XHEMAJL PLLANA: VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (2)

Pashtriku, 22 Maj 2020:
Kthimi i Ramadan Pllanës nga Franca, vendimtar për organizimin tonë politik!
Leximi dhe studimi i literaturës patriotike e kombëtare, dëgjimi i Radio dhe TV Shqiptare ishte obligim i anëtarësisë dhe simpatizantëve tanë! Në vitin 1975\76 vëllai im Ramadani, përfundimisht kthehet nga Franca në vendlindje. Unë sapo isha regjistruar në F.SH.M.N, dega e Gjeografisë, ndërsa Dani regjistrohet në Fakultetin Filozofik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge. Kthimi i Danit nga Franca ndryshoi shumëçka në botëkuptimet tona për jetën. Bisedat me Danin ishin ndryshe nga ato me të tjerët. Ato ishin me tema të ndryshme, më të thella, familjare, shoqërore e kombëtare! Dani na fliste për histori kombëtare, veçanërisht për copëtimin e trojeve shqiptare, për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Isa Boletinin, Bajram Currin, pastaj për Lidhjen e Prizrenit, për vëllezërit Frashëri, Hoxhë Tahsinin, Pashko Vasën, për Shotë e Azem Galicën, për LNÇ, për Mbledhjen e Bujanit, për LNDSH, për tradhtinë nga PKJ e Titoja, për shpërnguljet dhe terrorin e Rankovicit gjatë aksionit të armëve etj.
D
ani kishte sjellë me vete dhe një transistor i cili i merrte mirë valët e Radio Tiranës, Radio Kukësit etj., prej ku informoheshim për shumëçka, nga arti, kultura, historia, heroizmat e luftëtarëve e heronjve tanë gjatë gjithë historisë, për zhvillimin politik, ekonomik e ushtarak të RPS të Shqipërisë. Prandaj ardhja e Danit ishte kthesë e madhe për mua e për shumë të rinj, miq e dashamirë, sepse ai na tregonte se cila ishte e vërteta që duhej ndjekur e ajo ishte rruga për liri e për bashkim kombëtar! Rreth Danit e rreth nesh përditë e më shumë po shtoheshin kontaktet dhe bisedat për çështje kryesisht kombëtare!

Veprimtari Ramadan Pllana

Formimi i Grupit Revolucionar “Shkëndijat e Kuqe”
Me bindjen se, po piqeshin kushtet për një organizim të mirëfilltë politik, ne vendosëm që më 10 Qershor të vitit 1975 të formonim celulën e parë të Grupit Revolucionar “Shkëndijat e Kuqe”. Në ketë takim kemi qenë: Ramadan Pllana, Latif Pllana, Sami Pllana, Xhemajl Pllana dhe J.P.! Grupi ynë kishte një rregullore dhe një statut prej 10 pikash. Grupi kishte për qëllim organizimin, rritjen dhe bashkimin e të gjitha forcave patriotike të viseve shqiptare në ish Jugosllavi, shkëputjen e tyre nga Jugosllavia dhe bashkimin me Shqipërinë. Në “Shkëndijat e Kuqe” mund të hynte çdo atdhetarë mbi 18 vjeç, varësisht nga përkushtimi i dëshmuar brenda 6 muajsh deri në 2 vjet. Me qëllim të formimit dhe kompletimit të personalitetit të anëtarëve tanë, ne kemi pasur dhe literaturë të detyrushme për lexim si: ”Historia e Popullit Shqiptar”, veprat e rilindësve tanë, librat si ”Lidhja Shqiptare të Prizrenit”, ”Mbledhja e Bujanit”, librat historike nga Aleks Buda, Ali Hadri, Kristo Frashëri, etj., veprat ”Hasan Prishtina”, e ”Azem dhe Shotë Galica” nga Ajet Haxhiu, libra si ”Isa Boletini”, dëgjimi i emisioneve të caktuara nga Radio Tirana, etj.
Bashkimi dhe shkrirja e “Shkëndijave të Kuqe”në LNÇKVSHJ-së
Si studentë që ishim,ne kishim kontakte të shumta me rininë, prandaj po e zgjeronim, po e rritnim dhe po e forconim organizatën tonë, si në sasi ashtu edhe në cilësi. Në grupin tonë do të aderonin edhe
– Abdullah Hoxha nga Plluzhina e Drenicës,
– Demë Jashari nga Strovci i Vushtrrisë,
– Emin Krasniqi e Besnik Krasniqi nga Dajkoci i Dardanës,
– Musa Neziri nga Peja,
– Kimete Krasniqi e Kimete Dragidella,
– Aziz Hyseni e simpatizantë të tjerë pothuaj në të gjitha fakultetet, duke u zgjeruar kështu në të gjitha viset shqiptare nën Jugosllavi.
Në ndëkohë Danit, si më i përgatitur që ishte, i kishte lindur ideja e formimit të një partie. Mirëpo në ndërkohë ne kemi rënë në kontakt me veprimtar të LNÇKVSHJ-së, prandaj e kemi lexuar Programin dhe Statutin e kësaj Lëvizjeje, e kemi studiuar mirë e mirë dhe kemi ardhur në përfundim se për Kosovën dhe për popullin shqiptar në ish Jugosllavi më e dobishëme dhe më e aprovueshme do të ishte organizimi ose shkrirja e të gjitha organizatave dhe grupeve politike në një Lëvizje gjithëpërfshirëse siç ishte LNÇKVSHJ. Prandaj dhe ne u bindëm se ishin të drejta, konstatimet e bacë Metush Krasniçit se: “Ne kemi nevojë për një Lëvizje gjithëkombëtare e jo për parti politike”, prandaj dhe hoqëm dorë nga ideja e formimit të një partie politike të re. Andaj në vjeshtën e vitit 1977 vendosëm që “Shkëndijat e Kuqe” t’i bashkoheshin LNÇKVSHJ-së.
Themelimi i Komiteti i Rinisë së LKÇKVSH-ës
Pastaj me iniciativën e Danit, më 12 Mars 1979 në “Tokë-bahçe” themelohet Komiteti i Rinisë së LKÇKVSH-ës, i cili përbëhej prej pesë anëtarëve, e këta ishin:
– Ramadan Pllana, absolvent i gjuhës dhe letërsisë frënge – kryetar,
– Abdullah Hoxha, student në degën gjuhës dhe letërsisë shqipe, nënkryetar,
– Kimete Krasniqi, studente në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, anëtare,
– Musa Neziri, student në Fakultetin Teknik, anëtar,
– Latif Pllana, student në Fakultetin Juridik.
Vetëdijësimi i rinisë për shtypjen dhe shfrytëzimin e popullit dhe të pasurive tona
Ne, të gjithë së bashku, e të ndarë në grupe të caktuara kemi bërë shumë aktivitete në të gjitha fushat e jetës për të ngritur vetëdijen e rinisë dhe popullit, për pasuritë dhe begatitë që ka vendi ynë, për shfrytëzimin e pasurive tona nga Jugosllavia, për ngecjen e qëllimshme të zhvillimit ekonomik, kulturor e arsimor të Kosovës në krahasim me republikat tjera në Jugosllavi, për shtypjen dhe shfrytëzimin e fuqisë tonë punëtore nga politika antishqiptare jugosllave. Në këtë kuadër të veprimeve ne kemi shpërndarë literaturë, pamflete dhe kemi shkruar parulla të ndryshme dhe në vende të ndryshme! Literaturën e shpërndanim te ata njerëz që kishim besim ose që kishin prejardhje familjare me frymë kombëtare. Gjithashtu kemi bërë përpjekje që të ndikonim edhe te njerëzit e painformuar. Ne i kemi kushtuar, rëndësi të madhe edhe edukimit të rinisë shqiptare, jo vetëm për sa i takon edukimit patriotik, por edhe anës kulturore e morale. Ne kemi pasur rregulla dhe kriter të mprehtë për sjelljet e anëtarëve, jo çdokush ka mundur të ishte anëtar i Lëvizjes. Po kështu, rëndësi të veçantë i kemi kushtuar edukimit të femrës sonë, kemi ndikuar që ajo të vazhdonte shkollimin, sepse ajo kishte pengesa të shumta që i dilnin nga mentaliteti i kohës, i nxitur dhe nga UDB-a e veglat qorre shqipfolëse të saj. Qëndrimi ynë ishte se femra ishte shtylla kryesore e kombit, sepse ajo lindte, rriste dhe edukonte fëmijët, dhe se të edukosh një femër ke edukuar një nënë, një grua, një bashkëshorte, një popull të tërë. Pra, ne luftonim edhe për të çliruar dhe emancipuar femrën shqiptare, për ta hequr nga kthetrat dhe vargonjtë e zakoneve prapanike dhe patriarkale. Në kuadër të aktiviteteve tona ne kemi pasur të angazhuar dhe hoxhë e imam të xhamive, p.sh. si Mahmut Muratin nga Gurakuqi (ish Gllovotini), pra këta hoxhallarë kanë dhënë kontribut të pakursyer për çlirim dhe bashkim kombëtar. Pra ne jemi shoqëruar dhe kemi bashkëpunuar ngushtë dhe me hoxhallarë përparimtarë, për të bindur më lehtë prindërit e vajzave për të vazhduar shkollimin, prandaj edhe në këtë fushë kemi arritur suksese.

Shtypshkronja e organizatës me  të cilën janë shkruar materiale dhe trakte në vitet 80-ta

Ballafaqimi me sigurimin e regjimit të RSF të Jugosllavisë
Ne, gjatë aktiviteteve tona jemi ballafaquar dhe me rreziqe të mëdha për të na burgosur UDB-ja. Një ish “shok” yni (J.P), po jepte shenja se ishte thyer, prandaj qartë vërehej luhatja dhe defetizmi i tij. Andaj, së bashku me Danin u përpoqëm shumë për ta bindur, por më kot, i thamë se qëllimi i armikut ishte të na thyejë, të na përçajë dhe të hasmërojë familjet tona, por e gjitha ishte e kot! E keqja ishte se ky person dinte dhe për vendin e fshehjes së disa fletushkave dhe materialeve tona. I propozova Danit që menjëherë, që atë natë, të tërhiqnim ato materiale, sepse rreziku ishte afër. Ashtu vepruam, i hoqëm të gjitha materialet e fshehura dhe e maskuam prapë vendin ashtu siç kishte qenë më parë. Në mbrëmjen e dytë, ne vërejtëm disa lëvizje hijesh të dyshimta, disa sinjale fikje-ndezjesh të dritave, prandaj u mobilizuam unë Dani e Selimi (vëllau ynë më i ri). U bë vonë dhe kah mesnata në një rrugicë u shfaq një si hije. Selimi po e ndiqte “hijen” se ku po hynte! Siç duket ai duke e parë rrezikun lëvizi me një shpejtësi të madhe duke u futur pa trokitur në odën e S.G. Pas tij në odë futet dhe Selimi, duke konstatuar se ai ishte S.P, nga fshati ynë, i cili punonte në Stacionin hekurudhor të Vushtrrisë. Të nesërmen herët së bashku me Danin, shkuam në vendin e “gjahut” dhe çfarë të shihnim?! Vendi i fshehjes së materialeve tona ishte masakruar! Ky ishte rasti i parë i “dyluftimit” mes nesh dhe Shërbimit Sekret Jugosllav, ku ne dolëm fitues por, dhe më të rrezikuar se kurrë më parë!
“Nini Rren, Ylli nuk rren”
Aksionin e parë që e kemi kryer ne, ka qenë shkrimi i parullës: “Nini rren, Ylli nuk rren! ” Këtë parullë e kemi shkruar unë (Xhemajl Pllana) dhe Sami Pllana në trenin internacional “Akropolis” i cili mbante vijën, Athinë-Beograd-Munih, që kalonte nëpër stacionin hekurudhor të Vushtrrisë! Ndërsa si trakt është shpërndar në Prishtinë dhe Obiliq nga Hysen dhe Selvete Grajqevci. Ideja e shkrimit të kësaj parulle ka qenë e propozuar nga Jusuf Gërvalla, si reagim i një polemike mes revistës “YLLI” të Tiranës e cila kishte botuar një shkrim ku demaskohej RSFJ, e cila pengonte zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe shfrytëzonte resurset ekonomike të saj dhe revistës “NIN” të Beogradit e cila iu kishte kundërvënë këtij shkrimi për gjoja shpifje, sepse Kosova na qenkësh zhvilluar shumë dhe se Beogradi nuk po i shfrytëzonte resurset dhe pasuritë ekonomike të Kosovës?! Këtë aksion e kemi realizuar më 10 korrik të vitit 1979 në trenin e orës 23 në stacionin hekurudhor të Vushtrrisë! Kjo parullë është shkruar në të njëjtën ditë, dhe në disa pjesë të Prishtinës, në Pejë dhe në Istog. Sipas informative tona të mëvonshme, data e 10 korrikut ishte caktuar nga Jusuf Gërvalla për nder të përvjetorit të themelimit të Ushtrisë Shqiptare!
Vizita e Titos në Kosovë ishte dhe nxitje e UDB-së për të burgosur të rininë shqiptare
Në tetor të vitit 1979 ishte paralajmëruar vizita e Titos në Kosovë. Në të gjitha anët e Kosovës po bëheshin përgaditje të papara! Organizata jonë kishte marr qëndrim që kjo vizitë e satrapit Tito të sabotohej sa të ishte e mundur. Më kujtohet, ditën e ardhjes së tij në qytetin e Prishtinës, veç të tjerave një fotografi e Titos, iu kishte varur në qafë një qeni, i cili ishte lëshuar enkas nëpër rrugët e Prishtinës. Mirëpo, pas kësaj vizite, po në nëntor të vitit 1979 filloi një fushatë e egër e ndjekjes dhe arrestimeve në të gjitha anët e Kosovës.
Arrestimi i Ramadan Pllanës me shokë
Në sajë të kësaj fushate më 14.11.1979 arrestohet Ramadan Pllana dhe shumë veprimtarë e simpatizantë të LNÇKVSHJ-së dhe të organizatave e grupeve tjera. Ishte natë e errët, gjatë këtij muaji kishte pasur reshje dhe vërshime të mëdha. Atë natë unë dhe Dani kishim ndenjur deri natën vonë, duke lexuar e diskutuar për çështje të ndryshme! Nuk kishim bërë dy orë gjumë, kur erdhi vëllai ynë Rexhepi dhe na informoi se shtëpia jonë ishte rrethuar me shumë policë, ata ishin futur kudo, nëpër korridore dhe se nuk lejonin asnjë lëvizje. Pas pak hynë brenda,… Burhan Prishtina me dy hetues tjerë. E thirrën Danin që të zgjohej ndërsa mua nuk ma “prishën ”gjumin »! Nuk lanë vend pa hulumtuar, morën shumë libra e literaturë, të cilën nuk na e kthyen më kurrë! E gjetën dhe pasaportën e Danit, të cilën e hapi Burhan Prishtina, ia tregoi kolegut të tij si dëshmi e një udhëtimit të Danit në Turqi. Ky sinjalizim i B. Prishtinës ishte dëshmi se ky udhëtim i Danit kishte qenë i dekonspiruar në tërësi dhe se, Dani kishte qenë i përcjellë (vëzhguar), ashtu siç dyshonte dhe vetë. Lidhur me këtë rast, Dani më kishte njoftuar dhe mua duke shfaqur dëshpërimin lidhur me këtë udhëtim. Dyshimi për dekonspirim ishte i bazuar sepse gjatë qëndrimit të Danit në Turqi, në një rast, gjatë hyrjes në tualet, Dani ia kishte dhënë çantën me dokumente një shoqëruesi, dhe pastaj dikush nga mikpritësit e kishte thirrur në emër e mbiemër, Ramadan Pllana. Dani i kishte reaguar ashpër duke i thënë se kjo siç keni vepruar ju është prerje në besë. Kjo vizitë e Danit në Turqi është bërë me propozimin e Sabri Novosellës, nëpërmjet Shefqet Jasharit, me arsyetimin se kjo paskësh qenë dhe propozim i Adem Demës nga burgu?! Me këte rast nga shokët që unë i njihja, ishin arrestuar edhe: Shefqet Jashari, Avdi Kelmendi, Latif Pllana, Sylejman Qyqalla, Demë Jashari, Musa Neziri, Aziz Hyseni, Ferki Morina. Ndërsa ndër shokë dhe shoqe që ishin arrestuar, ishin hetuar e ishin mbajtur me nga disa ditë ishin dhe: Asllan Muharremi, Kimete Krasniqi, Kimete Dragidella, Fadil Shyti e ndonjë tjetër.
VIJON …
___________________
XHEMAJL PLLANA: VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (1)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10048

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura