Prishtinë, 05. 12. 2014 – /U bë qeveria vetëm pasi u hëngër pasuli Te Sabria/ – U lodhëm duke e pritur formimin e qeverisë. Pikërisht në kohën kur duhej të prisnim babadimrin me dhuratat për Vitin e Ri po bëhemi gati ta presim kryeministrin e ri të Kosovës i cili i ka dy emra ; për dikend quhet Hashim Thaçi ndërsa për të tjerët Isa Mustafa. Analistët dhe opinionistët qe deri dje ishin 100% me bllokun V (L)AN dhe të cilët kontribuan fuqishën për ngërçin politik duke dezinformuar opinionin dhe duke përkrahur ate që edhe vet e dinin se nuk është e mundur të realizohet , tash kanë filluar të përshtaten rrethanave të reja. Jetësisht janë të interesuar t’i ndihmojnë institucionet prandaj kanë filluar të përgatisin platforma dhe programe për qeverinë e re duke shënjestruar prioritetet në mënyrë që qeveria e re me bartës të vjetër ta kenë më lehtë ta realizojnë këtë program. Meritojnë çdo respekt sepse këta analistë, opinionistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme po bëjnë shumë sakrifica për të mirën e përbashkët duke e lënë anash interesin personal. Realisht, opinionistët , analistët dhe ekspertët e fushave të ndryshme në Kosovë mund të të jetojnë dhe mbijetojnë në të gjitha situatat dhe kushtet atmosferike. Kur janë të lagur apo kur ka të reshura atmosferike , qoftë shi apo borë ata shndërrohen në ameba dhe marrin formën e vendit ku vendosen apo misionit që i shërbejnë! Kur bënë vapë e madhe apo kur ka thatësira të mëdha ata shndërrohen në kameleonë duke i ndërruar ngjyrat në përputhje me temperaturat që u ndihmon të mos digjen asnjëherë! Pastaj, pozicionimi hapësinorë ( majtas , djathtas apo në qendër ) ndërlidhet ekskluzivisht me profilizimin e partive politike që u shërbejnë , jo për përfitime personale por për të mirën e përgjithshme. Kjo , në fakt është kategoria më viktimizuese e shoqërisë sepse u shërben të gjithëve dhe sakrifikohet për të gjithë! Nëse i krahasoni deklaratat për mediet e shkruara si dhe debatet në mediet elektronike të top analistëve, opinionistëve dhe ekspertëve të çështjeve politike, ekonomike, strategjike, arsimore , kulturore , botërore dhe seksuale atëherë jemi para një situate që , edhe pas dështimit total , kanë mbetur ende material i përshtatshmëm për reciklim dhe prodhim të arrnave ! Që rrinë bukur në çdo thes ( qeveri apo institucion tjetër ) ! Më bëri përshtypje shpejtësia e transformimit nga përkrahës të V (L )AN-it në përkrahës të Barcelonës ( Thaçit , Mustafës , Jagxhillarit , Jabllanoviqit, Duda Bales dhe Rasim Demirit si dhe përforcimit më të ri Kujtim Paçakut ). Duhet pranuar se edhe Barcelona nuk është më ajo që ishte dikur . Po jeton duke e përdorur emrin sikur dikur shoku Zulo! Procesi i transformimin nga një gjendje në një gjendje tjetër kërkon kohë të gjatë ndërsa te ne është proces i menjëhershëm. Bëhet me automatizëm! Për këtë arsye edhe jemi të veçantë apo rast sui generis ! Është interesant që disa analistë , opinionistë dhe ekspertë shumëdimensional , dje kërkonin që Thaçi dhe partia që e drejton duhet ta ketë mandatin qeverisë shumëvjeçar në Qeverinë e Dubravës dhe Dyzit ndërsa sot deklarojnë se si parti fituese e zgjedhjeve u takon ta drejtojnë koalicionin qeverisës të Barcelonës!!!
Kush pasha dhe kush aga
Disi po mbetet misterioz se kush do të jetë kryeministër i Kosovës. Këta të PDK-së nuk po deklarohen duke krijuar një situatë që ne nuk e lëmë postin e kryeministrin të cilin e kanë lënë në fakt në çastin kur janë marrë vesh me LDK-në për bashkqeverisje . Në rrethanat aktuale ashtu edhe duhet të veprohet . Elefantët e LDK-së po këmbëngulin se , ose postin e kryeministrit ose prishet marrëveshja ! Gjithmonë më kanë pëlqyer këta urtakët dhe të mençurit e LDK-së të prirë nga Haki Rugova , Ismet Beqiri që shoqërohen me fatosat sikur Bajram Gecaj dhe mbreti Bardhyl sepse nuk e bëjnë fjalën dysh! Shumë mendojnë para se të flasin por … kur flasin , flasin përnjëmend. Nëse edhe kam pasur dilema të vockla , rasti V( L ) AN më ka bindur sepse e mbajtën fjalën! Ose kryeministrin ose u prishëm . Dhe vërtetë u prishën! U prishën në njërën anë për t’u ndrequr në anën tjetër ! Pas kësaj situate kryeministri i Kosovës , zotëri ( edhe unë përshtatem ) Isa Mustafa mund të konsiderohet si fituesi më i madh në planin personal në të kundërtën do t’i shkonte lëkura për daulle . Sikur edhe disa elefantëve të moçëm dhe të rinj të LDK-së të cilët filluan të kruheshin nga zhgjeba politike! Lirisht mund të deklarojnë se shpëtuan ..për momentin! Isa Mustafa nuk është tradhëtar sikur që askush nga politikanët aktualë nuk mund të llogariten tradhëtarë politikë! Tradhëtarë janë ata që e tradhëtojnë shtetin por pasi ne ende nuk kemi shtet apo e kemi shtetin që na shalojnë të tjerët , të gjithë janë të amnistuar nga tradhëtia shtetërore . Tradhëti kombëtare nuk ka sepse ende nuk jemi komb dhe ua kemi ngatërruar adresat e përgjegjësisë duke u deklaruar si kosovarë dhe komb multietnik! Tradhëti politike nuk ka sepse politika te ne nuk nënkupton dashurinë për shtetin dhe kombin por dashurinë për postin politik . Pra ,e kemi një situatë të qartë ! Prandaj askush nuk ka të drejtë të hidhërohet sepse të gjithë kanë luftuar ekskluzivisht për poste . Edhe pozita , edhe opozita! VAN-i ( pa LDK-ë ) nuk diti ta luaj lojën e pokerit prandaj , në vend se t’i fitojë të gjitha , i humbi të gjitha ! Duke përfshirë edhe analistët , opinionistët dhe ekspertët b..lëpirës që në fakt mund të llogaritet vetëm humbje e përkohshme sepse , në rast të një ringjalljeje politike ( gjasat janë sikur të Dortmundit ) i cili është në fund të tabelës ta kalojë Bajernin , këta përsëri do të bëhen pjesë e shpurës përkrahëse dhe përcjellëse. Tash , këta do të përkujdesen për fustanin dhe velon e nusërisë së nuses nga martesa PDK – LDK ! Deri në martesën tjetër ! Nuk dua ta paragjykoj përbërjen e kabinetit qeveritar sepse do të dëshpëroheni shumë lexues të nderuar prandaj po presim të përfundojë lufta brenda llojit që bëhet brenda partnerëve të koalicionit për poste ministrore dhe të tjera. Mirëpo, mendoj se pas këtyre takimeve dhe konsultimeve të shumta , kryeministri Mustafa duhet ta qerasë kabinetin e ri qeveritar me një drekë ekskluzive . I propozoj të rezervojë vendet dhe kohën te restoranti Te Sabria . Fillimisht , sikur në Komedinë Hyjnore të Dantes duhet të kalojnë nëpër Ferr për të përfunduar përmes Purgatorit në Parajsë. Simbolikisht Ferri është kafeteria Dit e Nat sepse aty do të përballen me gjërat të cilat , nëse nuk i urrejnë atëherë as nuk i duan fare e ato janë librat e shumta! Purgatori gjindet shumë afër e ai është Kryqi i Kuq i Kosovës për të cilin kanë kontribuar shumë duke i siguruar klientelë të mjaftueshme ( popullin e varfëruar ). Dhe, më në fund, pas këtyre vuajtjeve vjen Prajsa e amshuar Te Sabria . Pasul me mish, pasul me gullash, turli jemek , lakra turshi me mish dhe pa mish, gjyveç dhe spinaq , jahni dhe makarona , supë dhe sallatë gratis. Për fund si delikatesë, çaj rusi me sheqer dhe me natren. Sa të doni. Ndërtesa e qeverisë është shumë afër dhe çka mbetet pas kësaj përveç se …turr në karrike për të pushuar!
Kallauzi i qeverisë – Lista Srbska
Si njësi matëse për zhvillimet politike në Kosovë do të llogaritet koha para dhe pas ngërçit politik. Sikur koha para dhe pas Krishtit! Në kohën e ngërçit figura më atraktive për Bllokun dhe qeverinë në detyrë ka qenë deputeti i Kuvendit të Serbisë ndryshe kryetar i Lista Srbska për Kosovën , Aleksandar Jabllanoviq. I gjori, pati mbaruar fare. Sa te Blloku , sa te qeveria në detyrë. Sa në këtë restoran , sa në atë restoran . Duke hëngër dhe duke pirë çka i ka kërkuar zemra dhe fyti! I ka përjetuar vuajtjet e Krishtit duke u kryqëzuar midis Ramushit, Isait dhe Hashimit në njërën anë dhe midis Vulinit , Daçiqit dhe Vuçiqit në anën tjetër! Zëvendësues i Dellit dhe Pushikarit në Kuvendin e Kosovës rret të cilit silleshin të gjithë! Nga ai varej se kush do ta bënte qeverinë prandaj ishte Top Model i arkitekturës së formimit të institucioneve . Ishte condition sine qua non ( kusht i domosdoshëm ) dhe atë rol përpiqet ta luaj edhe tash për formimin e institucioneve ndonëse asgjë nuk ka bërë për Kosovën përveç se ka vepruar kundër saj. Kushtëzimi i Jabllanoviqit, deputetit të Vulinit në Kuvendin e Serbisë se nuk do të bëhen pjesë e qeverisë nëse aty është VV është poshtërim që i bëhet Kosovës dhe shumicës së qytetarëve të saj. Nuk po e mbroj VV sepse me ta i kam ndarë rrugët por po e mbroj parimin se kushtëzimi që ebënë Lista Srbska është i pavend, i pamoralshëm , i papranueshëm dhe shumë i dëmshëm. Kjo vlen edhe për porositësit e këtij kushtëzimi, vendorë dhe ndërkombëtarë! Aleksandar Jabllanoviq, me këto kushtëzime nuk i përfaqëson as intereset e qytetarëve serbë të Kosovës. Punon në dëm të tyre në planin afatgjatë! Prandaj këto kushtëzime i bënë edhe në adresë të koalicionit të Barcelonës. Kërkesat janë të përpiluara në Beograd ndërsa deputeti i Kuvendit të Serbisë në Kosovë që shërben edhe si antenë satelitore si dhe zëdhënës i Serbisë e ka një kërkesë për të cilën edhe do të diskutoja dhe do t’i ndihmoja ta realizojë. E ajo është kthimi i pronave kishës ortodokse serbe në Kosovë. Mbase për këtë kanë siguruar dëshmi për pronësinë në Beograd të nënshkruar nga drejtorët për urbanizëm , Amfilohije Radoviq dhe otac Pavle. Të bisedojmë paraprakisht edhe për tokat e shqiptarëve në Nish, Prokuple , Kurshumli, Novi Pazar dhe vendet tjera nga shqiptarët janë dëbuar me zjarr dhe hekur. Edhe atje ka pasur xhami dhe objekte fetare të tjera të shqiptarëve .Tapitë që e dëshmojnë pronësinë e shqiptarëve janë në arkivat e Stambollit, Beogradit , Moskës dhe vendeve tjera! Kjo shumë lehtë vërtetohet !
Një notë verbale nga Shqipëria për Gazetën Express
Ju jeni të pabesë. Jeni tradhëtarë. Jeni bukëshkalë. Jeni shkërdhata të Kosovës dhe jeni zuzarë. Në kohët më të vështira më shfrytëzuat dhe ju shërbeva me besnikëri , konstruktivitet dhe pozitivitet. Tash , pa asnjë paralajmërim më shqelmuat sikur të isha bushtra e zhgjebosur e Tepelenës! Më ndërruat me zonjën Remi. Me gjithë respektin për zonjën në fjalë , zonjën Remi pra, nuk besoj se kam merituar të më trajtoni në këtë mënyrë! Zoti ju mallkoftë! Dikur e Juaja. ZONJA MERI!