Prishtinë, 27. 06. 2014 – Shumë zhurmë për një koalicion: Më në fund jemi në prag të certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, për të vazhduar pastaj me përpjekjet për formimin e institucioneve të Kosovës të cilat gjithmonë, me përkushtimin dhe sakrificën më të madhe i kanë shërbyer qytatarëve. Mendoj për Kuvendin e Kosovës me të gjitha organet, të brendshme dhe të jashtme të cilat pastaj duhet ta votojnë apo mos ta votojnë kryeministrin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi! Vetëm ka mbetur të shqyrtohet ankesa eventuale e AKR-së apo ndonjë kandidati për deputet i cili eventualisht nuk ka pasur resurse të mjaftueshme financiare për t’u bërë deputet! Jo për të blerë vota se kjo në Republikën tonë nuk mund të ndodhë as në ëndërr! Në realitet gjërat zhvillohen ndryshe! Kemi fat që jetojmë dhe jemi banues në një shtet ku sundon ligji dhe ku të gjithë janë të barabartë para ligjit! Prandaj edhe zgjedhjet u cilësuan si shumë të mira për dikend dhe aspak të mira për dikend tjetër! Nëna e Madhe e KQZ-së, Valdete Daka e bëri publike edhe listën e deputetëve që në mandatin e ardhshëm do ta kenë të siguruar mrizin dhe vendin ku kafja kushton 40 cent dhe ku rroga fitohet pa u djersitur fare!
Koalicioni i grupit “Guns’N Roses”!
Mbase për shkak të klimatizimit të mirë që është në këtë ndërtesë të përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Përfshirë këtu edhe pakicën shqiptare e cila është e privuar nga e drejta për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare, shfaqjen, ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar! Ka deputetë që në një vend normal nuk do t’u mundësohej lejeqarkullimi afër ndërtesës së Kuvendit as në perimetrin prej 500 metrave e lëre më që të ulen brenda, të luajnë me laptopët Sony playstation, të lexojnë shtypin falas dhe madje të sillen edhe si intelektualë! Me kollare , kostume Armani të prodhuar në Kinë dhe perfume të bodrumeve të Kodrës së Trimave apo të një barnatoreje bujqësore të palicencuar! Kohë të vështira dhe kohë të pështira! Mirëpo, për aq sa mbaj mend, kurrë nuk ka pasur fushatë më të organizuar , më të orkestruar, më të fuqishme se kjo që është bërë, jo kundër PDK-së dhe koalicionit parazgjedhor por kundër Hashim Thaçit dhe disa bashkëpartiakëve të tij! Madje, po të ishin përcaktuese këto sulme, PDK e cila në zgjedhjet e fundit identifikohej me Hashim Thaçin, nuk do ta kalonte as pragun zgjedhor. Po të kishte mobilizim para luftës së dytë botërore të aleatëve kundër Hitlerit sikur që ishte mobilizimi kundër Thaçit gjatë fushatës e sidomos pas zgjedhjeve, harta gjeografike, politike dhe demografike e botës do të dukej krejt ndryshe! Kjo mënyrë e bërjes fushatë i dëmtoi “agresorët“ e paskrupullt duke i siguruar 166.800 vota për Thaçin të cilin, përveç koalicionit pasi është falur Bajrami (paszgjedhor), pikërisht më së shumti bëri përpjekje ta dëmtojë shkruesi i pamfletit më racist dhe më fashist në hapësirat shqiptare, kosovare dhe jugosllave (mjedisi ku ka mësuar shkrim – këndim dhe edukim), Miliarderi i pasluftës dhe milioneri gjatë luftës që së fundi hyri në marëdhënie konceptuale të shkëlqyera me liderin e koalicioni LVV-FERR e që shpreson që një qeveri teknike do ta nxjerr si kandidat koncensual për kryeministër të ardhshëm të Kosovës! Kjo mënyrë e fushatës e ka forcuar Thaçin e jo puna që e ka bërë Thaçi gjatë dy mandateve të papërfunduara! Gjuha e urrejtjes ka qenë përcaktuese për rezultatin e zgjedhjeve; si për fituesin e sidomos për ata që nuk fituan! Kjo urrejtje sidomos u forcua pas zgjedhjeve kur u formua Koalicioni i Bali Katravellës që programin politik, ekonomik, social, kombëtar, njerëzor, kulturor dhe strategjinë për zhvillimin e Kosovës e përmblidhnin vetëm në një pikë, rrëzimin e Hashim Thaçit duke e luftuar me të gjitha mjetet e mundshme Thaçin 3. Jo si koncept por si numër! Perspektivën e Kosovës e kanë barazuar me Thaçi 3! Ç’është e vërteta, para zgjedhjeve Thaçi ishte thuaja i rënë por e forcuan këta që e formuan koalicionin e Bali Katravellës! E që po e forcojnë edhe më shumë tash! Sepse, po të mbahen zgjedhjet e reja në afatin tre mujor, koalicioni i udhëhequr nga PDK dhe i rifreskuar do të fitonte së paku 35-38% të votave. LDK do të forcohej për së paku 3% ndërkaq humbësit më të mëdhenj do të ishin koalicioni LVV-FERR dhe AAK në ndërkohë që Nisma do të bëhej pjesë e arkivës së KQZ-së! Po të isha në krye të PDK-së do t’i provokoja me çdo kusht zgjedhjet e reja dhe nuk do të hyja në pazare pas së cilave do të ndahet e lagur. Mos ta përdori një fjalë tjetër. Këtë që e them mund ta spjegoj ashtu siç i pata spjeguar rezultatet e zgjedhjeve të fundit. Me shumë pak mundësi të gaboj! Duket se askush nuk është në gjendje, nëse nuk detyrohet, të shkojë në zgjedhje të reja! As subjektet politike e as deputetët e rinj dhe të vjetër! Këta janë në gjendje t’i hanë (si Unikatili) për së gjalli liderët e tyre vetëm të mos shkojnë në zgjedhje të reja ku mund të përfundojnë me vota sa ka fituar ish fqinji im Lazri si kandidat shumë serioz i LVV – FERR! E sidomos ndërkombëtarët që nuk kanë kohë të merren me mëritë dhe hasmëritë tona! Ata e kanë projektin e tyre politik të cilin nuk e ndryshojnë edhe nëse këta “ tereqët “ tanë e hanë njëri – tjetrin dhe të cilin nuk e fshehin sepse e konsiderojnë si suksesin e tyre më të madh. Vazhdimi i bisedimeve me Serbinë. Pastaj formimi i Gjykatës së Veçantë Njëetnike për Krime Lufte nga e cila dikush nuk e ka gjumin si duhet e dikush shpreson të ndërtojë karrierë politike. Pastaj formimi, forcimi dhe futja në Kushtetutë e një entiteti politik dhe etnik e që nuk do të quhet Republika Srpska por Asociacion i Komunave Serbe. Ndryshimi është vetëm në emërtim! Përmbajtja është sikur të binjakët siamezë! Pastaj vjen privatizimi, pronat e kishës ortodokse serbe dhe shumë gjëra të tjera. Mendoj se vendimet që do të merren tash, do të jenë më të rënda dhe më të dëmshme për Kosovën se këto që janë marrë deri tash! Sikur që dikur u pata gëzuar kur iku Tina dhe erdhi Delli e pas ardhjes së Dellit e kërkoja Tinën (Kajdanov) edhe këta do të gëzohen me marrëveshjet e mëparshme kur do të përballen me këto të rejat! Serbët e Veriut tash konsiderohen si paqësorë ndërsa ne si të dhunshëm! Madje, ambasadori gjerman në Kosovë, si njeri i ditur dhe me shije, me të drejtë konstatoi se:”barrikada e re me pisha, bar dhe lule mbi lumin Ibër është shumë më bukur se ajo e mëparshmja që i dukej shumë e shëmtuar! Ka të drejtë sepse në këtë barrikadën në “Parkun e Paqes” që e ngritën Rojat e Urës, gardistët e Car Llazarit dhe humanistët e Dolçe Vitas, edhe nëse marrim në thua, së paku nuk do të lëndohemi shumë. E keni parë se tash problemi kryesor në Kosovë është barrikada mbi lumin Ibër dhe vetëm me te merremi. Banditët e Veriut e ngrenë karremin në të cilin ramë me një lehtësi të pabesueshme! Miqtë ndërkombëtarë të Hashimit dhe Nëna e Madhe e Bacës Adem Evropa apo Europa me fanatizëm po e mbrojnë njërën nga vlerat themelore të demokracisë dhe të drejtën e njeriut për lëvizje të lirë pikërisht mbi lumin Ibër.
Kajrafilat dhe trandafilat e Lutës, Ismetit dhe Zafirit
Luta dhe Ismet moti repovatin në politikën e Kosovës. Zafiri dikur ishte adhurues i folklorit ndërsa tash ka rënë në pozitë Luta feat Zafir. Edhe ai po repovat. Nuk ka koalicion me PDK-ën! Madje MC – Zaphiri po ka frikë se edhe në ëndërr po t’i shfaqej ky koalicion, do të trishtohej sikur nuk qenka i trishtuar. Partia e Kajrafilave dhe Trandafilave deri më tani e ka përkrahur gjithmonë PDK në Kuvendin e Kosovës ku do të ulet edhe MC Zaphiri dhe as koalicioni i Bali Katravellës nuk po e kundërshton kumbarinë me Serbinë me ndrikullën Ashton. Madje edhe koalicioni LVV – FERR kundërshtimin për bisedime nuk e ka shumë të fortë por e ka shumë të qullët! Vetëm mbetet të zëvendësohet Hashimi me Albinin dhe Edita me Ilirin (Dedën). Koalicioni LVV – FERR, më në fund e do pushtetin. Sidomos nëse bëhet pjesë e këtij pushteti. Tash nuk po bisedohet (brenda koalicionit të Bali Katravellës për parime por për shifra apo numra). Ta mundin Thaçin me shifra apo numra! LVV -FERR tash po e përkrah Isën për kryetar Kuvendi dhe Ramushin kryeministër dhe çdokend që nuk quhet Hashim Thaçi, ndërsa dikur e refuzonin kandidaturën e Adem Demaçit për president! Duket se këtë e ka bërë dhe po e bëjnë ekskluzivisht për qëllime kombëtare. Kush dojë, le të besojë!
Luta, çdo herë kur flitet për koalicione e përmend emrin e grupit që udhëhiqet nga Axel Roses, Guns’N Roses. Si në tregimet me shtriga, me Guns nënkupton të dhunshmit në rastin konkret PDK ose dikur AAK, ndërsa me Roses nënkupton paqësorët që shpërndajnë lule duke menduar për LDK-në! I paragjykon rastet sepse as krejt PDK e AAK nuk janë guns (armë, të dhunshëm) e as krejt LDK nuk janë trandafila apo lule. Po ky koalicion Guns ‘N Roses dikur ishin bashkë madje Luta ishte njëri ndër frontmenët e këtij koalicioni! Tash, po thotë se nuk shkon koalicioni Guns ‘N Roses sepse PDK qenka Guns. Po, të lutem Lutë më trego se a AAK tash janë bërë Roses (lule) e dikur i quanit, jo vetëm guns por edhe gang (ster)! Lutë, ose të vërtetë je ndër lule ose unë nuk di çka janë lulet! Edhe Nisma për Kosovën është ish pjesë e Guns (dhunës, armëve) dhe si u bë që me ta po bëni koalicion?! E mira e së mirës është që për koalicion nuk pyeteni fare por për te vendosën ata që e udhëheqin grigjën (partinë tuaj) e në rastin konkret e vendosin ata që nuk guxoni t’ua ktheni fjalën. E vendosin miqtë (ndërkombëtarë) e jo prindët! Ashtu do të bëhet. Ata mund ta bëjnë koalicionin Guns’N Roses dhe nuk do ta kundërshtoni. Ata mund ta shesin m.t..n për mjaltë dhe si të tillë edhe do ta bleni. Sepse, plotësisht ju kuptoj se çdo gjë që e bëni e bëni për hater të miqve ndërkombëtarë që aq shumë e kanë ndihmuar Kosovën dhe atdhedashurisë së madhe që e keni! Mos bëni koalicion me ate që nuk doni por mos urreni! Mos e personalizoni luftën politike dhe mos e individualizoni mosdurimin që e keni shndërruar në urrejtje. Mundeni Thaçin dhe qeverisni. Nuk ka këtu problem fare! Por e kam një bindje se, siç ju ka mundur në zgjedhje do t’ju mund edhe tani! Përkrahësit më të mëdhenj të Hashimit jeni ju, unë nuk jam në dashuri me te. Në fund të fundit, ju keni fjetur në një shtrat (koalicion) politik me Hashimin duke ndarë çaste të këndshme me te. Për dikend të paharruara dhe e keni vështirë ta sfidoni tundimin e një ribashkimi tjetër. Për interese të shtetit dhe të kombit. Për popullin!
Koalicioni i Bali Katravellës nuk është i natyrshëm. I ngjanë një makine që një rrotë e ka të traktorit, tjetrën të Mercedesit, të tretën të autobusit dhe të katërtën të qerres ilire! Nuk e besoj se funksionon! Shpejt do të bindeni! Prandaj, përmbahuni nga fjalët e mëdha dhe kërcënimet. Ashtu vepruat me presidenten Jahjaga dhe Enver Hasanin. Mos u ngutni sepse ndoshta ata do të marrin vendim të favorshëm për ju! Dhe ku do të mbetni atëherë ju, Roses apo Lulet e koalicionit! Dhe si do të quhet ky koalicion?! Roses and…roses! Karajfila me trandafila! Bëhet mirë. Kryesore që jeni mall për treg! Keni çmim prandaj edhe mund të shiteni! Rriteni çmimin! Në Kosovë do të ketë koalicion të gjerë apo qeveri gjithpërfishërëse më së paku 85 vota. Çdo koalicion me 61 -70 vota do të jetë dhunim i demokracisë. Dhe nuk e besoj se do të ngjajë diçka e tillë.
Agjërim të lehtë, shëndet dhe suksese në këtë muaj të Shenjt të Ramazanit. Pasi është muaj i mëshirës, respektit, mirëkuptimit dhe dashurisë mos shfaqni urrejtje. Ulini armët verbale!