VËSHTRIM MBI ÇMIMIN “NOBEL” PËR LETËRSI

VËSHTRIM MBI ÇMIMIN “NOBEL” PËR LETËRSI

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 14.- 10. 2022

“Çmimi “Nobel” nuk i merr në konsideratë në të njëjtën mënyrë shkrimtarët e të gjitha ideologjive dhe kombeve, por i parapëlqen modelet perëndimore” – Jean-Paul Sartre

Në çdo tetor, bota pret të dëgjojë se kush do të bëhet shkrimtar me popullaritet botëror. Ndonjëherë, parashikimet dalin të sakta, por ka raste kur emri i laureatit shkakton befasi të madhe. Për shembull, laureati i çmimit “Nobel” për vitin 2012, shkrimtari kinez Mo Jan (Mo Jen, emri i vërtetë Guan Moye, 1955- ), ishte një prej atyre që nuk pritej të jetë fitues i një mirënjohjeje kaq të madhe. Ndërkaq fituesja e “Nobelit”, e vitit 2013, prozatorja kanadeze Aelis Manrou (Alice Ann Munro, 1931-), mori lëvdata dhe urime të shumta nga publiku për arsye se zgjedhja e saj si laureate, i plotësoi parashikimet e një pjese të madhe të opinionit. 

 Si zgjidhet laureati – Çmimi “Nobel” për letërsi i ndahet shkrimtarit i cili në lëmin e letërsisë ka krijuar “vepër të mrekullueshme me tendenca idealiste”. Çmimi për letërsi është një prej pesë shpërblimeve, i themeluar në vitin 1895 me porosinë e Alfred Nobelit*.

Shënim: Suedezi Alfred Nobel (Stokholm, 1833 – San-Remo, Itali, 1896) ka qenë kimist, inxhinier, shpikës i dinamitit dhe prodhues armësh.

*   *   *

Për emrin e fituesit debaton dhe vendos Akademia Suedeze, ndërsa emri i laureatit shpallet në fillim të muajit tetor.      

 Kah mesi i muajit shtator, emri i shkrimtarit të shpërblyer është i njohur për jurinë, i cili tanimë e ka zgjedhur njërin prej pesë kandidatëve të rrethit më të ngushtë. Megjithëkëtë, deri në shpalljen publike, emri i laureatit ruhet në fshehtësi të madhe, d.m.th. mbahet sekret.

Gjysmë ore para publikimit zyrtar të emrit të laureatit, sekretari i Akademisë Suedeze, e thërret fituesin me telefon, për t’ia treguar lajmin.

Numri i laureatëve të deritashëm – Qëprej vitit 1901, kur çmimi “Nobel” është ndarë për herë të parë, e deri në vitin 2022, janë ndarë 115 çmime. Duke qenë se në vitet 1917, 1966 dhe 1974, çmimi u është ndarë nga dy laureatëve, atëherë del se në periudhën e viteve 1901-2022, me “Nobelin” për letërsi janë shpërblyer gjithsej 118 shkrimtarë. Prej tyre, 17 janë femra. Femra e parë që e ka marrë këtë shpërblim është prozatorja suedeze Selma Lagerlof (Selma Lagerlöf, 1858-1940), në vitin 1909, ndërsa e fundit është prozatorja franceze Ani Erno (Annie Ernaux, 1940- ) – në vitin 2022. Çmimi nuk është ndarë 7 herë: në vitet 1914, 1918, 1935 dhe 1940-1943.       

Dy laureatë në të njëjtin vit – Në vitin 1917, fitues të “Nobelit” ishin poeti dhe tregimtari danez Karl Adolf Gelerup (Karl Adolph Gjellerup, 1857-1919) dhe shkrimtari danez Henrik Pontopidan (Henrik Pontoppidan, 1857-1943).

Në vitin 1966 laureatë ishin shkrimtari izraelit Shmuel Josef Agnon (1888-1970) i cili   shkruante në gjuhën hebraike dhe në jydish (jüdisch), ndërsa fituese tjetër ishte poetja e shprehjes gjuhësore gjermane Neli Zaks (Nelly Sachs; Berlin, 1891 – Stokholm, 1970), Gjermani-Suedi. Kjo ka shkruar në gjuhën gjermane.

Në vitin 1974 laureatë ishin prozatori suedez Eivind Junson (Eyvind Johnson, 1900-1976) dhe poeti e prozatori suedez Hari Edmund Martinson (Harry Edmund Martinson, 1904-1978).

*   *   *

Edhe pse çmimi “Nobel” jepet për veprën jetësore të shkrimtarit apo të shkrimtares, disa shkrimtarë e kanë fituar në saje vetëm të një vepre në të cilën komiteti i ndarjes së çmimit ka gjetur vlera.

Për shembull, novelisti dhe romancieri rus me prejardhje kozake, autodidakt, Mihail Aleksandroviç Shollohov (1905-1984)është vlerësuar për romanin “Doni i qetë”, 1-4, 1928-1940*. Tematika e veprës është “lufta dhe paqja” në mjedisin kozak në vitet 1914-1917. Prozatori gjerman Tomas Man (Thomas Mann, 1875-1955) është vlerësuar me “Nobelin” për veprën “Budenbrokët” (Buddenbrook, 1901) – kronikë romaneske e një familjeje patricësh e cila në kontakt me artin dhe me kulturën shpirtërore, vjen në përfundim për rënien e vet. Prozatori amerikan Ernest Heminguej (Ernest Hemingwey, 1899-1961) u vlerësua për romanin “Plaku dhe deti” (The Old Man and the Sea”, 1952) etj.      

Shënim: Romanin “Doni i qetë” të Shollohovit, avangarda e ka flakur dhe e ka quajtur “roman katundarësh”. Më vonë vepra zgjoi dilema për autorësinë e Shollohovit autodidakt, për të cilin u tha se kinse e ka përpunuar dorëshkrimin e tjetërkujt.        

*   *   *

 Asnjë shkrimtar nuk është shpërblyer me çmimin “Nobel” për letërsi më tepër se një herë.

Në vitin 1931 çmimi “Nobel” është ndarë postum, d.m.th. pas vdekjes së autorit. Kjo ka ndodhur vetëm një herë. Në vitin 1974, me Statutin e Fondacionit të “Nobelit” u përcaktua se ky çmim nuk mund të ndahet pas vdekjes së autorit.

Prej 115 laureatëve, shpërblimin nuk e kanë marrë dy autorë. Poeti dhe prozatori rus Boris Leonidoviç Pasternak (1890-1960) e mirëpriti çmimin, por pastaj, nën trysninë e shtetit (Bashkimit Sovjetik), u detyrua ta refuzonte.

 Në anën tjetër, romancieri, filozofi, dramaturgu dhe kritiku francez Zhan-Pol Sartrë (Jean-Paul Sartre, 1905-1980) çmimin “Nobel” e refuzoi vullnetarisht, duke qenë kësisoj konsekuent në refuzimin e të gjitha nderimeve zyrtare. 

*   *   *

Refuzimi i çmimit “Nobel” – Më 22 tetor, Instituti i “Nobelit” bëri të ditur se fitues i çmimit “Nobel” për letërsi për vitin 1964 është filozofi dhe shkrimtari francez Zhan-Pol Sartrë (Jean-Paul Sartre). Sartri çmimin e refuzoi. Kjo shkaktoi habi në publik, për arsye se  ishte rasti i parë që dikush e refuzonte “Nobelin” vullnetarisht. Përpos famës, “Nobeli” i sjell laureatit edhe një shumë të konsiderueshme parash. Refuzimin e çmimit Sartri e ka sqaruar në gazetën franceze “Le Figaro”.

Midis tjerash, ai thotë:

“Më vjen keq që akti im shkaktoi skandal në opinion. Çmimin e refuzova për arsye se shkrimtari duhet të mbetet i pavarur nga institucionet që i ndajnë ato. Nuk dua që çmimi “Nobel” të më transformojë dhe të zgjojë asociacionin për institucionin e Akademisë Suedeze. Çmimi ‘Nobel’ nuk i merr në konsideratë në të njëjtën mënyrë shkrimtarët e të gjitha ideologjive dhe kombeve, por i parapëlqen modelet perëndimore”.

            Sartri u qëndroi konsekuent parimeve të veta. Para se t’i jepej çmimi “Nobel”, e kishte refuzuar urdhrin Legjioni i Nderit (Légion d’honneur)*. Ka thënë: “Sikur sovjetikët të ma kishin ofruar çmimin “Lenin”, do ta kisha refuzuar edhe atë.

            Shënim: “Urdhri Kombëtar i Legjionit të Nderit” (“Ordre National de la Légion d’honneur”) është themeluar më 19 maj 1802 nga Napoleon Bonaparti (1769-1821).

            Vendimi për çmimin “Nobel” është i pakthyeshëm, kështu që Këshilli i “Nobelit”, përkundër refuzimit kategorik të tij, sot e kësaj dite, zyrtarisht e konsideron Sartrin laureat të viti 1964.  

            Pjesë nga letra e Sartritdërguar drejtorit të Akademisë Suedeze, me rastin e refuzimit të çmimit “Nobel”:

“Nuk është njësoj po qe se tekstet e mia i nënshkruaj si Jean-Paul Sartre apo si Jean-Paul Sartre, fitues i çmimit ‘Nobel’. (…) Me fjalë të tjera, shkrimtari nuk duhet të lejojë që ta shndërrojnë në institucion, madje edhe kur një e tillë bëhet në mënyrën më të ndershme, si në këtë rast.”

Teksti burimor:

 “J’ai toujours décliné les distinctions officielles. Lorsque, après la guerre on m’a proposé la Légion d’honneur, j’ai refusé (…). De même, je n’ai jamais désiré entrer au Collége de France comme me l’ont suggéré quelques-uns de mes amis (…). L’écrivain doit refuser de se laisser transformer en institution même si cela a lieu sous les formës les plus honorables comme c’est le cas.”   

Shënim: Në vitin 1973, çmimin “Nobel” për paqe, e refuzoi vullnetarisht edhe revolucionari komunist, gjenerali, diplomati dhe politikani vietnamez Le Duc Tho (1911-1990. Ky e ndante çmimin me sekretarin amerikan të Shtetit, diplomatin dhe politikanin Henri Kisinxher (Henry Alfred Kissinger, i lindur në vitin 1923, me emrin Hajnc / Heinz Alfred Kissinger; në Fyrt / Fürth, Republika e Vajmarit/Weimar; është me prejardhje hebreaike. Për t’i shpëtuar përndjekjes dhe dëbimit të hebrenjve nga Gjermania naziste, në vitin 1938 familja e tij ikën që andej dhe vendoset në Nju-Jork. Në vitin 1943 merr shtetësinë amerikane. Ka studiuar në Universitetin e Harvardit).              

*   *   *

Sipas të dhënave të vitit 2013, mosha mesatare e laureatëve të deritashëm është 64 vjeç. Laureati më i ri ka qenë prozatori dhe poeti anglez Radjard Kipling (Rudyard Kipling, Bombei, Indi, 1865 – Londër, 1936). Prej moshës gjashtëvjeçare u shkollua në Angli. N[ vitin 1882 u kthye në Indi dhe punoi si gazetar. Më pas jetoi në ShBA, në Afrikën e Jugut, në Francë dhe në Angli. Është autor i veprës “Libër për xhunglën” (The Jungle Book, 1894; The Second Jungle Book, 1985) që e shkruan në ShBA. Ky e mori çmimin në vitin 1907, kur ishte 42 vjeç.

Laureati më i moshuar është prozatorja angleze Doris Lesing (Dorisd Lessing, pseudonimi Jane Somers; lindi në Kermanshah/Iran, 1919 – Londër, 2013). Kjo u shpërblye me “Nobelin” në vitin 2007, në moshën 88-vjeçare. Tetë fitues të çmimit kanë lindur më 28 shkurt, ndërsa shtatë fitues – më 21 maj. Në rrethin e shqyrtimit nga Komiteti i “Nobelit”, nuk hyn çdo shkrimtar i propozuar.

*   *   *

Duhet theksuar se çmimin “Nobel” për letërsi nuk e kanë fituar shkrimtarë të njohur. Midis tyre romancieri francez, me prejardhje italiane Emil Zola (Ḗmile Zola, 1840-1902), dramaturgu norvegjez Henrik Ipsen (Henrik Ibsen, pseudonimi Brynjolf Bjarme, 1828-1906), prozatori, dramaturgu dhe publicisti rus Leon Nikolaeviç Tolstoj (Lev Nikolaevič Tolstoj, 1828-1910), romancieri francez Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922), tregimtari austriak me prejardhje hebraike, i lindur në Pragë, Franc Kafka* (1883-1924), prozatori dhe poeti irlandez Xheimz Xhojs (James Joyce, 1882-1941), prozatori dhe poeti rus dhe amerikan Vladimir Vladimiroviç Nabokov* (Shën-Peterburg, 1899 – Montreux/Zvicër, 1977), tregimtari, poeti dhe eseisti argjentinas Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges, Buenos-Aires, 1899 – Gjenevë, 1986), prozatori anglez Xhorxh Oruell (George Orwell, emri i vërtetë Eric Blair; Motihari/Bengal, 1903 – Londër, 1950), teoricieni, kritiku dhe romancieri italian Umberto Eko (Umberto Eco, 1932-2016). Sot e kësaj dite kanë mbetur pa u lauruar Ismail Kadareja (1936- ), prozatori brazilian Paulo Kuelo (Paulo Coelho, 1947- ), etj.

Shënim: Duhet shtuar se në të gjallë, Franc Kafka nuk ka qenë aq i njohur. I njohur në përmasa botërore bëhet vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, së pari në ShBA e më pas në Francë dhe gjetkë në Evropë. Me t’u bërë i njohur, shndërrohet edhe në mit.

Shënim: Nabokov është autor i romanit “Lolita” (1955), në fillim i ndaluar për shkak të përmbajtjes “pornografike”. Në këtë vepër flitet për dashurinë e një burri të pjekur ndaj “nimfetës” Lolita; 

*   *   *

Sipas Akademisë Suedeze, laureat bëhet shkrimtari që krijon vepër të mrekullueshme me tendenca idealiste.

Kriteret vlerësuese të Komitetit të “Nobelit” – Anëtarët e jurisë të Komitetit të “Nobelit”, krijimet e kandidatëve i vlerësojnë me kritere estetike. Por ka zëra që thonë se gjatë vlerësimit të veprave të kandidatëve potencialë, jo gjithmonë zbatohet kriteri i sipërthënë. Një prej kritereve të tjera të jurisë së komitetit të lartpërmendur, është edhe ai gjeografik. Laureatët e deritashëm janë nga të gjitha anët e botës: nga Evropa, nga ShBA-ja, nga Amerika Latine, nga Azia, nga India, nga Afrika, nga bota arabe, nga Australia. Laureatët u përkasin feve të ndryshme: katolike, protestante, ortodokse, judeiste, budiste, myslimane. Ka edhe laureatë ateistë. Ka laureatë që në një fazë të jetës së tyre kanë qenë komunistë, marksistë. Ka laureat siç është dramaturgu italian Dario Fo (1926-2016), i cili në vitet 1943-1945 ka qenë vullnetar në Republikën e Musolinit – Salo, te liqeni Garda. Ka laureat, si prozatori, dramaturgu dhe poeti austriak me prejardhje edhe sllovene, Peter Handke (1942- ), i cili e ka mbështetur politikën e Sllobodan Millosheviqit, të gjykuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ka laureat si shkrimtari serb Ivo Andriq (181892-1975) i cili ka hartuar elaborate për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta për në Turqi.     

Shkrimtarët e talentuar, të cilët u kanë bërë ballë regjimeve totalitare, tiranike dhe diktatoriale tërheqin vëmendjen e Akademisë Mbretërore të Suedisë. Këta shkrimtarë cilësohen dhe konsiderohen disidentë. Shkrimtari i talentuar i cili për shkak të krijimtarisë letrare të vet ka qenë viktimë e sistemit autoritar, autokratik apo stalinist, i cili ka vuajtur edhe vite burgu, sakaq vlerësohet nga juria e Komitetit të “Nobelit”. Disidentë të tillë konsiderohen prozatori rus Aleksandër Solzhenjicin (1918-2008) si dhe poeti e prozatori rus Boris Leonidoviç Pasternak (1890-1960). 

Ka zëra që thonë se Akademia Mbretërore e Suedisë, me rastin e ndarjes së çmimit “Nobel” bën edhe politikë.

Çmimi “Nobel” u është dhënë edhe filozofëve të cilët s’kanë vepra letrare.Në vitin 1908, çmimi “Nobel” për letërsi i është dhënë filozofit gjerman Rudolf Euken (Rudolf Eucken, 1846-1926), edhe pse s’ka botuar shkrime letrare, por vetëm traktate filozofike. “Nobeli” i është dhënë edhe filozofit dhe shkrimtarit francez Anri Lui Begson (Henri Louis Begson, 1859-1941) i cili s’ka të botuar pothuajse asnjë vepër letrare.

            Në vitin 1953, me çmimin “Nobel” për letërsi u shpërblye burrështetasi dhe shkrimtari anglez Uinston Çërçill (Winston Churchill, 1874-1965). Është autor i veprave që kanë të bëjnë me luftërat dhe me historinë. Ka shkruar vetëm një roman me titullin “Savrola” (1900) dhe autobiografinë “Jeta ime e hershme” (My Early Life, 1930). Për romanin e sipërthënë askush s’ka dëgjuar. Ka shumë që mendojnë se Uinston Çërçilli çmimin “Nobel” e ka marrë për paqe dhe jo për letërsi. Për çmimin “Nobel” për letërsi, Çërçilli është nominuar 20 herë, ndërsa për “Nobelin” për paqe, është nominuar vetëm 2 herë.

*   *   *

Shtetet e Ballkanit, si Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Bullgaria dhe Rumania, nuk kanë asnjë laureatë të çmimit “Nobel”.  

Çmimi “Nobel” për letërsi nuk është dëshmi e vlerave artistike të një vepre apo të opusit letrar të laureatit të caktuar.

Bie në sy se shkrimtarët e botës perëndimore përbëjnë numrin më të madh të laureatëve. Nuk është vështirë të konstatohet se qëkur ndahet “Nobeli” e deri më sot, Akademia Suedeze ua ka dhënë çmimin gjashtë shkrimtarëve suedezë. Po aq laureatë ka edhe Italia, ndërsa Spanja ka pesë fitues. Pa u shpërblyer nuk kanë mbetur as vendet e tjera të Skandinavisë, si Norvegjia dhe Danimarka, të cilat kanë nga tre laureatë.

Për një numër të madh laureatësh të “Nobelit” për letërsi, sot shumë pak njerëz kanë dëgjuar. Për veprat e tyre, ende më pak. Për ta s’kanë dëgjuar, jo vetëm sot, por as në të gjallë të tyre. Në anën tjetër, veprat e do shkrimtarëve që nuk janë nobelistë, janë lexuar nga miliona lexues anembanë botës. Midis tjerëve, këtu bëjnë pjesë Xhorxh Oruelli (Georg Orwell), Paulo Kuelo (Paulo Coelho) etj.     

*   *   *

            Për laureatët e çmimit “Nobel” thuren edhe anekdota. Thuhet se poeti,prozatori dhe dramaturgu indian i shprehjes gjuhësore bengale, Rabindranat Tagor (Rabindranth Tagore / Thakur; Kalkutë, 1861 – Kalkutë, 1941), në hotelin e Stokholmit e ka sjellë edhe dhinë e vet, për arsye se e ka pirë vetëm qumështin e saj. Shkrimtari norvegjez Knut Hamsun, mbiemri i vërtetë Pedersen, 1859-1952) marrjen e çekut të “Nobelit” e festuar në kafene. I dehur, ka tentuar t’ia dhurojë kamerierit, por ai nuk ia ka marrë. Në t’u kthyer në hotel, çeku i ka rënë në ashensor. Të nesërmen e ka gjetur mirëmbajtësi i ashensorit dhe ia ka dorëzuar laureatit. Çekun e ka humbur edhe romancieri amerikan Xhon Shtajnbek (John Steinbeck, 1902-1968), por pas tri ditëve mikesha e tij e ka gjetur në çantën e saj.

*   *   *

Laureatët e çmimit “Nobel” për letërsi sipas shteteve, përkatësish gjuhëve 1901-2022

Francë: 10 laureatë;

Francë: 1 laureat i cili e refuzoi çmimin;

– 1 laureat i cili ka shkruar në gjuhën frënge; është nga nëna flamane, nga babai çifut italo-egjiptian; 

– 1 laureat; shkrimtari provansal; ka shkruar në gjuhën oksitane (me theks të mprehtë);

ShBA: 9 laureatë;

Gjermani: 8 laureatë;

Gjermani-Suedi: 1 laureat; ka shkruar së në gjermanisht ashtu edhe në suedisht;

– 1 laureat; çifut sefard: ka shkruar në gjuhën gjermane;

Mbretërie e Bashkuar: 6 laureatë;

– 1 laureat; prozator anglez me prejardhje japoneze: ka shkruar në gjuhën angleze;

– 1 laureat; dramaturg anglez, nga babai çifut: Mbretëri e Bashkuar; ka shkruar në gjuhën angleze;

– 1 laureat; Tanzani-Mbretëri e Bashkuar; ka shkruar në gjuhën angleze

– 1 laureat; Shën-Lucia, Karaibe; Mbretërie Bashkuar; ka shkruar në gjuhën angleze;

– 1 laureat; Trinidad-e-Tobago-Mbretëri e Bashkuar; prozator anglez me prejardhje indiane; ka shkruar në gjuhën angleze;

– 1 laureat; nigerian; ka shkruar në gjuhën angleze;

– 1 laureat; ShBA-Mbretëri e Bashkuar

– 1 laureat; ShBA-Kanada; ka shkruar në gjuhën angleze;

Itali: 6 laureatë;

Suedi: 6 laureatë;

Spanjë: 5 laureatë;

Norvegji: 3 laureatë;

Danimarkë: 3 laureatë;

Rusi: 3 laureatë;

– 1 laureat; Francë; ka shkruar në gjuhën ruse

– 1 laureat;  BRSS-ShBA: ka shkruar në gjuhën ruse dhe në gjuhën angleze;

Poloni: 3 laureatë;

– 1 laureat; Poloni-ShBA; ka shkruar në gjuhën polake;

Irlandë: 2 laureatë;

– 1 laureat; irlandez; ka shkruar në gjuhën frënge dhe angleze;

– 1 laureat; irlandez; ka shkruar në gjuhën angleze;

Austri: 2 laureatë;

Zvicër: 2 laureatë; kanë shkruar në gjuhën gjermane;

Greqi: 2 laureatë;

Japoni: 2 laureatë;

Belgjikë: 1 laureat; ka shkruar në gjuhën frënge;

Portugali: 1 laureat;

Finlandë: 1 laureat;

Hungari: 1 laureat;

RSF e Jugosllavisë (shkrimtar serb): 1 laureat;

– 1 laureat; jug-afrikane; me prejardhje hebraike, nëna angleze; ka shkruar në gjuhën angleze;

Republika e Afrikës së Jugut: 1 laureat; jug-afrikan, me prejardhje nga emigrantë holandezë; ka shkruar në gjuhën angleze;

 – Australi: 1 laureat; ka shkruar në gjuhën angleze;

Kanada: 1 laureat; ka shkruar në gjuhën angleze;

Guatemalë: 1 laureat; ka shkruar në gjuhën spanjolle;

Peruan: 1 laureat; ka shkruar në gjuhën spanjolle;

Egjipt: 1 laureat; ka shkruar në gjuhën arabe;

Turqi: 1 laureat;

Bjellorusi: 1 laureat; ka shkruar në gjuhën ruse;

Izrael: 1 laureat;

Kolumbi: 1 laureat; ka shkruar në gjuhën spanjolle;

–  Kili: 1 laureat; ka shkruar në gjuhën spanjolle;

 – Islandë: 1 laureat; ka shkruar në gjuhën islandeze;

Çekosllovaki/Çeki: 1 laureat; ka shkruar në gjuhën çeke;

–  Kinë: 1 laureat;

Tajvanez; francez i natyralizuar; Francë; 1 laureat; ka shkruar në gjuhën kineze;

Indi: 1 laureat; ka shkruar në gjuhën bengale

*   *   *

            Numri i laureatëve sipas gjuhëve (1901-2022). Ndonjëri syresh ka shkruar në dy gjuhë:

   Në gjuhën angleze – 30 laureatë; frëngjisht – 15; gjermanisht – 14: spanjisht – 9; italisht – 6; suedisht – 6; rusisht – 6; polonisht – 4; norvegjisht – 4; danisht – 3; në gjuhën irlandeze – 2; greqisht – 2; hebraisht –  jydish (jewish ) – 2; japonisht – 2; kinezisht – 2; finlandisht – 1; në gjuhën islandeze – 1; çekisht – 1; portugalisht – 1; hungarisht – 1; serbisht – 1; turqisht – 1; arabisht – 1; në gjuhën bengale – 1.

*   *   *

Laureatë me prejardhje hebraike – Me prejardhje hebraike janë 9 laureatë. Ndonjëri prej tyre e ka çifut vetëm njërin prej prindërve. Kanë shkruar në gjuhën hebraike, në jydish (jewish), në anglisht, në frëngjisht, në gjermanisht:

– Poeti dhe prozatori rus me prejardhje hebraike Boris Leonidoviç Pasternak, (1890-1960); BRSS/Federata Ruse; kurrë s’është marrë me tema çifutësh. Ka shkruar në rusisht; laureat i vitit 1958;

– Shkrimtari izraelit Shmuel Josef Agnon (1888-1970), Izrael. Ka shkruar në hebraishtjydish; laureat i vitit 1966; 

– Prozatori amerikan, bir i emigrantit çifut të ardhur nga Rusia në Kanada, Sol Bellou (Saul Bellow, 1915-2005); Kanada-ShBA. Ka shkruar në anglisht; laureat i vitit 1976;

– Prozatori çifut Isak Jiçok Bashevis Zinger (Isaac Jichok Bashevis Singer; Radzymin/Poloni, 1904 – Miami/ShBA, 1991), Poloni-ShBA. Ka shkruar në jydishhebraisht; laureat i vitit 1978;

– Tregimtari, dramaturgu dhe eseisti me prejardhje nga Bullgaria, Elias Kaneti (Elias Canetti, 1905-1994). Çifut sefard me shtetësi britanike; Bullgari-Austri. Ka shkruar në gjermanisht; laureat i vitit 1981; 

– Poeti, dramaturgu dhe eseisti rus me prejardhje hebraike autodidakt, Josif Brodski (Josif/Joseph Aleksandrovič Brodsky; Leningrad, 1940 – Nju-Jork, 1996), BRSS/Federata Ruse-ShBA. Ka shkruar në rusisht dhe në anglisht; laureat i vitit 1987;

– Prozatorja jug-afrikane me prejardhje hebraike, nga nëna angleze, Neidin Gordimër (Nadine Gordimer, 1923-2014), Republika e Afrikës së Jugut. Ka shkruar në anglisht; laureat i vitit 1991;

– Dramaturgu anglez, nga babai çifut, Harold Pinter, pseudonimi David Baron (1930-2008), Mbretëri e Bashkuar. Ka shkruar në anglisht; laureat i vitit 2005; 

– Romancieri francez, bir i aktores flamane dhe i çifutit italo-egjiptian, Patrik Modiano (Patrick Modiano, 1945-), Francë. Ka shkruar në frëngjisht; laureat i vitit 2014.

___________________________

ANASHKALIMI I KADARESË NGA JURIA E KOMITETIT TË “NOBELIT” – AKT ABSURD

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 14. 10. 2022

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura