ARDIAN RAMADANI: SHTETI I SË DREJTËS I KRYEMINISTRIT RAMA

Kumanovë, 21. 06. 2014 – Mbase po shihen sukseset e para të qeverisë shqiptare me në krye, z. Edi Ramën. Aksioni i suksesshëm në Llazarat, dëshmoi se shteti kur donë, ngase për të mundur mundet çdoherë, arrin të tregoje efiçiencën e tij dhe të shtrijë ndikimin në tërë territorin e vet.
Duke përcjellur lajmet e ndryshme, vërejta një titull sarkastik dhe ironizues «Llazarati ra». Ky titull thuajse tentonte të sqaronte se Llazarati, si një perandori shumë e madhe, thuaja se me territor sa Kina, kishte rënë përfundimisht. Ndërsa, në vend se të përgëzohej kryeministri dhe policia për këtë aksion, opozita e zhurmshme në Shqipëri me në krye, liderin e saj Sali Berishën, i cili me sa duket do presim edhe shumë vite e ai do na lodhë edhe më tej me fjalimet e tija absurde dhe alogjike, patetizuese e çoroditëse, në vend se të mbështesë aksionin e policisë, ajo sillet si e përdalë.

– Edi Rama –

Po s`ke çka i bën. Inat allashiptarçe.
Ky aksion i cili është dashur të ndërmerret shumë vite më herët, ngase shteti duhej të kontrollonte Llazaratin e jo e kundërta, dëshmoi se shteti shqiptar kishte qenë peng i narkodilerëve dhe kapove. Ky aksion dëshmoi brishtësinë e shtetit shqiptar, përballë krimit dhe kriminelëve. Edhe zogjtë e malit e kanë ditur se Llazarati nuk do të ishte i tillë po mos të kishte përkrahjen e politikës, e sidomos të shtetarëve. Por ama, u dëshmua se një qeveri kur do, e them përsëri mundet të realizojë dhe ushtrojë shtetin e së drejtës.
Ky aksion, të cilin unë e konsideroj si mjaft të suksesshëm, sepse me gjasa do të jetë përcaktues për fatin e Shqipërisë, për të fituar vendin kandidat për në UE, i realizuar nga qeverisja Rama, dëshmoi se kupola e krimit nuk gjendej në Llazarat, por në instancat e drejtësisë dhe të ish qeveritarëve. Mbase ky sukses i kryeministrit Rama, e me gjasa nuk duhet tani t`i thurret atij aureolë lavdie, ngjalli shpresat edhe përtej shtetit amë, ku ishim mësuar të merrej shembull vetëm për të keq, duke dëgjuar sintagmën e famshme « Llazarati ». Ky fshat, i cili u mediatizua aq shumë, saqë nuk mund të imagjinohej dot, mbase do u shërbejë për diçka brezave që jetojmë tani dhe që do vijnë. E ajo është se askush nuk ka faj për atë se si jemi, përpos neve vet. Si dhe atë se problemi mbetet çdoherë tek qeveria.
Kur të marrim rastin e Serbisë, duhet të bëhemi realistë dhe të themi gjërat ashtu si janë. Serbia pas vrasjes së kryeministrit Gjinxhiq, ndërmori aksionin më të madh në historinë e saj, duke shkatërruar celulat e krimit dhe prostitucionit, Klanin e Zemunit. Mbase ky ishte një sukses që më vonë do t`a shpërblente shtetin serb, me marrjen e statusit kandidat.
Mirëpo, Shqipëria, edhe pse me vonesë, bëri atë që duhej bërë më parë. Dëshmoi se me të vërtetë nuk ishte një butafori aksioni i ndërmarrë. Dëshmoi se shoqëria shqiptare nuk është ë mbërthyer nga inaptokracia (INAPTE- i paaftë, pa kapacitetin e duhur, term i Jean d`Ornesson, shkrimtar, akademik dhe gazetar francez). Por dëshmoi edhe atë se ndoshta jo të gjithë të majtët që qeverisin janë të aftë të ndryshojnë diçka, por shumica e të majtëve që qeverisin janë të aftë për të ndryshuar në të mirë shtetin amë.
E ndërkaq, përderisa kryeministri Rama me qeveritarët e tij, dëshmoi se është mendje që merret me ide e ngjarje, ish kryeministri Berisha, duke u marrë me njerëzit, e pikërisht me bashkëshortet e qeveritarëve, tregoi vogëlsinë e tij.
Kryeministri Rama, duke pasur si pararojë thënien e Gandit « fillimisht të injorojnë, pastaj të përqeshin, mandej të luftojnë, e pastaj fiton », shungulloi me aksionin e tij të fundit, ndërsa le të shpresojmë se ky yrish do të ketë jehonë ne tërë shtetin shqiptar, e të reflektojë edhe në këto shtetet tona, Kosovë dhe Maqedoni.
Kjo Mise en scene është e denjë për Shqipërinë. Dhe për shqiptarët.
(Autori është përkthyes dhe profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist)

—————————————-

BETEJA PËR LAZARATIN…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura