DR.MOIKOM ZEQO: HARRESA HISTORISË!

Pashtriku.org, 14. 11. 2014 – Më 20 tetor 1900 vdiq Naim Frashëri, (110’vjetorin e kësaj vdekjeje në Shqipëri nuk e përmendi askush, as akademikët, as shkrimtarët, as shteti, nuk u bë për të një simpozium shkencor, as nuk çuan kurora me lule në varrin e poetit të “harruar”.) Akademikët shqiptarë, që nuk kanë asnjë vepër të përkthyer jashtë vendit, bile shumica nuk kanë fare vepra, por lista të mjera artikujsh, mobilizohen për të projektuar sulme liliputësh ndaj gjuhës letrare, – ide titanike naimiane. Por janë sulme pantomimash në boshllëk. Naim Frashërin e përcollën në banesën e fundit vetëm një grusht shqiptarësh, që përfaqësonin në fakt tërë gjeneratat e kombit në amëshim. Kur vdiq Naimi tërë Perandoria Osmane gati ishte në duart e shqiptarëve, që qenë vezirë, guvernatorë, pashallarë, kishin pushtet të pakufizuar, prona, pallate marramendëse, trupa ushtarake, pasuri, hareme. Kur kanë vdekur ata janë përcjellë me fanfara, ceremoni të bujshme, dekorata, gjëmime topash etj. Ata ishin emra të politikës dhe të administratës, plot tituj tmerrues dhe imponues të pushtetit. Mbas 110 vitesh asnjeri nuk di më asgjë për ta, emrat e tyre kanë humbur përfundimisht, vetëm emri i Naim Frashërit ka gjithmonë një pavdekësi të rilindur pambarim. Harresa e historisë është veç të tjerave një higjienë madhështore dhe e drejtë e intelektit njerëzor dhe të ardhmes, duke purifikuar kujtesën si substancë e personaliteteve të mëdha dhe të vërteta dhe jo alibike. Ky është fati i personazheve anonimë të politikës, që nuk mund t’i shmangen dot.

Naim Frashëri (1846-1900) ka gjithmonë një pavdekësi të rilindur pambarim.

Politika për shkak të pushtetit fabrikon emra të përkohshëm – kjo dihet nga të gjithë. Kush i mban mend emrat e pafund të administratës 50’vjeçare të shtetit stalinist shqiptar, të anëtarëve të KQ të PPSH, të organizatave të masave dhe sidomos të ashtuquajturve deputetë të gjysmëshekullit totalitar? Por alkimia fabrikuese e politikës nuk mbaron asnjëherë. Gjithashtu, për 20 vjet politika shqiptare është karakterizuar nga personazhe anonime, me pak përjashtime. Këta 20 vjet kuriozët e paepur dhe djerrakohës mund të koleksionojnë afro 1000 emra deputetësh, ministrash, zëvendësministrash, kryetarë bashkish, prefektësh, drejtorësh kryesorë, autoritetesh, që kur kanë pasur mandatet kanë qenë të gjithëpushtetshëm, por absolutisht të përkohshëm dhe tashmë të harrueshëm pa asnjë nostalgji apo nderim.
Klasa politike shqiptare nuk e ka kuptuar, ose nuk do ta kuptojë se krijimi dhe konceptimi i emrave përfaqësues të ekipeve të specializuara është një gjë jashtëzakonisht serioze dhe me përgjegjësi kapitale kombëtare. Të dy partitë e mëdha, që do ta zotërojnë skenën shqiptare ndoshta edhe për 20, ose 30 vjetët e ardhshëm në vend të personaliteteve të vërtetë preferojnë emra militantësh, ideja e besnikërisë ritituale ndaj kreut partiak ka zëvendësuar parimin e vlerave intelektuale, të diturisë, dinjitetit dhe vizionit jetik. Kjo është një optikë e deformuar dhe dëmsjellëse.
Në fillimet demokratike, përzgjedhja intelektuale qe më premtuese dhe inkurajuese, kurse në 10 vjetshin e fundit gjithçka ka ndryshuar, do të thosha, për keq. Listat e deputetëve i përcaktojnë kryetarët e partive.
• A nuk është tërësisht subjektiv dhe i frikshëm ky i ashtuquajtur ekskluzivitet?
• Si mund të jetë normative një gjë e tillë?
• Kujt u shërben?
• Kryetarëve?
• Po vetë partive?
• Po Shqipërisë?

Deputetët e listave, vetvetiu nuk kanë më nevojë për emrat e tyre, por vetëm për emrat e kryetarëve, që në fakt i emërtojnë për t’u zgjedhur gati mekanikisht, duke i kthyer elektoratet në votues postulatesh. Ky teknicizëm votive është e kundërta e votimit demokratik, vlerësues, që përbën verdiktin plot dinjitet të elektorateve dhe të vetë popullit sovran. Ekskluzivitetin e zgjedhjes dhe të delegimit e kanë votuesit dhe jo kryetarët emërtues. Pra është ndryshuar kahja e logjikës demokratike, madje edhe e konkurrimit demokratik të vlerave publike. Kjo ka çuar në deformime. Sidomos në procesin e deintelektualizimit të subjekteve të përfaqësimit politik.

Gara e Salës&Edit për zgjedhjet e 28 qershorit 2009!

Të ashtuquajturit biznesmenë të pasur dhe shumë të pasur bëhen deputetë në disa mandate, por janë anonimë me gjithë kuptimin e fjalës.
Pse?
Shumica e deputetëve në këto legjislatura nuk kanë spikatur as në Kuvend, as për ato që kanë bërë për elektoratet.
Pse?
Si ligjvënës nuk mbahet mend asnjë prej tyre që të ketë marrë një nismë ligjore konceptuar dhe iniciuar si shprehje e personalitetit të presupozuar që duhet të ketë dhe të mbartë një deputet.
Pse?
Zgjidhen ministra njerëz që nuk kanë as lidhjen më të vogël profesionale, ose të përafërt me postet shumë të rëndësishme.
Pse?
Militantizimi administrativ shkatërron konceptin autonom të vijueshëm, special dhe profesional të substancës së administrimit të pazëvendësueshëm shtetëror, pra zhvlerëson vetë institucionin mbipartiak të shtetit.
Pse?
Kjo shpjegon pse personazhet anonime të politikës nuk do të kujtohen pozitivisht, sepse ata nuk janë vetvetja, nuk kanë qenë as më parë, as më pas, pra nuk ka pse të jenë edhe në të ardhmen. Koha është rrënuese, e pamëshirshme, qesëndisëse, qortuese dhe shpaguese për ta. Klasa politike shqiptare duhet të reflektojë jo vetëm për vendin, por edhe për veten. Mielli e përcakton bukën, shijen e saj. A mundet klasa politike të reflektojë.

Martesa “Berisha-Meta”, në survejim të Ramës, pas zgjedhjeve të 28.06.2009!

Pse jo?
Çdo popull ka talente, vlera dhe personalitete. I ka dhe Shqipëria. Parabola e femrës së shëmtuar që pa vetveten në pasqyrë dhe shau pasqyrën e ka një kuptim. Nuk duhen ndërruar pasqyrat, por fytyrat. Shqipërinë e përbëjnë njerëzit e saj të mrekullueshëm që ende janë, ende nuk kanë vdekur, që pa pushim lindin, që do të lindin pa ndërprerje, dhe jo thjesht politikanët dhe sidomos jo personazhet anonime të politikës që kurrë nuk kanë mësuar, kurrë nuk u përpoqën të bëhen personalitete të vërteta.

Tiranë, 13. 11. 2010

…………………………………………………………………

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura