YMER MAKSUT DOMI: KUSH ISHTE ATDHETARI YMER ZENEL DOMI (LUMA)

Tiranë, 28. 09. 2014: (Me rastin e 70 vjetorit çlirimit të Atdheut dhe 100 vjetorit të lindjes) – Në datën 1 tetor 2008 u nda nga jeta në moshën 94 vjeçare veterani i luftës dhe i punës, Ymer Zenel Domi (Luma). Ymer Zenel Domi (Luma) u lind më 30 qershor 1914 nga prindërit Zeneli dhe Hyrija, në fshatin Domaj të Ujmishtit të Lumës. Mbeti jetim në moshën një vjeçare. Kështu u rrit nën kujdesin e veçantë të nënës dhe xhaxhallarëve. Falë dhuntisë dhe këmbënguljes së tij, të afërmit u detyruan ta çojnë në klasën e parë të Shkollës Plotore të Kolesjanit, së bashku me bashkëmoshatarët e tij Rufat e Rakip Domi.
Mbas kryerjes me rezultate të mira të klasës së parë, nënprefektura e Kukësit e mori në konsideratë kërkesën e tij për ta dërguar me bursë në Internatin “Kosova” në Krumë të Hasit.
Aty njihet dhe krijon një miqësi të fortë dhe të gjatë me Xheladin Hanën dhe Sadik Stavilecin nga ajo pjesë e Shqipërisë që padrejtësisht u la nën Serbi në vitin 1912 nga fuqitë e mëdha.
Pasioni për arsim të mëtejshëm e shpërbleu me të drejtën e studimit në Gjimnazin e Tiranës, që e nisi në vitin 1930. Këtu pati edhe një mundësi të artë për të frekuentuar Bibliotekën e Shtetit, por edhe për të krijuar rrethin e ri të njohjes me të rinj e bashkëkohanikë të tij që ishin të pakënaqur prej rregjimit monarkik. Në Gjimnazin e Tiranës kishte filluar të përhapej tek nxënësit një frymë atdhetare, demokratike dhe përparimtare nga grupet e të cilëve ai u njoh me Skënder Çaçin, Asim Zenelin, Spiro Shalsin, Nexhip Vinçanin, Shefqet Hekalin, Tuk Jakovën, Daut Shapllon, Gaqo Peristerin, Fano Bollanon, Koço Priftin etj. Përgjegjës i këtij grupi të ri ku u përfshi i riu nga Luma Ymer Zeneli ishte shoku i tij i ngushtë Sadik Stavileci.
Mbas kryerjes së Gjimnazit, Shkollës Ushtarake Mbretërore dhe Kursit të nënoficerave (ku plotëson edhe shërbimin e detyruar ushtarak), Ymeri në vitin 1937 gradohet nënreshter. Në tetor të këtij viti, emërohet Sekretar i Zyrës së Rekrutimit Dukagjin-Shkodër, deri në fund të vitit 1940. Fryma përparimtare e revolucionare që kishte përfshirë në përgjithësi rininë studentore shqiptare në atë kohë, gjeti përfaqësuesit e vet edhe në Gjimnazin e Shkodrës e Konviktin e mirënjohur “Malet Tona”, siç ishin shoku i vjetër i Krumës Xheladin Hana, Ramadan Sula, Xhavit Nimani, Tom Kola, etj. Meqënëse Ymeri ishte ushtarak në profesion, nuk mund të dilte hapur me grupet e para komuniste të sapoformuara. Kështu që lidhjet me ta i mbante nëpërmjet Xhavit Nimanit.
Në janar 1941, emërohet Sekretar i Zyrës së Rekrutimit në Kukës, deri në qershor 1942.
Thirrja nën armë e të rinjëve nga regjimi fashist e motivoi për t’i hequr nga lista e rekrutimit shumë të rinj të rrethit të Kukësit. Kthimi i Rasim Gurit në Kukës nga internimi në ishullin Ventotene në Itali, u shoqërua me rekomandimin e Perlat Rexhepit dhe Sadik Bekteshit për kontakte të mëtejshme me Ymerin. Kjo lidhje e zgjeroi grupin e të rinjëve kuksianë ndër të tjerë me aktivistët idealistë Hysni Shehu, Niazi Hoxha, Hazir Asllani, Selman Bajraktari, aktiviteti i të cilëve u intensifikua me aksionin e kryer për prerjen e linjës telefonike Kukës-Shkodër, Kukës-Krumë e shumë aksione të tjera. Orientimet që vinin në atë kohë nga qendra, bënin thirrje për një përfshirje të lëvizjes në bashkërendim me Komitetin e Partisë Komuniste në Prizren.
Për të dobësuar zhvillimin e lëvizjes patriotike antifashiste, strukturat e regjimit në rreth e transferuan Ymerin në qershor 1942 në Zyrën e Rekrutimit Kërçovë-Maqedoni.
Emërimi në këtë qytet shqiptar i krijoi mundësinë për t’u njohur me administratën shtetërore, intelektualë të njohur, si dhe me anëtarët e militantët e lëvizjes antifashiste atje.
Kjo përfshirje në këtë veprimtari u bë nëpërmjet celulës në përbërje të së cilës ishin sekretar Sali Lisi (punonjës në Gjykatë), Ymer Domi zv.sekretar, kandidatë Vasil Mici, Hasan Përmeti e Vangjel Treska (arsimtarë) si dhe i deleguari Nikolla Posovski (operator i kinemasë së qytetit të Kërçovës).
Njëkohësisht me entuziazmin që ngjallte perspektiva e lëvizjes komuniste, Ymeri nuk e humbi për asnjë çast vigjilencën për të dalluar direktivat revolucionare antifashiste nga provokacionet shoviniste të drejtuesve të Partisë Komuniste Jugosllave, siç ishte rasti i divergjencës të drejtpërdrejtë e të hapur të tij me Vukmanoviç Tempon për pengimin e kalimit të Çetës së Kërçovës në Strugë.

Tiranë, janar 2913: Në Kalanë e Petrelës, Ymer Domi (autori i shkrimit) dhe Sh.B.

Okupimi me punët e përditshme nuk ia humbi vëmendjen për situatën e vështirë në fshatrat shqiptarë të zonës, ku bashkimi ndërmjet shqiptarëve ishte kusht i domosdoshëm për suksesin e luftës. Për këtë arësye ai ndërmorri iniciativa personale për pajtimin e gjaqeve ndërshqiptare, rezultati i shkëlqyer i së cilave ia rriti autoritetin në këtë zonë derisa u mbiquajt nga shqiptarët në Maqedoni si Ymer Luma. Ja si i këndonte populli i zonës:
Ymer Domi djalë i ri,
Kuvendon shpi më shpi.
Leni vrasjet vllaznit e mi,
Kemi hasmin mrena n’ shpi.
Ymer Domi djalë lumjan,
E vllaznoi Kërçovën t’tan.

Sigurisht gjithë kjo punë nuk mund të realizohej pa mbështetjen e pakursyer të patriotëve shqiptarë të Maqedonisë si Rexhep Zajazi, Beqir Sefa, kleriku i zonës V. Dërgova, Baki Nela, Xhem Abazi, etj.
Intensifikimi i aksioneve patriotike e antifashiste e detyroi Ymerin që më 6 maj 1943 të braktisë detyrën shtetërore për t’iu kushtuar totalisht çlirimit të vendit, duke u ngarkuar nga Partia me detyrën e Komisarit politik të Çetës e Batalionit të parë shqiptar në Maqedoni, ku drejtuesit e këtyre formacioneve partizane të përbërë nga 500 veta ishin të gjithë shqiptarë.
Më 16 tetor 1943 Shtabi Partizan i Kërçovës ngarkon Ymerin në krye të një grupi partizan me një mision të rëndësishëm ushtarak e politik siç ishte shoqërimi i 15 oficerëve aleatë anglezë në itinerarin Strugë-Dibër-Peshkopi-Kala e Dodës-Shishtavec deri në Bjeshkët e Sharrit.
Me përfundimin e suksesshëm të këtij misioni delikat Ymeri kthehet përfundimisht në vendin e tij të lindjes, në Çetën partizane të Lumës ku gjen shokët e vet të fëmijërisë e idealit si Mirman Jakupi dhe Abedin Shehu. I ngarkuar me detyrën e shefit të Mobilizimit të Qarkut të Kukësit si dhe duke shfrytëzuar njohjen e thellë dhe emrin e mirë të krijuar në zonën e Lumës, Ymeri ndikoi në eliminimin e një lufte civile midis banorëve të zonës së Surrojit të influencuar negativisht nga krerë të reaksionit me partizanët e Brigadës së V-të Sulmuese. Gjithashtu të njëjtin rol paqtues luajti në fshatin Lusën ku ndërpreu këtë luftë civile, e cila kishte shënuar viktimat e para.
Rritja e përmasave të Luftës NACL si dhe përfshirja në të përditë e më shumë e popullsisë vendase e bëri të nevojshëm krijimin më në fund të Brigadës XXIV Sulmuese me komandant Ndreko Rino, në batalionin e 3-të të së cilës Ymer Domi caktohet komisar.
Misioni fisnik e delikat që Shtabi i ngarkoi Brigadës së sapokrijuar ishte çlirimi i Tiranës, detyrë që partizanët trima të saj e kurorëzuan me sukses, duke vazhduar misionin drejt Shkodrës për çlirimin e plotë të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë.
Aktiviteti si kuadër i lartë i Brigadës XXIV, u konsiderua i kryer deri në prill 1945, duke kontribuar pas Çlirimit në zonat verilindore për ngritjen e organeve të pushtetit demokratik.
Duke qënë i formuar ushtarakisht dhe i pajisur me një eksperiencë të pasur para dhe gjatë luftës, Ymer Luma, emërohet në detyra të ndryshme ushtarake, si në Komandën e Vendit Libohovë, nëndrejtor i Qendrës së Rekrutimit të Qarkut Shkodër, Kryetar i Zyrës së Rekrutimit të nënprefekturës të Skraparit, deri në janar 1949.
Në Drejtorinë Politike të Ushtrisë me kryelektor Hysni Kapon, Ymerit, i besohet detyra si lektor pranë kësaj Drejtorie, detyrë që e ushtron deri në 1950.
Në situatën e vështirë të pas Luftës ku gjendej rrethi i Kukësit, Partia dhe personalisht Enver Hoxha, e ngarkojnë Ymer Domin me detyrën e zëvendëskryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Kukësit deri në vitin 1951.
Mbas kryerjes me sukses të misionit special të ngarkuar në rrethin e Kukësit, vjen natyrshëm emërimi pranë Kryeministrisë, në detyrën e kryetarit të Degës së Ankesaveqë e kreu deri në vitin 1966.
Në këtë kohë (1956-1961) Ymeri diplomohet si jurist në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Në kuadër të qarkullimit periodik të kuadrove të lartë, Qeveria e pa të arsyeshme të emëronte Ymerin në detyrën e Kryetarit të Lokalitetit Vorë nga viti 1966, deri në maj të vitit 1970, detyrë të cilën ai e kreu me shumë sukses, duke patur parasysh problemet ngase ky lokalitet ishte jo vetëm bujqësor, por edhe industrial. Gjithashtu ai arriti të krijojë edhe marrëdhënie të shkëlqyera njerëzore me banorët e punonjësit e vendit, të cilat vazhduan deri në fund të jetës së tij.
Si rezultat i këtyre arritjeve në bazë organet shtetërore e vlerësojnë duke e emëruar tashmë në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës me detyra drejtuese në Seksionin e Organizimit, në atë të Strehimit dhe të Arbitrazhit Shtetëror deri në vitin 1979, vit i cili shënoi dhe fundin e marrëdhënieve shtetërore e profesionale.
Por ky nuk ishte fundi i jetës aktive shoqërore e partiake të Ymerit, sepse ai u muar gjerësisht me problemet jo pak të rëndësishme të komunitetit. Një nga aktivitetet më impenjative gjatë kësaj kohe ishte përfshirja e tij në Organizatën Kombëtare të Veteranëve, sensibilizimi i brezit më të ri me kujtimet e lavdishme të LANÇ si dhe organizimi i ngjarjeve përkujtimore të formacioneve partizane dhe të rënëve të Luftës.
Ndryshimet demokratike, në vend shënuan një hap të ri e cilësor të marrëdhënieve disi të fashitura deri atëherë me patriotët e veteranët e përtej kufirit. Kujtimet e tyre kishin mbetur të gjalla si zjarre të pashuara në zemrat e mëndjet e tyre e të bijëve, si në trojet shqiptare, ashtu edhe në diasporë. Beqir Sefa, Rrahim Ymeri, Gafur Adili, Nazif Zylku, Sefedin Elezi, Faslli e Hilmi Veliu, Hamit Mehmeti, Ali Ahmeti, e të tjerë i rigjallëruan lidhjet e humbura ndër vite duke dërguar djemtë në Tiranë, duke e ftuar bacën Ymer Luma në Kërçovë dhe Zvicër, e duke i dhënë kështu një mundësi të rrallë për të konfirmuar edhe njëherë mbas 50 vjetësh që lufta dhe puna e tij në ato vite i kishte dhënë më së miri frytet e saj.
Njerëzit më të surprizuar nga këto ngjarje ishin vetë bijtë e të afërmit e Ymer Domit, të cilët nuk e kishin përfytyruar në këto përmasa aktivitetin e tij gati shekullor. Ai u përcoll nga kjo jetë i qetë e i lumtur për arsye se ka lënë pas trashëgimtarë që do ta mbajnë gjallë ndër breza jetën e veprën e papërsëritshme të tij.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura