GJOKË DABAJ: UNË NUK PO BËRTAS KOT! UNË NUK PO ULURIJ KOT!

Durrës, 07. 07. 2014 – Na ndodhi këto ditë NJË TJETËR MYNXYRË. Dolëm për të protestuar nëpër rrugët e Shkupit dhe policët e shtetit sllavo-maqedon na rrahën, na lidhën, na i qorruan sytë me lëndë kimike, na arrestuan dhe, më në fund, na thanë: “Dilni prapë, po jua mbajti!”
Nuk është problem vetëm te ajo që na rrahën e na lidhën. Problemi i parë dhe më i madhi është POSHTËRIMI! Ata na poshtëruan! Ata u tallën me ne dhe nesër do të tallen e do të luajnë prapë me atë pjesë të kombit tonë si t’u teket atyre! “Kështu jua bëjmë!” do të thonë. “Ju arrestojmë! Ju dënojmë pa fakte! Madje, mund edhe t’i vrasim 2 apo 3 apo 5 vetë të palës sonë dhe t’ua ngarkojmë juve!”
I dënojnë djemtë tanë, jo se ata janë fajtorë për ndonjë gjë, por sepse kjo është mënyra për të na poshtëruar ne shqiptarët në formën më cinike dhe për të mos na dhënë ne shqiptarëvet asnjë të drejtë. Madje, as të drejtën për të ekzistuar! Bëj sa të duash parti politike! Bëj kryengritje! Bëj marrëveshje me ndërhyrjen e ndërkombëtarëvet! Bëj demonstrata, thyej xhama dritaresh, lësho parulla, kapu për fyti me policët! Çfarë kemi arritur?!
Problemi i dytë, pra, është: ÇFARË PO ARRIJMË?! A po i nxjerrim prej burgut djemtë që na janë dënuar pa fakte?! Përkundrazi, po na arrestohen, rrihen e keqtrajtohen edhe nja 10 a 20 të tjerë.
Unë, kam tashmë disa vjet që e kam publikuar idenë time se si do të mund t’i zgjidhnim ne shqiptarët, jo 1 e 2, por mijëra probleme që i kemi nëpër këmbë me shekuj. Midis tyre, doemos, edhe këtë problem do ta kishim zgjidhur ashtu si duhet.

Ta kishim institucionin e PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE dhe t’i kishim 5,6 apo 10 FJALËMIRA TË GJUHËS SHQIPE në Shkup, puna e parë që do të bënim, do të mblidheshim në ato FJALËMIRA dhe do të trajtohej situata në mënyrën më të mençur të mundshme. Do të shqyrtoheshin opcionet dhe do të bëheshin konsultime me KRYESINË NË PRIZREN. Më në fund, nëse do të vendosej për të dalë në demonstratë, do të llogaritej që, jo policia të na POSHTËROJË në atë farë feje, por demonstrimi të bëhej dhe policët të ktheheshin në qendrat e veta pa guxuar të na trajtojnë në atë mënyrë. Jo të krijohej përshtypja sikur na kanë ata në dorë, por ta kuptonte e gjithë bota që fatin tonë e kemi ne në dorë, jo të tjerët.
Ta kishim institucionin tonë të PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE, jo vetëm që problemin e marrëdhënievet tona me sllavët e Shkupit do t’i zgjidhnim ashtu si është më mirë për ne, por, siç thashë edhe më parë, mijëra probleme të tjerë do të gjenin zgjidhjen e duhur.
T’i kishim PËRKUJDESJEN GJITHSHQIPTARE dhe FJALËMIRAT përkatëse në të gjithë vendet ku banojnë shqiptarë, nuk do të prisnim të na ndodhnin hatara të tilla, si rasti i asaj gruaje fatkeqe që vrau 3 vajzat e veta me dorën e vet, si rasti i atij djalit që na e vranë policët e Greqisë në mënyrën më mizore, si rasti i Martinajvet, ku shteti malazias po derdh plehërat, sikur toka shqiptare të ish një nevojtore, apo si rasti i atij bankierit që na ia morën shpirtin mu në mes të Tiranës, duke luajtur me ne si macja me miun.
Edhe nëse do të na ndodhte një e keqe, në njërin vend apo në një tjetër, ta kishim institucionin e PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE, do të gjenim mundësinë për t’i parandaluar të tjerat ose të paktën shumicën.
Ndërsa kështu, pa një institucion qendror të PËRKUJDESJES, kush na garanton që prapë nuk do të na vriten njerëz me vlera, në mes të Tiranës, që nuk do të na e trajtojnë tokën tonë si tokë mbeturinash, që nuk do të na i vrasin prapë djemtë nëpër burgjet e Greqisë, që nënat shqiptare nuk do t’i vrasin më fëmijët e vet dhe që në rrugët e Shkupit nuk do të na i lidhin e gjakosin djemtë, ashtu siç na i lidhën e gjakosën në këtë fillim korriku 2014?! Kush na garanton?!
Kam disa vjet që e kam publikuar, në librin “Strategjia e shqiptarëvet”, projektin tim për krijimin e një të atillë institucioni gjithshqiptar, kam shkruar, jo 1 herë, por disa herë artikuj e shkrime sqarues lidhur me projektin në fjalë, por prapë ASKUSH nga ata që do të mund ta vinin në jetë këtë projekt timin, nuk po bëhet i gjallë. Përse po ndodh kështu?!
Unë nuk po bërtas kot! Unë nuk po ulurij kot! Mos jam unë vetë një ASKUSHI, që s’po më dëgjon ASKUSH?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura