VAXHID SEJDIU: KU ËSHTË UKSHIN HOTI – SOKRATI SHQIPTAR?!…

Pashtriku.org, 16. 05. 2012 – (“…pa përcaktimin definitiv të eshtrave të prof. Ukshin Hotit dhe mijëra shqiptarëve të tjerë të pagjetur nuk mund t`i kthehet buzëqeshja popullit shqiptar.”…V.S) Me emrin e Ukshin Hotit personifikohen idealet e shumë gjeneratave: mësuesit, shkrimtarët, intelektualët dhe veprimtarët që ndryshuan status – quon e mendimit politik shqiptar në dobi të çështjes shqiptare, nxënësit, studentët dhe punëtorët të cilët u edukuan nën frymën përparimtare hotiane si dhe thyerjen e tabuve, klisheve të mendimit politikë për të ardhmen e Kosovës, të cilën e kishte projektuar në mënyrë sllave skorta e Komitetit Qendror të LKJ.
Ku është Ukshin Hoti – Sokrati shqiptar?!
Një nga pyetjet më të rënda të periudhës së pasluftës padyshim ishte dhe është – ku është Ukshin Hoti? – Pyetje e cila të lë pa tekst, të shtyn të mendosh, të reagosh, të hapësh të gjitha dyert e burgjeve e arkivat serbe, dokumentet shtetërore të UDB-së dhe KOS-it për të gjetur Sokratin shqiptar. Të gjallë apo të vrarë. Të mbytur mizorisht apo të mbajtur peng. Të hedhur në varret masive të shqiptarëve në katër anët e Serbisë apo të ngujuar, duke shpresuar se me ngujimin e tij do te ngujojnë edhe mendimin e lirë shqiptar. Pyetje e cila të detyron të trokasësh në të gjitha kancelaritë e Serbisë, Ballkanit dhe Evropës, duke ua përplasur faktet para syve – Ku është Ukshin Hoti?
Dhe kjo pyetje, i mbulon si terri ligjet e demokracisë evropiane sepse errësira mohon ligjet njerëzore dhe shqiptarët kanë pasur, kanë dhe do të kenë gjithmonë të drejtën për të hapur procesin gjyqësor për rastin e Sokratit shqiptar – Ukshin Hotit, në seancat më të njohura evropiane dhe botërore, dhe jo vetëm për të akuzuar, por edhe për të dëshmuar botërisht kalvarin e vuajtjeve të intelektualëve dhe mendimtarëve shqiptarë nën thundrën e hekurt jugosllave.

________________________________________

Pyetje e cila të torturon pandërprerë dhe jo vetëm që të lë pa gjumë por edhe të detyron të revoltohesh, të detyron të shndërrohesh në kryengritës për lirinë e një populli të dënuar me vdekje, të dënuar e të sakatosur gjyqeve, burgjeve, ekzekutimeve dhe dëbimeve masive. Ukshin Hoti nuk përfaqëson Ukshinin e Krushës së Madhe, por ai përfaqëson mësuesin, idealistin, atdhetarin dhe veprimtarin e çështjes kombëtare shqiptare. Emri i tij ndërlidhet me filozofinë më të re politike shqiptare. Emri i tij nuk është një emër i thjeshtë i politikës, por një i emër i kombit, i atdheut, i Shqiptarisë, kurse me veprën dhe bëmat e tij dëshmoi se shqiptarët kanë mundësi, aftësi, guxim dhe janë të gatshëm të sakrifikohen për lirinë e popullit shqiptar dhe jo të rrojnë nën sundimin absolut të një regjimi diktatorial të përmasave fashiste, siç ishte ish-Jugosllavia.
Emri i tij, njeriun normal nuk e lenë të qetë, e shtyn të mendoj, të veproj dhe të kundërshtoj të gjitha ato veprime ç`njerëzore dhe të tilla ka shumë, që u përdoren nga pushtuesit, nga të paligjshmit, nga militantët e mendimeve fashiste të Jugosllavisë diktatoriale.
Me emrin e Ukshin Hotit personifikohen idealet e shumë gjeneratave: mësuesit, shkrimtarët, intelektualët dhe veprimtarët që ndryshuan status – quon e mendimit politik shqiptar në dobi të çështjes shqiptare, nxënësit, studentët dhe punëtorët të cilët u edukuan nën frymën përparimtare hotiane si dhe thyerjen e tabuve, klisheve të mendimit politikë për të ardhmen e Kosovës, të cilën e kishte projektuar në mënyrë sllave skorta e Komitetit Qendror të LKJ.
Mendimi i tij publikisht do të vras frikën në mesin e intelektualëve dhe me veprën e tij do t`i bashkëngjitet frontit të përbashkët shqiptar për të holluar sa më shumë prangat e robërisë.
Prandaj ky mendim bartet gojë më gojë në katër anët e atdheut të shqipeve, i cili obligon të gjallët për ta gjetur, kurse sa i përket historisë s`ka nevojë, sepse ai me veprën e tij, vetë e ka gjetur vendin në historinë e popullit shqiptar. Në histori hynë ata të cilët sakrifikojnë për atdheun dhe prof. Ukshin Hoti ishte dhe mbetet simbol i sakrificës dhe idealit të palëkundur kombëtar. Me të drejtë poeti Agim Doçi duke tërhequr një paralele në mes vlerës dhe peshës së mendimit politik dhe pushkës çlirimtare të luftëtarëve të lirisë do të thotë:
“Ti ishe buzqeshja!
Uniteti i kombit!
Luftëtarët po pyesin:
Ku asht Ukshin Hoti?!”
Prandaj edhe sot kur ndalemi dhe e krahasojmë të kaluarën dhe të sotmen vijmë në përfundim, se pa përcaktimin definitiv të eshtrave të prof. Ukshin Hotit dhe mijëra shqiptarëve të tjerë të pagjetur nuk mund t`i kthehet buzëqeshja popullit shqiptar.
Ukshin Hoti për Atdheun!
Ai tërë jetën punoi dhe veproi për çështjen e pazgjidhur shqiptare, për lirinë popullit shqiptar në bazë të ligjeve ndërkombëtare. Ai me gojë dhe me shkrim e vulosi jetën e tij duke e lidhur me lirinë e Kosovës që në fakt simbolizonte vetë ekzistencën e popullit shqiptar të robëruar. Ishte ndër të parët që me fjalën e tij kërkoi lirinë e Kosovës në institucionin më të lartë të mendjes dhe dijes në Universitetin e Kosovës. Ai e tha dhe i mbeti besnik fjalës se kërkesat e ligjshme të një populli realizohen në institucionet e vendit dhe kur ato institucione shkelin vullnetin popullit, ato duhet luftuar deri në fund.
Si intelektual nuk e duroi dot mashtrimin politik dhe e demaskoi deri në palcë, injorantët politikë, servilët dhe mashtruesit i ndau si me thikë me filozofinë politike, sipas rregullave dhe bëmave. Mendimi i tij politik shënon bazën e një mendimi modern politik shqiptar, duke mbetur udhërrëfyes i gjeneratave për mësimet, sakrificën dhe angazhimin.
Njeriu që sfidoi të gjitha format e dhunës dhe terrorit psikik e fizik. Njeriu që u përplasë me të gjithë armiqtë e popullit shqiptar, të të gjitha llojeve dhe të të gjitha ngjyrave, duke mos u gjunjëzuar asnjëherë.
Ai i sfidoi gjyqet jugosllave duke dëshmuar se Kosova ka intelektual, të cilët sakrifikohen për themelet e saj.
Ai po të ishte gjallë nuk do të ndalej duke punuar për lirinë e popullit shqiptar dhe ashtu si dikur do të kundërshtonte me gjithë forcë të gjitha padrejtësitë që i bëhen Kosovës në fushën e diplomacisë. Po të ishte gjallë sigurisht se do të ishte në ballë të diplomacisë së Kosovës dhe nuk do t`iu vinte radha analfabetëve të kohës të preknin fushën e tij, të dijes.
Atdheu për Ukshin Hotin!
Ukshin Hoti nuk ishte kosovarë, në të gjitha dokumentet personale i shkruan shqiptarë, nëse nuk e besoni hulumtoni në ato pak dokumente që i kanë mbetur Kosovës, sepse Serbia fashiste e kishte marrë për në burgjet serbe edhe arkivin e gjendjes civile të Kosovës. Me mendimet e tij, asnjëherë nuk mendoi për çështjet lokale, çështjet parciale, sepse botën shqiptare e shihte si tërësi. Por tani parashtrohet pyetja, – si e sheh bota shqiptare Ukshin Hotin, si tërësi apo mundohet ta paraqes në forma dhe mënyra të ndryshme?
Duke i pasur parasysh zhvillimet politike të së kaluarës dhe veçanërisht periudhën pas luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, na del se bota shqiptare nuk ishte dhe nuk është në nivelin e duhur, jo vetëm në këtë dosje të pambyllur shqiptare, por edhe në mijëra e mijëra dosje të tjera shqiptare të mbetura në burgjet apo në varrezat masive të Serbisë. Pra bota shqiptare jo vetëm për këtë rast por edhe në rastet tjera nuk ka bërë atë që duhet bërë. Duke i pasur parasysh të gjitha institucionet politike në Shqipëri dhe Kosovë (pa i futur institucionet në IRJM, Kosovë Lindore, Mal të Zi, sepse ata nuk mund të mbrojnë as veten), apo duke i pasur parasysh ASHA të Shqipërisë dhe ASHA të Kosovës, duke i pasur parasysh Lidhjen e Shkrimtarëve, Bibliotekat Kombëtare, Institutet e ndryshme Shqipëri – Kosovë, të gjitha universitetet shqiptare, siç janë në Kosovë: ai i Prishtinës, Prizrenit, universitet private: Fama, Universiteti Mbretëror Iliria, Universiteti Dardania, Universiteti AAB, Instituti për studime Politike dhe Evropiane etj, universitetet në IRJM: Universiteti i Tetovës dhe i Evropës Juglindore në Tetovë, universitetet shtetërore në Shqipëri: ai i Tiranës, i Shkodrës, Gjirokastrës, Durrësit, Vlorës, Elbasanit, Korçës, Lushnjës, si dhe universitetet private: Universiteti i Lushnjes, Universiteti Amerikan i Tiranës, University of New York Tirana, Universiteti Epoka, Universiteti Evropian i Tiranës, Universiteti Justiniani i Parë, Universiteti Luarasi, Universiteti UFO, Universiteti Kristal, Universiteti Marin Barleti, Universiteti Illyria, Universiteti Pavarësia Vlorë, Universiteti Motrat Qirjazi, Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë etj., e themi me plot gojën se nuk është bërë asgjë për të ndryshuar mentalitetin e harresës shqiptare dhe për të filluar modernizimin e shkencës shqiptare. Duke i pasur parasysh qindra e qindra gazeta dhe mijëra e mijëra gazetarë, të cilët punojnë në gazeta “të pavarura”, partiake, apo të afërta me pjesën qeveritare, nuk kanë bërë atë që duhet të bëhet dhe atë që e kërkon koha, sepse e ardhmja i takon popullit. Dhe nesër studentët që vijnë, do të akuzojnë për pasivitetin, mosangazhimin, mosdijen, apo edhe më keq paaftësinë për t`iu dhënë gjerave vendin e merituar.
Dhe në (pa)fund…
Thënë shkurt, Ukshin Hoti nuk ka të bëj me vdekjen por ka të bëj me ringjalljen, sepse studentët kërkojnë dije, mendime, urtësi dhe të tillë në universitetet e sotme janë të rrallë. Ukshin Hoti nuk ka të bëj me harresën, por me përjetësinë, e cila ndër vite merr formën e saj të duhur. Ai nuk ka të bëj me amullinë intelektuale, me shterpësinë e mendimeve politike por ka të bëj me realitetin sepse ishte lajmëtar i mendimit shqiptar. Atëherë parashtrohet një pyetje: A thua vallë se si do të shkruhet në Enciklopedinë e njerëzimit për U. Hotin. Tani për tani është vështirë për të menduar një gjë të tillë, si të tërë, por sigurisht se për Sokratin shqiptar do të shkruhet se e morën hijet e natës nga burgu kolektiv i shqiptarëve, të cilët e kishin dënuar pushtuesit e Jugosllavisë fashiste, sepse ai me mendimet e tij për lirinë njeriut shqiptar kishte hap një rreze drite, e cila rreze kishte prishur gjumin e dikaturës fashiste. Ai ishte i dënuar, ai ishte i mbyllur në burgun famëkeq të Jugosllavisë sepse kishte ëndërruar, menduar, punuar dhe vepruar në shërbim të lirisë. Ata të cilët mendonin dhe punonin në shërbim të lirisë, Jugosllavia i dënonte me vdekje. Dhe po aty, një fotografi e prof. Ukshin Hotit, i cili duket sikur po e sheh vdekjen me sy, vdekjen të cilën ia kanë përgatitur xhelatët e kohës, vdekjen të cilën e kanë kurdisur vrasësit e popullit shqiptar. Dhe fare në fund një fusnotë, të cilët e kanë shkruar me shkronja të imta, të cilën do ta lexojnë apostujt e gjeniut shqiptar: “A do të jetë ky flijimi i fundit për lirën e Kosovës?”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura