XHAFER SHATRI: ZBRAZJA E ORKESTRUAR E KOSOVËS!

Gjenevë, 09. 02. 2015 – Në vitet 2009-2011, sipas Ivica Daciq, Serbia ka paisur me pasaporta serbe 26’000 shqiptarë të Kosovës. Tani së fundit, kur Serbia vendosi të mos u jap pasaporta biometrikë as shqiptarëve e madje as serbëve të Kosovës, këtyre të fundit që të mos e braktisin Kosovën, kosovarët gjejnë forma të tjera për të siguruar një pasaport serb… Sipas autoriteteve hungareze, vitin e kaluar 21’453 qytetarë të Kosovës kanë kërkuar azil në Hungari, ndërsa vetëm në muajin e parë të vitit 2015, numri i tyre ka arritur në 10’188!… Ikjet masive nga Kosova janë bërë me dijen e plotë të parisë së Kosovës, sepse veç organeve vendore, për problemin serioz të dyndjes së popullsisë atë e kanë informuar rregullisht e me kohë edhe partnerët ndërkombëtarë…Përfundimisht, kjo shkapërderdhje e frikshme e një populli, ani se në pamje të parë duket spontane, megjithatë për çdo njeri normal është e qartë se ky trafikim nuk do të mund të bëhej në asnjë mënyrë pa dorën e zgjatur të organeve shtetërore të Kosovës dhe të Serbisë.
***
Jeta është bërë e padurueshme, paria e Kosovës nuk e ka idenë se sa vuan populli sot, këtë ua tha medieve, në një kamp në Austri, një nënë e re 23 vjeçare, e cila shpreson që të mos kthehet e gjallë në vendlindje.
Braktisja pa lamtumirë
Ka më shumë se tre vjet që Kosovën po e braktisin masivisht qytetarët e saj. Kjo braktisje ka marrë përmasat e një dyndjeje të mirëfilltë të popullsisë, sidomos tash e një vit. Meqë nuk ka statistika zyrtare, sepse shumica e ikanakëve, deri kohët e fundit, nuk lajmëroheshin te organet zyrtare të shteteve perëndimore që menagjojnë migrimet, llogaritet që vendin tonë brenda vitit të fundit e kanë braktisur pa lamtumirë më së pakut 100 mijë banorë, kryesisht shqiptarë por edhe minoritarë, romë e ashkali sidomos.
Kjo dyndje, pavarësisht përmasave, vetëm tani së fundit ka zgjuar mediet nga gjumi dhe ato kanë alarmuar opinionin.

Zbrazja e Kosovës ka qenë një synim i përhershëm i Serbisë për t’ia ndryshuar asaj strukturën etnike, ndërkaq hesapet e Thaçit janë diçka më ndryshe…

* * *

Boshatisja e vendit është bërë kryesisht në një indiferencë të plotë, ani se prej vitesh autobusët përplot njerëz, kryesisht të rinj iknin, si pa krye, prej Kosovës.
Një dyndje të tillë Kosova nuk e ka pasur as gjatë apo pas Aksionit të përgjakshëm të Armëve, kur u keqtrajtuan mizorisht rreth 300’000 shqiptarë të Kosovës. Synimi i atij Aksionit ndëshkimor ishte shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi.
Një blic kronikë e dyndjes
Në vitet 2009-2011, sipas Ivica Daciq, Serbia ka paisur me pasaporta serbe 26’000 shqiptarë të Kosovës. Tani së fundit, kur Serbia vendosi të mos u jap pasaporta biometrikë as shqiptarëve e madje as serbëve të Kosovës, këtyre të fundit që të mos e braktisin Kosovën, kosovarët gjejnë forma të tjera për të siguruar një pasaport serb…
Sipas gazetës «Novosti», në tetë muajt e parë të vitit 1910, 11 mijë shqiptarë të Kosovës kishin kërkuar të drejtën e banimit në komunën e Nishit, në mënyrë që pastaj përmes një çertifikate të vendbanimit të kenë mundësi ta nxjerrin pasaportin. Natyrisht duke korruptuar nëpunës ose policë serbë. Sipas gazetës këto përçapje çdo shqiptari i kanë kushtuar nga 2000 deri në 7000 euro për një pasaport.
Ministri serb i PB deklaroi se 60’000 shqiptarë të Kosovës janë regjistruar për të marrë pasaporta të Serbisë.
Aktualisht, nëpër të gjitha pikat kufitare të Kosovës me Serbinë dynden me dhjetëra autobusë pëplotë kosovarë që shkojnë përmes Beogradit deri te kufiri hungarez. Ata që janë të lodhur dorëzohen në stacionin e parë të policisë dhe dërgohen në kampe të mbyllura ose të hapura për refugjatët…
Ndërkaq të tjerët, e këta janë shumica, ia mësyejnë Austrisë, Ҫekosllovakisë etj., dhe pastaj shpërndahen kudo që të munden deri në Finlandë.
Sipas autoriteteve hungareze, vitin e kaluar 21’453 qytetarë të Kosovës kanë kërkuar azil në Hungari, ndërsa vetëm në muajin e parë të vitit 2015, numri i tyre ka arritur në 10’188!
Muajt e fundit ekzodi po përlanë edhe familjet, duke prekur drejpërdrejt shkollat, sepse sipas aurotiteteve të arsimit, më se 5’200 nxënës kanë dalë jashtë vendit. Sipas tyre ky numër është shumë më i madh, sepse në këtë shifër përfshihen kryesisht nxënësit e klasave të 5-ta e të 6-ta.
Tani së fundit, vala e ekzodit ka përfshirë edhe Mitrovicën e Vushtërrinë, siç njofton Veriu.info, vetëm brenda një jave nga këto komuna janë larguar nga 6 deri në 8 mijë persona.
I njëjti burim njofton se nga 160 anëtarë të një familjeje nga Mitrovica, 110 prej tyre kanë ikur nga Kosova drejt Evropës, përmes linjës Prishtinë – Beograd.
Ky është trafikimi më masiv i qenieve njerëzore, viktima e të cilit kanë shtet, parlament, qeveri, polici, prokurori etj.
Ekzodi ka edhe targën financiare: Sipas shumë të dhënave, çdo person derisa të arrijë në «destinacion» duhet llogaritur se shpenzon të paktën 2500 euro. Nëse llogarisim së brenda 18 muajve të fundit kanë ikur së pakut 150’000 shtetas të Kosovës, matematika është e thjeshtë: 375 milionë euro para të djegura…
Qëndrimi i parisë së Kosovës
Ikjet masive nga Kosova janë bërë me dijen e plotë të parisë së Kosovës, sepse veç organeve vendore, për problemin serioz të dyndjes së popullsisë atë e kanë informuar rregullisht e me kohë edhe partnerët ndërkombëtarë. Për arsyen se Evropa Perëndimore akoma nuk ka dalur nga kriza e rëndë ekonomike e dhjetëvjeçarit të fundit dhe tregu i punës është ngulfat. Në anën tjetër luftërat e shumta dhe krizat e mprehta në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë kanë shkaktuar një dyndje të vërtetë drejt Evropës. Kështu që strehimi i ardhacakëve është bërë problem i mprehtë për çdo qeveri perëndimore.
Ndërkaq për ekzodin askush nga paria e Kosovës nuk e ka çelur gojën. Mirëpo, kur mediet nisën të nxjerrin në pah pamjet trishtuese nga stacioni i autobusëve në Prishtinë dhe të marrin deklaratat e njerëzve të pashpresë, ndonjëri syresh nisi të polemizojë me ikanakët përmes fejsbukut.
Për këtë problem të mprehtë, më në fund, u fol edhe në parlament, por i vetmi person që nuk e çeli gojën deri para dy ditësh për këtë çështje të dhimbshme ishte kryeshkaktari i saj, Hashim Thaçi, i cili me një cinizëm të pashoq fajin për ekzodin ia hodhi ngërçit të gjatë paszgjedhor.
Keqpërdorimi i nevojës për liberalizimin e vizave
Në diskursin politik liberalizimi i vizave është gjithandej i pranishëm, por për parinë e Kosovës ky nuk është realizim i një të drejte për çarkullim të lirë të njerëzve të lirë, që me kursimet e tyre dalin për ta parë botën, por mundësi tepër e mirëseardhur për t’ua hapur dyert qytetarëve në zgripc të ekzistencës që, me xhepat bosh e këpucët e shkyera, të dalin jashtë me çdo kusht dhe sa më shumë, në mënyrë që të ruhet paqeja e brishtë sociale.
Është i njëjti koncept që kishin dhe kanë Maqedonia e Serbia, të cilat liberalizimin e vizave e shfrytëzuan maksimalisht për t’i nxjerrë shqiptarët në të katër udhët e botës dhe për të zbatuar pa zhurmë por substancialisht pastrimin etnik të trojeve shqiptare.
Njeriu mbetet pa gojë kur sheh zyrtarë të lartë të Kosovës, të cilët, kur flitet për ekzodin, shtrembërojnë buzët dhe ankohen se kjo dyndje po e prish imazhin e Kosovës jashtë dhe po e shtyn në pafund liberalizimin e vizave. Ata, ashiqare, nuk i vret aspak fati tragjik i të rinjve të Kosovës, të cilët i gjen sot në stacione të trenit apo të policisë gjithandej Evropës Perëndimore, që nga Malta e deri në Findlandë, duke u dridhur nga të ftohtit e pashpresa për të vetmin «faj» se vendi i tyre, i kapur fund e krye nga mafia, ua ka kthyer shpinën.
Këta politikanë të pafytyrë e dijnë mirë se imazhin e Kosovës nuk e dëmtojnë ikanakët, por politikanët mafioz që ua kanë vjedhur pasuritë dhe të ardhmen jo vetëm këtyre që po ikun por edhe gjeneratave që ende nuk kanë lindur.
Sepse krejt Kosova e di se prej pasluftës e deri më sot, veç të tjerash, me tri ndërmarrjet me të mëdha publike të vendit, PTK-n, KEK-n dhe Trepçën ka udhëhequr Shiku; miliarda euro janë zhvatur dhe kanë përfunduar në xhepat e Thaçit dhe supotëve të tij, ndërkaq rinia e Kosovës ka mbetur me gishta në gojë; pa shkollim adekuat, pa punë, pa të ardhme…
Idealizmi i shkërmoqur
Ekzodi aktual të lë pa gojë edhe për diçka tjetër që është vështirë të jipet një shpjegim logjik: qytetarët e Kosovës, shumica dërrmuese e tyre, janë të informuar dhe e dijnë se në asnjë vend të botës, për 1000 arsye të njohura, nuk do të trajtohen si refugjatë. Megjithatë ata i shesin shtëpitë, pronat, çdo gjë që kanë…, për ta marrë, edhe në pikë të dimrit, me gra e fëmijë, një rrugë përplot rreziqe, e cila realisht nuk i çon askund.
Kjo është tronditëse, sepse edhe sot në mendjet e opinionit botëror jetojnë skenat e papara, kur qytetarët e Kosovës me t’u çliruar vendi i tyre u kthyen masivisht në shtëpite e djegura, i rindërtuan ato dhe filluan një jetë të re…
Mjerisht, atë që nuk mundi ta bëjë Serbia me dajak, me pushkë e me topa për një shekull e gjysmë rresht, e bënë në kohë paqeje Hashim Thaçi me shokët e tij, sepse këta para se t’i vrasin shpresat e një pupulli, e plagosën rëndë idealizmin e tij, idealizmin e djemve dhe vajzave, burrave dhe grave të Kosovës, që ishte i rrallë në historinë e njerëzimit.
Përfundim
Zbrazja e Kosovës ka qenë një synim i përhershëm i Serbisë për t’ia ndryshuar asaj strukturën etnike, ndërkaq hesapet e Thaçit janë diçka më ndryshe; me dyndjen nga Kosova largohen elementet potencial që nesër do ta gjuajnë sërish veturën e tij me patligjana e zyrën me gurë, derisa do të vijë te ajo që, në këso rastesh, zakonisht është e pashmangëshme, kur revolta do të marrë forma e përmasa drastike, dhe ikanakët e sotëm nesër, bashkë me policinë, do të futen nëpër zyra për t’i nxjerrë prej aty kryekeqbërësit e Kosovës Hashimin, Kadriun dhe halabakët e tjerë për t’i tërhequr pastaj zvarrë bashkë me fotelet e buta nëpër rrugët plot lloç të Prishtinës. Përfundimisht, kjo shkapërderdhje e frikshme e një populli, ani se në pamje të parë duket spontane, megjithatë për çdo njeri normal është e qartë se ky trafikim nuk do të mund të bëhej në asnjë mënyrë pa dorën e zgjatur të organeve shtetërore të Kosovës dhe të Serbisë.

………………………………………….

(Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura