BEQIR ELSHANI: JEHONA E GREVËS SË MINATORËVE

Suedi, 23 shkurt 2019: (Me rastin e 30-vjetori të grevës së minatorëve) – Ishte dimri i vitit më të tmerrshëm në historinë kombëtare të Kosovës – muaji shkurt i vitit 1989. Ndonëse muaji quhej shkurt, megjithatë në kujtesën shqiptare ka mbetur si muaj më i gjatë se viti. Minatorët shqiptarë bënin grevën për jetë a vdekje në thellësinë e nëntokës pa dritë dhe pa ajër – dy gjëra të domosdoshme të jetës. Ata nuk pranuan të dilnin nga galeria e nëntokës pa u largua rreziku i shovinizmit serb nga Kosova. Greva e tyre filloi më 20 dhe zgjati deri më 28 shkurt të vitit 1989.
Fashizmi serbosllav me anën e policisë dhe armatës e kishte gllabëruar Kosovën, e cila prej vitit 1974 ishte pjesë konstituive e federatës jugosllave. Prandaj minatorët me një grevë të përgjithshme të pakufizuar vendosën të mbrojnë Kushtetutën e Kosovës, që dikur u fitua me gjakun e popullit shqiptar. Prandaj në Trepçë nisi shkatërrimi i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e cila ishte krijuar me synime kundërshqiptare. Autoriteti i Jugosllavisë socialiste, vetadministruese dhe të painkuadruar po tronditej përballë botës qytetare, që një kohë të gjatë ishin mashtruar me propagandën subversive të Beogradit. Të gjitha burgjet në Jugosllavinë Federative ishin mbushur përplot me revolucionarë shqiptarë që kërkonin Republikën e Kosovës me të drejtë barabarta në Federatën Jugosllave, tani kishte ardhur radha që të burgosen të gjitha institucionet arsimore, kulturore, shëndetësore dhe fabrikat. Kishte ardhur radha që jeta të dukej e zezë si në thellësinë e nëntokës së minatorëve barkthatë dhe ishte metaforë e burgosjes së mbarë popullit shqiptar në Jugosllavinë socialfashiste. Epoka e burgosjes dhe rrahjes së “irredentistëve” shqiptarë, siç na quante fashizmi jugosllav, ishte tejkaluar, tani kishte ardhur radha që të burgosej, të rrihej dhe të vritej mbarë populli shqiptar. Nga thellësia e nëntokës shqiptare nxirrej ari me vagonë, dhe përfundonte në bankat e kusarëve serbë, sepse ishin kolonizatorë që shfrytëzonin pasurinë shqiptare. Ishin tri gjera kryesore që e magjepsin kolonizatorin serb: ari, toka e bukës dhe deti Adriatik, pa të cilat banorët karpatian nuk do vinin në trojet shqiptare. Mbarë Kosova ishte bërë minierë e skllavërimit të popullit shqiptar, ngjarja të kujtonte dënimin e skllevërve, në Romën antike “Domnatio ad metalla!”, që do të thotë “skllevërit në minierë!”, sepse me grevën e minatorëve shqiptarë dobësohej Jugosllavia Federative.
Sakrifica për mbrojtjen e Kushtetutës së Kosovës
Në shkurt të vitit 1989 Askush nga udhëheqësit shqiptarë të Kosovës nuk denjoi të bashkëngjitet dhe të solidarizohet me minatorët trima të Stantërgut, që në thellësi të tokës mbronin Kushtetutën e Kosovës. Vetë greva e tyre në thellësi të tokës tregonte se në sipërfaqen e Kosovës nuk ka liri, çdo pjesë e saj është mbushur me policë të armatosur, të pajisur me autoblinda e me pizgauerë; pa përmendur snajperët që kishin zënë pikat strategjike. Për tragjedinë më të madhe, udhëheqësit e damkosur të Kosovës mundoheshin që minatorët me anën e lajkave t’i bindin për ndërprerjen e grevës. Dihet që këtu mungonte vështrimi revolucionar i udhëheqësve shqiptarë. Duhej që ministrat ta kuptonin se greva e minatorëve ishte për çlirimin e popullit shqiptar nga shtypja, dhuna dhe burgosja një kohë të gjatë nga politika shoviniste jugosllave. Pasi që Kosova në vitin 1974 e kishte fituari Kushtetutën, si pjesë konstituive në Federatën Jugosllave, prandaj nëse qeveria e Kosovës nuk mund ta bënte Kosovën Republikë, pse atëherë nuk e mbrojti atë që tashmë e kishte ndërtuar 15 vjet me radhë. Kur penda e hidrocentralit ndërtohet mbi një lumë, duhet përdorur material ndërtimor të fuqishëm: e para që penda të jetë e qëndrueshme në shërbim të energjetikës, dhe e dyta të mos rrezikohen fshatrat dhe qytetet nga vërshimi i papritur i ujit të hidrocentralit. Prandaj me se u ndërtua “Kushtetuta e 1974-ës në Kosovë 15 vjet me radhë deri në ditën e kapitullimit, që më në fund tanket serbosllave mund të na shtypnin dhe të na hiqnin lirinë kur të donin. Dhe çfarë mjerimi, ndërkohë që minatorët grevistë po e rrezikonin jetën për çlirimin e Kosovës nga kolonizimi shekullor serbosllav, drejtori gjeneral për shpëtimin e tyre sakrifikonte krahun. Jo vetëm për shpëtimin e grevistëve si punëtorë të tij, por edhe si luftëtarë të lirisë që jetën po e sakrifikonin për mbrojtjen e KUSHTETUTËS SË KOSOVËS, për të mirën e mbarë popullit shqiptar në Jugosllavi, për të cilën pushtetarët ishin treguar qyqarë. Prandaj bashkëngjitja e ndonjë udhëheqësi shqiptar me minatorët grevistë, jo vetëm që do të ndihmonte rreth organizimit të programit të grevës, por edhe do t’u jepte kurajë minatorëve trima grevistë, studentëve, nxënësve dhe mbarë popullit shqiptar; t’i këshillonte të mos bien pre e intrigave tradicionale të politikës serbe. Kuptohet, të tillët si Aziz Abrashi dhe Burhan Kavaja dhe shumë të tjerë nuk donin të sakrifikoheshin për qëllimin e lartë kombëtar të Kosovës, siç sakrifikoheshin djemtë e Lëvizjes Popullore të Kosovës. Jugosllavia e njohur në diplomacinë ndërkombëtare për planet e saj fashiste, që ia kalonte gestapos gjermane, edhe këtë herë trilloi dorëheqjen e treshit të miqve serbë: Rrahman Morina, Ali Shukriu dhe Hysamedin Azemi, vetëm sa për t’i nxjerrë minatorët grevistë nga nëntoka. “Dorëheqjen” e tre tradhtarëve të vendit (kupto Kosovës) e festuan titistët, përveç laokontëve shqiptarë të rrahur, të ndjekur dhe të shtypur nga të gjitha sistemet jugofashiste. Dihet që titistët nuk i nxorën grevistët prej nëntokës së minierës për shpëtimin e jetës së tyre, por vetëm për frikën e zgjatjes së grevës dhe që ndikonte në humbjen e autoritetit shtetëror të Jugosllavisë Federative dhe të painkuadruar në diplomacinë ndërkombëtare.

Asnjë gram Hitlerit dhe Millosheviqit
Gjatë mbajtjes së protestave për mbrojtjen e Kushtetutës së Kosovës, drejtorët e reparteve të “Ballkanit” në Therandë i detyruan kuzhinierët e restorantit që ushqimin ta shpërndajnë nëpër reparte, për t’i gënjyer punëtorët grevistë, kinse disa reparte tashmë i kanë ndërprerë protestat solidare me minatorët e Trepçës dhe Stantergut. Mirëpo kuzhinierët nuk pranuan t’i nënshtrohen hipokrizisë së drejtorëve, të cilët ishin burokratë që kujdeseshin për lëkurën e vet. Duke mos pasur sukses që edhe kuzhinierët të detyrohen, atëherë pasoi kërcënimi me anën e largimit nga vendet e tyre të punës. Udhëheqësit e reparteve, jo vetëm që nuk treguan interesim për Kosovën Republikë, por aspak nuk orvateshin për mbrojtjen e Kushtetutës së Kosovës, të cilën e kishim fituar me gjakderdhje në demonstratat e vitit 1968. Kjo minierë e strategjisë ekonomike ishte shndërruar në debat politik, dhe së shpejti do të bëhej minierë e revolucionit të Kosovës. Gjatë Luftës së Dytë botërore minatorët kishin vendosur që asnjë gram të mos ia jepnin Hitlerit”, tani kishte ardhur koha që asnjë gram të mos ia jepnin Millosheviqit”. Minatorët me drita në ballë kishin mbetur në thellësi të tokës, ndërkohë që burokracia titste po lodronte në sipërfaqe. Prandaj në dallim me të parët minatorë e Kosovës shtrënguan darët për shkatërrimin e Jugosllavisë fashiste, e cila u mbajt një shekull me anën e dhunës.
Një minator, pjesëmarrës në grevën e madhe të minatorëve të Stantërgut, tregonte se greva e tyre ishte e vetvetishme dhe nuk kishte organizim të plotë. Ai tregoi se me padurim pritnin që dikush nga radhët e udhëheqjes së kombinatit “Trepça” të bashkëngjitej, në mënyrë që programi i tyre të merrte qëndrim të qartë për çlirimin e Kosovës nga kthetrat e kuçedrës serbofashiste. “Në minierë kanë qenë 3000 minatorë nën thellësi prej 800m të horizontit dhe kishte lagështi. Nxehtësia vende-vende arrinte deri në +45°C. Në ditën e nëntë të grevës, në orën njëzetë, drejtor Aziz Abrashi na sjellë telegramin, domethënë vendimin e Komitetit Krahinor, kinse për dorëheqjen e tre anëtarëve kuislingë nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës. Në vend se drejtor Abrashi telegramin ta griste si të pavlefshme dhe të solidarizohej me ne, përkundrazi tha se fitorja u arrit”, kështu deklaroi minatori grevist i Stantërgut.
Emrin e minatorit të Stantërgut nuk arrita ta mësoj, ai ishte trupmadh dhe i fuqishëm, rreth të dyzetave, dhe gëzonte nderim nga të gjithë bashkëvendësit, ndaj më tha se pas çlirimit, minatorët pjesëmarrës në grevë për shkak të pasojave shëndetësore duhet të dalin në pension invaliditeti. Unë i tregova se si gjatë vitit 1974, veprimtari i çështjes kombëtare dhe miku im, Abdyl Lahu, më kishte thënë se brenda 7-8 vjetësh Kosova do të bashkohet me Shqipërinë. Deklarata e tij më kishte pëlqyer, mirëpo koha e pritjes më dukej bukur larg. Atëherë Abdyli ma tërhoqi vërejtjen duke më thënë, se vetëm le të sendërtohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, përndryshe do të priste edhe dy dekada. Prandaj minatorit trim i thash se për të fituar lirinë ne na duhet një kohë shumë e gjatë. Sipas deklaratës së minatorit shihet se drejtorit të tyre, Aziz Abrashit, i ka munguar forca diplomatike, që me kohë të kuptonte intrigën tradicionale serbe. Tekembramja, shumica e udhëheqësve të Kosovës në rininë e tyre kishin përjetuar tradhtinë titiste, e cila në vitin 1945 kryengritjen popullore të Drenicës në krye me Shaban Polluzhën e shuan me zjarr. Prandaj edhe aty udhëheqësit kosovarë e humbën rastin e fundit për zhbërjen apo falimentimin, e pushtetit absolut të Jugosllavisë fashiste prej nga çështja e Kosovës do të zgjidhej përfundimisht, sepse greva e tyre ishte përfshirë në gjithë Kosovën, dhe kishte tronditur bashkësinë evropiane e ndërkombëtare. Prandaj Greva e Minatorëve, e përkrahur nga tërë klasa punëtore dhe fshatarësia e Kosovës, kërkonte angazhim për fitoren përfundimtare të Republikës së Kosovës, dhe jo emocione me lot. Mbarë populli shqiptar i Kosovës e dinte se Armata Popullore e Jugosllavisë Federative ishte vu nën mbikëqyrjen e plotë të Serbisë Fashiste. Sabotimin rreth shtypjes me gjak të grevës nga ana e policisë serbosllave e kanë ditur edhe burokracia politike e Kosovës. Prandaj Serbia nuk ka qenë, as nuk do të jetë kurrë e aftë të jetojë me popuj josllavë, siç janë shqiptarët dhe hungarezët.
Mashtrimet tradicionale serbe
Për ta njollosur Grevën e Madhe të minatorëve shqiptarë për mbrojtjen e Kushtetutës së Kosovës homogjene me 95% shqiptarë, dolën disa banda serbe së bashku me gratë e tyre për të mbajtur grevën shoviniste të dirigjuar nga qarqet çetnike të Beogradit. Ngjashëm kishte ndodhur edhe gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila u përhap në mbarë vendin, prandaj perandoria turke prej Stambollit krijoi një fraksion proislamik për ta penguar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878.
U rikthye koha që udhëheqësit politikë të Kosovës të goditeshin nga shkopi i vagabondit, Rrahman Morina. Lind pyetja: Kush e krijoi fantazmën Morina?! Ai psikopat ka dalë si fryt i mosangazhimit të Fadil Hoxhës, Xhavit Nimanit, Kolë Shirokës, Mahmut Bakallit, Azem Vllasit, Kaçusha Jasharit, Remzi Kolgecit dhe Nebih Gashit për mbrojtjen e Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974. Të gjithë këta pushtetarë, duke pranuar nënshtrimin serb, treguan se shpirtin e kishin me qira, edhe pse Kosova kishte një rini përparimtare, të aftë dhe të guximshme shqiptare për mbrojtjen e atdheut deri aty ku bukës i thuhet bukë e ujit ujë. Gjëja më e tmerrshme ishte se pushtetarët e Kosovës para kolonizatorit serb bëheshin qengja, kurse para popullit shqiptar që kërkonte Kosovën Republikë, bëheshin ujq. Po të kundërshtonin teoricienët me kohë, përndryshe akademikë autoktonë të Universitetit të Kosovës: Sureja Pupovci, Kurtesh Salihu, Hajredin Hoxha, Pjetër Kola dhe Hazër Susuri miratimin e amendamenteve në Kushtetutën e Serbisë më 23 mars 1989, punëtorët, nxënësit, studentët nuk do të hidheshin në rrugë dhe tanket serbe nuk do hynin në Kosovë. Ujku do mjegull, prandaj këtë mjegull e krijoi qeveria e korruptuar politike e Kosovës. E krijuan tradhtarët që ishin shkëputur nga populli i ligjshëm shqiptar dhe plotësisht ishin vënë në shërbim të Serbisë kolonialiste; e krijoi burokracia shqiptare e shkëputur nga fshatarësia dhe klasa punëtore, e shkëputur nga interesat e populli shqiptar për liri dhe bashkim kombëtar. “Kur e keqja parashikohet prej së largu, dhe aftësinë për këtë e kanë vetëm njerëzit e pajisur me urtësi të madhe, ajo shërohet shpejt”, shkruan Makiaveli. Konkretisht në nëntor të vitit 1968, kryetari i Kuvendit komunal të Kaçanikut kreshnik, Sali Bajri (që me të drejtë populli e quan Sali Trimi), përndryshe ekonomist i diplomuar, i përkrahu demonstratat e studentëve të Kosovës për Republikë. Krahasuar me protestat e mëvonshme, demonstratat e ‘68-ës për statusin e Republikës së Kosovës kanë qenë shumë më të vështira se dymbëdhjetë vjet më vonë, mirëpo mungonte vetëmohimi i udhëheqjes për të mbrojtur Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974, të cilën populli shqiptar e kishte fituar me sakrifica të mëdha.
Gjatë grevës mbarëshqiptare të Kosovës në industrinë e “Ballkanit” u zgjodh një grup për të vizituar minatorët në shenjë solidariteti. Edhe në mesin e grevistëve nisi të bëhej diferencimi, ku disa prej tyre e përkrahnin nomenklaturën udhëheqëse të Kosovës, e cila mbahej me anën e infuzionit të Beogradit, infuzion që do të ndërpritej brenda javës. Para masës nuk duhej të fliste ndonjë veprimtar apo kryengritës shqiptar. Kishte me qindra punëtorë që i kishte prekur murtaja e burgut jugosllav prej Nishit deri në Goli Otok, prandaj titistëve nuk u pëlqente prania e revolucionarëve. Para demonstruesve shqiptarë në palestrën sportive në Prishtinë Kaqusha Jashari dhe Remzi Kolgeci, përndryshe përmbysës të Kushtetutës së Kosovës, këshilluan që qytetarët të kenë kujdes, kinse në mesin e tyre kishte armiq të infiltruar. Dihet që fjala ishte jo për çetnikët serbë që po e bënin grusht shtet në Kuvendin Federativ të Jugosllavisë për ta sulmuar Kosovën, por pikërisht për revolucionarët shqiptarë, të cilët më mirë se askush tjetër po e parashikonin rrezikun e zhdukjes së Kosovës nga ushtria kriminale serbe. Për ironinë më të madhe, ende kishte adhurues të verbët, të cilët shpresonin në mrekullinë çudibërëse tek pushtetarët e shtrydhur të Kosovës. Sami Frashëri thotë se njeriu i rritur në robëri nuk mund ta dijë vlerën e lirisë, i rrituri në liri nuk mund të durojë robërinë (përfundon citati), prandaj njeriu që tërë kohën është ushqyer me dogma titiste, nuk mund të mbrojë lirinë e popullit shqiptar. Kuptohet se kur ekipi vendas humb ndeshjen sportive shahet dhe qëllohet me vezë e domate, prandaj edhe lajkatarët e pushtetit të Kosovës duhej sharë dhe gjuajtur me gurë e me vezë të prishura.
Heqja e Kushtetutës dhe rrethimi i Kosovës
Minatorët, të lodhur, të uritur e të rraskapitur, arritën pasdite në Prishtinë dhe hynë në pallatin e sporteve “Boro e Ramizi”. Pjesëmarrësve të marshit, të cilët kishin ecur 10 orë në këmbë, pa pushuar, iu ofruan nga një sandviç e ujë, por ata ishin kategorikë, nuk e pranuan ushqimin. Veprimi i minatorëve të përkujton trimin e maleve tona – Bajram Currin, i cili për Kosovë bukë po rri pa ngrënë, prandaj edhe minatorët vetëm për mbrojtjen e Kosovës nuk pranuan të ushqehen. Në vazhdim, derisa protestuesit shqiptarë në Kosovë bënin diferencimin vendor, në Serbi shtoheshin aradhet çetnike për sulmimin e Kosovës në krye me Sllobodan Millosheviqin. Kështu që më 23 mars 1989, Kosovës iu hoq Kushtetuta e shtatëdhjetë e katrës, domethënë edhe ajo pjesë e kushtetutës, që kurrë nuk arriti ta zbatojë sa dhe si duhet burokracia e majme shqiptare para dhe pasbakalliste. Burokracia shqiptare më shumë është interesuar për ndërtimin e pallateve vetjake si në qytet, ashtu edhe në bjeshkë të Sharrit, se për fatin e përgjithshëm të popullit shqiptar dhe Kosovës. Përveç kësaj, kuislingët shqiptarë nuk dinin kur është mjaft, kështu që vazhdimisht burgosnin rininë shqiptare që kërkonte liri dhe të drejta të barabarta kombëtare. KSA e Kosovës kishte mjaft policë shqiptarë, mirëpo ata nuk e mbronin popullin e madh autokton shqiptar, por pakicën e instrumentalizuar serbe të vendosur me dhunë në Kosovë. Që policia shqiptare të mbronte popullin shumicë shqiptare, duhej që në vend të banditit Morina të udhëhiqte një shqiptar trim si Sali Bajri. Sipas gjëegjëzës “Në rrojtore hyn plak dhe del i ri”, ngjashëm vepruan edhe barinjtë që kishin zbritur prej fshatrave në qytet dhe sakaq ishin pispillosur për policë në shërbim të Jugosllavisë shoviniste. Natyrisht që këta më mirë se shkiet e kanë mbrojtur shtetin jugosllav, për ta penguar kryengritjen e popullit shqiptar për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë mëmë.
Të nesërmen, në rrafshnaltën e Shirokës, atje, mbi shpatin e malit gjinden serat e fabrikës së gomave “Damper”, ndërtimi i së cilës më shumë u sabotua se që u zbatua; pamë ushtarët e Armatës, jo popullore, por fashiste të APJ-së, që aspak nuk kishte dallim me fashizmin gjerman dhe italian, kishin rrethuar qytetin. Kur shkova në detyrë në bibliotekë, pash tankun e kaltër serb. Tani hoteli i beqarëve, të cilin dikur e kishin zhgërryer zyrtarët e korruptuar shqiptarë, ishte mbushur dëng me policë serbë dhe me ushtarë të shumë jugosllavë të armatosur deri në dhëmbë.
Suedi, 22 shkurt 2019

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura