Prishtinë, 28. 04. 2013 – Në konferencën e mbajtur sot për media, nga Glauk Konjufca dhe Visar Ymeri u paralajmërua organizimi i Protestës gjithëpopullore në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes me Serbinë, po qe se kjo sillet në Kuvend nga Qeveria. Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të bashkohen në këtë protestë në ditën që Hashim Thaçi do ta sjellë për ratifikim në Kuvend marrëveshjen.
Nuk ka më dyshim se marrëveshja me Thaçi-Daçiç është e dëmshme për sovranitetin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës. Me të hidhen themelet e autonomisë territoriale etnike serbe brenda Kosovës. Prej saj Asociacionit të Komunave serbe të Kosovës i jipen kompetenca të tilla që konstituojnë një trup politik me organizim institucional të ndryshëm nga pjesa tjetër e Kosovës.
Me qeverisjen e kësaj Qeverie, Kosova përfundimisht ka hyrë në fazën e ndarjes së brendshme, duke u pajtuar që pushteti i Beogradit të ketë edhe zyrtarisht legjitimitet ndërkombëtar në ushtrimin e ndikimit dhe pushtetit në një pjesë të shtetit tonë.
Vetë zonja Ashton para 2 ditësh tha se serbëve të veriut iu është dhënë autonomi. Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës e kanë për obligim t’ua shpjegojnë popullit deklaratat e baroneshës Ashton, sepse ishin vetë këta zyrtarë qeveritarë që thanë se veriut nuk i është dhënë autonomi. Ata duhet të dalin t’ia shpjegojnë popullit se cila deklaratë është e vërtetë, kjo që po thotë zonja Ashton, se veriut i është dhënë autonomi, apo kjo që përgjatë gjithë këtyre javëve dhe muajve është thënë nga zyrtarët qeveritarë se në atë pjesë të Kosovë nuk do të ketë kurrfarë lloj autonomie.
Marrëveshja me Serbinë i legalizon strukturat kriminale të Serbisë dhe amniston bartësit e posteve antikushtetuese e të paligjshme të përfaqësuesve të Beogradit që veprojnë në Kosovë. Në anën tjetër, kjo ia ka mundësuar Serbisë që një pjesë më të vogël të strukturave të saj kriminale t’i akomodojë brenda institucioneve të Kosovës, sipas pikës 8 të marrëveshjes, kurse pjesën tjetër më të madhe do ta mbajë gjithnjë aktive dhe nuk do ta shpërbëjë.
Të mendosh se Serbia vetvetiu do t’i shuajë strukturat e saj paralele dhe të paligjshme në Kosovë nuk është asgjë tjetër veçse maskim i pamundësisë dhe mosgatishmërisë së Qeverisë për veprim konkret drejt shpërbërjes së këtyre strukturave antikushtetuese dhe të paligjshme në Kosovë.
Me këtë marrëveshje, në aspektin e sigurisë, policisë dhe drejtësisë, fillojnë çarjet e para të një sistemi shtetëror që sipas Kushtetutës sonë definohet si unik dhe i pandashëm. Kjo është mënyra sesi në Kosovë po na krijohen dy hapësira të ndryshme të organizimit institucional. E para, është Kosova deri të lumi Ibër e cila do të qeveriset dhe organizohet sipas Planit të Ahtisaarit, kurse e dyta do të jetë pjesa e veriut të Kosovës e cila do të qeveriset dhe organizohet sipas Marrëveshjes me Serbinë.
Nëpërmjet marrëveshjes me Serbinë, Qeveria e Kosovës me në krye Hashim Thaçin ia ka lidhur duart dhe këmbët shtetit ligjor për shtrirjen e ligjit në veri. Deri dje, çfarëdo ndërhyrje në veri për goditjen e strukturave kriminale dhe krimit të organizuar ka qenë jo vetëm e ligjshme, por edhe obligim kushtetues. Pas kësaj marrëveshjeje me Serbinë, çfarëdo veprimi sado i vogël që do të mund të ndodh apo që e kanë plan të ndodhë nuk do të mund të paramendohet pa miratimin e Beogradit.
Kosova nuk do të guxojë të veprojë sipas obligimeve të saj ligjore e kushtetuese, sepse ato nga Serbia gjithnjë do të interpretohen si qëllimkëqija dhe me synim të sulmit të serbëve atje. Mishërimi më i qartë i këtij nënshtrimi është pranimi që trupat e FSK-së të mos kenë të drejtë të jenë prezent edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Kjo do të thotë që Qeveria jonë e trajton veriun e Kosovës sikur të mos ishte pjesë e saj.
Marrëveshja që përmban të tilla pasoja për shtetin e Kosovës pritet që të sillet në Kuvend e Republikës për t’u ratifikuar. Nëse kjo do të ndodhë në javën e ardhshme apo në javën tjetër ende mbetet e paqartë për shkak se nuk ka datë të saktë.
Ne mendojmë që atë ditë domosdoshmërisht duhet të protestohet kundër ratifikimit të kësaj marrëveshjeje.
Duhet ta kemi të qartë se ratifikimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës me votën e 2/3 së deputetëve e fiton peshën ligjore përmbi Kushtetutën dhe përmbi të gjitha ligjet tjera të Kosovës. Pra, nëse marrëveshja ratifikohet, atëherë Kosova do të jetë vend i definuar nga marrëveshja e jo më nga Kushtetuta e vet apo nga ligjet pozitive që i ka këtu. Të gjitha këto pastaj do duhej domosdoshmërisht të ndryshohen për t’u përputhur me pikat dhe parimet e marrëveshjes së ratifikuar.
Po ashtu, përveç protestës qytetare që do ta organizojmë atë ditë kur pritet të ratifikohet kjo marrëveshje, ne i bëjmë thirrje edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, veçanërisht atyre të LDK-së, që tash pasi që po dihet botërisht që kjo është marrëveshje për autonomi për veriun, dhe është marrëveshje që del nga suazat e Kushtetutës së Kosovës, logjikës së sovranitetit dhe ushtrimit të kontrollit e integritetit territorial, atëherë e kanë rastin që me kundërshtimin e ratifikimit të saj të mos e lejojnë që kjo marrëveshje të bëhet dokumenti që e përcakton të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Pra, 12 deputetë të VETËVENDOSJE!-s, natyrisht që do të jenë kundër. Edhe dy të LB-së e kanë kundërshtuar. Nëse ia shtojmë edhe 27 deputetë të LDK-së, kjo marrëveshje nuk e kalon procesin e ratifikimit. Objektivisht, LDK e ka mundësinë që ta ndal ratifikimin dhe zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Është momenti kur deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohen asnjë presioni tjetër, përveç trysnisë së interesit të përgjithshëm dhe vullnetit të përgjithshëm qytetar të Kosovës, e që është një Kosovë republikane, unike territorialisht, sovrane politikisht, dhe e lirë të vendos për fatin e vet.
Prishtinë, 28 prill 2013
Lëvizja VETËVENDOSJE!
FJALA E PLOTË E GLAUK KONJUFCËS NË KONFERENCËN E SOTME PËR MEDIA
Nuk ka fare dyshim se marrëveshja me Daçiçin që na e solli Hashim Thaçi është e dëmshme për sovranitetin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Kjo marrëveshje hedh themelet e autonomisë territoriale etnike serbe brenda në Republikën e Kosovës. Asociacionit të Komunave Serbe të Kosovës i janë dhënë kompetenca të tilla që konstituojnë një trup të dallueshëm politik, me një organizim të ndryshëm institucional nga pjesa e Kosovës e qeverisur sipas Planit të Ahtisaarit.
Në këtë mënyrë, me qeverisjen e kësaj Qeverie që e kemi, Kosova përfundimisht ka hyrë në fazën e një ndarje të brendshme, duke u pajtuar që pushteti i Beogradit të ketë edhe zyrtarisht legjitimitet ndërkombëtar në ushtrimin e ndikimit dhe pushtetit në një pjesë të shtetit tonë.
Vetë zonja Ashton para 2 ditësh tha se serbëve të veriut iu është dhënë autonomi. Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës e kanë për obligim t’ua shpjegojnë popullit deklaratat e baroneshës Ashton, sepse ishin vetë këta zyrtarë qeveritarë që thanë se veriut nuk i është dhënë autonomi. Ata duhet të dalin t’ia shpjegojnë popullit se cila deklaratë është e vërtetë, kjo që po thotë zonja Ashton, se veriut i është dhënë autonomi, apo kjo që përgjatë gjithë këtyre javëve dhe muajve është thënë nga zyrtarët qeveritarë se në atë pjesë të Kosovë nuk do të ketë kurrfarë lloj autonomie.
Kryeministri Thaçi ka filluar ta ushtronte pushtetin e tij në fund të vitit 2007 dhe në fillim të vitit 2008. Pesë vjet pasi që Kosova e shpalli pavarësinë e vet më 2008 dhe tri vite pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në vend që Republika jonë të ecë përpara në konsolidimin e vet të shtetndërtimit, Qeveria jonë na kthehet nga Brukseli me një marrëveshje që e njeh pushtetin e Beogradit në veri të vendit tonë.
Ky prapakthim nuk është i mundshëm të ndodh përveçse me një Kryeministër dhe me një Qeveri e cila karshi Serbisë ndjehet inferiore, kurse para karshi zyrtarëve ndërkombëtarë ndjehet servile.
Me këtë marrëveshje Hashim Thaçi ndoshta mund ta ketë forcuar pushtetin e tij karshi ndërkombëtarëve, por shteti i Kosovës e ka dobësuar pozicionin e vet karshi Serbisë. Kjo është një politikë nëpërmjet të cilës kryeministri ynë fiton poena politikë për vete, duke e dobësuar politikisht shtetin tonë.
Pesë vjet pas pavarësisë qytetarët presin ndonjë lajm për hapjen e vendeve të reja të punës apo rritjen e mirëqenies qytetare, por e tëra që po marrin janë marrëveshjet nënshtruese ndaj Beogradit si dhe shitjet irracionale të pasurive tona publike, siç ndodhi me Distribucionin apo me PTK-në.
Marrëveshja me Serbinë i legalizon strukturat kriminale të Serbisë si dhe i amniston bartësit e posteve antikushtetuese dhe të paligjshme të përfaqësuesve të Beogradit që veprojnë në Kosovë. Në anën tjetër, kjo ia ka mundësuar Serbisë që një pjesë më të vogël të strukturave të saj kriminale t’i akomodojë brenda institucioneve të Kosovës, sipas pikës 8 të marrëveshjes, kurse pjesën tjetër më të madhe do ta mbajë gjithnjë aktive dhe nuk do ta shpërbëjë.
Të mendosh se Serbia vetvetiu do t’i shuajë strukturat e saj paralele dhe të paligjshme në Kosovë nuk është asgjë tjetër veçse maskim i pamundësisë dhe mosgatishmërisë së Qeverisë tonë për veprim konkret drejt shpërbërjes së këtyre strukturave antikushtetuese dhe të paligjshmë në Kosovë.
Me këtë marrëveshje, në aspektin e sigurisë, policisë dhe drejtësisë, fillojnë çarjet e para të një sistemi shtetëror që sipas Kushtetutës sonë definohet si ‘unik dhe i pandashëm’.
Kjo është mënyra sesi në Kosovë po na krijohen dy hapësira të ndryshme të organizimit institucional. E para është Kosova deri të lumi Ibër e cila do të qeveriset dhe organizohet sipas Planit të Ahtisaarit. Kurse e dyta do të jetë pjesa e veriut të Kosovës e cila do të qeveriset dhe organizohet sipas Marrëveshjes me Serbinë.
Nëpërmjet marrëveshjes me Serbinë Qeveria e Kosovës me në krye Hashim Thaçin ia ka lidhur duart dhe këmbët shtetit ligjor për shtrirjen e ligjit në veri. Deri dje çfarëdo ndërhyrje në veri për goditjen e strukturave kriminale dhe krimit të organizuar ka qenë jo vetëm e ligjshme, por edhe obligim kushtetues. Pas kësaj marrëveshjeje me Serbinë, çfarëdo veprimi sado i vogël që do të mund të ndodh apo që e kanë plan të ndodhë nuk do të mund të paramendohet pa miratimin e Beogradit. Kosova nuk do të guxojë të veprojë sipas obligimeve të saj ligjore e kushtetuese, sepse ato nga Serbia gjithnjë do të interpretohen si qëllimkëqija dhe me synim të sulmit të serbëve atje. Mishërimi më i qartë i këtij nënshtrimi është pranimi që trupat e FSK-së të mos kenë të drejt të jenë prezent edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Kjo do të thotë që Qeveria jonë e trajton veriun e Kosovës sikur të mos ishte pjesë e saj.
Pikërisht për faktin që jemi plotësisht të bindur se kjo marrëveshje është e rrezikshme për integritetin afatgjatë të Republikës sonë, ne i bëjmë thirrje Qeverisë sonë që të mos e sjellë një marrëveshje të tillë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Lëvizja VETËVENDOSJE! paralajmëron se do të organizojë demonstratë gjithëpopullore në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje, po qe se kjo sillet në Kuvend nga Qeveria. I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të bashkohen ne këtë protestë në ditën që eventualisht do ta sillte këtë marrëveshje në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Është jetike që të mos pajtohemi dhe ta shprehim pakënaqësinë tonë ndaj një vendimi i cili e rrudh autoritetin e Republikës së Kosovës, duke e sjellë atë te lumi Ibër, aty ku fillojnë të sundojnë barrikadat e ngritura nga kontrabandistët dhe agjentët ë Serbisë.
Prishtinë, 28 prill 2013
FJALA E PLOTË E VISAR YMERIT NË KONFERENCËN E SOTME PËR MEDIA
Marrëveshja pritet që të sillet në Kuvend për t’u ratifikuar. Nëse kjo do të ndodhë në javën e ardhshme apo në javën tjetër ende mbetet e paqartë për shkak se nuk ka datë të saktë. Ne mendojmë që atë ditë domosdoshmërish duhet të protestohet kundër ratifikimit të kësaj marrëveshjeje. Duhet ta kemi të qartë një gjë: ratifikimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e deputetëve e fiton peshën ligjore përmbi Kushtetutën dhe përmbi të gjitha ligjet tjera të Kosovës. Pra nëse marrëveshja ratifikohet, atëherë Kosova do të jetë vendi definuar nga marrëveshja e jo më nga Kushtetuta e vet apo nga ligjet pozitive që i ka këtu. Të gjitha këto pastaj do duhej domosdoshmërish të ndryshohen për t’u përputhur me pikat dhe parimet e marrëveshjes së ratifikuar.
Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje e bën marrëveshjen pra dokumentin kryesor të rregullimit të brendshëm të Kosovës, e cila do të rregullohet si një vend i ndarë në dysh pra një Kosovë që qeveriset nga strukturat ilegale tashmë të legalizuara të Serbisë, dhe një Kosovë që qeveriset nga Plani Ahtisaarit e që quhet Kosovë e të gjithëve.
Kur flasim për rajonin autonom që po krijon kjo marrëveshje që po nis në veri e jo domosdoshmërish përfundon në veri, duhet ta kemi parasysh edhe cilat kompetenca dhe çfarë realisht i shkakton kjo ndarje Kosovës si tërësi.
Një pikë e marrëveshjes i jep kompetenca ekzekutive dhe të mbikëqyrjes edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik. Kur flitet për këtë, duhet ta kemi parasysh se cilat resurse ekonomike gjenden në veri, të cilat me zbatimin e marrëveshjes do kalojnë nën menaxhimin e Asociacionit apo rajonit autonom të serbëve në Kosovë.
Dy resurse ekonomike që i ka veriu e që janë të domosdoshme për Kosovën janë resurse ujore, bazeni më i madh i rezervave ujore, Liqeni i Ujmanit, që përveç furnizimit me ujë të pijshëm për qytetet e Kosovës e ka rëndësinë e patjetërsueshme të zhvillimit të bujqësisë dhe po ashtu është i pazëvendësueshëm në prodhimin e energjisë elektrike meqë pa ujin e Ujmanit nuk e ka mundësinë asnjë elektranë e Kosovës të funksionojë si duhet. Përveç kësaj, aty gjendet edhe një hidrocentral që e prodhon një pjesë të energjisë elektrike për rrjetin energjetik të Kosovës.
Tjetra është ndarja e Trepçës. Përveç hyrjes së minierës së Stantërgut, që gjendet në pjesën jugore të Ibrit, të gjitha resurset tjera të Trepçës, përfshirë edhe shkritoren e pazëvendësueshme pa të cilën Trepça nuk mund të funksionojë, e që gjendet në Zveçan. Trepça ka qenë dikur boshti kryesor i zhvillimit ekonomik të Kosovës e Jugosllavisë.
Pastaj është rrjeti i distribucionit dhe furnizimit me energji elektrike përfshirë të gjitha stacionet e shpërndarjes që gjenden në veri. Është rrjeti i telekomunikimit, përfshirë antenat telekomunikuese të rrjetit mobil. Është rrjeti hekurudhor, dhe rrjeti tjetër infrastrukturor që gjendet në pjesën veriore, i ndërtuar nga paratë publike të Kosovës të cilat tash në njëfarë mënyrë po i falen Serbisë apo po i vihen në menaxhim.
Duhet ta kemi parasysh një gjë që procesi ende nuk ka përfunduar. Ratifikimi i marrëveshjes do të nënkuptonte përfundim të procesit. Pra është e domosdoshme që ta kundërshtojmë këtë ratifikim të marrëveshjes për shkak se pastaj kjo marrëveshje e ratifikuar do ta definojë Kosovën dhe natyrisht që ky ridefinim institucional e territorial e Kosovës është ridefinim edhe i statusit të Kosovës. Pra përveç që e ndanë Kosovën në dysh, përveç që ia vë tërësisht në kontroll veriun Serbisë, kjo marrëveshje në pikat e veta e themelon një varësi të re të Kosovës nga Serbia përmes komisioneve të shumta që do të themelohen për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes.
Marrëveshja pas ratifikimit, kur ta merr statusin e marrëveshjes ndërkombëtare, do të jetë marrëveshje, interpretimi i së cilës varet edhe nga interpretimi i Serbisë. Meqë marrëveshja po bëhet dokumenti më i rëndësishëm legal në Kosovë, atëherë ky dokument për ta pas interpretimin e plotë e të pranueshëm për të gjitha palët duhet ta ketë edhe interpretimin e Serbisë të përfshirë brenda marrëveshjes. Kjo është varësi e re e Kosovës nga Serbia, për shkak se Serbia do të duhet të pyetet vazhdimisht për sa i përket zbatimit të saj, dhe pritet që ajo të merr pjesë aktive në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Po ashtu, përveç protestës qytetare që do ta organizojmë atë ditë kur pritet të ratifikohet kjo marrëveshje, ne i bëjmë thirrje edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, veçanërisht atyre të LDK-së, që tash pasi që po dihet botërisht që kjo është marrëveshje për autonomi për veriun, dhe është marrëveshje që del nga suazat e Kushtetutës së Kosovës, logjikës së sovranitetit dhe ushtrimit të kontrollit e integritetit territorial, atëherë e kanë rastin që me kundërshtimin e ratifikimit të saj të mos e lejojnë që kjo marrëveshje të bëhet dokumenti që e përcakton të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Pra, 12 deputetë të VETËVENDOSJE!-s, natyrisht që do të jenë kundër. Edhe dy të LB-së e kanë kundërshtuar. Nëse ia shtojmë edhe 27 deputetë të LDK-së, kjo marrëveshje nuk e kalon procesin e ratifikimit. Objektivisht, LDK e ka mundësinë që ta ndal ratifikimin dhe zbatimin e kësaj marrëveshjeje. E kanë thënë disa herë gjatë procesit të negociatave Thaçi-Daçiç, që “LDK e përkrahë procesin por jo domosdoshmërish e përkrahë marrëveshjen nëse ajo është jashtë rregullave kushtetuese të Kosovës dhe e dëmton sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”. Madje,madje kjo është edhe njëra prej pikave në Rezolutën që i ka hap rrugë dhe i ka mundësuar Thaçit që ta nis këtë proces me Daçiçin. LDK vazhdimisht gjatë procesit kanë thënë që ky element i mbrojtjes së integritetit territorial brenda rezolutës ka qenë meritë e LDK-së për shkak të insistimit të tyre. Merita e dytë që e ka përmendur LDK-ja është që e ka futur në rezolutë pikën që marrëveshjet domosdoshmërish duhet të sillen për ratifikim në Kuvend.
Me këtë LDK-ja ka lënë të kuptohet që ia ka lënë kuvendit mundësinë që në fund, po që se marrëveshja është e dëmshme, t’ia kthejë Thaçit dhe mos ta ratifikojnë. Tash e kemi këtë moment. Po i afrohemi një seance ku pikërisht ky moment po vjen në Kuvend. Pra, momenti dhe mundësia për ta ndaluar zbatimin e kësaj marrëveshjeje për të cilën të gjithë po pajtohen që është e dëmshme. Nuk ka asnjë person as brenda as jashtë Kosovës që po mundohen tash ta argumentojnë që kjo marrëveshje nuk qenka marrëveshje që po ia falka autonominë veriut dhe që po e ndaka Kosovën në dysh. Është momenti kur deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohen asnjë presioni tjetër, përveç trysnisë së interesit të përgjithshëm dhe vullnetit të përgjithshëm qytetar të Kosovës, e që është një Kosovë republikane, unike territorialisht, sovrane politikisht, dhe e lirë të vendos për fatin e vet. Ky është momenti përcaktues nëse deputetët e Kuvendit do të jenë deputetë të qytetarëve, apo do të jenë deputetë të interesave jashtë interesit të qytetarëve dhe jashtë interesit të Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës.
Prishtinë, 28 prill 2013