XHEVAT BISLIMI: MISIONI PARËSOR I GJYKATËS SPECIALE TASHMË ËSHTË PËRMBUSHUR

Viti, 26. 06. 2015 – Pak kujt (ndoshta askujt) mund t’i shkoj në mendje se Gjykata Speciale tashmë e ka përmbushur misionin e saj parësor! Pak kush (mbase askush) në Kosovë beson se Gjykata Speciale tashmë e ka përmbushur misionin e saj primar në Kosovë ende pa filluar punën…! Qëllim themelor dhe parësor i atyre që morën nismën për themelimin e një Gjykate Speciale (të veçantë) për dënimin e “krimeve” që paska bërë UÇK-ja dhe shqiptarët kundër serbëve ishte shtrëngimi, trysnia, shantazhimi dhe detyrimi i kryeinstitucionalistëve të Republikës së Kosovës (posaçërsiht i Hashim Thaçit, i cili ishte “veshur” me të gjitha meritat e mundshme për çlirimin e Kosovës dhe që ishte edhe Kryeministër…) për të biseduar me Serbinë në Bruksel për lëshime të reja edhe pas Planit të Ahtisarit…! Prandaj, edhe ka zgjatur mosfunksionalizimi i kësaj gjykate deri më sot, që “koincidon” (rastis) edhe me përfundimin e bisedimeve të Brukselit…! Dihet botërisht se themelimi i një Gjykate Speciale për ndjekjen, hetimin, gjykimin dhe, eventualisht dënimin e luftëtarëve dhe komandantëve e “komisarëve” të UÇK-së (shqiptarëve) është inicuar nga Serbia me përkrahjen e fuqishme të Rusisë dhe të miqve të saj e të Serbisë në Bashkimin Evropian…

Dhe, po të donin Fuqitë e mëdha evropiane, sidomos po të donte Amerika, duke patur parasysh praktikat e deritashme dhe marrëdhëniet tërësisht vazale të klasës sonë politike me këto Fuqi, kjo Gjykatë do të ishte themeluar para dy vitesh… Mirëpo, këtyre Fuqive nuk u duhej kaq urgjentisht funksionalizimi i Gjykatës Speciale, por u duhej përdorimi i saj si instrument tepër (tërësisht) efikas për ta nënshtruar klasën politike të Kosovës (atë që vinte nga përpjekjet dhe lufta për çlirimin e Kosovës, sepse politikanët e LDK-së dhe të sojit të saj ishin gjithmonë të nënshtruar). Madje, mund të them pa frikën se mund të gaboj, se Gjykata Speciale u përdor nga Fuqitë e Mëdha dhe nga shërbëtorët e tyre në Kosovë si shpata e Demokleut mbi kokën e politikanëve (qeveritarëve, deputetëve dhe zyrtarëve tjerë të lartë, veçmas mbi kokën e H. Thaçit), që sundonin Kosovën me logjikën e pronës së fituar me luftë e jo me logjikën e qeverisjes për interesa të vendit dhe të kombit!

Sot, jemi dëshmitarë se “shpata e Demokleut” mbi kokën e H. Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij dha rezultatet e dëshiruara, bile përtej atyre që dëshiroheshin dhe priteshin nga Bashkimi Evropian dhe nga SHBA-ja. Delegacioni i Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në takimet e tij të shumta “miqësore” me Daçiçin e Serbisë, bëri lëshime tepër të rrezikshme për interesat, për sigurinë, për qëndrueshmërinë, për funksionalitetin dhe për të ardhmen e pacenueshme të Republikës së Kosovës dhe të tërësisë së saj tokësore (territoriale)!!! Serbia, me përkrahjen e miqve të saj tradicionalë dhe duke përfituar nga një klasë politike e korruptuar dhe e shantazhuar në mënyrë permanente, ia doli që ta detyrojë dhe angazhojë Republikën e Kosovës (tashmë shtet i pavarur) në bisedime të reja politike (rihapjen e paketës së Ahtisarit)…! Përfitimet e Serbisë ishin të mëdha dhe të tilla që nuk i kishte pritur as klasa e saj politike-shtetërore neofashiste. Lëshimet (koncesionet) që bëri klasa politike-shtetërore e Prishtinës ishin tragjike dhe me pasoja afatgjata për Kosovën shqiptare dhe për kombin shqiptar! Mund të përfundojmë që qëllimi themelor dhe parësor i “shpikjes” së Gjykatës Speciale tashmë është përmbushur tërësisht!
Nëse miratohen ndryshimet (amandamentimi…) e Kushtetutës dhe nëse miratohet propozimligji për Gjykatën Speciale, që do të thotë funksionalizimi i kësaj Gjykate, kjo do të bëhet vetëm për të realizuar qëllimet dytësore dhe tretësore, shtrëngimin e klasës politike-shtetërore që t’i zbatojë dhe përmbush marrëveshjet e Brukselit dhe, ndoshta edhe lëshime të reja në favor të Serbisë! Të paktën deputetët që janë edhe pjesëmarrës e drejtues të Luftës së UÇK-së dhe të kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës nuk do të duhej kurrë ta votojnë dhe miratojnë funksionalizimin e kësaj Gjykate Speciale, me të cilën do ta nënshtrojnë edhe më shumë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj shqiptar. Njësoj është përdorur edhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës me të cilën u shantazhuan politikanët tanë të rinj (sidomos H. Thaçi dhe servilët e tij) për t’u bërë pjesë e bisedimeve të Vjenës dhe për të pranuar dhe miratuar lëshime të mëdha në dëm të Kosovës dhe të ardhmes së saj…! Përgjegjësia edhe më e madhe bie mbi Tiranën zyrtare dhe qeverinë e saj, e cila bisedimet për fatin e Kosovës së saj i shikonte, i kuptonte dhe i trajtonte si bisedime për një tokë ose vend të huaj…!!! Bisedimet e Vjenës dhe Plani i Ahtisarit (të bazuara në Marrëveshjen e Rambujes) ishin hyrje në një proces tepër të dëmshëm për Kosovën, i cili shpresojmë të ketë përfunduar me këto bisedimet kapitulluese të Brukselit…! Bisedimet e Vjenës dhe të Brukselit u “finalizuan” me marrëveshje të papranueshme për Kosovën dhe që janë në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar në Kosovë dhe në Iliri (Ballkan). Si të tilla nuk do të pranohen asnjëherë dhe do të kundërshtohen deri atë ditë që kombi shqiptar dhe Shqipëria në Iliri (Ballkan) të vetëvendos për fatin dhe për të ardhmen e saj lirshëm dhe pa shpatën e Demokleut mbi kokë…

(Autori është magjistër i diplomacisë, gazetar, publicist, politikan…)
– Kontakti: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

PËRGJEGJËSIA!

PËRGJEGJËSIA! Nga Sheradin Berisha, Facebook 26 mars 2022 “OBSH: ‘Omicron’ mund të kolapsojë sistemin shëndetësor në mbarë botën”,…