XHEMAJL PLLANA: VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (3)

Pashtriku, 25 Maj 2020:
Mosarrestimi im ishte më e rëndë se burgu
Për çudinë time dhe, të shumë shokëve tanë, unë isha “kursyer” nga burgosja! Inspektorët e sigurimit shtetëror, më kishin marr në pyetje e biseda informative disa herë me radhë (Zejnullah Shala, Burhan Prishtina, Faruk Mehmeti, Faik Nura e ndonjë tjetër që nuk më kujtohet). Mos arrestimin tim e kam ndjer rëndë, sepse me këte rast ishin burgosur shokë, të cilët ishin më të rinjë se unë, si në moshë ashtu dhe në organizim, e ndjeja të rëndë edhe para familjeve të tyre. Prandaj me kalimin e kohës, me shokët i kemi analizuar shkaqet dhe arsyet e një qëndrimi të tillë të UDB-së. Unë përafërsisht e dija se çfarë materialesh i kishin gjetur Danit, prandaj dhe nuk këmbëngulja në mospranim për gjëra që diheshin. Qëllimi im ishte të mos jepja diçka që mund ta rëndonte Danin. Edhe diçka që ma lehtësonte punën mua ishte taktika ose qëndrimi i shokëve të LNÇKVSHJ-së, se njerëzit e afërm nuk duhej të bënin pjesë nëpër organet udhëheqëse të Lëvizjes. Kështu që unë të paktën formalisht nuk isha në asnjë organ udhëheqës të Lëvizjes. Megjithatë unë isha i sigurt se ata dinin shumë më tepër për mua. Prandaj me kalimin e kohës, me shokët i kemi analizuar shkaqet dhe arsyet e një qëndrimi të tillë të UDB-së. Konstatimi ynë ishte se ai qëndrim i shërbimit sekret ishte taktik dhe komprometues njëkohësisht, dhe se llogaritë e tyre të çonin në ate se papërvoja jonë do të na shpinte prap në “gojë të ujkut”, meqë ata dinin “gjithçka, se shërbimi i tyre ishte gjithkund etj.etj?! Në të vërtetë ata edhe ishin gjithkund, sepse gjenin sahanlëpirës me lekë e pa lekë! Mirëpo, dhe ne do duhej që të nxirrnim mësime, të vepronim dhe do t’ua hidhnim UDB-ës Jugosllave. Edhe pas burgosjes se Danit me shokë, UDB-a jugosllave po vazhdonte ndjekjen për zbulimin e organizimit tonë politik e kombëtar.
Pas arrestimeve të shokëve, Asllan Muharremi ishte i pari që më ka vizituar
Pas burgosjes së Danit me shokë, Asllan Muharremi ka qenë ndër shokët e rrallë me të cilin jam takuar. Ai më ka treguar se më 22 nëntor e kishin arrestuar dhe kundër tij kishin ushtruar torturuara psikike e fizike inspektorët e sigurimit (B.Prishtina, F.Mehmeti, F.Nura, Hajriz Mazhiqi, Beqir Voca, Sylejman Arifi, Moma… etj), duke mbajtur tri ditë dhe më pas e kishin liruar. Pastaj përsëri më 18 shkurt kishte pasur një urdhër, gjoja si ftesë, nëpërmjet të cilës urdhërohej që më, 20 shkurt 1980 në ora 08.00 të paraqitej në Stacionin e Policisë në Prilluzhë! Dhe se, prej aty policët e kishin dërguar në Stacionin e Policisë në Mitrovicë, dhe se e kishte marrë në pyetje Burhan Prishtina, me qëllim të zbulimit se mos ky dinte diçka lidhur me udhëtimin e Sheremet Saraqit në Turqi. Në të vërtetë, diku në tetor 1979 Sheremet Saraqi kishte udhëtuar për në Turqi dhe kishte kontaktuar me veprimtarë të Lëvizjes. Edhe kjo ishte një dëshmi, se Burhan Prishtina dyshonte, se edhe Sheremeti, Asllani dhe Mahmut Murati kishin pasur lidhje organizative me Ramadan Pllanën.

Nga e majta, nëna e Asllanit, dada Halë (me Shabanin në prehër), dhe i ati me AsllaniMihaliqin (Muharremin) para tij. (1961)

Mirëpo Asllani nuk kishte pranuar se e njihte fare Sheremetin, prandaj të njëjtën ditë ishte liruar. Lidhur me këtë udhëtim ishte marrë në pyetje edhe Mahmut Murati nga Gurakuqi. Edhe kjo ishte një dëshmi se Burhan Prishtina dyshonte se edhe Sheremeti, Asllani dhe Mahmut Murati kishin pasur lidhje organizative me Ramadan Pllanën.
UDB-a, po ”arrestonte” dhe shërbëtorët e vet
Ky shërbim famëkeq dhe për fat të keq dhe me shërbëtorë shqipfolës vepronte me djallëzi, duke “arrestuar” dhe elemente të rekrutuar për të krijuar përshtypjen se ata nuk ishin shitur?! Ata këtë e bënin për të futur mosbesim, frikë dhe pasiguri në radhët tona, për të minuar organizimin, për ta hutuar popullin e për të sunduar mbi ne! Me këtë rast, më duhet të theksoj se UDB-ja bëhej sikur gjoja e kishin arrestuar e arsimtarin J.P të cilin kinse po e mbanin e hetonin në burg?! Porse në të njëjtën kohë shihej skutave të rrugëve të qytetit të Prishtinës, i parruar dhe me mjekër, dhe i njëjti pastaj kinse lirohej dhe vazhdonte punën në arsim! U bënë disa muaj që e kishin arrestuar Danin, ndërsa vizita nuk na lejoheshin! Mirëpo një ditë prej ditësh dikush nga hetuesit i kishte thënë vëllait (Rexhepit) se vetëm nëna mund ta vizitonte ndonjë ditë! E çuditshme, sa “zemërmirë” që ishin treguar?! Ende nuk kishin përfunduar hetimet dhe nënës po i lejohej një vizitë! Unë e kisha të qartë se kjo ishte njëfarë loje, me qëllim që ta ligështonin Danin! Ata me shërbëtorët e tyre përhapnin frikë dhe defetizëm kudo në popull, gjoja se ne ishim armiq të popullit shqiptar dhe të popujve të Jugosllavisë, se jemi nacionalistë, irredentistë, separatistë, racistë etj etj., se ne donim ta prishim “bashkim – vëllazërimin” e popujve të Jugosllavisë, se ne donim të shkatërronim frytet e revolucionit, të lirisë dhe barazisë mes popujve. Se Jugosllavia e “painkuadruar” dhe Titoja ishin model i sistemit socialist me demokratik në botë. Se ne i kishim të drejtat dhe liritë më të mëdha në tërë botën etj! Ndërsa ne “qyqarët” donim ta shkatërronim Jugosllavinë e Titos, që e donte e gjithë bota?! Aq thellë kishte arritur mashtrimi saqë edhe njerëz të caktuar dhe fetarë, Titon e quanin dhe “pejgamber” dhe se ai do të vdiste si “musliman”etj.etj!
Vdekja e Titos dhe “shtëpia e luleve”
Pas një agonie të gjatë, më 04 Maj 1980 u njoftua opinioni se Titoja paskësh vdekur! U shpallën shumë ditë zie. U organizua varrim madhështor, ku morën pjesë pushtetarë nga e gjithë bota! Ndërsa vendvarrimi i satrapit Tito u shpall si “shtëpi e luleve”. Pastaj filluan shkrime analiza e komente se çfarë do të ndodhte me Jugosllavinë pas vdekjes së Titos?! Pastaj “shtëpia e luleve” u bë e shenjtë si “meka” dhe obligim për vizita nga institucione të të gjitha niveleve?! Për Titon thureshin himne, thuhej se: ”edhe pas Titos do të jetë Tito”?! Se do të vazhdohej rruga e këtij “strategu e vizionari” të paqes botërore.
Pas rreth 6 muaj hetimesh, disa nga shokët tanë që ishin më të rinj u liruan. Ndër ata që njihja unë ishin: Avdullah Hoxha, Musa Neziri, Latif Pllana, Demë Jashari, Ferki Morina, Aziz Hyseni e ndonjë tjetër.
Gjykimi dhe dënimi i Ramadan Pllanës me shokë
Ndërsa më 4 qershor 1980 shpallet aktgjykimi i dënimit për anëtarët e LNÇKVSHJ-së ku dënohen:
1 – Shefqet Jashari me tetë vite burg,
2 – Ramadan Pllana me shtat vite burg,
3 – Avdi Kelmendi me pesë vjet burg,
4 – Abdyl Lahu me katër vite burg,
5 – Skënder Jashari, me tri vite burg,
6 – Isa Demaj me katër vite burg,
7 – Sylejman Qyqalla, me katër vite burg dhe
8 – Hysen Gërvallën me tri vite burg.
Riorganizimi dhe vazhdimi i veprimtarisë së fshehtë kombëtare
Ato ishin momentet më të komplikuara për të gjithë ne, sepse ishim betuar, se pavarësisht të gjithave, ne do të vazhdonim luftën dhe përpjekjet për të çuar përpara kauzën tonë kombëtare. Ndaj Ramadanit dhe shokëve të burgosur po bëhej një propagandë tepër e rëndë dhe denigruese, e cila kishte për qëllim futjen e përçarjeve dhe dëshpërimin e rinisë dhe forcave atdhetare. LKJ organizonte takime e aktivitete të përditshme në të cilat sulmoheshin Ramadani me shokë si armiq të popullit dhe të bashkim-vëllazërimit mes kombeve e kombësive në RSFJ. Bile Sinan Hasani, në librin ”Kosova të vërtetat e mashtrimet, Rilindja 1987”, theksoi se R. Pllana ishte armiku më i rrezikshëm në Prishtinë. Individë të tjerë, aktivistë të LKJ-së, profesorë të Universitetit i shfrytëzonin edhe ndejat e ndryshme, dasmat e të pame duke kërkuar nga prindërit që të ndikonin te ne në braktisjen e “rrugës së gabuar”.

Ramadan Pllana, Xhemajl Pllana dhe Ferki Morina si student

Ne nuk kishim informata për qëndrimin e të gjithë shokëve gjatë hetuesisë, prandaj dhe ballafaqoheshim me rreziqe dhe të papritura në këtë drejtim. Prandaj duhej kujdes në angazhimin tonë të mëtutjeshëm…
Lirimi i Ferki Morinës më pati gëzuar shumë, sepse me të njihesha më herët, ishte i ri, trim dhe besnik; ishte më i madhi në familje dhe kishte ndikuar shumë në shkollimin e motrave dhe vëllezërve, edhe se kishte qenë vetëm një simpatizant i Lëvizjes, ai kishte përballuar torturat më mizore të inspektorëve jugosllav, prandaj isha i sigurt, se me te mund të vazhdonim veprimtarinë e mëtutjeshme kombëtare. Ato që kisha dëgjuar nga Asllani dhe mënyra se si m’i ka shpjeguar ai ato, më kanë bindur se me Asllan Muharremin mund të bashkëpunoja pa asnjë rezervë. Besimin për Asllanin ma shtonte dhe ajo, se ai kishte një familje të shëndoshë dhe me prejardhje të dëshmuar patriotike e kombëtare, ishte trashëgimtare e drejtpërdrejtë e patriotit të dëshmuar për liri kombëtare, Behë Mihaliqit, i cili kishte qenë bashkëluftëtar i Isa Boletinit dhe një nga udhëheqësit e kryengritësve kundër ushtrisë turke, në anën e Rrezës se Qyqavicës (Artakollit).
Asllani dhe Ferkiu ishin dy persona që u besoja si vetës time, prandaj me të dy edhe mund të vazhdoja veprimtarinë e mëtutjeshme për çka ishim përcaktuar me shokët e organizatës. Prandaj dhe kemi vazhduar takimet, bisedat dhe veprimtarinë tonë të pandalshme me aktivitete dhe organizim ilegal. Mirëpo, me të gjithë shokët e liruar nuk kemi vazhduar bashkëpunimin në këtë drejtim, sepse disa nga ata nuk shfaqnin më interesim organizimi, ndonjërit i “ngutej” që të vepronte në LNÇKVSHJ (anëtar i së cilës nuk kishte qenë), e ndonjëri frikësohej që të merrte edhe ndonjë gazetë a fletushkë nga ne! Kështu që ne kishim nxjerrë mësime dhe një përvojë të mirë në mënyrën e sjelljes me njerëzit, nuk rrëmbeheshim nga fjalët e “mëdha” të askujt, dhe veprimtarinë po e bënim më të sigurt dhe sikur nga e para. Ne ishim të sigurt se përcilleshim në çdo hap, prandaj edhe kemi përdorur një taktikë veprimi. Ditën i kemi bërë punët e zakonshme në studime dhe në punët e përditshme familjare, ndërsa natën vonë (kur “flinte” pushteti), ne dilnim e vepronim, shkruanim parulla e shpërndanim pamflete e materiale tjera propagandistike kundër regjimit jugosllav e kuislingëve të tyre. Mirëpo, se spiunët nuk flinin natën tregon dhe rasti i rënies së njërit nga ata, në një pus (bunar) rreth të fshatit tonë.
Punësimi në Sh.F. ”21 Nëntori” në Vushtrri
Në vitin shkollor 1980/81, me ndihmën e Vehbi Xhemës dhe disa kolegëve të tij arrita që të punësohesha si arsimtar në Shkollën Fillore “21 Nëntori” në Vushtrri. Punoja me pasion dhe me të gjitha mundësitë e mia në ngritjen e vetëdijes së nxënësve në aspektin edukativ-arsimor dhe kombëtar. I shfrytëzoja maksimalisht mundësitë që më jepte lënda ime për të ndikuar sa më tepër në këtë drejtim. Në ndërkohë ndaj kolegëve dhe drejtorit të shkollës (Malazez) ishin bërë presione të mëdha për të zbuluar mënyrën e pranimit tim si arsimtar në këtë shkollë. Pas shpalljes së dënimit ndaj Danit dhe Grupit të LNÇKVSHJ-së, neve familjarëve na lejoheshin vizitat. Edhe unë e kam vizituar disa herë. Vizitat bëheshin nën përcjelljen e hetuesve, në një aneks, me dyer të hekurta e me grila sa për t’u parë! Këto “perde” hekuri, më kujtonin romanin “Përballë Hekurave të Kryqëzuar” të Kolë Jakovës! Dani qëndronte mirë dhe kjo na jepte kurajë, sado që aty nuk mund të bisedoje ndonjë gjë me rëndësi; përveç vizitave ne këmbenim dhe ndonjë letër! Gjatë vizitave, (sidomos në burgjet në Serbi), ne kemi pasur momente tepër dëshpëruese, edhe pas udhëtimeve të largëta e të mundimshme na ndërpritej vizita sepse, Dani, ose dikush nga ne insistonim të flisnim shqip, ose për shkaqe e arsye nga më banalet!
Njohtimi i shokëve me programin dhe statutin e Organizatës
Kah fundi i vitit 1980, gjatë një takimi me Ferkiun e Asllanin, unë i kam njoftuar me programin dhe statutin e LNÇKVSHJ-së. Pas leximit dhe shprehjes së gatishmërisë për ta pranuar programin e LNÇKVSHJ-së, Asllani dhe Ferkiu, e kanë bërë betimin dhe janë bërë anëtarë të LNÇKVSHJ-së. Pas lirimit tonë nga burgu, para nesh u shtrua një çështje e ngutshme, për të cilën duhej të merrnim qëndrim të përbashkët, se a do ta vazhdonim veprimtarinë si Lëvizje për Bashkim me Shqipërinë apo do të mbështetnim kërkesën gjithë-popullore “Kosova Republikë”?! Lidhjet me Lëvizjen i kishim të shkëputura dhe ishim të vetëdijshëm se edhe ata i kishin vështirësitë e veta organizative e të komunikimit, sepse edhe atje UDB-a e kishte shtrirë rrjetin e vet të hapur e të fshehur duke zbatuar parullën e tyre “përçaj e sundo”. Prandaj ishim të shtrënguar që të vepronim me vetiniciativën tonë. Ndërsa neni i parë i statutit të organizatës tonë “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi” thoshte: LNÇKVSHJ “lufton për çlirimin e të gjitha viseve shqiptare të robëruara nga Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me Nënën Shqipëri, gjegjësisht për bashkimin trojeve shqiptare me shtetit amë. Kurse kërkesa që qe përhapur në demonstratat e Mars-Prillit të vitit 1981 ishte “Kosova-Republikë” e cila synonte kalimin e Statusit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në një Republikë në kuadër të Federatës Jugosllave. Ndërsa, ne ishim betuar para flamurit të Gjergj Kastriotit se: “të gjitha aftësitë tona fizike, psikike dhe materiale do t’i vëmë në shërbim të popullit dhe do të jemi të lumtur po që se flijohemi për çlirimin e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me Nënën Shqipëri!”
VIJON …
_____________________
XHEMAJL PLLANA: VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (2)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10063

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura