KADRI REXHA: KRYENGRITJA E PRANVERËS 1981 NË KOSOVË ISHTE VAZHDIMËSI E NJË RRUGE TË MUNDIMSHME SHTATËDHJETËVJEҪARE

Pashtriku.org, 12. 03. 2015 – Që të ngrihej në demonstratat e vitit 1981 popullit shqiptar iu desh të kalojë një rrugë të mundimshme shtatëdhjetëvjeçare, e cila kaloi përmes ferrit dhe golgotës politike dhe ushtarake serbe, përmes masakrave individuale dhe atyre kolektive, përmes varrezave individuale dhe varrezave masive, përmes djegieve të katundeve dhe shkretimit të krahinave të tëra, përmes të ndërrimit të fesë me dhunë dhe të shkombëtarizimit masiv, përmes dëbimit nga vatrat shekullore dhe gjenocidit mbi gjashtëqind fshatra të Sanxhakut të Nishit, përmes masakrave të pashembullta në Drenicë e në Gjilan, në Llap e në Ferizaj, në Tetovë e në Burim, në Pejë e në Gjakovë, në Mitrovicë e në Prizren, në Tivar e në Srem, përmes vrasjes me uri në emër të tepricave, përmes kolektivizimit, përmes aksioneve për mbledhjen e armëve, përmes shpërnguljeve me dhunë, përmes ndalimit të flamurit dhe simboleve kombëtare, përmes ndalimit të gjuhës dhe ndalimit të shkollimit në gjuhën amtare…

Në këtë rrugë të gjatë dhe të rëndë të qëndresës së paepur, popullin shqiptar e mbajti të papërkulur vetëdija e lartë kombëtare e përkatësisë shqiptare, vetëdija e lartë e një populli të lashtë autokton, vetëdija e një populli që në trojet e veta nuk është as ardhës dhe as pushtues, por zot i tyre që nga stërgjyshët Ilirë e këndej, zot legjitim i tyre me bekimin tokësor dhe me bekimin hyjnor. Në këtë rrugë vuajtjesh të shumta dhe krajatash të padurueshme popullin shqiptar e mbajti gjallë në jetë ideja e pashuar e lirisë, e pavarësisë dhe e bashkimit kombëtar. Pra, popullin shqiptar e mbajti gjallë e të papërkulur puna dhe veprimi i pandërprerë, shpresa dhe besimi i patundur në fitore të sigurt dhe në një ardhmëri të ndritur. Kështu, deri në muajt e parë të vitit 1981, atëherë kur thika serbe kishte depërtuar deri në ashtin e një populli, atëherë kur durimit të padurueshëm i kishte ardhur fundi, atëherë kur një popull kishte ardhur në përfundimin sublim se liria dhe pavarësia është mbi të gjitha, se liria dhe pavarësia janë më të shtrenjta se vetë jeta.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura