VERA ISTREFAJ: MANTEL ËNDËRRASH NË AKULLSINË GRI

Kukës, 24 janar 2019: Blirët paskan veshur mantelin e bardhë, ashtu si shpresa ime gjallon nën mentelin prej ëndërrash. Kjo bardhësi… Kjo heshtje… Kjo ftohtësi.
Avujt e frymëmarrjes fashiten shpejt para vështrimit tim të mjegullt
Kristalet dëborë rrezëllijnë ngado
Rrezëllim i ftohtë e zjarrmi mendimesh
Hej Zot, ç’është kjo mendja ime! As që do të dijë se akullishtja ka zaptuar qytetin bashkë me mua! Këto trotuare e dinë zjarrin që ndezin mendimet e mia rebele! Një krrokatje sorre apo dridhje dege bliri përthyen rutinën time të mendimeve, rutinë torturuese . Zbrazëtia e rrugës është prezente, nuk ka lidhje me hapat e përshpejtuar të njerëzve apo kollitjet e tyre. Zbrazëti e bardhë që nga çasti në çast pret të përhimet.
Dhe unë… Unë prapë vetëm me mendimet!
Keq janë ngatërruar këto dreq mendimesh si degët e thata të blirëve mes tyre.
Është i çuditshëm ky qyteti im! Në të shumtën e rasteve është gri, më së shumti prej mjegullës apo prej dëborës .
Vështrimi përplaset drejt horizontit me Gjalicën e përplasja soset me Pashtrikun para se të rrjedhë mbi Dri.
Trishtili i vetëm mbi pemë më kthen mendjen me cicërimën e tij.
Shpejtoj hapat , por rënduar! Është i rëndë manteli i ëndërrave! Të rëndon në zemër, të rëndon në shpirt! Ngushëllohem me faktin se nuk i lë zjarri i mendimeve të akullohen këto ëndërra.
I lë degët akulluar të blirëve tek shtrihen gjatë gjithë gjatësisë së rrugës dhe sërisht shpejtoj hapat. Dihatja më mundon, por sërisht… Sërisht mirë!
Hapat e fundit para derës së shtëpisë ndiejnë peshën e mantelit të ëndërrt.
Përqafimi i djemve zbut hendekun e zjarrmisë së mendimeve me akullsinë gri.
Nxitoj të jem e vlefshme për djemtë dhe… Dhe mantelin e ëndërrave të mia nuk e heq nga supet. Kam moshën prej nëne që ka nevojë për mantel, kam shpirtin mbushur plot shpresë me ëndërrat e mia të hershme dhe me ëndërrat e reja për djemtë.
Nxitoj të hap dritaren për të nxjerrë jashtë avujt e gatimit!
Qyteti prapë gri, e manteli i ëndërrave, supeve më rri!
Shtoj një buzëqeshje para djemve të mi! Asgjë tjetër nuk ka rëndësi!


 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura