VIRON KONA: AJRI I FRESKËT I LIRISË

Tiranë, 31. 5. 2016: Në respekt të veprës së albanologut, poetit, përkthyesit dhe “Mikut të Madh të Shqiptarëve”, suedezit të shquar Ullmar Kvik (Qvick) – /“Nëse do të jetoja edhe një herë, do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët”. Ullmar Kvik (Qvick) / :
1.
Sapo hapa faqen e “Fjalës së lirë” të Londrës, të datës 20 maj 2016, të drejtuar nga i shkrimtari, poeti dhe publicisti i mirënjohur Fatmir Terziu, mes artikujve dhe krijimeve letrare, më tërhoqi vëmendjen poezia “Nuk do të harrohen kurrë!”, e shkruar nga albanologu, poeti dhe përkthyesi suedez Ullmar Kvik (Qvick). Nisa ta lexoj poezinë dhe, ndërsa vargjet e saj më rrëmbenin dhe më emociononin me bukurinë dhe brendinë e tyre, më bëhej se po ndjeja më shumë ajër dhe dritë, ndjeja në vargjet e asaj poezie madhështinë e lirisë dhe të mëvetësisë, e, njëherazi ngazëllehesha nga kënd shikimi origjinal evropian-verior për nderimin e heronjve. Këtë vlerësim të Ullmarit e kemi parë të shkruar dhjetëra herë, në poezi, artikuj e intervista, e, veçanërisht te libri i tij i madh “Më shumë heroizma se sa grurë” që përbënë një analizë dokumentare të historisë dhe jetës shoqërore të shqiptarëve të shekullit të XX.
Në luginat e Shqipërisë në dimër mjegulla
në verë vapa mbytëse
ndërsa në malet e larta mbretëron
ajri i freskët, ajri i lirisë
një mjedis romantik
me pastërtinë e besës, nderit, burrërisë…
Vijoja të lexoja poezinë dhe ndjeja pranë njeriun e mirë, fisnikun brilant dhe qytetarin botëror Ullmar Kvik (Qvick), njeriun që ka merituar vlerësimin “Miku i Madh i Shqiptarëve”.

Ulmar Kvik (Qvick), me vogëlushen shqiptare, Tergita (Foto nga: Shkëlzen Behrami-Xeni)

Çdokush që hap portalin e Grupit të Miqësisë Suedi-Shqipëri, do të mrekullohej nga konsideratat e shumta që shprehin për Ullmar Kvikun qindra e qindra njerëz, veçanërisht shqiptarët, ata nga Skandinavia, Kosova, Shqipëria, nga tërë trojet shqiptare e diaspora… Të gjithë shprehen me fjalë respekti dhe dashurie për njeriun që vlerëson dhe mbron vlerat shqiptare me fuqinë e krijuesit të talentuar, të ditur, të frymëzuar e me rrezatim të fuqishëm… Dihet botërisht se, të krijosh poezi duhet të dashurosh fort, duhet të njohësh nga afër, duhet të të rrahë zemra, jo thjesht për pamjen, po për thelbin, duhet ta përjetosh e ta ndjesh brenda vetes shpirtin dhe zemrën e një individi, apo të një populli, të njohësh mirë dhe ta duash me sinqeritet vendin, historinë… Ullmar Kviku e ka të tejkaluar këtë njohje, ai është i tëri brenda saj, ai njehë deri në detaj Shqipërinë dhe shqiptarët, njehë stinët shqiptare, detet, lumenjtë, luginat, fushat dhe malet, mjegullën në dimër dhe vapën mbytëse në verë, njehë bukurinë e peizazhit bregdetar dhe malor, rrjedhjen e krojeve ujë freskët, ortekët e dëborës, ndjen dhe mbush tërë kraharorin me ajrin e freskët të lirisë…Ai njehë me hollësi epokat, mijëvjeçarët, periudhat, shekujt dhe aktualitetin shqiptar, di se çfarë do dhe se ç`është në gjendje të bëj shqiptari për vendin e tij, di me hollësi se sa shumë ai ka sakrifikuar e sakrifikon për lirinë…Ullmari njehë një për një emrat dhe bëmat e luftëtarëve të mëdhenj të lirisë dhe të panteonit shqiptar, por ai përjeton edhe ëndrrat shqiptare, vlerat dhe virtytet e rralla të pastërtisë, besës, nderit e burrërisë, ai i veçon ato si margaritarë të ndritshëm e vezullues, i pikturon me ngjyrimet më mahnitëse të shpirtit të tij energjik verior, i tregon botës me ndjenjë e krenari për shqiptarët si të ishte njëri nga ne, duke na dhuruar njëherazi tufa me bukuri aurorash vezulluese e, bashkë me to, miqësi të sinqertë e të çiltër, humanizëm dhe shumë dashuri vëllazërore.
Në poezinë ”Nuk do të harrohen kurrë!” të Ullmarit, edhe kësaj here ndjeva se, ashtu si dikur Bajroni ra në dashuri me Shqipërinë, po ashtu edhe Ullmar Kviku e dashuron me shpirt kombin shqiptar në vlerat, historinë, dashuritë, gëzimet e dhimbjet, në gjithë emblemën shqiptare. Më vjen mirë t`i kujtoj lexuesit se Ullmari e njehë gjuhën shqipe kaq mirë, saqë, nga çdo lloj komisioni testues, do të vlerësohej ndër mësuesit më të zotë të gjuhës shqipe, madje, figurshëm do të shprehesha se “cilido mësues i gjuhës shqipe do të ndiente “konkurrencë” përballë profesionalizmit gjuhësor të Ullmar Kvikut”. Por, më tepër se sa fakti që ai shprehet aq bukur kur flet dhe shkruan shqip, mendoj se Ullmarin e lartëson akoma më shumë guximi, karakteri dhe kultura e tij e gjerë, mbrojtja dinjitoze dhe pasiononte që ai i bënë gjuhës shqipe, mbrojtja që i ka bërë dhe i bënë Shqipërisë, Kosovës dhe trevave shqiptare, dashuria që ai shfaq për shqiptarët kudo ku ata jetojnë: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Çamëri, Mal të Zi, në Diasporë e kudo. Siç është vënë në dukje, Ullmar i ka njohur e vlerësuar Shqipërinë dhe shqiptarët jo thjeshtë në mënyrë romantike apo vetëm duke dëgjuar për ta nga larg, por ai ka qenë shpesh herë në Shqipëri, në trojet shqiptare: në vitet `70, `78, `79, `94, `95,` 2004, `2005…`2011. Më se gjysmë shekulli, ai ka pasur kontakte dhe ka bërë vizita të vazhdueshme në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, tek arbëreshët e Italisë e në hapësira të tjera të diasporës shqiptare. Në librat, artikujt dhe krijimtarinë e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët Ullmar ka mbajtur parasysh faktet historike për origjinën dhe prejardhjen ilire të shqiptarëve, duke u mbështetur në vlerësimet që kanë bërë prej kohësh shkrimtarë dhe historianë të shquar, që nga antikiteti: Homeri, Herodoti, Plutarku, Apiani, Aristoteli, Ptolemeu, Straboni, Tit Livi, Ciceroni, Cezari, Virgjili, Lukiani…, e në vazhdim: Shekspiri, Hygoi, Dumasi, Gotje, Bajroni, Longfellohu.., e, veçanërisht suedezi i madh, studiuesi i shquar i origjinës ilire të shqiptarëve, Erik Hans Tunman(1746-1778), i cili, ndonëse vdiq në moshë shumë të re, (rrojti vetëm 32 vjeç) arriti të botonte një sërë punimesh shkencore, më e njohura: “Hulumtime në lidhje me historinë e popujve evrolindor” (1774), e prej të cilave vetëm pjesa e parë është botuar. Në veprën e tij, “Mbi historinë dhe gjuhën e shqiptarëve dhe të vllahëve”, Tunman vjen në përfundimin shkencor se, ilirët janë stërgjyshërit e shqiptarëve…

Kujtim i paharruar…Në mes, Ullmar Kvik( Qvick) dhe nga e majta: Prof. Murat Gecaj e Viron Kona (Boras, Suedi, prill 2012)
2.
Duke iu rikthyer komentit të poezisë së Ullmarit “Nuk do të harrohen kurrë!”, ndjejmë të entuziazmuar se vargjet vlojnë nga figuracioni i rrallë poetik, ku bien në sy metafora, epitetet, shkallëzimi, eufemizmi dhe krahasimet e shkëlqyera. Me një leksik të pasur e gjuhë të gjallë e të zjarrtë, ai nderon dhe lartëson miqtë e Shqipërisë në shekuj e, veçanërisht Lord Bajronin, jo vetëm për vlerat e tij si poet botëror, por edhe për faktin se gjen të përbashkët tek Ai, dashurinë për shqiptarët, për cilësitë e virtytet e tyre, ndërkohë që, pikëzimet e frymëzimet për vlerat e kombi shqiptar e cilësitë e Bajronit, i bëjnë edhe më shkëlqimtare vargjet e Ullmar Kvikut:
Para dyqind vitesh erdhi në Shqipëri
Lord Bajroni
dhe ra në dashuri me këtë vend të egër
me burra trima dhe besnikë
Lord Xhorxh Bajron
poet romantik, xhani i femrave
tmerri i moralistëve
pas aventurave të shumta erotike…
Me gjak të nxehtë dhe dëshirë të zjarrtë veproi
për çlirimin e popujve nga zaptuesi osman
Përpjekja e tij u ndërpre nga vdekja e parakohshme

në Misolongji të Greqisë, u fik jeta e tij nga ethet…”
Teksa lexojmë Ullmarin, që na sjellë plotë dritë e brohori Bajronin dhe dashurinë e tij për Shqipërinë e lirinë, sikur dëgjojmë gjëmimin dhe tempo-ritmin e vargjeve kumbuese të ”Shtegtimit të Çajld Haroldit”, e, veçanërisht ato të poezisë “Tamburxhi”, të shqipëruar nga mjeshtri i madh i përkthimit Skënder Luarasi:
Tamburxhi! Tamburxhi! thirrja jote ushton;
U ngjall trimave shpresën; për luftë na fton
Gjithë djemt’ e malsisë i thërret anembanë
Himarjotët, Ilirët, Suljotët zeshkanë..

Ullmar Kvikut nuk i ka kaluar pa e vënë re, deri dhe kostumi shqiptar i Bajronit, që, ai e ka veçuar për të ilustruar me fotografi poezinë “Nuk do të harrohen kurrë!” Shpresoj e, nuk besoj se e teproj, që, veshja shqiptare i jep nur dhe bukuri të veçantë yllit të zjarrtë të romantizmit botëror…
3.
Në vijim të komentit të poezisë ”Nuk do të harrohen kurrë!”, shprehem se Ullmar krijon një lidhje e harmoni interesante mes heronjve, duke lartësuar e përndritur me vargje poetike disa nga figurat e shquara të rilindjes kombëtare shqiptare e, mes tyre: Çerçiz Topullin dhe Mihal Gramenon:
Por fryma romantike e lirisë jetoi në viset shqiptare
Po kalojnë një qind vite dhe turqit ende sundojnë
Çerçiz Topulli me mikun e tij Mihal Grameno
nuk durojnë zgjedhën, bëjnë revolt!
Fushat e Mashkullores edhe sot këndojnë
për trimëritë e të dyve kur kundërshtuan osmanët!
Dhe lufta e tyre vazhdoi, kundër zaptuesve grekë e malazezë
Por në Shkodër mizorisht Mali i Zi e vrau Çerçizin.

Vetëm tetë vargje, por një histori e tërë. Shqiptarëve që i lexojnë, këto vargje u ngjallin në mendje përpjekjet dhe luftërat e pandërprera për liri e pavarësi, u ndezin akoma më shumë dashurinë dhe krenarinë për paraardhësit dhe heronjtë, duke filluar me ilirët, me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, që u bë mbrojtës i Evropës nga okupacioni osman, e duke vijuar pastaj me rilindjen kombëtare shqiptare dhe figurat e saj, që përbëjnë plejadën e shkëlqyer me poetë, filozofë, publicistë, shkencëtarë, piktorë dhe, në ballë të tyre, çetat e luftëtarëve të lirisë, që sakrifikuan deri jetën për liri e pavarësi kombëtare. Nëpër Shqipëri, kujtesa historike dhe heronjtë e kombit janë shndërruar në monumente të ndritura nderi dhe lavdie, janë të shkruar me germa të arta e i japin dritë e vezullim të veçantë panteonit shqiptar. Ullmar i vendos heronjtë e Shqipërisë në piedestalin e nderit, në vendin që u takon, ata përbëjnë themelet e historisë së kombit. Ndaj dhe, populli, këtyre figurave u ka thurur poezi e këngë, u ka ngritur monumente bronzi, guri dhe mermeri, ata janë në piktura, në emra shkollash dhe institucionesh, rrugësh, sheshesh dhe lagjesh, ata janë të gjallë dhe qarkullojnë në biseda dhe legjenda, emrat e tyre u përcillen vazhdimisht brezave me dritë e shkëlqim.
4.
Ullmar Kviku e ka përjetuar dhembshëm historinë e Kosovës, duke denoncuar gjenocidin serb, por, ai, si një bir i denjë, gëzoi me shpirt për lirinë dhe pavarësinë e saj. Janë të shumtë artikujt, intervistat, krijimet poetike të Ullmarit për Kosovën dhe heronjtë. Veçanërisht ai ka shkruar me emocion dhe në mënyrë dokumentare e letrare për figurën dhe vdekjen heroike të Isa Buletinit, që ai e cilëson “Luftëtar të madh të lirisë”: Isai arriti moshën 52-vjeçare, por u bë legjendë në popullin e tij. Ishte lindur në një fshat të vogël në periferi të qytetit kosovar Mitrovica, dhe tërë jeta e tij do të mbushet përplot me luftëra dhe përpjekje të tjera për të siguruar ardhmërinë e shqiptarëve” : “Unë jam mirë, kur Shqipëria është mirë”. – citon Ulmar fjalët e atdhetarit të madh”.
Kësaj here, në poezinë ”Nuk do të harrohen kurrë!” Ullmar i ngre përmendore arti heroit tjetër legjendar të lirisë, të luftës së Kosovës, Adem Jasharit, duke e pasqyruar artistikisht atë si një simbol dhe frymëzim, si kushtrim i shqiptarëve për liri:
Edhe një shekull kalon me punë, me luftë, me flijime
Dhe në Prekaz të Kosovës, në Drenicën heroike,
lufton shqiptari Adem Jashari kundër armikut shekullor serb
Me familjen e tij të madhe flijon jetën, por kjo humbje tragjike
u bë kushtrim i shqiptarëve për liri, të mos nënshtrohen!

Bashkëkombësit e Ullmarit, historikisht i kanë qëndruar vazhdimisht pranë shqiptarëve, veçanërisht Kosovës, luftës dhe përpjekjeve të saj të vazhdueshme për liri e pavarësi. Aq shumë, saqë edhe kanë sakrifikuar për të. Kujtojmë këtu me nderim të thellë Ministren e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë Anna Lindh (1957 – 2003), kontributin e saj të veçantë për mbështetjen dhe pavarësinë e Kosovës; kujtojmë faktin se, i pari Ministër i Jashtëm që mbërriti në Kosovë, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, ishte ai suedez. Ndërkaq, Suedia mirëpriti mbi 50 mijë shqiptarë, të cilët sot janë qytetarë të nderuar të saj.
Ullmar Kvik, sjellë tek ne miqësi, paqe dhe dituri; ndjenja vëllazërore e mirëkuptim; ai i jep ndihmesë popullit shqiptar me vlera, ide dhe mendime, fjalë të ëmbla që afrojnë dhe i bashkojnë më shumë shqiptarët me njëri-tjetrin. Në këtë drejtim, sikurse dhe në poezinë që komentojmë, ai shfaqet edhe si një mentor i spikatur, si një fjalë urtë i rrallë popullor.
Poezia ”Nuk do të harrohen kurrë!” mbyllet me një mendim të shkëlqyer poetik, që derdhet në formë sentencash letrare, që gurgullojnë me gjallëri, të freskuara me erën e lirisë dhe të nderimit për heronjtë, por, që rrezatojnë edhe besim në të ardhmen evropiane të Shqipërisë:
Adem Jashari, me familjen e tij, ka vend nderi
në analet e luftës për liri
dhe as ai, as Lord Bajroni, as Çerçiz Topulli nuk luftuan kot.
Me bashkim, në luftë paqësore,
shqiptarët do të realizojnë ëndrrat e tyre fisnike…

…Duke i mbyllur përshtypjet e mia të nxitura e frymëzuara nga poezia “Nuk do të harrohen kurrë!” e Ullmar Kvikut, njëherazi respektoj dhe mbështes me zemër mendimet që shfaqin publicistët e njohur Kadri Tarelli dhe Bashkim Saliasi në shënimet e tyre si komente të asaj poezie:
Z. Kadri Tarelli e cilëson poezinë e Ullmar Kvik ”një poezi të përkushtuar figurave të ndritura nga bota dhe atyre shqiptare që sakrifikuan duke luftuar për liri. Jam i mrekulluar që një suedez shkruan dhe krijon me kaq frymëzim e dashuri për ne shqiptarët. Këtë e bën veçse një mik i fortë dhe njohës i mirë i shqiptarëve,njohës i gjuhës dhe historisë sonë të lavdishme dhe tragjike, këtë e bën veç një njëri i madh në shpirt siç jeni ju”. Kurse Bashkim Saliasi shkruan me sinqeritet: ”Përshëndetje dhe shumë respekt për ju z. Ullmar, që me mendjen dhe penën e hollë keni skalitur në këto vargje të shkëlqyera trimërinë dhe virtytet e shqiptarëve. Ju jemi shumë mirënjohës dhe ju kemi në zemër si mikun më të mirë të kohërave moderne”.
Me këta miq zemër bukur të poezisë, bashkoj edhe unë urimin:
“Qofsh gjithnjë i frymëzuar Miku ynë i Madh Ullmar Kvik(Qvick)!
Vrion Kona, shkrimtar e publicist – Tiranë, 31 maj 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura