. Ishin këto vlerësime dhe të tjera që vetë Alberti në fjalën falënderuese dhe njëherësh premtuese, foli thjeshtë, synues dhe me këmbë të tokë. Mirënjohje, por i marr me rezerva falënderimet tha ai, ndërsa për studimtarinë u shpreh: Për Vlorën, Shqipërinë, shqiptarët, kudo që janë në trojet e tyre nuk do të reshtë për pasqyruar ngjarje, epikën burimore, personat historikë, ashtu siç kanë qenë dhe janë në të vërtetë.
Po botojmë fragmente nga kumtesa e Dr. Llukë Gjidedes “E ardhmja e të shkuarës”:
1. Promovimi i librit: “Lufta e Vlorës. Historia në Epiken Historike” me autor publicistin, studiuesin dhe shkrimtarin e njohur Albert Habazaj në mjediset e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, aty ku rreh fort zemra e kujtdo shqiptari të vërtetë patriot, është nder dhe vlerësim i madh që i bëhet, kënaqësi e respekt edhe për ne që kemi ardhur për ta vlerësuar.
Pyetjes proverbiale: “Ç’bëre ti për Atdheun?” Luftëtarët e luftës së Vlorës, ata që sollën riçlirimin e Shqipërisë, përgjigjen e dhanë me pushkë, këngë e diplomaci, flijuan jetën bashkë me atë pak pasuri që patën. Është ky një moment reflektimi për të respektuar e vlerësuar pishtarët e Atdheut, kontributet e brezave të mëparshëm. Ata janë gurë kilometrik që i shërbejnë të tashmes e t’ardhmes, udhërrëfyes të ligjëruar nga koha, nga historia.
Albert Habazaj sot, me të drejtë mund të thotë: “Bëra atë që më takon”. E përgëzojmë!
Për shkrimin e kësaj monografie studimore, shkencore për Vlorën e për Shqipërinë autori ka ditur të shfrytëzojë në mënyrën më të mirë të mundshme, tre favore të spikatura:
– Krenarinë e të qenit Lab – Vlonjat të mëkuar nga traditat atdhetare të familjes e të krahinës;
– Frymëzimin burimor nga eposi i këngës Labe për luftën e Vlorës;
– Kulturën e gjerë historike e letrare, dashurinë njerëzore si dhe bujarinë për të dhuruar dituri.
Kushdo që do ta lexojë këtë libër do bindet për të vërtetat historike të argumentuara, do krenohet e do bëhet me qytetar i të ardhmes, më Europian, pa inferioritet në raport me të tjerët. Sprova për rikthim në kujtesën tonë të një periudhe kohore ku balanca e ekzistencës së Shqipërisë si shtet e tërësi territoriale ishin në harkun e “gërshërës” për amputime monstruoze nga trupi i drobitur është sa e lavdërueshme po kaq edhe e guximshme.
2. Meraku për të ardhmen e të shkuarën autorin e ka intriguar jo pak, për të mbajtur të gjallë amanet merakun e Ismail Qemalit kur shkruan: “Kur flenë fëmijet, rriten, kur flenë kombet, vdesin”. Lëndën e grumbulluar nëpërmjet Epikës popullore për luftën e Vlorës autori ka ditur ta studjojë, përpunojë e sistemojë në funksion të historigrafisë shkencore shqiptare. Po të më lejohet, do të bëja një analogji, njashtu sikurse gjermani Shliman për zbulimin e Trojës në vitet 1871-1873 u nis nga legjenda e Iliadës së Omerit për të arritur te e vërteta e ekzistencës së saj. Në libër, me argumenta bindëse, përcaktohen tre faktorët kryesore që çuan në fitoren e Luftës Epope:
Faktori i parë përcaktues ishte lufta mbarëpopullore me epiqendër në Vlorë e më pas edhe kontributi i viseve të tjerë të Shqipërisë si dhe angazhimi i cunguar i Qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës (1920).
Faktori i dytë: Ndihmesa e diasporës shqiptare në Amerikë ka qenë e një rëndësie shpëtimtare. Atdhetari i madh dhe një nga njerëzit më të ditur të kombit, Fan Noli, e bindi presidentin e Amerikës, Ëillson, mik i Shqipërisë, kur deklaroi se: Amerika është pro Shqipërisë, ajo nuk do preket, nuk do shpërbëhet. Një mirënjohje kombëtare që nuk duhet harruar!
Faktori i tretë: I një rëndësie të veçantë është edhe solidariteti i popullit Italian që e detyroi qeverinë e tij të tërhiqte trupat pushtuese nga Shqipëria.
Fitorja e Luftës, 1920 e bëri te pavlefshëm Traktatin e Fshehtë të Londrës, 1913. Në teatrin e luftimeve u vranë 400 luftëtarë, vullnetarë, në çetat e mirëorganizuara për çlirimin e Vlorës. Nga pala italiane u vranë pak ose asnjë ushtar. Robër u kapën mbi 1100 vetë dhe që të gjithë u liruan pa u dëmtuar sikur të kishin ardhur jo si pushtues por turistë! Ofendimi poshtërues i bërë nga gjenerali Piacentini se “Shqipërinë e pushtoj me shurrën e putanave” u anashkalua me autokontroll dhe mospërfillje pëçmuese nga Luftëtarët e Vlorës! Një shpagim për dinjitet do të ishte më se i merituar dhe tërësisht i justifikuar. Kjo nuk duhet harruar nga pala tjetër!
3. Nga fronti i luftimeve Nase Beni u përgjegj:
“Breshkë e ndyrë e moçalit,
S’qëndron dot në gur të thatë,
Se këtu këndon bilbili,
Që e ka zërin e lartë”.
Në Normandi, kur zbarkuar, aleatët, në Luftën e Dytë Botërore, pësuan humbje të mëdha nga gjermanët. Në datën përkujtimore shkojnë edhe kancelarët gjermanë për të kërkuar falje historike. Shembulli është. Italianëve nuk do t’u bjerë nderi sikur të vinin në muajin Qershor, që është 96 vjetori i kësaj Lufte, për të njohur të vërtetën që na bashkon. Gjej rastin që t’i rekomandoj Universitetit “Ismail Qemali” të organizojë një konference shkencore, kushtuar 96 vjetorit të kësaj ngjarjeje me përmasa kombëtare, duke patur si pikë referimi librin “Lufta e Vlorës. Historia në Epikën Historike” me autor Albert Habazaj.
Po botojmë dhe një pjesë nga kumtesa e prof. dr. Eshref Ymeri: “Një enciklopedi e vërtetë e Luftës së Vlorës”:
Vitin e kaluar, dhe pikërisht më 06 nëntor 2015, intelektuali vlonjat Albert Habazaj, poet, publicist, studiues i folklorit dhe hulumtues i mirënjohur, në Qendrën e Studimeve Albanologjike, para një komisioni shkencor, mbrojti punimin me titull “Lufta e Vlorës – historia në epikën historike”.
Në fillim të muajit mars 2016, punimi në fjalë u botua si libër më vete, të cilin e vuri në qarkullim Shtëpia Botuese “Neraida”. Libri zë një vëllim prej 204 faqesh. Megjithëse autori e quan këtë vepër“një kontribut modest të studiuesit të folklorit”, unë dëshiroj të theksoj që në fillim se kjo vepër është një himn i madhërishëm, kushtuar këngëve epike në nderim të Luftës së Vlorës dhe të heronjve të saj. Kjo për faktin se, siç thekson autori, “folklori i Luftës së Vlorës… bëhet kështu hipotekë e fitores së merituar…”.
Lufta e Vlorës qe mejdani i burrërisë shqiptare, e cila vërtetoi në praktikë se shqiptarët, kur e do puna, dinë të vetorganizohen dhe, me grykën e pushkës, të mbrojnë trojet amtare nga epshet shoviniste të agresorëve fqinjë që gëzonin përkrahjen e shovinizmit të fuqive të mëdha evropiane. Aristoteli thotë:
“Burrëria është virtyt, në saje të së cilit njerëzit, të gjendur në kushte të vështira, bëjnë mrekullira”.
Paraqitja vitrinore që autori u ka bërë në këtë punim shkencor këngëve historiko-heroike, kushtuar Luftës së Vlorës, përfaqëson në vetvete një shtresëzim të artit poetik popullor, në të cilin janë skalitur ngjarje të zulmshme që kanë përcaktuar një periudhë të rëndësishme në mozaikun e jetës së popullit shqiptar
Duke ndjekur me kujdes kronologjinë e ngjarjeve që u zhvilluan në amfiteatrin e Luftës së Vlorës, autori ka skalitur mjeshtërisht figura mjaft të spikatura të asaj epopeje të lavdishme në historinë e mbarë kombit shqiptar. Këngët historiko-heroike lidhen me ngjarje reale, ato pasqyrojnë fakte konkrete nga jeta e popullit dhe ngrenë lart aktet heroike të pjesëmarrësve në atë betejë vendimtare për fatet edhe të asaj Shqipërie të vogël, të katandisur sa një “vathë delesh” për qejfin e kryediplomatëve kriminalë evropianë të Konferencës së Londrës.
Figurat sa heroike, aq edhe tragjike, stili origjinal i parashtrimit të materialit, forca shprehëse e gjuhës poetike, përshkrimi me shije të hollë i jetës dhe i zakoneve të popullit, bëjnë që këngët historiko-heroike të shndërrohen në një burim të pashtershëm të dhënash për filologët, për historianët dhe për etnografët.
Mund të thuhet me bindje të plotë se Albert Habazaj, me këtë punim, përmes këngëve të epikës historike, i ka paraqitur lexuesit një analizë të historisë në truallin e poezisë popullore. Kjo për arsye se poezia e epikës popullore ka lindur si jehonë e drejtpërdrejtë e fantazisë krijuese të popullit, si një vlerësim mjaft objektiv që ai u ka bërë ngjarjeve që ka pasë përjetuar në jetën e përditshme. Këngët e epikës historike, kushtuar Luftës së Vlorës, kanë lindur mbi bazën e fakteve dhe të dukurive që janë vënë re në një truall konkret, i cili ka kushtëzuar, në tërësi, natyrën dhe specifikën e tyre artistiko-estetike.
Tërë ai material i pasur faktik i artit të epikës historike, kushtuar asaj lufte zulmëmadhe, që autori e ka qëmtuar si bleta nektarin, bie në sy për mungesën e elementeve mitologjike. Sepse në themel të tij populli ka vënë një parim sa historik, aq edhe estetik. Në të, siç u përmend edhe më lart, janë ravijëzuar fakte historike konkrete, të cilat i krijojnë mundësi lexuesit të përfytyrojë ortekun e papërmbajtshëm të revoltës mbarëpopullore kundër një padrejtësie skandaloze që fuqitë e mëdha evropiane kërkonin t’ia impononin me dhunë vendit tonë.
Vargjet e këngëve të epikës historike, kushtuar asaj ngjarjeje të shënuar në historinë e kombit shqiptar, dallohen për vlerat e larta artistike. Në to spikat rrebeshi i furtunës popullore që të kujton shpërthimin e një ujëvare gjigante, e cila, me vërtikën e saj të stuhishme, përpinë çdo gjë që i del përpara.
Autori ka përzgjedhur të tilla vargje nga këngët e epikës historike, të cilat të emocionojnë dhe të ngrenë peshë për vlerat e larta artistike. Fryma e lartë kombëtare që karakterizon heronjtë e atyre këngëve të lavdishme, shpërfaq me tërë forcën e frymëzimit artistik të tilla tipare të karakterit të tyre, si burrëria, besnikëria, vetësakrifica dhe atdhedashuria, të cilat shërbyen si një kudhër edukimi për breznitë e mëvonshme.
Në atë betejë forcash të pabarabarta, ranë katërqind dëshmorë nga radhët e luftëtarëve trima. E shtrenjtë ishte jeta për secilin prej tyre, por për ta edhe më e shtrenjtë ishte liria e tokës mëmë.
Shkrimtari, poeti dhe eseisti i njohur francez Antuan Sent-Ekzyperi (Antoine Saint-Exupéry – 1900-1944), thotë:
“Megjithëse jeta e njeriut nuk ka të çmuar, ne gjithmonë veprojmë në atë mënyrë, thuajse ekziston diçka edhe më e çmuar”.
Autorët e heshtur të këngëve të epikës heroike, kanë pasur parasysh rolin që ato duhet të luajnë në pasqyrimin e së vërtetës historike. Por për t’i dhënë më shumë nxitje afshit poetik në pasqyrimin e heriozmit mbarëpopullor, ata kanë përdorur edhe hiperbolën, si mjet artistik. Le ta shikojmë më konkretisht një mjet të tillë artistik në këngën e mëposhtme, disa vargje të së silës autori i ka cituar aty-këtu në veprën në fjalë:
Telatë po venë e vinë, / Punon Kota me Kaninë, / Ç’e ka gjetur Piaçentinë? / Jep e merr me Italinë: /Qysh do bëjmë unë e tinë? / Se shqipëtarët errinë, / Osmëni me dyzetmijë. / Osmëni ia hypi kalit, /Bëri poshtë buzës e malit, / Se ç’i foli xheneralit: / Breshkaman i breshkamanit! / Dil steresë e jo limanit, / Të shosh të zot e vatanit, / Djemtë e Ismail Qemalit, / Të Skënderbej faqebardhit.
Në vargjet e kësaj kënge hiperbolizohet numri i luftëtarëve të Luftës së Vlorës, i cili, në të vërtetë, vërtitej aty te rreth katër mijë syresh. Por autorit të këtyre vargjeve i interesonte emocioni atdhetar që ato duhet të ngjallin në radhët e brezave të ardhshëm. Veç kësaj, ai nuk respekton disiplinën gjuhësore të vargëzimit dhe sipërinë e marrin trajtat dialektore të së folmes së Lumit të Vlorës dhe të krejtLabërisë.
Një vend të rëndësishëm në faqet e librit autori ua kushton heroinave të fshatarësisë vlonjate, të cilat kryen akte të larta heroizmi jo vetëm si një prapavijë e fuqishme në mbështetje të luftëtarëve të lirisë, duke i furnizuar ata me ushqime dhe duke u mjekuar plagët, por edhe si pjesëmarrëse të drejtpërdrejta me armë në dorë përkrah tyre.
Mes tyre, autori përmend zonjat e nderuara Sado Koshena, Rubi Hosi, Safe Musai, Zakine Krasta, Hanko Metja, Tushe Hosja. Në nderim të zonjës trime Sado Koshena, kësaj heroine sypatrembur që të kujton bashkatdhetaren e saj të shquar Shote Galica, poeti popullor anonim ka thurur vargjet e këngës epike të mëposhtme:
“Sado moj, Sado Koshena, / Jeshe rritur në Ravena, / Keshje pirë ujë bore / N’ato kullotat verore. /Mbi polkë veshe gjerdanë, / More përpjet’ Llogoranë, / Me një maliher të gjatë, / Luftove me ditë e natë. / Ti vëlla keshje dyfekun, / Me plumba e prite grekun, / Hape zjarr mbi italianë, / Se të zaptuan vatanë.
Qëllimi i kësaj vepre shkencore të studiuesit dhe të hulumtuesit të talentuar Arbert Habazaj, është studimi i gjenezës, i origjinalitetit të gjinisë së saj, si edhe i poetikës së këngëve të epikës historike. Në këtë këndvështrim, ai ka arritur të çelë shtigje dhe t’u japë zgjidhje detyrave të mëposhtme:
Së pari, ai ka argumentuar statusin teorik të këngëve të epikës historike brenda truallit të krijimtarisë folklorike.
Së dyti, ka përcaktuar rolin dhe rëndësinë e eposit në krijimin e këngëve me theks historiko-heroik.
Së treti, ka bërë një klasifikim të gjinisë dhe të stilit të eposit në fjalë.
Së katërti, ka përcaktuar veçoritë kryesore tipologjike të sistemit figurativ të këngëve historiko-heroike.
Së pesti, ka bërë karakterizimin e faktorëve historiko-kulturorë të lindjes dhe të zhvillimit të cikleve kryesore në eposin e këngëve në fjalë
Së gjashti, ka përcaktuar motivet themelore të këngëve të epikës historike dhe tipologjinë e tyre.
Së shtati, ka bërë një analizë artistike të teksteve të këngëve epike, duke pasur parasysh rolin e tyre të pazëvendësueshëm në edukimin dhe në rrënjosjen e ndërgjegjes kombëtare.
Në truallin e tematikës historike që përshkruan autori i punimit në fjalë, nuk është lënë jashtë vëmendjes edhe ajo pjesë e krijimtarisë së poetit popullor, në të cilën rrëfehet për ngjarje që lidheshin me mospajtimet dhe me kontradiktat socialpolitike të periudhës së parapërgatitjes dhe të zhvillimit të epopesë së Luftës së Vlorës. Për këtë qëllim, autori i ka ofruar lexuesit një këngë me një kuptim mjaft domethënës, një këngë kjo që të ngjall një emocion urrejtjembartës për atë pjesë të parisë së Vlorës, e cila nuk pranoi të rreshtohej përkrah forcave të fshatarësisë kryengritëse, por bëri kauzë me imperializmin italian, duke tradhtuar interesat komnbëtare. Ja teksti i asaj kënge bukur fshikulluese, të cilën autori e ka përcjellë, siç shkruan ai, “duke respektuar parimin fonetik”, pra, siç u nënvizua edhe pak më lartë, ashtu si edhe krijuesi i saj që nuk është bërë fort merak për t’iu përmbajtur disiplinës gjuhësore:
“Nuk e bëjmë kabull nà / Të jemi për nën – ë botë, / Nuk e bëjmë si atà, / Agallarët – ë me kokë /Shitën vatan’ edhe gra / Të ndierit në Evropë. / S’ini ju, po jemi nà / Dërc, u qoft’, o kaninjotë! / Seç u ngre Beu e tha: / “Për ne Italia rroftë, / Me makarona na mba / Si nevej dhe risiljotë”.
Me këtë rast, autori i këtij punimi shkruan:
“Kjo është një këngë e krijuar dhe kënduar nga krijuesi popullor dhe luftëtari i Njëzetës Mato Hasani, dhe shquhet për notat realiste e për ndjenjat e krenarisë së shqiptarit. Urrejtja ndaj shërbëtorëve vendas, që kishin barkun plotë e shpirtin bosh, kur u bënë urë për të huajin, se s’kishin palcë kombëtare në karakter, bëhet vetëtimë kur ngjyhet në ironinë therëse të dufit të banorëve të këtyre anëve. Kënga thekson dy grupime njerëzore që kanë dallime thelbësore, që veçohen nga kontraste të forta: ne, të idealit kombëtar, pra patriotët, dhe ata, të interesave personale, pseudopatriotët, tradhtarët”.
Ai beu që u ngrit e tha “për ne Italia rroftë…”, ishte Mahmut efendiu nga Kanina. Por ky bej, dhe ndonjë tjetër si ky, tradhtar i interesave kombëtare, që u falej “makaronave italiane”, nuk përfaqësonte Kaninën, e cila ka qenë vatër e shquar e shqiptarisë dhe ka nxjerrë nga gjiri i vetë figura me emër të madh në historinë e kombit shqiptar.
Në përfundim të këtyre shënimeve, kam dëshirë t’i rekomandoj autorit të kësaj vepre shkencore që, në rast të ndonjë ribotimi të mëvonshëm, të bëjë një shtojcë në mbyllje të saj, duke ngritur një “urë ajrore” mes epopesë heroike të Luftës së Vlorës dhe realitetit shqiptar, pas vendosjes së pluralizmit në vendin tone, në mënyrë që të të dalë në pah fakti, nëse ekzistojmë “na”, apo jemi rrëgjuar, jemi venitur krejt, saqë jemi shuar fare, dhe ekzistojnë vetëm “ata”, të cilët sot quhen oligarkë të politikës aktuale që kanë braktisur interesat kombëtare.
Këtë rekomandim ia bëj zotërisë së nderuar Albert Habazaj për arsyen e mëposhtme.
Një miku im vlonjat, pasi kishte lexuar në internet pamfletin e zotërisë Idajet Jahaj, me titull “Vrima e zezë e helenizimit “paqësor” grek” (ku nënvizonte: “Parlamentarët e politikanët tanë janë në rrjetën e megali-idhesë greke”), artikullin e profesorit historian Rasim Bebo, me titull “Dy intelektualë të kundërt” (ku shkruante: “Në rrugën Sarandë-Butrint është varur një tjetër flamur gjigant grek, që turistët të mendojnë se janë në tokën greke), si edhe librin e zotërisë Albert Habazaj, në të cilin i kishin lënë mbresa të fuqishme vargjet e këngës së lartpërmendur, kushtuar tradhtisë së një pjese të parisë vlonjate, në poezinë e mëposhtme kishte parodizuar këngën në fjalë:
Tirana zyrtare tha: / Për neve Greqia rroftë, / Se në dorë ajo na ka / Për të hyrë në Evropë, /Janullatosin e ka / Emisar, jeta iu shtoftë!/ Guvernator, jo shaka, / Guvernator rroftë e qoftë! /Kryqin grek në qafë e mba, / Ndaj dhe ne ia puthim fort, / Se kështu hije na ka, / Çamëria u harroftë!
Kur e lexova këtë parodi, më erdhi edhe për të qeshur, edhe për të qarë dhe, aty për aty, m’kujtuan ca vargje tronditëse të poeteshës Alma Feruni: “Ah! Vendi im… / Të varfërit po të braktisin… / Të pasurit po të shesin … / Shartohet kombi, / Traditat vdesin….! / Të poshtërit të qeverisin …! / Të diturit pinë ekspres… / Bërtasin veç varret. / Shqipëria po vdes…”!
Monografia shkencore “Lufta e Vlorës-Historia në Epikën historike” me autor studiuesin dhe poetin e njohur vlonjat Albert Habazaj është një faqe e pasur dhe e pastër për historiografinë, etnologjinë, etnografinë dhe folkoristikën shqiptare.
Vlorë, 28.05.2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura